Nga Alqi Koçiko
Duhet të ketë qenë një ditë e veçantë ajo e djeshmja për Gjin Gjonin, gjyqtar i Gjykatës së Apelit Tiranë dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pas gjithë baltës që hodhi mbi të Inspektoriati i Deklarimit të Pasurive, mediat, mazhoranca e madje vetë kryeministri, kishte ardhur momenti që ai t’u tregonte vendin të gjithëve. Ishte ftuar për të marrë pjesë në një tryezë tejet të rëndësishme të organizuar nga Presidenti i Republikës, për reformën në drejtësi. Do të fliste përpara një audience “top”, me krerët më të lartë të shtetit dhe politikës, gjyqtarë e prokurorë, pa harruar ambasadorët e huaj në Tiranë.
Dhe anëtari KLD-së shkoi e foli. I veshur thjesht, me një orë floriri false dhe butona këmishe ngjyrë të verdhë, gjithashtu false, ai paraqiti para të pranishmëve vizionin e tij për drejtësinë e re shqiptare. “I have a dream”, tha Gjini, pak e shumë. Dhe deklaroi se së pari drejtësia duhet të jetë “e pavarur”, e pastaj se duhet të “luftojë korrupsionin”. Secila pjesë pa tjetrën, do të ishte shumë e hidhur, tha Gjini. Në këtë lidhje varësie, duket se ka një problem që Gjini nuk e tha, por e nënkuptoi. Pavarësia e gjyqësorit pa luftë kundër korrupsionit, është shumë e hidhur për miliona shqiptarë dhe pikërisht kjo ka ndodhur deri tani: I pavarur për të bërë korrupsion. Ndërsa lufta reale ndaj korrupsionit në kushtet e “mungesës së pavarësisë” do të ishte shumë e hidhur për Gjinin dhe ca shokë të tij. Është e qartë se ne të tjerët jemi shumë në dilemë dhe në pamundësi për të vendosur se cilën hidhësi të zgjedhim.
Nëse ky gjykatës, simboli publik i korrupsionit në drejtësi për faktin e vetëm se organe të tjera shtetërore e kanë paditur për fshehje pasurie, nuk do të kishte postin që ka, do ishte shndërruar në barcoletë shëtitëse. Por termi në fjalë presupozon shakanë dhe harenë, dhe vetëm të tilla nuk mund të shkaktojnë në popull fenomene si Gjin Gjoni. I ftuar (me të drejtë zyrtare) nga Presidenti si anëtar i KLD-së, ai si përfaqësues i ajkës së jurisprudencës në vend, është i njëjti gjykatës që dënoi një super-trafikant turk me arrest shtëpie, duke shënuar adresën e shtëpisë “një pallat tek kthesa e Kamzës”. Është gjykatësi që nuk justifikon dot sesi i ka fituar 2.5 milionë dollarë, shembëlltyra që kishte parasysh zv.ambasadori amerikan Jardine kur tha në të njëjtin forum, se “reformë do të thotë që gjykatësit me shkelje të rënda të shkojnë edhe në burg”. Dhe ditën e djeshme, Gjini mendon se e pastroi një pjesë të baltës që hodhën mbi të ca të papërgjegjshëm. Duke keqkuptuar procesin, që ishte krejt e kundërta: Duke hequr togje të tëra me baltë, poshtë tyre u gjet Gjin Gjoni. Por nuk është vetëm ai, dhe nëse reforma në drejtësi do të marrë ndonjëherë kuptim real dhe konkret, poshtë kësaj balte do të kryhet një zbulim i krahasueshëm me ushtarët kinezë prej terrakote në Xian.
Një ditë po aq e rrallë ka qenë e djeshmja edhe për kryetarin e opozitës dhe për inerci, edhe të bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Ai e kishte sfiduar kaq herë kryeministrin për debat publik, por Ramës nuk ja kishte mbajtur. Shtirej sikur ishte i zënë me takime, mbledhje e vizita, sa në Uells e në Berlin. Kishte ardhur momenti, pra, që gjithçka kishte akumuluar, t’ja përplaste para syve. Dhe këto akumulime u shprehën në dy drejtime: Së pari, nuk i dha dorën Ramës (apo e anasjellta?!), dhe së dyti, deklaroi se politika duhet t’i mbajë duart larg nga drejtësia. Reformimi i sistemit, tha Basha, duhet të bëhet nga vetë sistemi. Dmth, nga ky që është aktualisht, që është i pavarur dhe mazhorancë kërkon ta fusë në kthetrat e veta. Me fjalë të tjera, nga Gjin Gjoni, Elvis Çefa dhe vetë presidenti Nishani, dhe të papolitizuarit. Nga ata gjykatës që nuk panë asgjë të dyshimtë kur një investim gjigand si një pjesë e rrugës Durrës-Kukës (kujdes, vetëm një segment) kalon një miliard eurot dhe ministri i Transporteve të kohës, Lulzim Basha, deklaron me krenari se i është referuar ligjit anglez?! Basha, çiraku që u bë mjeshtër i anashkalimit të drejtësisë me procedurë dhe që deklaroi se më 21 janar të katërta vrasjet e protestuesve paqësorë u bënë “brenda kornizës së ligjit”, ka merak se mos krisen këto korniza dhe miratohet ndonjë ligj diktatorial, që thotë se ministri i Brendshëm mund edhe të ketë ndonjë fije përgjegjësie kur vartësit e tij vrasin njerëz ndërsa ai vetëm qesh. Paçka se çdo qelizë e trupi ulëret nga keqardhja.
Po, Basha gjeti edhe një element tjetër për t’i treguar kundërshtarit politik se është në lartësinë e duhur të gjetjes së figurave letrare: Përdori një metaforë brilante me çobenj me kandil në dorë dhe shtigje dhish, prej nga nuk duhet të kalojë kurrsesi reformë në drejtësi. Duhet autostradë evropiane, tha Basha, dhe po të vazhdonte dhe pak, mbase do përmendte koston e kësaj autostrade dhe ndonjë bazë ligjore libiane që duhej shfrytëzuar për këtë. Por në fakt, tryeza e djeshme është vërtet një shteg dhish, që tufa e opozitës të shkojë drejt parlamentit dhe të ndërpresë bojkotin qesharak. Dhe nëpër këtë shteg, opozita tenton të shpëtojë edhe dy anëtarë të KLD-së, njëri syresh nënkryetar. “Anulloni procesin e hetimit parlamentar për ata të dy, që të hyjmë në Kuvend”, ka kërkuar PD-ja. A ka drejtësi më të depolitizuar sesa kur një parti e tërë politike vihet në mbrojtje të ca zullumqarëve të saj?

krimineli basha dhe tutori e tij Berisha duhet te jene ne burg.
Ne pi.. te semes Theodhoriut shkofte Basha Qini e Nishani…