SKEMA CEZ-GËRDEC / Si vidhet shteti duke vetëfutur në lojë “Ndërmjetësin” (ose si u bë miliarder sypeshkaqeni)

anazapta

Afera e CEZ, në të cilën kompanive private të ashtuquajtura boxhmbledhëse i është dhënë e drejta të mbledhin edhe borxhet që qeveria dhe ndërmarrjet publike i kishin kompanisë çeke CEZ lidhur me faturat e papaguara të energjisë elektrike, është realizuar sipas një formule tipike për mënyrën sesi pushtete të korruptuar dhe mafiozuar, i kryejnë transkasionet e tyre të fshehta në mënyrë që të fshehin gjurmët e vjedhjes së parave publike.

Një teknikë të tillë ka përdorur vite më parë qeveria Berisha, dhe përkatësisht kompania e ministrisë shqiptare të mbrojtjes MEIKO, në aferën e me trafikantin amerikan të armëve Efraim Diveroli për shitjen e fishekëve kinezë që do dërgoheshin në Afganistan.

Sa herë që segmente të një pushteti të korruptuar duan të përvetësojnë fitime të paligjshme nga shitjet e pasurive publike, teknika është që shitjen të mos e bëjnë drejtpërdrejtë tek klienti real por të krijojnë një hallkë shtesë që e blen mallin para klientit real dhe shumë më lirë se ai.

Dhe pastaj është ky klient fantazmë që ja shet mallin shumë më shtrenjtë klientit real. Dhe paratë e fituara nga blerja e lirë dhe shitja e shtrenjtë shkojnë në xhepat e zyrtarëve të lartë të korruptuar.

Pra A-ja (qeveria) nuk e shet mallin direkt te C (klienti real) por krijon një pseudo-klient B. Në fakt, qeveria ja “shet” mallin vetes për të përfituar më pas nga rishitja e tij shumë më shtrenjtë.

Kjo ka ndodhur edhe në rastin e shitjes së fishekëve kompanisë AEY të Diverolit. Procedura ishte tërësisht ligjore vetëm se shtoheshin hallkat e procedimit. Fishekët, kompania eksportuese shqiptare MEIKO ja shiste një kompanie në Qipro që quhej “EVDIN” dhe që qe krijesë e atypëratyshme e një trafikanti zviceran Heinrich Thomet që, sipas asaj që shkruan gazetari amerikan Guy Lawson, kishte lidhje të nivelit të lartë në Shqipëri.

Dhe ishte kompania “EVDIN” që ja rishiste shumë më shtrenjtë fishekët kompanisë AEY të Diverolit dhe ky i fundit, qeverisë amerikane.

AEY i blinte fishekët nga “EVDIN” për 4 cent pakon dhe pastaj ja shiste Pentagonit për 10 cent pakon. Por duke vënë në punë Kosta Trebickën, personazhi më tragjik i kësaj afere mafioze, Diveroli zbuloi se EVDIN po i paguante qeverisë shqiptare vetëm 2 cent për pako – domethënë po merrte nga AEY dyfishin e çmimit duke qenë vetëm një sekser.

Diveroli pati iluzionin se edhe për atë vetë por edhe për shqiptarët, do qe më mirë sikur të shmangej hallka e ndërmjetme “EVDIN” dhe ai ti blinte direkt fishekët nga MEIKO. Prandaj nxiti Kosta Trebickën (që ndërkohë merrej me paketimin e fishekëve në fjalë), ta negocionte nxjerrjen jashtë loje të kompanisë EVDIN dhe trafikantit Thomet.

Por për habi të tij, pas takimit të Trebickës me ministrin e mbrojtjes Fatmir Mediu, pala shqiptare nxori jashtë loje Trebickën duke informuar Diverolin se paketimin e fishekëve do ta bënte një shok i djalit të kryeministrit Berisha.

Sipas gazetarit Lawson, ajo që nuk ishte kuptuar nga Kosta Trebicka dhe as nga Diveroli ishte se Thomet paguante rryshfet për qeveritarët shqiptarë një pjesë të fitimit të madh që nxirrte nga ky pazar.

Ishte ky fitim që e kish futur Thomet në lojë prandaj ai nuk mund të dilte prej saj. Kjo lidhje e pushtetit të Berishës dhe Mediut me trafikantin në fjalë shpjegon edhe dështimin e përpjekjeve të Diverolit për të rifutur Trebickën e hidhëruar në lojë.

Prandaj edhe lutjeve të tij për të bërë diçka ju përgjigj në një bisedë telefonike: “Muhabeti shkon gjer te kryeministri dhe i biri…Kjo mafia është tepër e fortë për mua. Se luftoj dot këtë mafia. Ka shkuar lart muhabeti. Kafshët kanë dalë jashtë kontrollit”.

E njëjta teknikë mafioze është aplikuar edhe në rastin e skandalit lidhur me mbledhjen e  borxheve të CEZ.

Si bëhej e mundur që qeveritarë të korruptuar të vinin dorë në një pjesë të këtyre parave? Nëse ndërmarrje publike si “ujësjellësit” apo “Albpetroli” do ta paguanin vetë, drejtpërdrejt, CEZ-in, nuk mund të fitohej asgjë. Atëherë futen në lojë kompanitë borxhmbledhëse si DIA që për gjoja kontributin e mbledhjes se borxheve, përvetësojnë deri edhe 50 për qind të shumave të mbledhura.

Dhe, afërmendsh, pjesa e luanit e këtyre shumave kanë shkuar, ashtu si edhe në rastin e fishekëve, për zyrtarë të lartë të qeverisë Berisha. Përsëri, edhe në këtë skandal, përflitet një nga fëmijët e ish-kryeministrit.

Rastësi që vajza e Berishës ka përfituar një qira prej 5 mijë eurosh në muaj nga drejtuesi i CEZ në Shqipëri?!  E si mund të mos flasësh pastaj për një pushtet mafioz që mbetet i pandëshkuar vetëm nga mungesa e drejtësisë që ai vetë e ka vrarë?

Share This Article
1 Comment
  • Kryetari basbkise kamez le paraplegjiket pa ndihme sociale
    Pasi nuk ka pranuar te vulosi me vulen e institicionit shkresene firmosur nga 21 keshilltaret e majte dhe nga kryetari keshillit . Ligji eshte ku tw jete firma e kryetarit te keshillit te vulosi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *