Në pjesën e parë të kësaj interviste me Pandeli Majkon, një nga protagonistët e Lëvizjes studentore të Dhjetorit 1990, ish-Kryeministër dhe aktualisht deputet i Partisë Socialiste, u ndalëm më së shumti në atmosferën e 24 vjetëve më parë në Tiranë dhe në Qytetin Studenti si dhe me disa kujtime të pathëna të tij për bashkëmoshatarët e tij. Ndërsa në këtë pjesë të dytë kemi një analizë logjike mbi atë që ndodhi. Nëse në pjesën e parë, Majko bëri një pohim tronditës kur tha se “Në karriget tona duhet të ishin ulur të tjerë, por që ishin veç “hije” pasi ose ishin vrarë ose ishin në burgje dhe kampe përqendrimi. Lëvizja demokratike në Shqipëri u zhvillua duke i pasur protagonistët e lirisë në burgje. Amnistia erdhi më vonë. “Torta” e politikës ishte ndarë…”, duke lënë të nënkuptohej se të tjerë e bënë atë dhe të tjerë rrëmbyen frytet e saj. Në këtë pjesë të dytë Majko e thotë edhe më troç: “Hesapi” i fundit i Lëvizjes së Dhjetorit janë spiunët… Dosjet e Sigurimit të Shtetit. Spiunët janë “porosia” e fundit e Lëvizjes së Dhjetorit…”. Kur këtë pohim e bën një ish-dhjetorist aktiv në politikën aktuale, ai tingëllon edhe më i besueshëm. Me këtë rast Majko i bën një analizë edhe figurës së Enver Hoxhës dhe të trashëgimisë së tij politike, për të cilat diskutohet aq shumë edhe pas 24 vitesh. Po si u bashkua dhjetoristi ekstremist Edi Rama me Partinë Socialiste? Ftohja e Majkos me Ilir Metën dhe në ç’rrethana ndodhi ripajtimi mes tyre? Ç’është Partia Demokratike sot dhe pse Majko thotë se “Padashur, demokratët na kanë bërë një nder që nuk shpjegohet dot politikisht”?
– Ju arritët të bëheshit edhe Kryeministër i Shqipërisë, madje në një periudhë shumë të vështirë sikurse ishte lufta për çlirimin e Kosovës. Kam takuar shumë kosovarë që flasin me shumë respekt për ju. A ju kishte shkuar në mend në dhjetor të ’90-s se do të ngjiteshit aq lart?
– (Qesh) Sigurisht që jo! Marrëdhënia ime me politikën ka qenë dhe mbetet e komplikuar sepse i ka të dyja ndjenjat, dashurinë dhe urrejtjen.
Kur flasim për Kosovën unë nuk e pëlqej shprehjen “kosovar” sepse ata janë pjesë e jona. Thjesht, janë shqiptarë. Në qenien time Kosova ka ridimensionuar fjalën “atdhe”… Unë nuk jetoj dot pa të brenda meje… Kur kujtoj të kaluarën, kuptoj tragjedinë kombëtare dhe ndihem me fat për kohën që jetoj.
– Sidoqoftë, me ndryshimet që kanë ndodhur në këto vite, e shikoni të realizuar apo të tradhtuar idealin e dhjetoristëve ’90?
– Shikoni! Lëvizja e Dhjetorit nuk është dhe nuk ka për të qenë, për shumë arsye, një lëvizje për të cilën do të gjeni “veteranë” që të flasin si kompetentë të idealeve të saj… Lëvizja e Dhjetorit është dhe ka për të qenë e fuqishme si ide pikërisht për “dobësinë” e saj. Lëvizja përfaqësonte djem dhe vajza që bënë detyrën karshi një atdheu dhe shoqërie të mbetur pa gojë dhe në një udhëkryq ku po prekej mizerabiliteti ekonomik. Kjo Lëvizje nuk nxiti shoqërinë shqiptare të tejkalonte veten dhe dobësitë e saj. Ajo thjesht i pohoi ato dobësi me dhembshuri dhe i tha një brezi jakobinësh të plakur në pushtet duke vrarë të tjerët dhe të vetët: “Koha juaj mbaroi! Shkoni në shtëpi!” Mos harrojmë se komunistët u mblodhën në dhjetor dhe u diskutua edhe ndërhyrja me forcë në qytetin Studenti, por zërat brenda tyre ishin të fortë edhe me pyetjen: “Do vrasim djemtë dhe vajzat tona!?” Në Ministrinë e Mbrojtjes u shpërndanë armët. Im atë nuk pranoi ta merrte. Komunistët u dorëzuan pasi përballë, në shumicë, kishin fëmijët e tyre. Ata ishin të lodhur nga koha dhe vetja…
Kujtimi i Lëvizjes së Dhjetorit është një reflektim për marrëdhëniet me lirinë që për shoqërinë shqiptare nuk është e vjetër. Ajo ka të rrënjosur shembullin e aktit të një brezi që kupton kohën që jeton.
– E megjithatë ju keni qenë dhe vazhdoni të jeni shumë kritik me trashëgiminë e Enver Hoxhës. A është koha për një rivlerësim edhe të figurës së tij, në fund të fundit ka qenë udhëheqësi kryesor i luftës antifashiste nacionalçlirimtare që ju si forcë politike e mbroni?
– Fakti që ne vazhdojmë ta diskutojmë këtë çështje dhe në këtë mënyrë, tregon se sa pak kemi bërë në këtë drejtim. Historia e Shqipërisë dhe shqiptarëve mbetet ende një histori e “pashkruar” për shkaqe që varen dhe nuk varen nga ne. Historia jonë nuk është vetëm historia e drejtuesve të saj, por edhe historia e komplikuar e një kombi me fuqitë dhe fqinjët e tij. Enver Hoxha është një drejtues komod i dobësive tona kombëtare, sepse mbi to dhe me to ai, diku me instinkt dhe diku me zgjuarsi, ja doli që ta qeverisë vendin. Ai është i pashmangshëm nga trajtimet e historisë sonë dhe është produkt i rrethanave të saj në Luftën e Dytë dhe pas saj. Ajo që më shqetëson është trajtimi naiv i figurës së tij që shpallet ose një gjakatar homoseksual ose një personalitet i historisë. Kam qenë lexues i rregullt i librave të tij dikur në rininë time parapolitike, dhe po ju them se Hoxha është më i komplikuar se sa duket. Profili i tij politik është edhe produkt i tre miqësive me Beogradin, Moskën dhe Kinën dhe ku ai i mbijetoi prishjes me secilën. Hoxha nuk ka qenë idiot, por padyshim drama jonë kombëtare me të është se ai arriti që gjithë inteligjencën kombëtare ta barazojë me inteligjencën e vet personale. Një dramë e cila kishte filluar para tij dhe ka lënë hijen edhe pas tij, në historinë tonë kombëtare. Mendoj se do të jetë vështirë që ai të analizohet nëse nuk i pohohen ato që mund t’i konsiderohen pozitive në aktet që ai ka prodhuar në veprimtarinë e vet. LANÇ-i nuk është vepër personale e Enver Hoxhës, por ai është pjesë e padiskutueshme e kësaj lufte. Vlerësimet për aktet e tij gjatë LANÇ, në Konferencën e Parisit apo në disa suksese të regjimit të tij pas çlirimit nuk mund ta shfajësojnë apo ta ndriçojnë atë rrugëtim në të cilin ai futi kombin. Ai nuk ka asnjë mundësi justifikimi kur “teknikisht” pjesa më e madhe e atij brezi drejtuesish që nxori Lufta Nacional Çlirimtare ose u vranë, ose u burgosën ose u shmangën duke e lënë vendin në duart e një tufe njerëzish pa personalitet dhe produkt të interesave të familjes së vet. Dhe të mendosh që pas çlirimit, Partia Komuniste e Shqipërisë nga pikëpamja e shkollimit të drejtuesve të saj ishte më perëndimorja në gjithë lindjen komuniste. Enver Hoxha në këtë kuptim, është ende “gjallë” me dobësitë e veta, dhe na ironizon me mënyrën se si përsërisim edhe atë vetë. Edhe sot.
– Kur përballeni aktualisht me ish-studentët e dhjetorit që janë rreshtuar në kampin demokrat të politikës, i adhuroni apo ju vjen keq për ta?
– Asnjërën nga të dyja. Unë i konsideroj miq dhe shokë të gjithë. E vuaj sipas mënyrës sime distancën me një pjesë të tyre, pasi janë larguar jo pak nga atdheu për në emigracion. Në 1998 kur isha në zyrën e kryeministrit, u ula në tryezën e dialogut me opozitën e kohës. Përballë kisha Sali Berishën dhe Genc Pollon. Në krah kisha Ilir Metën. Interlokutorë të takimit ishin pikërisht ish-studentët e dhjetorit… “Moj kasolle ku na mblodhe”, thotë një fjalë e urtë. Ishim aty të gjithë të lidhur me “pjesëzat” e të njëjtës Lëvizjeje që na ftonte të reflektonim pse i hymë asaj pune që quhej “politikë”… Lëvizja na ftonte të mos harronim. Dhe ashtu bëmë.
– Ç’është Partia Demokratike për ju sot, 24 vjet pas themelimit të saj?
– Jam kundërshtar politik i saj, kështu që vlerësimi im do të ishte i pasinqertë politikisht. Mos harroni, kam ngritur dorën për formimin e saj.
– Është deklaruar shpesh se një nga defektet e pluralizmit shqiptar është se ai u bë i komanduar nga ish-Partia e Punës. Thënë troç, Sali Berisha u komandua të shkonte te PD-ja dhe Fatos Nano tek PS-ja. Ju jeni i bindur për këtë?
– E vërtetë është që thuhej kështu! Por ishte humor dhe kaq!
– Është folur shumë gjatë këtyre viteve se me ëndrrën e dhjetoristëve është abuzuar shumë nga politika. Ju jeni dakord me këtë konstatim?
– “Dhjetoristët” si fenomen politik nuk janë një listë njerëzish. Përkundrazi janë kaq fluidë sa duken pak dhe në të njëjtën kohë, shumë më shumë. Ata nuk janë gra të dhunuara që reklamohen pranë tabelës “Ti nuk je për t’u shitur!” Dhjetoristët janë një brez që bëri detyrën karshi vetes dhe kohës. “Hesapi” i fundit i Lëvizjes së Dhjetorit janë spiunët… Dosjet e Sigurimit të Shtetit. Nën guackën e politikës edhe sot lëviz timbri ironik i pyetjes “A ishte e gjitha çfarë ndodhi një lojë e telekomanduar spiunësh që konvertuan pushtetin e komunizmit?!”…. Përgjigja ime ka dy anë, sepse paralelisht me Lëvizjen e Dhjetorit ka pasur le ta quajmë një nëntokë të një Lëvizjeje spiunësh. Ka pasur një jetë të dyfishtë e cila rrotullohej dhe donte ta mbyste me pisllëkun e kohës atë që nisi me studentët. Kjo është arsyeja që nëse vini re në vazhdim, gjithmonë nga protagonistët e politikës që kanë pasur një lidhje morale me Lëvizjen e Dhjetorit kanë ngritur problemin e hapjes së dosjeve. Ka pasur edhe nervozizëm, pa diskutim, por dukshmëria është e qartë dhe reflektim i asaj që thashë. Spiunët janë “porosia” e fundit e Lëvizjes së Dhjetorit….
– Edhe Edi Rama, që sot e kemi Kryeministër të vendit, ka qenë në njëfarë mënyre dhjetorist, madje ndër më radikalët në atë kohë kundër ish-Partisë së Punës. A mund të thuhet se tani ai është duke punuar për ato ideale që studentët u hodhën atëherë në protesta kundër regjimit?
– Kur Ndre Legisi më foli për herë të parë për të takuar Edi Ramën… reagimi im i parë ka qenë: “Kë të takoj?! Po Edi Rama është ekstremist?!” (Qesh) E kam njohur nga larg Edin dhe më kishte lënë përshtypjen e një radikali të djathtë… Pastaj, kuptohet që u bëmë miq. “Debati” ynë vazhdon edhe tani, por në mënyra të tjera.
– Zoti Majko, si do ta vlerësonit qeverisjen aktuale të mazhorancës së majtë?
– Sot do flasim për “dhjetoristët” dhe jo “rilindasit”. (Qesh) Probleme ka sa të duash po nuk besoj se është vendi dhe koha. Kemi marrë vendin në një kohë të vështirë dhe përgjigjet teorike janë komoditet. Unë e konsideroj veten pjesë të arritjeve dhe problemeve të mazhorancës. Kur dua të flas për këto të fundit, si rregull ia them Edit dhe jo medias.
– A ka të pakënaqur brenda radhëve të PS-së ndaj qeverisjes socialiste?
– Kur të mos ketë të pakënaqur në Partinë Socialiste besoj se ajo do të jetë dita e “vdekjes” sonë politike…
– Prej disa muajsh opozita ka bojkotuar Kuvendin, ndërsa i është futur rrugës së protestave, si ju duket kjo strategji e demokratëve?
– Më duket një veprim i sforcuar që po defaktorizon grupin parlamentar të Partisë Demokratike. Më shumë se “strategji” duket si taktikë krize që buron nga marrëdhëniet e brendshme në atë parti.
– Mungesa e bashkëpunimit mes palëve duket se po fut në ngërç edhe procesin elektoral të radhës, duke kujtuar që zgjedhjet lokale janë në prag?
– Zgjedhjet lokale nuk mund të konsiderohen si stacion politik për një marrëveshje politike. Duket që për momentin demokratët janë të aftë të shprehin ato që nuk duan, por jo të kundërtën. Ata duhet të dinë të kërkojnë, pasi qëndrimet e tyre politike po reduktohen në “konferenca shtypi”… Po imitojnë pjesën më të dobët të periudhës sonë të të bërit opozitë dhe kanë përballë qëndrimet e veta tetëvjeçare që kanë mbajtur për këtë logjikë politike kur ishin në pushtet. Padashur, demokratët na kanë bërë një nder që nuk shpjegohet dot politikisht. Na i kanë lënë ne të majtëve t’i bëjmë të dyja, edhe qeverisjen edhe “opozitën”. Kjo e ka reduktuar qëndrimin e partisë së dytë në vend në konceptet e shoqërisë civile…
– Zoti Majko, ju keni qenë skeptik për koalicionin me LSI-në. Tashmë, pas një viti e gjysmë qeverisjeje, si ju duket se ka funksionuar ky bashkëpunim?
– A kam qenë “skeptik”?!… Po, kam qenë! Por për të kuptuar domethënien e skepticizmit tim duhet një natë dimri. Nuk lidhet kjo me LSI-në si parti, por me marrëdhëniet e mia me Ilirin. Largimin e Metës nga Partia unë e vuajta ndryshe nga të tjerët… Që të mos zgjatem. Nuk i kemi folur njëri-tjetrit deri ditën që babai im ndërroi jetë para një viti. Iliri erdhi dhe nuk e bëri sa për të larë gojën. Nga ajo ditë marrëdhëniet tona janë konstante. Jemi rritur bashkë paçka se jemi të ndryshëm. Jemi pjesë e historisë së njëri-tjetrit. Kjo është jeta, sigurisht.
Ore, ka njeri te tregoje e deshmoje per rolin e Mihal Bishes ne keto procese, sidomos per PD-ne. Pasi fillimi i proceseve demokratike me ka gjetur ne Veri te Shqiperise dhe kujtoj zhgenjimin e athershem te nje shokut tim, kryetar lokal i PS-se, kishte shkuar ne Akademine Ushtarake per t’i kerkuar mendim per te kandiduar per deputet nje ushtaraku te larte, shume te zote, sipas shokut tim, i ndershem e trim (kishte patur ne ato vite edhe nje konfrontim me R. Aline, pasi nuk kishte lejuar te goditeshin anijet me refugjate qe po iknin nga Shqiperia, pra “kishte thyer urdherin e Komandantit te Pergjithshem”), kur u kthye me thote i zhgenjyer “Eh, e ka hanger dreqi kete pune. Nje mik i afert, me thote se me listat e deputeteve te PD-se po merret drejtperdrejt Mihal Bisha, (per ata qe s’e kane njohur) ish-shefi i kuadrit i KQ te PPSh-se, i cili mund te bente edhe sekretar te KQ te PPSh-se, po mbi Enverin kurre”.Pra, ka njeri dijeni me shume se kaq, jo per ta vene ne diskutim, s’besoj, por per ta shtjelluar me tej kete “rol” te ketij njeriu me aq autoritet nen Enverin?
Mendoj se ka nje ndryshim te madh midis dhjetoristeve qe u ngriten per lirite te cilat mungonin ne vendin tone te dhjere dhe dhjetoristeve te cilet u futen ne radhet e politikes.
Keta te dytet kane 24 vjet qe vazhdojne te shqyejne ,coptojne,dhunojne nen ombrellen e “demokracise” alla shqiptare.
Boll me me historina” kur isha nje here be dardanele”
Ti dhe soji yf Majko, i te gjithe kraheve e keni legenosur kete vend dhe e keni katandisur me te dobetin dhe me problematikun ne rajon. Perseri ti dhe sera jote nuk hapni rruge deri sa tju marre zoti. Dhe e di pse? Sepe juve nuk dini te beni asnje gje tjeter ne jete pervecse te merreni me ate qe ju e quani politike(nenkupto vjedhje)
Ti dhe soji yt vazhdoni ti jepni oksigjen politik doktor rrumpalles. Dhe kete nuk e beni nga padija por se jeni ana tjeter e medaljes.
Ka ardhur koha per dhjetgre te tjere Majkooooooooo.
Paska ardhur koha per te tjer’ dhjetore,o Majko (!).. E thenur troc,per t’a ndezur dhe nje here Shqiprin,ama,rrafsh kete here… Edhe,mbas nje zjarri gjithandej,lulet, mbikan me te bukura, duan e thone. Oooo, te poshter! Mos humbni kohe,suluni…