O Lefter… t’u bëfsha ferrë

anazapta

 

 Nga Habjon Hasani

Ju kujtohet Lefter Maliqi? Ish-deputeti demokrat i zonës së Beratit, i famshëm sidomos për një nga pritjet më pikante dhe më mbresëlënëse që i është organizuar ndonjëherë Berishës në një fushatë elektorale. Ajo pritje ka mbetur e paharruar. E gjithë komuna Lumas e Beratit ishte çuar në këmbë, priste kryeministrin, por deputeti i zonës, zoti Maliqi, kishte rezervuar diçka të veçantë për Berishën. Ishte tip surprize. Ansambli i komunës Lumas dhe artisti Kozma Dushi, nisën të këndojnë disa vargje që e lanë pa fjalë Doktorin, e përlotën nga emocionet:

 

O Sali tu bëfsha ferrë

Merr pushtetin dhe një herë,

Merr pushtetin dhe një herë

Krah për krah more me Lefterë

Entuziazmi i këtij takimi elektoral ishte i madh. Një muaj më vonë, më 23 Qershor 2013, zgjedhjet i dhanë dërrmën gëzimit dhe haresë. PD-ja, si kudo tjetër në Shqipëri pësoi humbje plebishitare, kandidati i dalluar Maliqi nuk u bë dot sërish  deputet. Humbja ishte e fortë dhe për të. Prej një viti ai mban thjesht statusin e“Kryetarit të PD-së në komunën Otllak”, njëkomunë që dikur ai e ka qeverisur si pushtetar lokal, nën disa sigla partiake, por që në fund u hodh në kampin demokrat pas një marrëveshje të drejtpërdrejtë me Doktorin dhe arriti që nga Otllaku të hidhej drejt Kuvendit në vitin 2009 pasi u bë deputet.

Aktualisht PD-ja, është e përfshirë në një proces mbarëkombëtar për zgjedhjen e strukturave nëpër rrethe, përfshirë dhe Beratin.

Por ndonëse ishin 13 vetë që kandiduan emri i zotit Maliqi nuk figuronte në listën e kandidatëve zyrtarë. Më datën 5 korrik, një ditë para zgjedhjeve të raundit të parë, ai shkruante në llogarinë e tij në Facebook, se jo vetëm ishte njëri nga kandidatët garues, por besonte me mish e me shpirt në një fitore që po trokiste dhe që do e kurorëzonte kryetar të PD-së të Beratit. Por…ditën e zgjedhjeve, më 6 korrik, sërish në Facebook ai shkruante se ishte dorëhequr si kandidat, pasi rregullat e lojës nuk pranonin që kryetari i një grupseksioni siç ishte ai, të kandidonte dhe për kryetar të PD-së së rrethit.Ky është një proces që e ka mërzitur pa masë zotin Maliqi, ndonëse ai nuk e jep veten në publik. Më datën 6 Korrik, të Dielën, në Berat u zhvilluan zgjedhjet për kryetarin e degës së kësaj partie. Raundi i parë kaloi dy kandidatë në balotazh, emri i fituesit do përcaktohet sot, në raundin e dytë. Ishin gjithsej 13 kandidatë, por raundi i parë i krasiti më të dobëtit dhe në garë mbetën dy kandidatë, Gazmend Azizi dhe Namir Lapardhaja. Mes tyre fituesi do zgjidhet sot në Berat, në raundin e dytë.

Ky justifikim publik i zotit Maliqi, nuk puqet kurrkund me rregullat e statutit apo qarkoren e garës, pasi zoti Maliqi kishte të gjitha të drejtat të kandidonte. Po pse u tërhoq Lefteri atëherë? Çfarë kishte ndodhur realisht me të? Arsyet në fakt janë një zinxhir ngjarjesh të konsumuara në vetëm 72 orë dhe përshkruajnë një trajektore tepër interesante.

Doktori ta jep fjalën….

Vetëm tre ditë para zgjedhjeve, Maliqi vendosi të hynte në garë si kandidat. E kishte ndarë mendjen. Kandidatët e tjerë, dukeshin njerëz pa shumë influencë në shumicën e tyre dhe Maliqi, me mbështetjen që ka dhe lidhjet e ndjente se kishte shanse reale për të kapur kreun e PD-së në Berat. Kontaktin e parë e nisi me Doktorin, më pas informoi dhe Jozefina Topallin por dhe Flamur Nokën. U shprehu ambicien e tij për të garuar. Të tre i thanë që t’i jepte gaz sa më shpejt dhe se ishte tërësisht legjitim në këtë hap që kërkonte të hidhte. Me siguri bisedën më të gjatë dhe më të përzemërt zoti Maliqi duhet ta ketë pasur me Doktorin. Prej disa vitesh ata të dy kanë një marrëdhënie të veçantë mes tyre. Në një farë kuptimi, e kanë nderuar reciprokisht njëri-tjetrin. Dikur Lefter Maliqi mblidhte vota të majta në Otllak, më pas kaloi me LSI-në dhe kontrollonte dhe komunën e Otllakut. Në vitin 2009, ai u hodh në kampin demokrat. Bëri një marrëveshje kokë më kokë me Berishën, ku mori përsipër përmbysjen e votave blu në këtë komunë. Ja arriti qëllimit. Në një komunë si Otllaku ku PD-ja nuk kishte parë një ditë të bardhë, votat u shumëfishuan, Lefter Maliqi rezultoi një faktor në zonë dhe e shpërbleu besimin e Doktorit, vetë u bë deputet dhe qëndroi 4 vite i tillë. Punët dhe hesapet i kishte drejtpërdrejtë me Berishën, të gjithë e dinin se ata të dy kishin komunikim intensiv me njëri-tjetrin dhe natyrisht, e mbanin parasysh këtë gjë kur shfaqej Lefteri. Genc Pollo apo Astrit Velija, dy operatorë me ndikim në zonën e PD-së së Beratit, e kishin prej kohësh halë në sy Maliqin, por ruanin distancën e nevojshme, e dinin se kë kishte nga pas.
Për 4 vite nga 2009 deri në 2013, Maliqi thuajse ishte bërë deputeti më influent në zonën e Beratit, por 23 Qershori i vitit të kaluar përmbysi hesapet dhe pozitat e tij në nomenklaturë, ndonëse raportet personale me Doktorin dukeshin ende të përzemërta…të pacenuara. Në këto rrethana e mori dhe bekimin e Doktorit për t’u futur në garë javën e kaluar zoti Maliqi, por pa e ditur se pasi të hidhte zyrtarisht kandidaturën, 72 orët në vazhdim do ishin shumë stresuese për të.

 Lefteri ka Otllak, por PD-ja ka SHIP

Pasi mori dritën jeshile në parim, nga Doktori, Lefter Maliqi u hodh në sulm. Nisi një mobilizim intensiv dhe agresiv, që ra menjëherë në sy ndër kandidatët e tjerë. Për më tepër, që potencialin e kishte të mirë, pasi komuna Otllak, ku ai ka domenin e vetë, ka rreth 600 anëtarë të Partisë Demokratike. Që në totalin e anëtarësisë së Beratit, përfaqëson gati 25 për qind të anëtarësisë demokrate. Lefter Maliqi përfaqësonte një ngarkesë serioze dhe në mos fitoren direkte, bënte hesap se e kishte të garantuar balotazhin. Më pas, mendonte se duke shfrytëzuar lidhjet në Berat dhe konjukturën në Tiranë, do triumfonte dhe në balotazh duke u bërë ai kryetar i PD-së së Beratit. Mobilizimi i tij ra në sy më tepër se ç’duhej me sa duket. Kishte dy ditë që mblidhte forcat e veta, për të dominuar raundin e parë që u mbajt të Dielën. Por ndërsa mprihte shpatën për të Dielën, 24 orë përpara fillimit të garës, për zotin Maliqi nisën telashet. Dikush po i bënte presion që të tërhiqej nga gara. Bazuar në dëshmitë e njerëzve shumë pranë zotit Maliqi, ky dikush, rezulton një emër jo dhe aq i panjohur: Florion Xhuti.

Zoti Xhuti rezulton një person shumë i pushtetshëm në kupolën e Partisë Demokratike. Deputetë, figura të larta dhe ish-ministra të kësaj partie, ja përmendin shpesh emrin nëpër tavolina, por nuk kanë guxuar kurrë deri më sot, të shprehin publikisht ndonjë pakënaqësi kundër tij. Kujdesen gjithnjë për të dhënë idenë se nuk e vënë re atë që bën zoti Xhuti. I vetmi që e ka përmendur rolin e tij dikur, por pa guxuar t’i përmendë emrin, është Astrit Patozi. Ishte intervista e famshme e Patozit në “Top Story” fill pasi Lulzim Basha u zgjodh kryetar i PD-së ku ndër të tjera Patozi denoncoi parregullsitë e procesit, duke përmendur dhe një njeri “që nuk donte t’ia përmendte emrin”  dhe që sipas zotit Patozi kishte bërë trukimin e listave asokohe në bodrumin e PD-së.

E vërteta është se të gjithë zyrtarët e PD-së e dinë mirë kush është zoti Xhuti. Zyrtarisht ai mban postin e Zëvendës/shefit organizativ në Partinë Demokratike. Shef të vetin ka formalisht një person që quhet Albert Avduli por “de facto” është zoti Xhuti shefi i madh i strukturës. Realisht demokratët e përshkruajnë zotin Xhuti, si njeriun më të besuar të Berishës në parti, ose siç e quajnë: Shefi i SHIP, Shërbimi Informativ i Partisë. Kjo është valenca me të cilën operon zoti Xhuti brenda PD-së, ai ka një pushtet të jashtëzakonshëm dhe pushtetin nuk e ka kot, por e ka sepse Berisha ka vendosur që ai të jetë kaq i pushtetshëm. Disa pretendojnë se edhe vetë Lulzim Basha është i paqartë se si duhet të sillet me zotin Xhuti dhe se Basha nuk ka një marrëdhënie të thjeshtë me të. Sikundër ka të tjerë që dëshmojnë se zoti Xhuti as nuk e ka fare në refene kryetarin Basha, të gjitha aksionet e tij janë të koordinuara drejtpërdrejtë dhe vetëm me Berishën, ndërsa Basha është i mirëpritur të bëjë spektatorin.
Ishte pikërisht ky personi pra, Florion Xhuti që gjatë gjithë ditës së shtunë, një ditë para garës, i bënte presion Maliqit të tërhiqej si kandidat. Por Maliqi ka një të kaluar prej shefi policie dhe është ca kokëfortë. Po i sfidonte telefonatat dhe “sms”-të që i vinin nga Xhuti. Deri kur, Xhuti bashkë me një tjetër zyrtar të quajtur Ervin Minarolli, i bënë ofertën e fundit:

“Jep dorëheqjen si kryetar i PD-së në komunën Otllak nëse do të jesh kandidat për t’u bërë kryetar i PD-së për Beratin”

Njerëz pranë Maliqit dëshmojnë se ky i fundit, refuzoi kategorikisht të jepte dorëheqjen nga posti në Otllak, duke u theksuar se një kushtëzim i tillë nuk parashikohej as në statutin e partisë dhe as në qarkoren e posaçme për garën të firmosur nga Lulzim Basha. Por pak kush kishte kohë ta dëgjonte, ishte oferta e fundit. Të shtunën në darkë, emri i Lefter Maliqit u zhduk nga lista e kandidatëve, Maliqi besonte deri në fund, se nuk do guxonin ta eliminonin aq kollaj nga lista. Ndaj dhe u kundërpërgjigj me presion po të shtunën, duke e shpallur dhe në Facebook faktin që ishte kandidat dhe se madje do të fitonte bindshëm garën. Të shtunën në mbrëmje, Lefter Maliqi dhe gjithë rrethi i tij i bashkëpunëtorëve dhe miqve u angazhuan për të pasur kontakte me kryesinë e partisë në Tiranë, sidomos me Lulzim Bashën, donin të dinin nëse Florion Xhuti kishte guxuar vërtetë  deri tek heqja e emrit të tij.  Por askush nuk i jepte dot drejtim se si do i shkonte halli të nesërmen, nëse do ishte Lefteri kandidat në listë apo jo.

Askush nuk dinte çfarë mendonte Berisha, çfarë planesh kishte Basha, apo se çfarë dreqin po gatuante ky Xhuti i tmerrshëm. Të shtunën në mbrëmje, Maliqi dërgoi dhe disa sinjale të tërthorta pranë Bashës duke i bërë të ditur se mbledhja dhe zgjedhjet e nesërme, mund të ktheheshin në skandal, nëse do guxonin ta hiqnin nga lista. Por askush nuk e vuri ujin në zjarr as nga këto sinjale. Me sa dukej, Maliqit i ishte lënë vetëm një opsion: Bindu, ose Mirupafshim.

Në qytet zbret kryetari….

Të Dielën e kaluar në Pallatin e Kulturës së Beratit, nisi procesi për zgjedhjen e kryetarit të kësaj partie. Në Berat mbërriti dhe Lulzim Basha, mbajti një fjalim por nga salla shpesh dëgjoheshin disa ndërhyrje të pazakonta. “Larg hajdutët nga PD-ja” apo “S’duam garë të blerë”. Ishin disa nga delegatët që me sa duket ishin të pakënaqur dhe kishin pretendime ndaj ndonjë kandidati tjetër që mendohej si i mbështetur në heshtje nga Basha. Lefter Maliqi, tashmë e dinte se nuk ishte pjesë e listës dhe në sallë kishte ngacmimet e disa delegatëve që e ftonin për të bërë ‘dalje demonstrative’ dhe për të denoncuar procesin farsë, sipas tyre. Maliqi vendosi të mos dekonspironte atë që ishte duke ndodhur dhe qëndroi urtë. Bëri sikur nuk kishte ndodhur gjë. Por Basha e kuptoi tensionin mes sallës dhe nervin e të pakënaqurve, ndaj dhe ndryshe nga herët e tjera, ai nuk qëndroi deri në fund të fjalimeve të kandidatëve garues, por mbaroi fjalën e vetë dhe iku menjëherë nga Berati. Gara vazhdoi dhe doli në balotazh mes Namir Lapardhasë, një mësues dhe  Gazmend Azizit, një ish-drejtor i patentave në qytet, për të cilin shumë demokratë në Berat dhe sidomos mbështetësit e Maliqit, shprehen se ka mbështetjen e heshtur të Bashës dhe biznesmenit Astrit Velija dhe se fitorja e tij është paracaktuar. Balotazhi përcaktohet sot në Berat. Maliqi nga ana e tij ka vendosur të mos ndihet në këtë fazë dhe të respektojë garën deri në fund. Njerëz pranë tij shprehen se ai mund të jetë goditur nga Lulzim Basha dhe shefi i SHIP Florion Xhuti, por gjithnjë bëjnë kujdes për të theksuar se“Berisha nuk ka gisht në atë që ndodhi”. Ky duket një pretendim paksa naiv prej tyre, pasi nëse Basha edhe mund të ketë ndonjë plan të vockël personal, Florion Xhuti, vepron vetëm dhe vetëm si operator-besnik i Doktorit.

 

Ish-deputeti Lefter Maliqi duke pritur eskortën e zotit Berisha

Përtej ferrës së Beratit…

Nëse krahason procesin zgjedhor të PD-së që po ndodh në Berat dhe gjithë rrethet e Shqipërisë, dallohet qartë një ngjashmëri e madhe me procesin e vjetshëm zgjedhor që shpalli Lulzim Bashën kryetar partie. Ndryshimi i vetëm është fakti se kur ishte gara mes Bashës dhe Olldashit, organizatorët morën kontrollin e listave të votuesve të partisë dhe i mbajtën monopol deri ditën e fundit. Ndërsa tani organizatorët janë duke mbajtur monopol listat e kandidatëve dhe krasitin ose pranojnë në listë persona që nuk i nënshtrohen njësoj rregullave. Për një kandidat vlejnë rregullat, bëhen strikte, për një tjetër dhe tolerohet pak. Për të tjerë ka ndodhur që përveç rregullave që ka vendosur qarkorja e partisë, janë shtuar dhe rregulla që nuk gjenden në qarkore. Pra vjen dikush dhe të thotë që ti nuk bëhesh dot kandidat sepse ke këtë problem. Ndonëse, problemi që të përmendin, në fakt nuk përbën problem, bazuar në qarkore apo statut.

Nga ana tjetër rregullat e lojës njësoj si në zgjedhjen e Bashës janë ekstra-proceduriale. Partia Demokratike që prej zgjedhjes së kryetarit Basha është tërësisht e përfshirë në një proces që bie ndesh me statutin e saj. Statuti nuk parashikonte zgjedhje “një anëtar një votë” kur u zgjodh Basha, por u caktua Florion Xhuti të bënte listat e anëtarëve dhe Basha u zgjodh. Ndërsa sot, statuti nuk parashikon qarkore me delegatë që janë Zot të listave të kandidatëve për kryetar, por u bë qarkorja dhe u caktua sërish Florion Xhuti që të përzgjidhte kandidatët.

Është e njëjta filozofi dhe mënyrë ekstra-proceduriale e cila aplikohet në një kontekst më të gjerë dhe më të larmishëm, por në thelb asgjë nuk ka ndryshuar.

Po ashtu nuk ka ndryshuar aspak dhe mendësia e reagimit të palëve të prekura nga kjo procedurë ekstra-proceduriale. Të pakënaqurit rrinë njësoj urtë, po e pësojnë në kurriz diskriminimin arbitrar, por kanë gjithnjë qejf të gjejnë ngushëllim tek fakti që “Doktori nuk ka gisht”.

Doktori nga ana e tij, duket mirë. I di gjërat, por nuk është se ka shprehur ndonjë pakënaqësi, e jo më të ndërhyjë për zgjidhje.

Vargjet “Merr pushtetin dhe njëherë” vlejnë ende, por zor të thuash se pushteti këtë herë po vjen “krah për krah more me Lefterë”.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *