Vdekja në burg e një antifashisti të madh

anazapta

Një autokolonë e tërë me makina policie u nis drejt burgut. Lajmi për arrestimin e Shefqet Peçit mori dhenë, mllefi në zonën e Kurveleshit, në gjithë Tepelenën, në Vlorë, në Mallakastër etj., arriti kulmin. Për hir të së vërtetës, duke i parë dhe thënë gjërat ashtu, troç, siç kanë ndodhur, politikanët e përgjegjshëm të opozitës kanë treguar maturi dhe kanë bërë gjykime, vlerësime dhe vendimmarrje të përgjegjshme.

Ne ishim në opozitë atëhere. Selinë e Partisë së Unitetit Kombëtar e kishim ngjitur me godinë me PD, aty përballë “Kullës së Fidelit” në qendër të Tiranës. Hynin e dilnin si në një “pelegrinazh” me qindra njerëz çdo ditë. Kryesisht djem të rinj, por edhe të moshave të tjera. Vinin për fatin e keq edhe të armatosur.

Aktin e bërë prej Sali Berishës kundër Shefqet Peçit, këtij antifashisti, personifikim i lavdisë së LANÇ-it, e konceptonin sikur Shqipëria ishte ripushtuar nga nazifashistët dhe sikur kolaboracionistët ishin ringjallur.1

Ishte vërtetë mision i vështirë për të qetësuar sadopak situatën dhe për t’i përmbajtur njerëzit, të cilët provokoheshin aq rëndë nga vetë ai, i cili sipas Kushtetutës së Republikës, duhej të ishte simbol i unitetit kombëtar, Presidenti i Republikës, por që në fakt ishte zjarrëvënësi më i papërmbajtshëm i vendit.

Aq më tepër, që pikërisht në këtë situatë, ky dilte dhe jepte konferenca shtypi, duke i hedhur më keq benzinë zjarrit.

***
Të nesërmen në datën 12 tetor 1995 e gjithë Shqipëria mësoi lajmin nga gazetat “Koha Jonë” dhe “Kombi”. Qysh në ditën e parë të burgimit Shefqet Peçi thirri në ndihmë armën e vetme që i kishte mbetur. Duke pasur përvojën e rinisë së hershme si i burgosur nga Ahmet Zogu, ai shpalli grevën e urisë. Por shpalli edhe një grevë tjetër të panjohur dhe të padëgjuar kurrë më parë, Grevën Juridike. Kjo e dyta bëri kurioz jo vetëm opinionin publik brenda Shqipërisë, por mbi të gjitha opinionin ndërkombëtar.

Gjenerali nuk pranoi të merrte më asnjë medikament, megjithëse pa to nuk mund të jetonte më. Shkuli gjilpërën që i ishte ngulur për t’i dhënë serume dhe e hodhi tej, mbajtësin e qelqit të serumit, duke e thyer. Nuk pranonte të merrte asnjë medikament, asnjë lloj ushqimi. Vinin mjekët dhe personeli mjekësor infermierë dhe e mbanin me dhunë nga krahët e koka dhe i hapnin gojën me zor. Se ku e gjente atë forcë, vetëm ai e dinte, por duke përsëritur thirrjet “Fashista”, “Poshtë Fashizmi”, “Poshtë bajga Sali”, i pështynte ilaçet dhe ata që mundoheshin t›ia jepnin me forcë.

Ndërsa “Greva Juridike” ishte akoma më interesante. Shefqet Peçi ndaloi kategorikisht kontaktet me çfarëdo lloj oficeri të policisë gjyqësore, prokurorë, gjykatës, avokat etj. Ata vinin t’a pyesnin, t’i merrnin ndonjë firmë për të përfunduar hetimet, por Shefqet Peçi i shante me fjalët e tij vëndçe labe, i peshtynte dhe i përcillte me thirrjet “Poshtë Fashizmi”.

Kjo situatë zgjati plot njëmbëdhjetë ditë. Ditën e dymbëdhjetë, ose në datën 23 tetor 1995 gjenerali i famshëm antifashist, me një buzëqeshje të hollë dhe fin, që i delte nga thellësia e shpirtit, me anën e së cilës dukej sikur thoshte “ia dola”, mbylli sytë. Në fakt ajo nuk ishte një vdekje natyrale, ishte një vrasje makabër politike, ishte një hakmarrje primitive politike e pushtetit kundër një heroi legjendar, përfaqësues i denjë i Shqipërisë antifashiste.
Hetimet nisën në vetë të parë, domethënë i nisi pushteti neofashist i Berishës, por nuk i mbylli dot. Akuza nuk u formulua dot. Heroi i Popullit, iku nga kjo jetë i pafajshëm, i pa akuzuar, i pa dënuar.

***

shefqet peci 12
Ngritëm një Komision të madh për t’a përcjellë ashtu si e donte nderi për një figurë madhore. Më zgjodhën mua kryetar të komisionit. Zëvendës kryetarë të komisionit u zgjodhën Ramiz Alia dhe Pirro Dodbiba. Në datat 23 dhe 24 tetor 1995 Lapraka u bë vendi që kurrë në jetën e saj nuk kishte parë dhe mbajtur aq shumë njerëz nga e gjithë Shqipëria. U grumbulluan me mijëra për të përcjellë gjeneralin në banesën e fundit.

Krahas shumë e shumë të tjerëve ishin të pranishëm edhe Dritëro Agolli, Gramos Ruçi, Namik Dokle, Spiro Koleka, Reiz Malile, Myqerem Fuga, Maliq Sadushi, Ziqiri Mero e dhjetëra e dhjetëra gjeneralë e ish personalitete të shquara të LANÇ-it.
SHIK-u dhe Policia kurrë nuk ka patur punë më të madhe dhe më rraskapitëse se sa ato dy ditë. Megjithëse ishte dhënë urdhër kategorik për të penguar me çdo mënyrë dhe mjet ardhjet nga krahinat e ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës, megjithëse u ndalua edhe qarkullimi i autobuzave dhe furgonave nga rrethet, përsëri nuk i ndali asgjë shqiptarët që të vinin në Tiranë dhe t›i bënin homazhe Shefqet Peçit.

Arkivolin e tij e vendosëm jashtë, në hyrje të shtëpisë së tij. I hodhëm arkivolit një flamur të madh kombëtar. PikëllimI bëhej edhe më i madh, nga mënyra se si Shefqet Peçi vdiq. Mes personave që e vajtonin më shumë ishte edhe një person shumë i njohur për mua, por nuk bëja dot lidhjen. Ishte mjekja e re, e mirënjohur Mira Bozhegu, bashkëshortja e Profesor Nasi Bozhegut.

E pyeta se çfarë e lidhte atë me Shefqet Peçin?! Ajo më tha se ishte vajza e pilotit dëshmor Refit Jazo. Brigada e Pestë kaloi në Dukat të Vlorës. Fjetën një natë në shtëpinë e gjyshit të Mirës. Kur ikën në mëngjesë, Refat Jazo që ishte 11 vjeç, iu qep brigadës nga pas. Donte të dilte partizan. Ishte fëmijë i vetëm i shtëpisë. Kur e konstatuan se Refati kishte qëllim që t’i bashkohej partizanëve, Shefqet Peçi, përmes një partizani e ktheu në shtëpinë e tij, duke e bindur se ishte fëmijë dhe Lufta i kërkon madhorë luftëtarët e saj. Gjyshi i Mirës e mbylli në shtëpi djalin e vogël, Refat, dhe meqënëse ia njohte “kokën”, i vuri qenin si roje te dera. Nëse ai delte nga dera e shtëpisë, qëni i vërsulej.

Mirëpo Refati i vogël, atë bukë e ushqim që i lanë për ta ngrënë vet, ia hodhi qenit dhe e bëri “mik”! Doli kështu nga shtëpia dhe e ndoqi përsëri Brigadën nga pas. E arriti dhe u bashkua me ta. Shefqet Peçi thirri komandantin e shquar Llambro Andoni, Hero i Popullit, dhe ia la Refatin në mbikëqyrje të posaçme. Ndërsa dërgoi korrierin në fshatin Dukat dhe i njoftoi që të mos kishin merak për djalin, sepse ishte nën kujdesin e partizanëve të Brigadës së Pestë.

Dhe kështu Refat Jazo u bë partizani më i vogël i Brigadës së Pestë të LANÇ-it. Pasi u çlirua vendi, nën kujdesin e Shefqet Peçit, Refat Jazo mbaroi Shkollën “Skënderbej” dhe më pas shkoi për 6 vjet me radhë në ish Bashkimin Sovjetik dhe u bë një aviator i shkëlqyer.

Refat Jazo është dëshmor i atdheut, pasi ra në krye të detyrës si aviator. Shefqet Peçi ndodhej në Paris të Francës në kohën që u vra piloti Refat Jazo. U prek thellë prej kësaj vdekjeje tragjike të tij. Sapo u kthye shkoi së bashku me Katon, të shoqen në familjen e tij dhe me lot në sy i thotë bashkëshortes dhe fëmijëve të Refatit: “Nga sot e tutje do t’u kem unë si fëmijët e mi…” Dhe ai gjithë jetën na trajtoi sikur të ishim fëmijët e tij, dhe ne gjithashtu e donim aq shumë, sa deshëm babain tonë,- më tha Dr.Mira,

***
Saturday, May 07, 2016 (5).jpg

Mora përsipër edhe bërjen e një akti simbolik, i cili pati kontestime të mëdha në komision. Propozova që trupi i Shefqet Peçit, para se të varrosej, të bënte itinerarin Laprakë, Rruga e “Durrësit”, rreth e rrotull Sheshit “Skënderbej”, Rruga e “Kavajës” dhe Sharrë. Në atë kohë, të përdorje Sheshin “Skënderbej” ishte herezi. Berisha e kishte bërë këtë shesh “pronë të tij”, dhe aty veç tij dhe PD, askush tjetër nuk kishte të drejtë të shkelte.

Opozita dhe kushdo tjetër, mitingjet, protestat etj, ishin të detyruar t›i bënin veç në Sheshin “Ali Demi” ose në Stadiumin “Selman Stermasi”. Ndaj për t’iu ruajtur ndonjë incidenti të rëndë prej policisë së Berishës, u tha që arkivoli te rrethrrotullimi i Zogut të Zi, të kthehej djathtas, të kalonte te 21 Dhjetori, dhe drejtë e në Sharrë.

Kam vendosur veton. Do të ndiqni pa një pa dy vetëm makinën e funeralit ku ndodhet arkivoli, – u thashë. Dhe drejtuesit të automjetit të funeralit i thashë të ndiqte “Benzin” ku isha unë. Me çdo çmim trupi i Shefqet Peçit do të parakalonte te Sheshi “Skënderbej”.

I vendosëm “Benzit” një flamur kombëtar, unë në vendin e parë me shofer Asllan Tarkon, me shoqërues Albert Lulajn etj, me urdhërin e prerë që edhe sikur me plumba të na ndalin, nuk do të ndalim, çamë përpara. Kur morëm drejtimin majtas te Zogu i zi, për nga Sheshi “Skënderbej”, policë të shumtë na dolën përpara dhe na jepnin sinjalin e kthimit djathtas. I thosha Luanit: “Ec, ec, mos e ndal automjetin për asnjë motiv, ec!” Ngjitur pas nesh ecte makina e funeralit ku ishte trupi i Gjeneral Shefqet Peçit.

Policët dhanë e morën me radio marrëset, dhe me sa duket frika nga fakti që në kulmin e dhimbjes, njeriu mund të bëjë edhe qametin, u tërhoqën..

***
shefqet pec 7

Shefqet Peçi para se të varrosej e “çliroi” edhe Sheshin “Skënderbej”, parakaloi rreth e rrotull Shtatores së Skënderbeut dhe iu drejtua Sharrës. Kur makina e funeralit mbërriti në Sharrë, makina e fundit që përbënte vargun e gjatë të funeralit, ishte ende në Laprakë!

Fjalimin për përcjelljen e Gjeneral Shefqet Peçit e mbajti Pirro Dodbiba, kryetari i Komitetit Kombetar të Veteranëve të LANÇ.

Në momentin që trupi i Shefqet Peçit do vendosej në banesën e tij të fundit, të bindur se ai nuk do të prehej i qetë pa dëgjuar bataret e armëve, djemtë e Picarit dhe të Kurveleshit, por edhe disa pasardhës veteranësh, pa marrë parasysh faktin që shikasit i kishin nëpërkëmbë, zbrazën sa mundën fishekë prej armëve të tyre me leje dhe pa leje. Më pas, djemtë e shumtë të Kurveleshit, mes të cilëve edhe nipi i Shefqet Peçit, ai që i kishte marrë si emër, pseudonimin e kohës së luftës Gjeneralit, Tërmet Peçi, ia morën këngës labe:

“Kush është dragoi i malit, / Dhe bilbili i Labërisë? / Shefqet Peçi nga Picari, / Heroi i gjithë Shqipërisë!

Mesazhi i madh që u dha në këtë përcjellj ishte amaneti i antifashistit të madh, dramaturgut të famshëm antifashist, Bertolt Breht: “Barku që e polli (kuçedrën fashiste) akoma nuk është shterpëzuar”.

Fund

 

Share This Article
2 Comments
  • Shefqet Peci eshte ashtu sic pasqyrohet me vertetesi nga Idajet Beqiri,antifashist i madh ne krye te brigadave partizane brenda e jasht kufirit te shqiperise ne ndjekje te kucedres boterore bishes nazifashiste,ne mbeshtetje e krahe per krahe me rreshtimin e madh boterore te kryesuar nga USA, BS dhe Anglia. Ne kete lufte Shefqet Peci nuk u vra dot nga fashistet e nazistet por u vra ne moshen e pleqerise dhe gjendjen e rende shendetesore nga dora e fashistit te mbetur Sali Berisha. Ne ate gjendje shendetesore qe ishte Shefqet Peci vetem nje fashiste si Sali Berisha mund ta burgoste por i vdiq ne burg dhe u be me hero edhe nje here. Ne ceremonine e varrimit isha edhe une dhe ato qe thote Idajeti ashtu jane por vetem nje gje ne gjtha shkrimet e tij per gjeneralin shefqet Peci nuk e ka permendur. Dihet qe Shefqet Peci burgun e Saliut e kishte te tretin pasi Ai ishte burgosur nga zogu edhe nga Italianet. Kur e sollen kufomen e tij ne shtepi, bashkeshortja ka thene: “Ne dy burgosjet e me parshme nga Zogu dhe Italianet me erdhi i gjalle ne shtepi ndersa nga burgu i Saliut me erdhi i vdekur”. Kjo eshte e temerrshme,se fashistet nuk arriten deri ketu.Mendoj se me kete thenie tabloja eshte e plote, te gjitha ato qe meritonte Shefqet Peci jane thene dhe u bene dhe ne krye te merites eshte Idajet Beqiri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *