Mes asaj që po ndodh në Turqi dhe asaj që (nuk) po ndodh në Tiranë

redaktor

Nga Klajdi Sela* & Aida Nako**

Përpos ndryshimeve gjeografike dhe kulturore, Shqipëria dhe Turqia kanë edhe elementë të përbashkët: qeverisjen me dorë të hekurt dhe korrupsionin, përshembull. Në Shqipëri, edhe pse u bënë disa muaj nga ndryshimi i pushtetit, drejtësia është mjaftuar me disa peshq të vegjël. Në Turqi, Erdogan dhe qeveria e tij po kalojnë sprovën më të madhe që mund të ketë kaluar një qeveri turke gjatë dekadave të fundit. Katër ministra dhanë dorëheqjen pas botimit në media të aferave të korrupsionit që prekin politikanë të lartë dhe fëmijët e tyre. Policia arrestoi djemtë e tre ministrave dhe disa biznesmenë të fuqishëm me akuzën e korrupsionit në tenderat e Qeverisë për ndërtimin e veprave publike, pastrim parash dhe thyerje të embargos të vendosur ndaj Iranit nga SHBA dhe BE. Aktualisht, djemtë e dy ministrave gjenden në qeli, ndërsa prokuroria tentoi të zhvillonte një fazë të re arrestimesh për akuza të njëjta, fijet e të cilave çonin deri tek djali i Erdoganit. Kjo valë e re arrestimesh nuk u lejua nga drejtuesit e Policisë (ngjashëm me moslejimin e arrestimeve të gardistëve pas 21 janarit megjithë urdhërin e prokurorisë), ndërsa përgjigja e pushtetit ndaj prokurorëve dhe policëve që guxuan ishte e pamëshirshme.

Ministri i Brendshëm (djali i të cilit është një ndër të arrestuarit) shkarkoi menjëherë nga detyra policët që kryen aksionin si edhe dhjetra drejtorë policie në të gjithë Turqinë. Qindra të tjerëve iu ndryshua vendi i punës. Djali i Kryeministrit Erdogan nuk shihet më në publik për t’iu ruajtuar një arrestimi të beftë. Një klime e madhe pasigurie kanë mbështjellë qeverinë e Erdoganit, ndërsa ai ndodhet vetëm pak muaj para bastit të tij të madh të këtyre viteve, të zgjidhet President me votë popullore në qershor të këtij viti.

 

Kush po i bën arrestimet në Turqi?

Ata që po dalin përballë Erdoganit me akuzat për korrupsion janë thuajse të njëjtët njerëz që pak vite më parë e ndihmuan atë për t’i shpëtuar një komploti të organizuar nga ushtria, rezultati i të cilit ishte gjykimi dhe burgosja e shumë gjeneraleve, deri në atë kohë të paprekshëm. Një ndër më të spikaturit, që përgatiti dosjet e gjeneralëve në çështjen “Ergenekon” është Zekeriya Oz.

Djali i një familjeje të shpërngulurish nga Bullgaria pas përfundimit të luftës së parë Botërore, Oz i përket atij brezi që kanë përjetuar disa grushte shteti të njëpasnjëshme gjatë jetës së tij. Ky brez kanë parë shtetin e tyre të fuqizohet ekonomikisht dhe ushtarakisht, por edhe të shkojë drejt falimentimit (fillimi i viteve 2 000) për shkak të politikave të mbrapshta dhe korrupsionit.

Sot, 46 vjeçari që ka përfunduar Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Stambollit në fillim të viteve ’90, shihet nga media dhe opinioni publik si Prokurori që po çmonton kastën e korrupsionit në Stamboll, Ankara dhe në qytetet e mëdha në Turqi. Optimistët thonë që më në fund ka dalë një brez prokurorësh, gjykatësish, policësh, gazetarësh e nëpunësish të tjerë, të cilët korrupsionin e thërrasin në emër, pavarësisht nëse në të janë të përfshirë djem ministrash, ministra, djali i kryeministri, apo edhe ai vetë duke sakrifikuar ndërkohë vendin e punës dhe duke u përndjekur nga pushteti.

 

Po ne?

Ata që mbushën sheshin në fillim të viteve ’90 në Shqipëri, janë sot bashkëmoshatarë të Zekeriya Oz-it, të policëve, prokurorëve dhe gjykatësve që po dërgojnë sot në qelitë e burgut djem ministrash dhe miliarderë në Turqi. Studentët që thonë se sollën demokracinë në fillim të viteve ’90 në Shqipëri, janë sot prokurorë, gjykatës, nëpunës, policë, por edhe pse në të njëjtin brez, akoma nuk kanë marrë guximin të dergojnë pas hekurave djem ministrash shqiptarë, ministra apo kryeministra.

Është fakt që Shqipëria renditet ndër vendet e para në Evropë për indeksin më të lartë të perceptimit të korrupsionit dhe deri më tani, nuk kemi asnjë peshk të madh pas hekurave. Më shumë se Turqia, neve na duhet çdo ditë e më tepër, një brez si ai që po godet korrupsionin në politikën e lartë, na duhen prokurorë me parime të qarta, policë që nuk kanë frikë të arrestojnë djem minstrash, gjykatës të “izoluar te ligji”. Më shumë se kurrë, sot na duhet një brez i tillë.

Ka mbi dekada që në Shqipëri vlon korrupsioni, që njerëzit çdo hall e kryejnë duke paguar; ka dy dekada ku njëra palë shpall palën çfarë të duash, bën akuza nga më monstruozet, të cilat në një vend normal duhej të mbyllnin dyert e parlamentit për të gjetur të vërtetën; ky mbi dy dekada që dëgjojmë për banda mafioze, kriminelë me pushtet, të lidhur me klanet e Zemunit, mafiozë politikë, vrasës, psikopatë, hajdutë… pastaj ka krime të pafalshme si Gërdeci e 21 janari, për të cilat duhet ndëshkim.

 

Media

Por ndëshkimin nuk e vendosin gazetarët, dhe, nëse gazeta DITA , sinqerisht, e ka ngritur disa herë këtë temë, përmes gazetarëve të saj, por edhe bashkëpunëtorëve, ajo vetë e ka të qartë se nuk është fjala për një emër, por për një vijë të pandeshkueshmërisë dhe, nëse përfaqësuesi më “i denjë” i kësaj zallamahie, është Berisha, kjo nuk është në fajin e saj.

Është e natyrshme se gazetarët nuk mund të dërgojnë askënd në gjyq. Nëse do të kishim pasur një sistem drejtësie ndryshe nga ai që është instaluar, nga analizat, shkrimet dhe investigimet e gazetarisë do të mund të kishte një përfytyrim tjetër për vetë drejtësinë. As Berishën nuk e dërgojnë në gjyq gazetarët. Nëse kjo do të ndodhë, atë do e dërgojnë zullumet që ka bërë e që nuk janë të pakta, e të cilat, do të ishte fatalisht e gabuar, nëse nuk do të gjykoheshin. Investimi dhe vendosja e institucionit të ndëshkueshmërisë janë të lidhura me njëra tjetrn, ata nuk mund ta përjashtojnë njëra tjetrën, sepse nuk kanë të bëjnë me fjalë të cituara, por me mund dhe të holla, të cilat askush nuk i hedh lehtësisht në erë.

Është qesharake që sot në Shqipëri gazetarët që kërkojnë ndëshkimin e Berishës, konsiderohen “radikalë”. Ndëshkueshmëria duhet të jetë “kërbaçi” mbi institucionet, ashtu si është pozita” kulaçi” i saj. Ai që nuk ka frikë nga ndëshkimi , ai që e di se sa do fort të vjedhë nuk e gjen asgjë, ai i mbyll portat e investimeve, ai ngre për vete një kapital mizor dhe njëkohsisht ua bën jetën mizore të tjerëve. Kjo duhet të marrë fund. Sa më parë, aq më mirë.

Edhe vetë Berisha e familja e tij e ndjen ankthin e ndëshkueshmërisë. Halucionacionet e tij të fundit dhe përçartjet në parlament, janë shenjat që flasin, sepse, më mirë nga të gjithë ne, ai e di se çfarë ka bërë mbi moralin, ekonominë e këtij vendi dhe mbi fatet e tij.

Askush në këto vitet e fundit nuk ka sjellë më tepër një peisazh të tillë të hidhur mbi jetën e njerëzve. Edhe nëse nuk mund të gjykohet, historikisht ai është i dënuar, por stafi i DITA-s i takon atyre shqiptarëve të cilët mendojnë se nuk mund të ecet mbi patericat e faljes dhe të harresës.

I takojmë atyre që mendojnë se nëse kjo histori përsëritet, përsëri do të jemi kundër këtyre patericave. Besojmë se jemi në një mendje me lexuesit tanë kur themi se gabimet ndreqen, ndërsa fajet gjykohen. Dhe ne, mjerisht, nuk kemi folur e shkruar për gabime, por për faje që duhen gjykuar.

*Klajdi Sela, bashkëpunëtor i DITË-s për Turqinë, është duke kryer studimet doktorale për Drejtësi, në Universitetin e Stambollit.

**Aida Nako është redaktore e rubrikës së hetimeve në redaksinë qendrore të DITA-s në Tiranë

* * *

Po në Shqipëri a ndodhin biseda të tilla? (Teksti i përgjuar mes Erdogan dhe një botuesi gazetash që nis e qan)

Turqia është në vëmendjen e publikut të gjerë ndërkombëtar për shkak të akuzave ndaj Kryeministrit Erdogan, familjarëve të tij si edhe disa ministrave të tjerë për korrupsion. Kohët e fundit kanë filluar të qarkullojnë videopërgjime ku Erdogan apo njerëzit e tij të afërt janë të përzier në afera të mëdha korruptive, si ajo midis Erdogan dhe të birit, Bilalit, për fshehjen e një miliardë dollarëve, të cilën Erdogan e mohoi.

Por këto ditë  në internet filloi të qarkullonte një bisedë midis Erdoganit dhe pronarit të dy prej gazetave më të mëdha në Turqi, “Milliyet” dhe “Vatan”. Pronari i gazetës fillon të qajë gjatë telefonatës.

Pas kësaj telefonate, pronari i gazetave, Erdogan Demiroren filloi shkarkimin e drejtuesve të  gazetave. Telefonata, mendohet se ka ndodhur pas një artikulli në 28 shkurt 2013.

 

Biseda e zbardhur:

Erdogan Demiroren:      Të mërzita, shef?

Tajip Erdogan:              Për besë na bëtë tym, na poshtëruat.

Erdogan Demiroren:      Kur të takohemi bashkë?

Tajip Erdogan:              Më kë të takohem, pranohet një paturpësi e tillë?

Erdogan Demiroren:      Duhet të gjejmë ata që e kanë nxjerrë këtë informacion, prandaj…

Tajip Erdogan:              Mos u merr me ata që e kanë nxjerrë, është çështje tjetër kush u ka nxjerrë informacionin. Funksioni i gazetës suaj është të bëjë provokime të tilla?

Erdogan Demiroren:      Jo, as nuk na kalon nëpër mend ajo, z. Kryeministër.

Tajip Erdogan:              Ç’do të thotë nuk na kalon, ja u kaloi, çfarë do më tëpër. Dmth, titulli do vihet në këtë mënyrë, na shkon nëpër mend apo jo, për të shitur tre-katër copë më shumë bën këtë poshtërsi, se cili nga njerëzit e tu e bën, pastaj dhe ju vazhdoni t’i mbroni duke thënë se as nëpër mend nuk na kalon.

Erdogan Demiroren:      Nuk po i mbroj, gjithë natën me këtë punë jam marrë.

Tajip Erdogan:              Pash Zotin, dmth. ju këta gazeta, pra titujt e gazetave…

Erdogan Demiroren:      Kërkoj diçka prej teje. Të më japësh gjysëm ore kohë.

Tajip Erdogan:              Për besë, të kemi dhënë kohë shumë gjysëm orësha. Kështu që është turp, shkon kjo gjë? Dhe pas kësaj nga gazeta juaj nuk do të marr asnjë person, dmth në asnjë udhëtim timin jashtë.  Le ta marrim, le ta marrim, sa herë jemi ulur dhe kemi biseduar me atë njëri. Me Derja zotërinë kam folur unë edhe shokët gjithashtu, kemi hyrë në proces të mirë, themi një proces zgjidhjeje, rrezikojmë, çfarë nuk bëjmë… Por një gënjeshtar i pandrequr publikon artikullin, i poshtri, i paskrupullti dëshiron që të cungojë procesin tonë dhe ju jeni pronari i këtij.

Erdogan Demiroren:      Mirë, çfarë kërkoni nga unë?

Tajip Erdogan:              Ajo që kërkoj unë nga ti është të bësh atë që duhet t’u bësh këtyre mashtuesve, dmth duhet t’u thuash se si mund të publikoni artikuj të tillë? Nëse te puna juaj dikush mashtron, e mbani vallë një orë?

Erdogan Demiroren:      Nuk e mbajmë.

Tajip Erdogan:              Menjëherë e përzini…

Erdogan Demiroren:      Por unë ua thashë, dëgjo…

Tajip Erdogan:              Rrezikojmë kaq e aq, nuk e di, shokë unë nuk ju telefonova por artikulli i publikuar dje nuk justifikohet, edhe nëse nuk më telefoni sot, unë përsëri…

Erdogan Demiroren: Alo!

(Telefonata ndërpritet)

 

Telefonata e dytë

 

Tajip Erdogan:              Alo

Erdogan Demiroren:      Do të bëj atë që duhet z. Kryeministër, unë ty…

Tajip Erdogan:              Nëse mundem, çfarë do të bëni konkretisht?

Erdogan Demiroren:      Unë të premtoj…

Tajip Erdogan:              Derja (Kryeredaktori sh.r) është përgjegjësi kryesor i kësaj çështjeje, ai i pafytyri që ka shkruar lajmin është përgjegjës për këtë, se kush  e ka informuar…

Erdogan Demiroren:      Unë sot…

Tajip Erdogan:              Nëse është i pastër, t’ua thotë juve se kush e ka informuar dhe urgjentisht të marrim masa kundrejt atij. Nëse ky është dikush nga ekipi im unë bëj atë që nevojitet, por nëse është dikush nga BDP-ja le ta thotë, edhe me atë bëjmë atë që nevojitet.

Erdogan Demiroren:      Unë deri sonte në mbrëmje do ta sjell para jush se nga ka ardhë.

Tajip Erdogan:              Në rregull.

Erdogan Demiroren:      Në rregull z. Kryeministër? (ngashërehet)

Tajip Erdogan:              Mirë, në rregull.

Erdogan Demiroren:      Kështu… (vijon ngashërimin)

Tajip Erdogan:              Mirë… Ditën e mirë!… Alo!

Erdogan Demiroren:      Si u ngatërrova me këtë punë, për kë… (Nis e qan)

Tajip Erdogan:              Shpresoj të na na dalë për mirë… në rregull, ditën e mirë!

Erdogan Demiroren:      Faleminderit (Qan)

Tajip Erdogan:              Ditën e mirë!

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *