Shumë kujt, sigurisht do i kujtohet se, kur ishte ministër i mbrojtjes Fatmir Mehdiu, një tjetër ministër, Aldoja i Bumçëve, ia niste fakset pikërisht në këtë ministri, ku biri i Berishajve, Shkëlzeni, pa asnjë titull e post, kishte ngritur zyrën e tij. Se çfarë ndodhi pas këtij faksi dhe ngritjes së kësaj zyre këtë tanimë e dinë të gjithë: 26 vetë u vranë, disa dhjetëra u plagosën, në një fshat që ishte afër Tiranës, dhe për të cilin babai i Zenit nuk kishte “dëgjuar” kurrë, e aq më pak të kishte dëgjuar se ishte kthyer në një geto. Nuk e kishte “dëgjuar” kurrë se nëpër rrugëzat e këtij kantieri të vdekjes lëviznin me bomba në duar fëmijë, 13 e 14 vjeçarë, të cilët e kishin marrë si një lojë të pafajshme, dhe, kur regjistroheshin në video, buzëqeshin, pa e ditur se kishin vdekjen pas shpine. Për këtë getozim të skajshëm çka nuk kishte ndodhur asnjëherë në këtë vend, askush nuk mori përgjegjësinë e tij; të gjithë ngritën supet e thanë se nuk dimë gjë, bile shefi i qeverisë shkoi edhe më tej duke mohuar baxhanakun e tij. Megjithëse u përpoq të fshihte të vërtetën pas maskimit të emrit të tij, përsëri ai nuk bëri asgjë tjetër, veçse e ktheu sallën e parlamentit dhe zyrën e tij pas xhamave të blinduar në një zgjatim mizerabël të zyrës së Zenit.
Asaj kohe, por edhe më pas, megjithë premtimet e kësaj mazhorance se do të zbardhte të vërtetën deri në detajet e saj, askush nuk pyeti se ku ishin zyrat e Shkëlzen Berishës, në drejtimin e të cilit niseshin fakse, dhe i cili, duke qenë një qytetar krejt privat, normalisht si gjithë të tjerët, në këtë zyrë thërriste në raport ministra e biznesmenë, hynte e dilte në ministrinë e Mbrojtjes si në zyrat e pafund të familjarëve të tij, gjithnjë me një çantë në dorë, e cila kur dilte peshonte shumë më tepër se sa kur hynte. Njeriu me çantë dhe me zyrë, pa qenë askush, u bë kështu, për krejt pak kohë, sinonimi i njeriut që të bën gjëmën ose të hap rrugën, megjithëse nuk kishte të drejtë të bënte as njërën e as tjetrën. Askush nuk pyeti përse pas perdeve të kësaj zyre lëviznin gjëmimet e punëve të errëta dhe përse emri i tij, si një skllavopronar i kohëve moderne, ishte i pranishëm në shtypin serioz të botës së civilizuar. “Gërdeci” hyri në histori tashmë dhe gërmimet që mund të bëhen në të ardhmen do të mund të nxjerrin pluhura të mëdha, por në fakt zanafilla e saj ishte pikërisht zyra e Zenit, kudo të ishte ajo.
E kisha mënjanuar disi këtë histori, kur, ditët e fundit, krejt papritmas, herën e parë pa e pyetur kush, e herën e dytë i detyruar të bëjë një ndër gabimet e tij trashanike, ai e përmendi zyrën e tij. Njeriu me çantë u bë befas njeriu me zyrë. Herën e parë ai e përmendi kur një njeri i afërt me qarqet demokrate, por që herë pas here jepte shenja rebelimi ose dinjiteti, doli si kandidat i pavarur. Gjergj Bojaxhi. Nuk e njoh, nuk e kam takuar kurrë, dhe nuk e di nëse duhet ta çmoj lëvizjen e tij si një përpjekje për të dalë vetë nga qerthulli ku u fut me dëshirë, apo si një fillesë për krijimin e një lëvizjeje politike qytetare. Më shumë duhet të jetë kjo e dyta, megjithëse nisja e tij nga një start shqupas të lë shijen jo të mirë të një kthese politike, që , nëse nuk e lejuan ta bënte brenda vetes, do e ketë të vështirë ta bëjë jashtë saj.
Megjithatë, djalthi i ish shefit të qeverisë, pa e pyetur kush, deklaroi se Bojaxhiu kishte qenë disa herë në zyrën e tij, dhe se ai, Zeni, nuk e kishte sajdisur. Se çfarë pune kishte Bojaxhiu në zyrën e Zenit, kjo është diçka për jetën e tij, qoftë politike e qoftë financiare. Nëse ai ka menduar dikur se rruga e tij do të ecte përmes kësaj zyre, tani besoj se është i vetëdijshëm se ka qenë i gabuar.
Por, deklarata e Zenit, për një njeri jo të shtresës së lartë politike e financiare, i cili, vullnetshëm, kishte qenë në zyrën e tij, më shumë se një dëshmi budallaqe, tregoi se jo rastësisht zyra e Berishës së vogël ishte kthyer në një filial të zyrës së Berishës së madh. Sepse lehtësisht është e menduar se, kur atje shkon e bisedon, nuk e di se për çfarë, një figurë e skalionit të dytë pëdëist, i cili shumë shpejt do të dilte jashtë radhëve, qoftë edhe përkohësisht, është lehtë të mendohet se sa herë kanë qenë e janë falur në zyrën e Zenit ministrat fuqiplotë, si Bode, Ruli, Pollo, ministrat e drejtësisë pa bosht e pa kurriz, ish shefat e punëve të brendshme dhe ndihmësit e tyre.
Në fakt, zyra e pararendësit të shqupasit, Shkëlzen Berisha ishte paradhoma e pushtetit, shkallarja e ngritjes politike dhe e pasurimit financiar. Nuk është asgjë më pak se sa zyrat e Mirkos së Millosheviqit, në zyrën e të cilit, sa ishte babai në pushtet, shkonin e faleshin të gjithë politikanët, dhe përmes së cilit krijoheshin lidhjet e politikës nga një skaj në tjetrin, dhe, jo rastësisht, lidhjet e politikës me botën e pistë të biznesit.
Zyra e Zenit, në të cilën, sipas deklaratës së tij, shkonte edhe një politikan i brishtë sipas mendimit të tij, dhe që nuk gjente përkrahje, ishte në fakt zyra e dhënies pushtet ose e marrjes pushtet. Sa më besnik të ishte ndaj tij, aq më shumë i pushtetshëm do të ishte. Të gjithë ata që nuk kërkonin falje tek kjo zyrë rrugën e politikës do e kishin të shkurtër, e ndoshta edhe me theqafje, si ndodhi me Olldashin. Mjaftoi që ky i fundit u shkëput për pak kohë nga tabori i zyrës zenishte dhe, i shkanë duart e bëri një aksident të çuditshëm, si i ndodhi të shkretit Trebicka. Edhe ai e harroi timonin pasi kishte dalë i hidhëruar nga zyra e Zenit dhe pasi i kishte thirrur në ndihmë njerëzit përtej detit, njëlloj si mafiozë si bashkësendësit e tyre në Shqipëri.
Ditët e fundit, për herë të dytë, u përmend zyra e Zenit, kësaj here pa dashjen e tij dhe kur gjithçka mendohej se po harrohej. Një biznesmen, i dyshuar apo jo, por që u bë sheshi i përplasjeve politike, krejt befas deklaroi se ai njihte gjithë bosët e politikës shqiptare dhe se, për më tepër kishte qenë edhe në zyrën e Zenit, pasi kishte shoqëruar babain e tij në Izrael. Këta Berishajt, të mëdhenj e të vegjël, e kanë të vështirë të rrinë pa një mik familjar. Më parë kishin Fazlliqin, tani këtë Vili-Vilin.
Ky biznesmen, që ka filluar bizneset në kohën e lulëzimit të qeverisë Berisha, kohë kur ka vendosur themelet e asaj që ka ngritur, deklaroi në një intervistë të tij se ai njihte Berishën, Ramën, Metën, por kishte takuar edhe Zenin. E radhiti djalin e ish shefit të qeverisë si njërin ndër të rëndësishmit me të cilët ishte takuar, kishte qenë në zyrën e tij disa herë dhe marrëdhëniet kishin qenë të mira.
Një biznesmen kuptohet nëse ai takohet me një shef qeverie, të djeshëm e të tashëm, sepse po investon paratë e tij, dhe shteti e ka për detyrë që, para se t’i thotë mirëserdhe, të shohë në se këto para janë të pastra apo Shqipëria po bëhet lavazhi i larjes së parave të pista. Edhe një ministër financash e ka për detyrë të takohet, sepse është i botës së tij financiare. Por pse duhej takuar me Zenin, e aq më tepër, si thotë ky i fundit, 100 për qind në rrenë, se ky, Vili-Vili, kishte shkuar për konsulencë financiare?
Mirëpo, si dëshmojnë dokumentet e kohës, Berisha i vogël nuk kishte asnjë zyrë juridike. Ai kishte ngritur një zyrë perde për shitblerje imobiliare dhe askush e askund nuk e diti deri në fund se cili ishte në të vërtetë biznesi i tij legjitim; cilin objekt shiti dhe sa fitoi prej tij; kush i besoi punët imobiliare dhe cilat ishin përfitimet që pati; sa ishte taksa që pagoi dhe tatimi që detyrohej. Pra, ai nuk kishte asnjë zyrë të ndihmës juridike dhe as nuk kishte pse të shkonte një biznesmen i huaj, ose i vendit, të kërkonte ndihmën juridike ose konsulencën financiare të një njeriu që nuk kishte asnjë lidhje me to. Të bësh vili/vili me punët e shtetit ishte një specialitet i qartë berishian, që nga babai, nëna, motra, kunati e ai vetë. Por ai u bë zëdhënësi che grumbulluesi i të vjelave, para të cilit njerëzit qëndronin në pritje, si dikur në kompleksin skulptural kinez, Oborri i vjeljes së taksave.
Është e vërtetë se në kohërat e arta të pushtetit baballar, Berisha i vogël, u bë pushteti në hije i qeverisjes dhe, është e saktë, po ashtu, se kush prishte sado pak vijën e ujit të bizneseve të tij, apo të marra në mbrojtje prej tij, duhej të llogariste gjithçka. Të bëje tregti apo të ngrije një godinë financiare në Shqipëri, ai ishte porta që hapej ose që mbyllej. Por edhe më tej se kaq; ai bënte ligjin edhe kur ishin në lojë interesa të mëdha kombëtare e strategjike, si ndodhte me linjën energjetike mes Kosovës dhe Shqipërisë. Një linjë, që megjithë financimin gjerman, do të bllokohej, pasi Zeni e Fazlliqi do të ishin jashtë lojës.
Pra, ku ishte zyra e Shkëlzen Berishës? Cilat resurse mbulonte ajo? Sa herë që del në dritë premisa e një skandali financiar ose supozohet se do të ketë një të tillë, gjithnjë palë do të jetë Shkëlzen Berisha. Falja që është bërë në zyrën e tij ka qenë, si duket, një ritual i përhershëm, dhe sado që vitet shkojnë dhe mosndëshkimi bëhet pjesë e politikës, përsëri mbetet ajo që shfaqet herë pas here: xhambazi i pushtetit.
Me punën që kishte të deklaruar dhe me fitimet, që po ashtu, i deklaroi në vite, Shkëlzen Berisha do të ishte një qytetar me një jetë të zakonshme, pa hipizëm dhe kuaj suedezë, pa vila të panatyrshme dhe shtëpi pushimi, pa udhëtime jashtë shtetit dhe pa financime butikësh. Nëse ai do të kishte pasur një zyrë të zakonshme, atëherë edhe ai do të udhëtonte me furgonë, nëse do i shkonte ndonjëherë në mendje të vizitonte Vuçidolin, ku i kishte lindur babai i tij dhe ku kishin varret gjyshërit e stërgjyshërit. Do të kishte udhëtuar kështu si të gjithë, e jo me avionë çarter, do të kishte miq shokët e fëmijërisë dhe jo mafiozë ndërkombëtarë të tipit Fazlliq, aq më tepër me rrënjë kriminale serbe.
E keqja më e madhe është se jo vetëm nuk është i vetmi në llojin e tij, por të gjithë atë që ka bërë e vazhdon të bëjë, shumë vetë e quajnë aftësi, meritë, e vlerësojnë si një njeri i zoti, pavarësisht se e gjitha është një greminë korrupsioni, në të cilën nuk bie ai vetë, por hedh të tjerët.
Zyra e Shkëlzenit ishte një filial i zyrës së Berishës së madh; ishte vendi ku bëhej vazhdimi i asaj që kishte nisur në godinat qeveritare. Nuk e di në se ndonjëherë, në këtë vend ku arsyeja i është nënshtruar ndëshkimit dhe, në të cilin mendja është vënë poshtë forcës, do të ketë një çast ku ndëshkimi do të vijë jo si hakmarrje politike, por si një ligj i së drejtës.
Dua të besoj, mirëpo edhe besimi ka bjerrjen e forcës së tij, sidomos kur birbo politikë, të cilët kishin vetëm aftësinë e vjedhjes, tani shfaqen si shenjtorë të moralit dhe na përqeshin me gjithë përbuzjen ndaj nesh.

Zyrat i ka aty ku i ka i ati qadrat , ne Serbi !
I the po kujt i the more Bedri!
Zyrat i ka ne vrime te shurres se Liri Sllobodankes…