Bisedoi: Xhevdet Shehu
Në këtë 70-vjetor të çlirimit të Shqipërisë, është me interes të lexohet një këndvështrim anglez për historinë e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në këtë rrëfim të gjatë të historianes Miranda Vickers për gazetën ‘DITA’ jepet një tablo e përmbledhur e asaj që ka ndodhur në këtë vend rreth shtatë dekada më parë. Miranda Vickers është një studiuese skrupuloze e historisë së shqiptarëve dhe disa nga librat më të rëndësishëm të saj janë shkruar pikërisht për Shqipërinë, Kosovën dhe Çamërinë. Një pjesë e fakteve që sillen në këtë rrëfim të Vickersit janë përfolur dhe dihen pjesërisht nga ne. Autorja ka shfrytëzuar për këtë arkivat britanike, por edhe ato të vendeve të tjera si jugosllave dhe ruse që kishin interesa ndaj Shqipërisë. Por, modeli i saj më i pëlqyer dhe një nga pikat kryesore të referimit në trajtimin e historisë së shqiptarëve dhe problemeve ballkanike, sikurse do të vëreni, është autorja e mirënjohur Edit Durham, mikja e madhe e shqiptarëve në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë.
Në këtë pjesë të parë të bisedës me Miranda Vickers do të lexoni: Si u përgatit dhe u realizua pushtimi fashist italian dhe rezistenca ndaj këtij pushtimi. Planet e Kontit Çiano për aneksimin e Shqipërisë, ofertat që iu bënë Ahmet Zogut nga italianët dhe pse ai nuk i pranoi ato. Sa ishte sasia e floririt që grabiti ish-mbreti, si e bëri atë dhe mënyra e arratisjes ditën e pushtimit. Themelimi i PKSH, roli i jugosllavëve dhe si doli Enver Hoxha në krye të saj…
Zonja Miranda, sivjet në Shqipëri kremtohet 70-vjetori i fitores antifashiste dhe që ndryshe quhet dita e çlirimit. Cili është koncepti juaj për atë luftë?

Ajo ishte një luftë çlirimtare dhe peshën vendimtare e mbajtën partizanët komunistë. Është një fakt që tashmë pranohet nga të gjithë se Shqipëria u çlirua nga vetë shqiptarët dhe se në të, ndryshe nga shumë vende të tjera, nuk mori pjesë Ushtria e Kuqe. Ushtria partizane kishte një përparësi të dukshme, duke patur një udhëheqje mjaft të re në krahasim me ato të grupeve nacionaliste. Nga 70 mijë luftëtarë partizanë, gjashtë mijë ishin femra, ndërkohë që nacionalistët tepër rrallë kishin pranuar femra në radhët e tyre, duke lënë në këtë mënyrë një burim të çmuar të pashfrytëzuar. Organizmi dhe disiplina superiore e partizanëve, bindja në ideologjinë e tyre, si dhe këmbëngulja për të fituar me çdo çmim ndaj egërsisë së forcave të Boshtit, përforcoi vendosmërinë e tyre jo vetëm për të çliruar Shqipërinë, por edhe për të marrë pushtetin pas fitores. Fitorja e partizanëve të udhëhequr nga komunistët në Luftën e Dytë Botërore dhe sundimi pasues i Enver Hoxhës vulosën fatin e Shqipërisë për 45 vjetët e ardhshëm.
Do të kthehemi pak më vonë tek Partia Komuniste dhe Enver Hoxha. A ka patur plane të Italisë për pushtimin e Shqipërisë para 7 prillit 1939?
Po, ka patur dhe këtë le ta quajmë plani i Kontit Çiano.Unë për këtë do të flas me fakte dhe dokumente të cilat i kam hulumtuar në vite dhe një pjesë të të cilave i kam botuar në librat e mi që kanë të bëjnë me shqiptarët.Por në radhë duhet të kemi të qartë sediktatura e Ahmet Zogut nuk ishte në gjendje të ndalte varësinë koloniale italiane të Shqipërisë, që mandej u pushtua nga Italia dhe Gjermania gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në qershor 1936, dhëndrri i Musolinit Konti Galeaco Çiano, u bë ministër i Jashtëm i Italisë. Pasi vizitoi Tiranën për herë të parë në prill 1937, ai përkrahu një lëvizje dramatike, e cila ishte kundër prestigjit të lartë të Rajhut gjerman dhe për rritjen e moralit të Italisë. Çiano ishte për aneksimin tërësor të Shqipërisë nga Italia, e cila, thoshte ai, mund të ofronte strehë për dy milionë italianë. Ai (gabimisht) besonte se ngaqë opinioni publik shqiptar përgjithësisht ishte kundër Zogut, duhej të ishte medoemos pro-italian. Një plan tjetër i Çianos ishte ideja për ndarjen e Shqipërisë midis Italisë dhe Jugosllavisë. Por kjo ide dështoi për mungesë të interesimit të jugosllavëve, të cilët gjatë viteve ’30 ishin shkëputur gjithnjë e më tepër nga çështjet shqiptare, regjenti i të cilëve, Princi Pavël, nënvizonte: ‘Ne tashmë kemi aq shumë shqiptarë brenda kufijve tanë dhe ata na kanë sjellë aq shumë kokëçarje, saqë unë nuk dëshiroj të rritet numri i tyre’. Çiano përllogariti madje dhe një komplot të sajuar për rrëmbimin e Mbretit dhe Mbretëreshës, në një përpjekje për të destabilizuar vendin dhe në këtë mënyrë Italia do të gjente një pretekst për të ndërhyrë për të rivendosur rendin. Sipas Geraldinës, më 25 qershor 1938 ambasadori italian, në emër të qeverisë së tij, i ofroi Mbretit një jaht me ekuipazh italian. Zogu nuk e pranoi dhuratën, nga frika se mos ushqimi në bordin e tij mund të ishte i helmuar. Në vend të saj, ai tha se mund ta merrte jahtin me qira dhe të bënte një udhëtim deri në Venecia bashkë me disa nga shërbëtorët e tij personalë. Më vonë, Mbreti dhe Mbretëresha dëgjuan se në rast se do të kishin pranuar të zbarkonin në Itali, ata nuk do të lejoheshin të ktheheshin më në Shqipëri.
Po reagimi i Musolinit ndaj këtyre planeve që thurrte dhëndrri i tij cili ishte? Në fund të fundit ishte ai që do të vendoste…
Në verën e vitit 1938, italianët kontrolluan çdo sektor të rëndësishëm të shtetit shqiptar. Më shumë se 170 mijë italianë punonin në Shqipëri për pyllëzimet, për sistemin e ujitjes dhe në ndërtimin e rrugëve. Ky është në të vërtetë sistemi bazë funksionues edhe në Shqipërinë e sotme. Varësia nga ekonomia italiane ishte rritur deri në atë shkallë saqë më 1939 Italia merrte 92.1 për qind të eksporteve shqiptare (duke krahasuar me 68.4 për qind të një viti më parë) si dhe 82,5 për qind të importeve (36.3 për qind më 1938). Ndërsa Çiano ishte i zënë me planet e kolonizimit, Musolini vuante për të gjetur mënyrën e pushtimit të Shqipërisë. Një sulm mbi Shqipërinë ishte diskutuar muaj më përpara dhe nga fillimi i shkurtit u vendos që java e pashkëve ishte një datë e mundshme. Por kjo nuk ishte vendosur përfundimisht deri në mesin e marsit, kur Musolini vendosi për pushtimin. Ai u dha fund dyshimeve të tij për Shqipërinë kur Hitleri pushtoi Çekosllovakinë. Më 25 mars dërgoi një ultimatum ku kërkonte një protektorat zyrtar italian mbi Shqipërinë dhe të drejtën që garnizonet ushtarake italiane të mbronin vendin. Kjo donte të thoshte në të vërtetë humbje e sovranitetit shqiptar. Çiano e përshkruan ultimatumin si: “Një marrëveshje e cila, me gjithë termat e kortezisë që përmbante, do të na lejonte ne të bënim aneksimin e Shqipërisë. Ose Zogu pranonte kushtet që i kishim vënë ne, ose ne do të bënim pushtimin ushtarak të vendit. Për këtë qëllim ne tashmë kemi mobilizuar dhe përqëndruar në Pulia katër regjimente bersalierësh, një divizion të këmbësorisë, detashmente të forcave ajrore dhe gjithë skuadriljen e parë të flotës detare”.
Si ishte atmosfera në vend kur u krye pushtimi fashist italian i Shqipërisë?
Më 1 prill 1939 në Tiranë pati një demonstrim masiv anti-italian, ndërsa turmat e irrituara kërkonin armë për të luftuar italianët. Në një kohë që Mbretëresha priste të lindte, Zogu për të fituar kohë pranoi disa kërkesa të italianëve. Më 4 prill Geraldina lindi një djalë që u quajt Leka. Ditën tjetër luftanijet italiane u dukën në brigjet shqiptare, ndërsa avionë italianë hodhën fletushka mbi Tiranë duke i këshilluar shqiptarët të mos rezistonin. Të gjithë italianët që ndodheshin në Shqipëri ishin grumbulluar në portet e Vlorës dhe të Durrësit gati për të hipur në anije. Pasi nuk pati asnjë përgjigje nga Zogu për ultimatumin e Musolinit, në mëngjesin e 7 prillit Shqipëria u bombardua befasisht. Mbi 40 mijë trupa italiane zbarkuan në Vlorë. Ajo pak rezistencë që qenë në gjendje të bënin shqiptarët ndodhi në Durrës nga një grup i vogël i armatosur keq nën udhëheqjen e një oficeri të xhandarmërisë, Abaz Kupit, që rezistoi aq sa mundi deri sa u mposht nga forcat e panumërta përballë tij.
Shumë debate vazhdojnë edhe sot e kësaj dite për arratisjen e monarkut Ahmet Zogu dhe për grabitjen e floririt nga ana e tij. A ishin këto akte tradhtie kombëtare nga ana e tij? Cili është përfundimi që ju kini arritur?
Meraku kryesor i Mbretit në ditën fatale ishte si të shpëtonte familjen e tij. Mbretëresha dhe djali i saj dy ditësh një orë e gjysmë para pushtimit u nisën me një karvan makinash përmes malesh drejt kufirit grek. Zogu mandej transmetoi një mesazh për popullin e tij duke i kërkuar të vazhdonte të luftonte, por të paktë ishin ata që kishin radio ndaj dhe të paktë ishin ata që e dëgjuan thirrjen e tij. Përpjekja e tij përfundimtare për të biseduar me italianët qe krejt e kotë, ndaj dhe ai mandej mori vendimin fatal të ndjekë gruan e tij në arrati. Duket se pamundësia për të bërë luftë guerrile në male bëri që Mbreti të zgjidhte largimin nga Shqipëria sa më shpejt të ishte e mundur. Para se të linte pallatin, ai shkoi krejt i vetëm drejt kasafortës gjigande në zyrën e tij dhe mbushi një mori arkash me napoleona floriri. Sipas raporteve të asaj kohe të Forin Ofisit britanik, kjo shumë llogaritej në rreth 50 mijë lira stërlina. Me një shpurë të anëtarëve të qeverisë, më shumë se pesëqind oficerë të komandës së lartë, bashkiakë dhe këshilltarë – gjithsej rreth dymijë vetë, Mbreti kaloi kufirin dhe hyri në Greqi. Ai nuk do të shkelte kurrë më në tokën shqiptare.
Fitorja italiane ishte e shpejtë dhe tërësore. Në mbrëmjen e 7 prillit Italia kishte fituar atë që Hitleri e kishte përshkruar si ‘një kështjellë të paepur për dominimin e Ballkanit’. Pavarësisht se kishte pasur luftime të ashpra në rrugët e Durrësit, të cilat u thyen shumë shpejt, gjithëkund tjetër thuajse nuk pati asnjë kundërshtim. Nuk ishin bërë as parapërgatitje serioze për rezistencë dhe as nuk kishte ndonjë komandë. Shumë nga fiset veriore nuk bënë asnjë lëvizje kundër italianëve, madje Mirdita në të vërtetë çarmatosi trupat zogiste që tërhiqeshin. Në ditaret e tij Konti Çiano kujton: “Me lajmin se Zogu ia mbathi për në Greqi u zhduk edhe frika jonë për rezistencë në male. Në të vërtetë, ushtarët janë tashmë duke u kthyer në kazermat e tyre pasi dorëzuan armët në oborrin e Legatës [Legatës italiane në Tiranë]‘. Rrugët e Tiranës ishin të qeta dhe pa pengesa. Në kryeqytet turma lëvizte krejtësisht e qetë nëpër rrugë dhe brenda pak ditësh qyteti u zbukurua me flamurin italian tringjyrësh. Me ikjen e Mbretit, morali i shqiptarëve ra dhe ata pak luftëtarë që kishin mbetur u mundën shumë shpejt – pasi Zogu i kishte çarmatosur të gjithë paraprakisht përveç ushtarakëve zyrtarë, por ata ishin shumë pak për të vazhduar luftën. Me shtimin e një popullsie prej rreth dy milionë shqiptarësh myslimanë Perandorisë Italiane, Musolini vendosi ngritjen e një xhamie në Romë. Konti Çiano informon se: “Vatikani u tmerrua nga kjo ide… por Duçja e dha këtë ide duke patur mbështetjen e Mbretit, i cili ishte gjithnjë në krye të çdo politike antikishtare. Personalisht, unë nuk e shoh të nevojshme një gjë të tillë… përderisa ky propozim u përket shqiptarëve dhe ne e dimë që ata janë një popull ateist që më shumë do të pëlqenin një rritje të rrogës se sa një xhami”.
Çfarë ndodhi pas pushtimit të Shqipërisë?
Menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë, italianët filluan çmontimin e aparatit shtetëror shqiptar. Monarkia zogiste dhe kushtetuta e vitit 1928 u shfuqizuan aty për aty dhe u krijua një qeveri e re nën drejtimin e çifligarit të mirënjohur Shefqet Bej Vërlacit. Ky qëndroi në pushtet deri në dhjetor të vitit 1941, kur nën tutelën italiane u mblodh një Asamble Kushtetuese. Kurora iu ofrua Mbretit Viktor Emanuelit III të Italisë, i cili me mirësjellje e pranoi atë. U deklarua një ‘bashkim i brendshëm’ midis Italisë dhe Shqipërisë, ndërsa propaganda italiane fliste aq shumë për bashkimin ‘e lirë’ midis ‘dy kombeve të barabartë dhe vëllezër’. Brenda pak javësh nga pushtimi, u vendos një bashkim doganor midis Italisë dhe Shqipërisë, një lëvizje që u mirëprit në popull pasi çoi në një rënie të ndjeshme të çmimeve të mallrave të importit. Në këtë mënyrë u krijua administrata profashiste, kuislinge shqiptare. Për të kompletuar kolonizimin e Shqipërisë, mijëra kolonë italianë u vendosën në tokat bregdetare që ishin tharë ose ishin në proces tharjeje. Gjithë ç’kishin mbetur nga pavarësia e Shqipërisë ishin emri i saj, flamuri, gjuha dhe e drejta për të shtypur pulla postare të veçanta.
Pikërisht në këtë periudhë shfaqet Partia Komuniste Shqiptare. Edhe sot e kësaj dite vazhdojnë diskutimet nëse atë parti që do të merrte në dorë fatet e luftës, e formuan jugosllavët dhe cili ishte roli i Enver Hoxhës?
Kjo është e vërtetë. Por faktet historike nuk lënë shteg për dyshime. Ndaj le të shikojmë se si kanë rrjedhur ngjarjet deri në formimin e PKSH-së. Gjatë viteve ’20 Shqipëria ishte i vetmi vend ballkanik pa një Parti Komuniste. Komunistët e parë të vërtetë kishin qenë ndjekës të Fan Nolit të rrëzuar nga froni, të cilët më vonë ndoqën rrugën e tyre nëpërmjet Vjenës dhe Parisit për në Moskë. Atje ata formuan një Komitet Nacional Revolucionar, i cili më vonë aderonte në Federatën e Partive Komuniste të Ballkanit, për pasojë edhe në Komintern (Internacionalen Komuniste). Kominterni u dha shqiptarëve mbështetje financiare dhe politike. Një Parti Komuniste Shqiptare u formua zyrtarisht në gusht të vitit 1928 në Bashkimin Sovjetik dhe anëtarët e këtij grupimi mandej u kthyen në Shqipëri me qëllim organizimin e lëvizjes komuniste në vend. U krijuan disa celula në qytetet kryesore, por nuk u shfaq një parti e unifikuar. Kjo ndodhi për shkak të prirjeve të udhëheqjes intelektuale të këtij organizimi të parëndësishëm, gjë që çoi në fraksione të mëtejshme më të vogla që grindeshin pareshtur për dallime ideologjike pa ndonjë peshë. Më 1941 kishte jo më pak se tetë grupe të ndara, dy nga të cilat nuk ishin dakord me Bashkimin Sovjetik dhe u quajtën ‘trockiste’. Figura më e rëndësishme në atë kohë ishte Ali Kelmendi, një gegë, i cili ishte përgatitur në Moskë ndaj dhe u dërgua në Shqipëri për të organizuar celulën e parë komuniste. I detyruar për t’u larguar nga Shqipëria më 1936, Kelmendi mori pjesë në Luftën Civile të Spanjës dhe deri në vdekjen e tij më 1939, ishte udhëheqësi i njohur i grupit të vogël të komunistëve shqiptarë që jetonin në Francë. Deri në fund të vitit 1941 ekzistonin disa grupe fare të vogla komunistësh, ku bënin pjesë kryesisht intelektualë dhe studentë nga qytetet e jugut. Meqë nuk kishte një organizatë të unifikuar komuniste, menjëherë pas sulmit gjerman mbi Rusinë në qershor të vitit 1941, Josif Broz Tito, udhëheqës i Partisë Komuniste Jugosllave (PKJ), sipas direktivave të Kominternit, dërgoi dy emisarë të tij në Shqipëri. Ata ishin Miladin Popoviç, kreu i grupit komunist krahinor të Kosovës, si dhe Dushan Mugosha. Të dy këta janë njohur përgjithësisht si arkitektë të Partisë Komuniste Shqiptare. Ata ishin ngarkuar nga Kominterni të hartonin programin dhe rezolucionin e parë të partisë shqiptare ende në pelena. Puna më e rëndësishme nga ata u bë në fushën organizative, duke dhënë udhëzime për formimin e celulave të partisë dhe rekrutimin e anëtarëve të parë. Deri në këtë kohë numri i komunistëve shqiptarë nuk e kishte kaluar kurrë numrin 150. Megjithëse jugosllavët gjetën një konfuzion ideologjik tërësor dhe grindje të ashpra brenda grupimeve, ata përfundimisht arritën të afrojnë udhëheqësit komunistë me plot kundërshti midis tyre dhe të bashkojnë fraksionet që ata pëlqenin. Partia Komuniste Shqiptare (PKSH) e unifikuar u formua zyrtarisht më 8 nëntor 1941.
Po roli i Enver Hoxhës cili ishte në këtë ngjarje që siç shpreheni ju, përcaktoi fatet e Shqipërisë për rreth një gjysmë shekulli?
Është interesant fakti se si Enver Hoxha, jo rastësisht, u bë udhëheqës i PKSH-së. Megjithëse deri në mars 1942 anëtarësia në PKSH shkonte deri në 200 vetë, aftësitë organizative të jugosllavëve shumë shpejt çuan në formimin e një numri celulash të reja të partisë dhe krijimin e organizatave në bazë. Anëtarësimi në parti u rrit me të rinj dhe fshatarë të varfër të pakënaqur, të cilët ishin përçmuar nga regjimi i paraluftës. Këta elementë u afruan me lehtësi nga premtimet e forta të komunistëve për çlirimin nga pushtuesit, reformën agrare dhe mbi të gjitha nga ndryshimet shoqërore dhe ekonomike. Jugosllavët caktuan sekretar të Partisë Enver Hoxhën, një nga organizatorët e Tiranës të grupit të Korçës të PKSH. Hoxha, djali i një myslimani pronar tokash, kishte lindur më 1908 në Gjirokastër, në Shqipërinë jugore. Ai kishte studiuar në Liceun francez të Korçës para se të shkonte në Paris, pasi kishte marrë një bursë nga shteti shqiptar për të studiuar në universitetin e Monpeljesë. Atje ai ra në kontakt me komunistët shqiptarë në mërgim, duke përfshirë Ali Kelmendin. Më vonë shkoi në Bruksel që të studionte për drejtësi. Më 1936 u kthye në Shqipëri, pasi nuk kishte fituar asnjë diplomë as franceze, as belge, për të dhënë frëngjisht në shkollën e tij të vjetër të Korçës. E gjithë udhëheqja themeluese e PKSH përbëhej nga intelektualë të shtresës së mesme, me përjashtim të Koçi Xoxes, një teneqepunues nga Korça.
Nesër do të lexoni:
Fillimet e rezistencës antifashiste nga komunistët dhe shfaqja e Ballit Kombëtar dhe Legalitetit
Marrëveshja e Mukjes, çështja e Kosovës dhe arsyet e vërteta pse ajo u prish nga komunistët
Udhëzimet e Titos për të pastruar PKSH-në nga “elementët ngatërrestarë dhe ndihmat e aleatëve

Te gjitha jane ne librin e Fischer, asgje e re…
Zoti Xhevdet Shehu!
Ne se pretendon te tregosh te verteten e HISTOREISE TE SHQIPERISE,mos lejo,qe nen emrin tend te thuhen MASHTRIME!!!
Zonja Miranda nuk eshte as historiane dhe per me teper nuk iu referohet asnje burimi kur shkruan per rolin e Miladin Popovicit dhe Dushan Mugoshes ne formimin e PKSH-se!!
M,Popovicin nuk e dergoi Titua ne Shqiperi,por fati,qe ai u burgos nga FASHIZMI ne kampin e internimit ne Peqin ne veren e vitit 1941!
Nga ai kamp ate e shpetuan KOMUNISTET E PARTIZANET SHQIPTARE .
PKSH-ne e krijuan komunistet shqiptare,ndersa M.Popovici dha vetem ndihme si komunist i nje partie me te vjeter per organizimin e saj!
Ne kushtet e atehereshme ku ndodhej levizja komuniste ne Shqiperi,kurre nuk do arrinte per 2-3 muaj nje njeri i vetem te mblidhte e te bindtte komunistet e 5 grupeve komuniste qe te formonin PKSH-ne!
Dushan Mugoshen e derguan pas M.Popovicit si kunderpeshe te tij,vetem per te sabotuar PKSH-ne e sapokrijuar,te rekrutonte agjentet e vet ne radhet e saj,qe me vone(sic ndoshi ne realitet) te diktonte interesat e veta!
Kurre Enver Hoxha nuk ka qene i varur apo i diktuar nga te tjeret!
Realiteti i jetes se tij e verteton plotesisht se ai i DERMOI TE GJITHA PERPJEKJET TITISTE,HRUSHOVIANE,KINEZE,AMERIKANE,GREKE etj per ndryshimin e kursit te Shqiperise!!!
Ai deri ne vdekje i qendroi besnik bindjeve te tij si IDEALIST I MADH DHE ATDHETAR I FLAKTE per Shqiperine!!!
Zhgarravitni sa te doni,por MADHESHTINE E FIGURES SE ENVER HOXHES NUK E BALTOSNI DOT!!!
QENI LEH ATJE KU HA,zoti Xhevdet!
Komunizmi lindi ne boten sllave, ne Rusi, dhe dihet qe asistentet ne krijimin e Partise Komuniste do te ishin sllave. E mira do te ishte qe mos qene as Velimir Stojnici (Velua), as Dushan Mugosha, as Miladin Popovici. Por ja qe komunizmi propagandonte atehere Internacionalizmin proletar, dmth qe vendet do te bashkejetonin ne nje sistem te madh qe quhej komunizem, me barazi, vellazeri me njeri-tjetrin. Por qe ne fakt sllavet e kishin me hile, se donin t’i gllaberonin keto vende dhe t’u merrnin pasurite me marifet, sic edhe ndodhi. Gradualisht Enveri ‘i ra hiles” se tyre, dhe me shume diplomaci u shkeput nga tentativa e ish-Jugosllavise dhe Titos per ta bere republike te shtate Shqiperine. Me vone u shkeput dhe nga Ish-Bashkimi Sovjetik, por ama ne kete rast vetem se u vu ne rrezik pozicioni i tij mbas ardhjes se Hrushovit ne Shqiperi, dhe ironise qe ai beri se Ata te vjetrit, duhet t’ua linin vendin te rinjve. Pavarasisht nga te keqijat, eshte fakt qe Enveri ishte nje nacionalist i vertete, dhe e rruajti pavaresine e Shqiperise deri ne fund.
Ndaj të njëjtin mendim e qëndrim me “Feniks” dhe “E Vërteta”? Bashkëpunimi internacionalist nuk ka të bëjë me “krijimin”? Enver Hoxha e ka spjeguar mirë këtë spekullim te jugosllaveve ne librin “Titistët”? Miranda Vickers nuk jep një definicion por një bashkepunim internaciònalist disi te paqartë!? Por më vjen mire qe ajo pozicionohet fuqimisht pro luftes partizane antifashiste dhe pro 70-vjetorit? Një kambanë që duhet ta degjojnë se pari Edi Rama dhe Rustem Peçi ? Një korigjim për “E Vërteta”,- komunizmi nuk “lindi në botën sllave” por mu në mes të Europës…? Sa për autorin Xhevdet Shehu mund të them se ai ka sjellë një zë dhe ky zë nuk ka të bëjë me pikëpamjet e tij por të autores Vickers!? Nderime!
Ashtu eshte shoku Fenix apo ” feniks ” se me kujtove bicikletat qe bleme te shoket kinez !
Bravo shoqi “shpati”!
Per te vertetuar sasine e TALLASHIT qe ke ne trute e tu,do besh mire te llogaritesh se sot ,pas 24 vjet KAPITALIZEM DEMOKRATIK,sa te PAPUNE ke,sa LYPESA ke,sa VTASES E HAJDUTE ke neper burgjet e Shqiperise dhe te botes,sa ANAQLFABETE ke,sa TE DROGUAR KE,sa KANCEROZE ke,sa te KORRUPTUAR ke,sa PYJE,MINIERA,SERA,KANALE BONIFIKUESE E KULLUESE ke,sa QINDARKA JANE FUTUR NE BUXHETIN E SHTETIT NGA SHITJA E ARMATIMIT E MUNICIONEVE TE USHTRISE,qe vlenin mbi 100 MILIARD EURO,sa UNIVERSITETE KIOSKA,qe shesin DIPLLOMA FALLCO ke ,sa SIGURI TE JETES ke,sa KUFIJ TE SIGURTE ke,sa POLITIKANE QE JETOJNE VETEM ME RROGEN E SHTETIT ke,
sa te NGUJUAR NGA GJAKMARRJA ke etj,etj!!!
Ne fund ,A MUND TE ME NUMEROSH SE SA SHQIPTARE TE LUMTUR KA SOT NE SHQIPERI,pervec politikaneve,hajduteve,krimineleve,gjykatesve,mjekeve etj???
Kur t’i llogaritesh keto dhe t’i krahasosh me kohen e DIKTATURES SE PROLETARIATIT,atehere besoj se do futesh koken ne HALE,qe te ngopesh mire!!!
Ndaj të njëjtin mendim e qëndrim me “Feniks” dhe “E Vërteta”? Bashkëpunimi internacionalist nuk ka të bëjë me “krijimin”? Enver Hoxha e ka spjeguar mirë këtë spekullim te jugosllaveve ne librin “Titistët”? Miranda Vickers nuk jep një definicion por një bashkepunim internaciònalist disi te paqartë!? Por më vjen mire qe ajo pozicionohet fuqimisht pro luftes partizane antifashiste dhe pro 70-vjetorit? Një kambanë që duhet ta degjojnë se pari Edi Rama dhe Rustem Peçi ? Një korigjim për “E Vërteta”,- komunizmi nuk “lindi në botën sllave” por mu në mes të Europës…? Nderime!