Ku e “shkeli” Lubonja, Berishën?

anazapta
gazeta dita cover

“Pas perdes” apo “pa maska”! (Në vend të statusit) – e ka titulluar Berisha një status të gjatë dhe të papritur në Facebook. Themi të papritur, sepse përmbajtja e shënimit të ish-kryeministrit ka të bëjë kësaj here me Fatos Lubonjën dhe i referohej një konflikti verbal mes tij dhe një të ftuari me emrin A.Nurellari në emisionin Opinion. Shkruan fillimisht Berisha: ”…Mbrëmë teleshikuesit që ndoqën “prapa perden” apo “pa maska”, të emisionit Opinion të TV Klan, panë një skenë unike, atë të shpërthimit të mllefit, urrejtjes së papërmbajtur të një analisti…

Ky shpërthim primitiv, që të kujtonte skenat filmike të egërsisë së persekutorëve mizorë të regjimeve diktatoriale në qelitë e burgjeve ndaj viktimave të tyre, nuk ishte qëndrimi i një të dehuri, as dhe i një të sëmuri psiqik apo një delinkuenti ordiner. Ky ishte shpërthimi i tritolit në shpirtin e një publicisti, shkrimtari, analisti të përnatshëm në ekranet e TV, Fatos Lubonjës, i cili në akces tërbimi primitiv ndaj kundërshtarit të tij (armik), veçse nuk po kafshonte telefonin me të cilin fliste, (mbasi nuk ishte në studio)…”

Berisha më pas, vijon me klasifikimin e Lubonjës si bllokmen, vajtues të pushtetit të etërve etj. ”Në fund të fundit ai dhe ndonjë si i llojit të tij, nuk janë sharës të paguar por vajatore të pushtetit të etërve të tyre. Shpërthimi i tij i mbrëmshëm në TV dëshmonte më mirë se çdo gjë tjetër para shqiptarëve se pinjollët e bllokut, pavarësisht nga peripecitë e jetës, janë skllevër të psikologjise atërore të urrejtjes, përçmimit, persekutimit dhe frikës…”

Ish-kryeministri tashmë deputet aktiv në FB, futet më pas në psikologji dhe shkruan:

“Vitet më të para të fëmijërisë përcaktojnë shpesh më shumë se çdo gjë tjetër, tërësinë e tipareve të personalitetit dhe formimit tonë të ardhshëm.

Neobllokmenët u rritën në bunkerin e bllokut. Në mjedisin e tyre familjar sundonte ideologjia e mashtrimit, përçmimi ekstrem për njeriun e thjeshtë, urrejtja e pakufishme  ndaj armikut të klasës dhe frika deri në palcë ndaj krye kreut të bllokut. Frika është faktuar nga studime gjerësisht të besueshme se është dhe ndjenja qendrore që shndërrohet në të gjitha ndjenjat e tjera…”
Ai nuk ngurron të quajë Lubonjën “i konvertuar mrekullisht në kripto-avokatin e neobllokmenit Edi Rama, tritolit dhe shtetit të tij policor”.

“Fatos Lubonja mbrëmë i shpërfytyruar deri në ekstrem ishte më shumë se kurrë vetja, uni i tij, ishte sozia e Kadriut, Feçorit, Ariantit, Jorgo Sulit, ishte hetuesi i tij, prokurori i tij, gardiani i tij, i ati i tij. Ai pra me egërsinë njerëzore mund të ishte sejcili prej tyre. Edvin Kristaq Rama do pohonte në këtë emision se ai nuk ndjen mirënjohje ndaj të tjerëve. Ky është tipar thelbësor i njeriut të rritur në bunkerin, në darën e frikës dhe urrejtjes” – shkruan Berisha.

 

Lubonja: Nuk di çfarë emri t’i vë asaj që ka shkruar Berisha

E kontaktuam me telefon mbrëmjen e djeshme publicistin Fatos Lubonja. Ndonëse kishim bindjen se Lubonja do kishte me siguri një ide të qartë se përse Berisha kishte shpërthyer aq egër ndaj tij në të vërtetë Lubonjën e konstatuam njësoj të habitur. “Unë nuk di çfarë emri ti vë kësaj. Ai në ato rreshta ka përmendur dhe tritolin. Ndosha janë qëndrimet e mia në mbështetje të shembjes së pallatit në Vlorë. Ndoshta dhe rrekemi kot për të kuptuar apo për të identifikuar ndonjë arsye konkrete, pasi arsyeja thjesht mund të gjendet brenda kokës së tij që i pjell nevojën për të baltosur cilindo që atij i duket se nuk po e mbështet, por e ka kundra e kërkon zëvendësimin e tij real në krye të PD, në këtë fazë të kalimit të tij jashtë politikës me damkën e të dështuarit dy herë. Gjëja më e rëndë megjithatë më duket kultura primitive që tregon kur vazhdon si në kohën e Hoxhës të identifikojë njerëzit sipas parimit “familje e mirë”, “familje e keqe”. Me këtë gjuhë është duke tërhequr zvarrë drejt gremisë edhe opozitën e po vazhdoi kështu duhet urgjentisht të lindë diçka e re” – ka komentuar publicisti i njohur dje.

 

 

Debati Lubonja Nurellari në “KLAN”

Në çdo fillim sezoni të emisionit “Opinion” ofrohen në transmetim regjistrime të kombinuara mes debateve që janë zhvilluar në këtë emision, ku të ftuarit paraqiten edhe gjatë kohës kur janë “zyrtarisht” në emision, por paraqiten edhe kur ata filmohen jashtë transmetimit, kryesisht gjatë hapësirave publicitare. Një kombinim mes “shfaqjes” dhe “prapaskenës së teatrit”. Pjesë e këtyre transmetimeve të kombinuara ishte dhe debati për armët kimike ku në panel në studio të ftuar ishin Adri Nurellari, Artur Zheji etj. Lubonja ishte gjithashtu një pjesëmarrës por duke folur në lidhje direkte nga jashtë vendit. Debati mes Lubonjës dhe Nurellarit nuk bënte pjesë në debatet pas kuintave por ishte pjesë e xhirimeve gjatë transmetimit, pra një debat i transmetuar dhe më parë. Më poshtë paraqesim debatin mes tyre të cilit i referohet posaçërisht Berisha:

Lubonja me telefon: Pse e kanë hequr të tjerët (armët kimike, shën redaksi) thuaj atij plehrës mor…

Nurellari: Të mbajë gojën se është dhe i moçëm edhe…se është në moshë

Fevziu: Lubonja ç’pate Lubonja?

Lubonja: Shiko…Reagova sepse… dëgjo pse i ka hequr i them atij Adri Nurellarit, atij liberalit, pse i ka hequr Gjermania? Pse e hoqën? Po kur ishin të mira atëherë pse ti fusin ne në Shqipëri?

Nurellari: Nuk thashë që janë të mira pra

Lubonja: Apo jo? Kjo është llogjika më elementare

Nurellari: Ti shpla gojën njëherë se nuk të takon ashtu, qoftë për moshë, qoftë për figurë publike që je se nuk jep as ndonjë model të mirë, kujdesu për fjalët që flet

Lubonja: Po si ka mundësi mor, si ka mundësi që flisni ashtu mor, si nuk keni turp mor

Nurellari: Ti je marksist ti s’pranon asnjë mendim alternativ, s’ke as kurajën të ballafaqosh argumentet, rrëshqet në sharje personale. Shko hap ndonjë libër edukimi. Ç’është ky harbutllëk këtu tani?

Lubonja: Ashtu e meriton ti, ti nuk vlerëson argumentin mor.

Zheji: Po qe puna për harbutllëk Nurellari kjo që parashtron ti…

Lubonja: Ku meriton argument ti mor…

Zheji: Kjo që parashtron ti Nurellari unë e konsideroj shumë harbute.

 

* * *

SHËNIM: Pse kaq i egër Berisha me Lubonjën?

Nëpërmjet një statusi dhe reagimi të gjatë në Facebook, ish-kryeministri Berisha ka sulmuar egërsisht dje publicistin Fatos Lubonja. Berisha ka marrë shkas nga një debat i ritransmetuar në “Opinion” mes Lubonjës dhe Adri Nurellarit për armët kimike. Do ishte gomarllëk të mendonim se vërtetë Berisha mund të jetë prekur thellë në sedër kur ka parë Fatos Lubonjën në një moment tensioni e fyeu Nurellarin. Do besonim çdokënd që mund të kishte prekur dhe indinjuar nga kjo skenë, por ….vetëm dhe vetëm Berishën jo. Arsyeja është e thjeshtë dhe quhet: Berisha. Nuk ka nevojë t’i hyjmë episodeve të pafundme të ofezave por edhe kërcënimeve që Berisha ka drejtuar ndaj qindra njerëzve në këtë vend. Referencën mund ta gjejmë kollaj dhe në vetë radhët që ai ka shkruar dje kundër Lubonjës. E kritikonte egër Lubonjën për fyerjen që i drejtori Nurellarit, por nuk i shpëtoi dot istikamit, nga kritikë kaloi në linçim: Nisi të ridënonte Lubonjën në emër të prindërve të Lubonjës, me frazat e zakonshme,  nomenklatura, blloku i kuq komunist e blablabla. Ndaj dhe pyetja që shtrohet është : Pse Lubonjën? Çfarë problemi ka me të? Përgjigjen e pyetjes sërish mund ta gjejmë në radhët që vetë Berisha ka shkruar kur përmend “reminishencat e fëmijërisë”.

Berisha tashmë po plaket, degradimi biologjik është i pashmangshëm dhe teoria e “reminishencës fëmijënore” që ai referon, në pleqëri është më e theksuar se kurrë. Një shprehje popullore e shpreh thjeshtë këtë efekt të fëmijërisë në moshë të thyer: Plaku është si fëmija. Fëmijët kanë një veti: Kur shajnë njëri tjetrin kryesisht u referohen gabimeve që njohin, pra gabimeve që vetë kanë bërë. Ndaj dhe përgjigja është e thjeshtë, në tekstin që Berisha ka hedhur në Facebook kundër Lubonjës, mjafton të zëvendësoni emrin e Lubonjës me të Berishës dhe do kuptoni se çdo gjë që Berisha ka shkruar është precize, asnjë presje nuk i lëviz dot.

 

Share This Article
3 Comments
  • nese Lubonja nuk eshte vecse nje model i reminishences nga e kaluara atehere po nga ky argument qe perdor gomari berisha do te duhet te themi se edhe berisha nuk eshte vecse sinteze e se kaluares se tij dhe pikerisht e femijerise se kaluar maje mushkes, maje kalit dhe tek frengjia e kulles per te vra armikun, nderkohe qe lubonja ka nje femijeri ne kryeqytet i perkedhelur por edhe ne burg. Edhe me kete argument idiot berisha ja ka fut vetes dhe eshte turp per ne te gjithe qe kemi pasur ne krye nje inbecil dhe ekstremist te kesaj kategorie.

  • Berisha tani eshte nje komandant qe ka humbur luften,me ushtri te shpartalluar,si hitleri i ngujuar ne bunker,e vetmja hakmarrje qe i ka mbetur eshte te qelloje te vetet,Kete po ben Berisha po vret te vetet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *