Merkel të bën esëll

anazapta

Ndërsa kryeministrit grek Aleksis Cipras po i bëhej njëfarë gjyqi publik në parlamentin evropian në Strasburg, homologu i tij shqiptar po priste në Tiranë vizitën e njeriut më të fuqishëm të Europës, kancelaren gjermane Angela Merkel. Nga ana tjetër, kuazi-fqinjët e xhelozuar serbë, të merakosur pse ajo zgjodhi Tiranën si destinacion të parë të turit të saj ballkanik, e pranuan buzërrudhur (gazeta Blic) se trekëndëshi më i fuqishëm demokratik i botës, SHBA-Britani-Gjermani paskësh zgjedhur shqiptarët si beniaminët e vet në Ballkanin perëndimor. Dikush mund të priste që në momentet e jashtëzakonshme që po kalon Greqia, zonja Merkel të një jepte një sinjal, dy fjalë, një gjest për këtë çështje që nga Tirana, por jo: Ajo kishte ardhur për shqiptarët, Greqia ka kohën e vet…

A nuk do mjaftonte kaq për të na përkëdhelur sedrën dhe për t’u ndjerë për pak orë qendra e botës? Le pastaj që po ta zbërthejmë momentin në nivelin “micro” dhe të fusim në ekuacion qëndrimin e deputetit Berisha teksa shikonte nga televizori vizitën e kancelares së “paarritshme” për të, apo “dështimin” e kreut të opozitës Basha për t’i shtrënguar dorën dhe dalë një foto me Merkelin, ndokush mund të thotë se “populli i majtë” e ka kollaj t’ja mbushë mendjen vetes se tani e tutje, dy luanë do ketë Evropi, një nga të cilët padyshim është Shqipëria.

Në fakt, sedra mund të na përkëdhelet dhe me të drejtë, por jo për arsyet e mësipërme. Vizita qoftë dhe disaorëshe e kancelares që po bën historinë e vendit të saj dhe të Europës së sotme, është padyshim një gjest i rëndësishëm për të treguar vëmendjen dhe “patronazhin” që Gjermania ka vendosur të ushtrojë ndaj Ballkanit Perëndimor, pse jo me Shqipërinë e qeverisur nga Rama në “qoshe të vendit”. Por nuk ma do mendja se ajo është impresionuar kushedi as nga perdet e reja në kryeministri, as nga kuadrot e “disa artistëve tuaj të zotë” dhe as nga batutat me doza kripe të ndryshueshme. Po, ajo u kujdes të përshëndeste atë grup shqiptarësh (dhe ndonjë i huaj) që u ndodhën përballë kryeministrisë kur kancelaria mbërriti, që e pritën daç nga kurioziteti, daç nga respekti, dhe që e duartrokitën në mes të vapës. Dhe në kuadrin e kuriozitetit të parë që të gjithë prisnim të shuanim me vizitën Merkel, ajo e dha mesazhin e parë me ndalimin tejet “gjerman” të eskortës së saj para këmbëve të kryeministri Rama, dy sekonda para orës zyrtare të fiksuar në axhendë, 2.15 e pasdrekës.

Por përtej korrektësisë gjermane, mesazhet e shprehura të kancelares Merkel janë ato që duhen marrë seriozisht në konsideratë. Thënë thjesht, nuk ka shi eurosh gjermane për Shqipërinë, në variacionin klasik që ne mund të ushqejmë fshehtaz për veten kur shohim në ëndërr gjellë pasanikësh. Nuk do jemi Greqia e re e Europës, ku paratë vetëm hidhen, por nuk dihet nga venë. Dhe kjo ishte e pritshme. Nuk mund të fliste ndryshe delegacioni i lartë gjerman, nga deklaratat e ambasadorit Hoffman pak ditë më parë, kur tha se pa fiksuar rregulla të qarta e transparente loje, biznesi gjerman është gati të mbledhë plaçkat. Gjermania ka padyshim një shembull ende të freskët me investimin e Kfw për linjën e interkonjeksionit me Kosovën dhe bllokimin e pafytyrë që qeveria Berisha i bëri kësaj ndihme të vyer, për të përfituar klientët e tij energjetikë. Por në këtë vend çështjet pronësore mbeten gangrenë. Korrupsioni është rregull dhe jo përjashtim. Dhe sistemi i drejtësisë është në urgjencë akute për reforma rrënjësore.

Është e vërtetë se ka një dorë të shtuar ndihme nga motori ekonomik (e tashmë dhe violinë e parë politike) i Europës. Mund të luajë rolin e vet kriza ukrainase dhe frika se vakuumi në Ballkan ja sjell BE-së flakën e radikalizmave turlilloj tek dera e shtëpisë. Ka gjithë të drejtën edhe kryeministri ynë që këtë shqetësim t’ja përcjellë me zë të lartë Brukselit. Por kryesorja e mesazheve të Merkelit është paralajmërimi se pa bërë ne punët e shtëpisë, ajo nuk ka ndërmend ta marrë Shqipërinë për dore dhe t’i thotë Brukselit: Këtë lëreni të kalojë se është me mua.

Kësisoj, le ta duam dhe ta respektojmë kancelaren “tonë të shtrenjtë”, por pa avuj deliresh, dhe pa ëndërruar me sy hapur se vitin që vjen do jemi të dytët në Europë pas Gjermanisë. Ajo vetë u kujdes të na bënte hidhte një kovë ujë të ftohtë në këtë pikë vape, për të na bërë sjellë në vete. Duke mos ua vënë shumë veshin elozheve, njësoj si Mato Grudës nuk i bënin përshtypje eksklamacionet e italianit “Agush”, të cilit ja preu shkurt: “Ha gjizë Agush, ha. Gjiza të bën esëll”.

Share This Article
1 Comment
  • Po me kujtohet dita e ardhjes te ministrit te jashtem amerikan,Bejker.Ne ne histeri te plote therrisnim:E duam Shqiperine si Europa.Ai doli ne tribunen ndertuar nen kembet e kalit te Skender-beut dhe na tha:Nuk kam ardhe per te ju mesuar si hahet “Peshku” por per te ju treguar si “kapet” “Peshku”.Dhe me qe ishte Dite Bajrami,doroviti shqiptareve myslyman nga 2 dollare,ashtu sic na jepnin ne prinderit tone te varfer leke sa per te blere nga 1 KALLAM sheqeri,per ta LEPIRE..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *