Nga Pedagogia e Prenotuar*
Jam kthyer në Shqipëri me 28 euro në kuletë të mbetura nga bursa e muajit të fundit, pa bagazhe të pasurish, me të vetmin pishman të mbetur pas: tre kutitë me libra në shtëpinë e mikut tim lindor në perëndim. Kisha shpresë, gëzim, një PhD të mbaruar jashtë, dy prindër pensionistë që më donin afër dhe sicc thashë, 28 euro në kuletë.
Tri javë më vonë më takuan me një personazh që nuk e njihja, i interesuar për prurjet e perëndimit, që premtonte punë të vërtetë akademike, mësimdhënie dhe kërkim shkencor, ofronte rrogë të mirë dhe impresionohej shumë kur ti përdorje emra shkollash anglo-saxone, sidomos kur i thoje në anglisht. Më tha “mos u prenoto” në tjetër vend, shprehje që më tingëlloi e çuditshme, por unë bëra siç tha ai, nuk “u prenotova” në tjetër vend.
Akti 1, SOS-Plagjatura
Si “e prenotuar” tashmë zyrtarisht për institucionin universitaro-kërkimoro-perëndimor të tij, veprimi im i parë prej akademiku ka qenë konstatimi i plagjiarizmit në një temë diplome që m`u ofrua për vlerësim. Plagjiarizmi sipas rregullores së institucionit ku tashmë punoja vlerësohej me 0 pikë dhe rezultonte në përjashtimin e studentit. Unë kreva të parën dhe të dytën sigurisht ua lashë në dorë njësive përkatëse në institucion. Pa dalë ende nga sekretaria ku kisha dorëzuar vlerësimin tim, ndjeva pështjellimin që formohej rreth emrit tim. Unë, ajo e ardhura që andej, e kisha dorën të shtrënguar, isha e sertë, mendjemadhe, dhe mbi të gjitha kisha bërë të pabërën: në një ditë kohë të lënë për vlerësimin e temës së diplomës, unë e kisha lexuar atë!!
Të nesërmen e veprimit tim të parë prej akademiku, më pyetën nëse i qëndroja procesverbalit që kisha firmosur për temën plagjiaturë apo kisha dëshirë ta ndryshoja. Sigurisht që i qëndroja, kisha argumentuar qëndrimin tim në 4 faqe vlerësim, me të cilin vetë kolegët e mi të rinj në komisionin e diplomave, ishin tallur ndërsa rrufisnin makiaton e porositur nga bari poshtë në sallën lart.
Veprimi im i dytë si akademik ishte të jepja mësim. E mbaj mend si sot leksionin e parë, fytyrat e studentëve të ulur në fillim dhe të atyre nga fundi, që nuk prisnin një femër relativisht të shkurtër të mbante pa pushuar një leksion relativisht të gjatë.
Akti 2- Tatëpjeta
Veprimi im i tretë si akademik ka qenë të sugjeroja një grup potencial temash doktorature, duke qenë se institucioni universitaro-kërkimoro-perëndimor ku unë punoja tashmë, ishte bërë djepi i studimeve doktorale. Edhe pse isha mësuar që një kandidat potencial doktorature sugjeron vetë temën e tij, duke qenë se ka parakusht të paktën njohjen e disiplinës ku dëshiron të kryejë kërkim shkencor, sugjerova rreth pesë tema në profilin tim.
Këtu filloi e tatëpjeta! Temat e mia ishin të pakta në numër, unë duhej të sugjeroja një nën-disiplinë, brenda një disipline, që bashkuar me nën-disiplinat e tjera brenda disiplinave, të krijonin një drejtim. Unë duhet të shkruaja për boshte, akse, drejtëza, grupe boshtesh, tufa boshtesh, stiva boshtesh, në mënyrë të tillë që për çdonjërin prej numrit modest, elitar, të 300 prurjeve të reja për vitin e parë doktoral, të kishim vendin përkatës në bosht, aks, drejtëz, grup boshti, tufë boshti, stivë boshti…Këtu, mbase dëshira ime për të evituar gjeometrinë, aftësia e limituar e njohjes spaciale, kombinuar me presionin që gjithçka të bëhej gjeometrikisht dhe ligjërisht në rregull brenda afateve rekord, unë fillova të shpërqendrohem.
Një “akademik” i shpërqendruar nuk shërben për shumë, sidomos kur për të është e rëndësishme të përditësohet për të rejat e fundit në fushën e tij, por nuk gjen kohën e nevojshme për shkak të mbledhjeve të vona për boshtet, akset, tufat e stivat doktorale, sidomos kur numri i atyre që duhet të akomodohen, rritet me çdo arkëtim të bërë poshtë, të pasuar me një takim urgjent europiano-shkencor të bërë lart,
Akti 3- Rrumbullakosje
Veprimi im i katërt si akademik ishte të pyesja c`do të thotë pranim me kusht në një cikël pasues studimesh. Pyetja m`u shkoqit shumë shpejt: pranim me kusht në master është pranimi i atij/ asaj që nuk ka mbaruar ende bachelorin, me kushtin që një ditë ai (sigurisht) do ta mbarojë bachelorin dhe do të ketë avancuar në të njëjtën kohë dhe në master. I njëjti rregull vlen për doktoraturat. Tek këto të fundit, rregulli aplikohet mutatis mutandis jo vetëm në lidhje me studimet e mëparshme, por edhe për kritere të tjera pranuese, si p.sh. mesatarja apo gjuha e huaj. Pra, edhe nëse nuk përmbushen kriteret paraprakisht, ato prezumohen se do të përmbushen gjatë studimeve dhe çdo dyshim shkon në favor të të dyshuarit.
Veprimi im i pestë si akademik ishte të luaja pak me një urdhër për rrumbullakosje pikësh. Kisha vendosur një vlerësim jo kalues, i cili nëse do të rrumbullakosej do të shndërrohej në kalues, por kjo nënkupton sigurisht rrumbullakosjen në vlerën pasuese më të lartë. Vetëm se urdhri që më ish dhënë me firmën e atij që “prenotonte” akademikë, nuk specifikonte se çfarë rrumbullakosje duhej kryer, kështu që duke injoruar “common sensin” e institucionit perëndimoro-shkencoro-kërkimoro-doktoral ku punoja, unë e kryeva rrumbullakosjen, por në vlerën paraprijëse më të afërt! Pak dija që rrumbullakosje të tilla drejt së vërtetës së hidhur, do të bëheshin një ditë makthi i institucionit ku unë punoja!
Akti 4- Vari teneqen
Veprimi im i gjashtë si akademik ishte të korrigjoja provime, tashmë provimet formuese të doktoraturës: Fjalë e madhe, peshë e madhe, shaka e madhe! Urdhri i parë që morëm të gjithë ne të prenotuarit si akademikë, ishte që pyetjet e këtij provimi të madh të ishin brenda librave të pakët që dispononim realisht dhe jo brenda atyre që kishim deklaruar si tituj liderë për çdo drejtim, tufë boshti, apo rrënjë aksesh të doktoraturës. Problemi ishte që pavarësisht se institucioni kishte premtuar se titujt do të bliheshin, nga lart na vinte mesazhi se ata nuk ishin blerë, edhe pse nga poshtë kishte zëra se numri i atyre që ishin arkëtuar kalonte disa herë numrin e librave që duheshin blerë. Urdhri i dytë i lidhur me veprimin tim të gjashtë prej akademiku, ishte që për të gjithë ata që nuk kishin kaluar provimin e madh të doktoraturës, t`u jepnim mundësinë të bënin një esse, me temë të lirë, që mund të varionte nga ciklet e udhëtimeve të shpendëve migruese, deri tek neo-liberalizimi i arsimit të lartë në Shqipëri. Vlerësimi i essesë më pas do të mblidhej me pikët e provimit, por të gjithë ne akademikët e prenotuar, kishim një problem të përbashkët: nuk na kishin thënë me sa pikë do të vlerësohej ky punim origjinal i kandidatëve doktoralë.
Këtu erdhi veprimi im i shtatë si akademik. artikulimi i pyetjes se përse duhej të dilte një rregull i tillë, se përse potencialisht dikush mund të merrte notën 12, në një provim që maksimalisht vlerësohet me 10 dhe përse duhej domsodoshmërisht të jepej një mundësi e trembëdhjetë për ata që nuk kishin njohuri kaluese. Përgjigja që mora ishte mishërim i njërës prej teorive më përparimtare në procesin mësimdhënës e mësimnxënës: Ne nuk kemi rregulla të qarta sepse i gjithë sistemi operon sipas parimit “learning by doing”, thënë shqip, ne mësojmë duke i bërë gjërat, ose thënë akoma më shqip “vari teneqen”! Prej veprimit tim të shtatë si akademik erdhi ai momenti që psikologët e quajnë “breakthrough”, ai casti ku muret që të kanë penguar të kuptosh, shëmben tërësisht. Prej veprimit tim të shtatë si akademik unë kuptova qartazi c`do të thoshte “prenotimi im”, atë frazën që më ish dukur e cuditshme dikur, tani e ndjeva të më rëndojë me gjithë qartësinë e saj mbi kokë. Qëllimi i institucionit ku unë isha “akademikja e prenotuar”, ishte larg nga të ofruarit e dijes, larg debatimit të ideve shkencore apo kryerjes së kërkimeve origjinale, qëllimi i tij ishte të përjetësonte brenda mureve të tij, krijesën që arkëtonte pa pushim nga cikli i parë i studimeve deri në infinit. Qëllimi i vërtetë i atij vendi ishte të fshihte numrin e vërtetë të klientëve, të shtonte radhët e tabelave ku ata listoheshin, dhe mbi të gjitha t`i vizatonte e reklamonte bukur konturet e këtyre tabelave: me ngjyrë të bardhë, transparente, të padukshme, numrat shtesë që nuk duhej kurrsesi të ishin, me ngjyrë blu, të fortë, të thellë, ata që mund të deklaroheshin. Qëllimi i institucionit po shndërrohej në institucionalizim të qëllimit dhe këtu, pashmangshmërisht, erdhi edhe veprimi im i tetë dhe i fundit prej akademiku: Dorëheqja!
Kam ikur prej andej pa bagazhe të pasurish, me dy rroga të kursyera e 28 euro në kuletë, me të vetmin pishman të mbetur pas: harresën e pafalshme që u kisha bërë tre kutive me libra në shtëpinë e mikut tim lindor në perëndim!
*P.S. Këtë shënim e kam pjesë të ditarit tim personal. Vendosa t’ua dërgoj pasi lexova në gazetën tuaj, artikullin: “Kur ta bën Çili inventarin… “. Kërkoj anonimat nëse vendosni ta botoni, sepse nuk dua të duket si betejë personale, ndaj me kast nuk kam pasqyruar në shënim dhe emrin e universitetit.

***
Prenotimi i Idiokracisë
(ose një sqarim për letrën e një pedagogeje)
Nga Habjon Hasani
DITA sjell sot në vëmendje të lexuesit një material të pazakontë. Janë shënimet nga ditari i një pedagogeje, një akademikeje, relativisht e re në moshë, e arsimuar në një prej universiteteve më prestigjioze në Shtetet e Bashkuara. Ajo kontaktoi me iniciativë të vet gazetën tonë, pasi kishte marrë shkas nga një artikull në këtë gazetë disa ditë më parë. Ofroi nën anonimat disa shënime nga ditari i saj personal. Bëhet fjalë për një përshkrim të eksperiencës së saj në një nga universitetet e njohura private në këtë vend.
Për ne do ishte sigurisht shumë më komode që zonja të rrëfente e ekspozuar dhe të fliste pak më troç. Kemi vendosur të publikojmë nën anonimatin e kërkuar prej saj këtë rrëfim, pasi thelbi i i rrëfimit dhe përmbajtjes prevalon dukshëm. Sidomos nëse mbajmë parasysh kontekstin e asaj që po ndodh.
Aktualisht në Shqipëri është duke u përgatitur drafti i reformës në arsimin e lartë. Ministria e Arsimit ka ngritur një komision shtetëror, atë e drejton zoti Arjan Gjonça. Ky komision ka hartuar një draft paraprak i cili për hir të së vërtetës ka ngjallur shumë debate, shumë reagime. Debate dhe reagime, pjesa dërrmuese e të cilave nuk ekspozohen në medie për arsye që do sqarohen në vijim.
Një grusht pedagogësh në fakultetet shtetërore e konsiderojnë draftin paraprak të përgatitur nga grupi i punës si një draft tërësisht nën ndikimin e disa pronarëve të universiteteve private të cilët po përpiqen të arrijnë një objektiv për të cilin punojnë që prej vitit 2010: Përfitimin e privatit nga fondi shtetëror për arsimin, veçanërisht kërkimin shkencor dhe rritjen e kostos së studimit në universitetin publik. (Përveç qëllimeve të tjera)
Pra privatët janë duke thënë: Të dashur qeveritarë, ju nuk keni pse mbani me hatër dhe me kosto të lartë publike universitetet shtetërore që po degradojnë dita-ditës dhe nuk e justifikojnë veten. Gjithashtu privatët kërkojnë që për kërkimin shkencor të ketë barazi, pasi me të drejtë, në parim, është e drejta e çdokujt të konkurrojë me produkt. Fundja nëse një universitet privat arrin të ofrojë kërkime shkencore elitare , përse nuk u dashka mbështetur me fonde shtetërore?
Drafti paraprak i grupit të punës së drejtuar nga zoti Gjonça, përmend në disa pasazhe të tij termin “modeli anglo-sakson” kur justifikon këto ndërhyrje. E vërteta është se këto parime të tilla janë, por vetëm se ka një problem të “vockël”: Ne jemi shqiptarë dhe jo anglo-saksonë.
Që do të thotë se aplikimi i një modeli perëndimor në parim, nuk jep kurrfarë garancie për zgjidhjen e situatës, përkundrazi, nëse aplikohet shabllon mund ta përkeqësojë në një derexhe të atillë sa ti kthejë këto universitete anglosaksoniste-europeiste në supermarkete diplomash dhe titujsh shkencorë.
Këtë moment, mbi atë çfarë ndodh realisht me “standardin perëndimor” në universitetet private që propagandojnë gjithë ditën “vlerat anglosanksoniste” rrëfimi i detajuar i pedagoges e sqaron në mënyrë të përkryer.
Me pak fjalë rrëfimi tregon në mënyrë të detajuar skemën hileqare se si universitetet private pajtojnë pedagogë që kanë studiuar në universitete prestigjioze, për t’i inkuadruar më pas të bëjnë diçka tepër të thjeshtë: Të gëzojnë pagën e majme, të harrojnë çdo gjë që kanë mësuar atje ku kanë studiuar, të harrojnë rregulloren formale të universitetit ku punojnë, të mbyllin sytë dhe të certifikojnë pa hesap klientët, studentët, arkëtimet shtohen, shtohet dhe paga e pedagogëve, sukses i garantuar.
Është një lloj anglosanksonizmi i stilit shqiptar, një stil i bukur prenotimi pedagogësh, por me një produkt që ka nisur t’i shfaqë ‘lulet’ e para: Prodhimin e kokëboshëve me letra false, prodhimin e akademikëve të stisur me tituj shkencorë të siguruar për 24 orë, promovimin e kokëboshëve pranë rangjeve politike dhe/ose në poste administrative, shtimin pa hesap të të ardhurave që vijnë nga shitja e diplomave/titujve, investimin e këtyre të ardhurave në media, shtëpi botuese dhe lobim pranë zyrtarëve publikë.
Mjafton të marrësh listën e televizioneve dhe të gazetave për të parë burimin e tyre të financimit për të kuptuar se kanë ngelur shumë pak të tilla që nuk kanë prapavijë direkte ose indirekte të financimit nga universitete private. Një pjesë e mirë e moderatorëve të rëndësishëm televizivë, promovojnë librat e tyre të sponsorizuara nga shtëpitë botuese të këtyre universiteteve.
Po kthehet e gjitha në një rreth vicioz ku sharlatanizmi akademik është institucionalizuar tashmë ndërsa në publik flitet vetëm për “parime të larta” anglosanskioniste përparimtare.
Ndoshta nuk është e nevojshme të jesh ekspert mirëfilli për të gjykuar mbi atë draft paraprak të përgatitur nga grupi i ekspertëve shtetërorë të udhëhequr nga zoti Gjonça. Që në kapitullin e parë të draftit, ofrohet një informacion tronditës:
“Numri i universiteteve private në Shqipëri, në raport me numrin e popullsisë, është 8 herë më i lartë se numri i universiteteve private në Angli”.
Vetëm ky informacion është i mjaftueshëm (për cilindo person që ka përfunduar gjimnazin me forcat e veta) për të kuptuar se pa u gjetur saktësisht shkaqet që kanë pjellë këtë fenomen dhe këtë raport të shpërpjesëtuar dhe idiot me universitetet private, nuk ka formulë anglosanksioniste-neoliberaliste apo dhe marksiste-leniniste apo çfarë të doni tjetër që mund të japë zgjidhje në realitetin e krijuar në Shqipëri.
Do ishte punë e paqme e komisionit shtetëror të na tregojë në mënyrë precize se përse na ka ndodhur ky fenomen dhe ky inflacion i universiteteve private dhe mbi çfarë parimesh bazohet ekzistenca e tyre në këtë raport të çuditshëm. Ky po do ishte një studim që do na ndihmonte shumë.
Në çdo rast tjetër, do na mbeten recetat anglosaksone në dorë dhe do vazhdojmë të besojmë dogma dhe paragrafe të marra copy-paste nga shtete të zhvilluara, realiteti dhe konteksti i të cilave nuk ka lidhje me ne dhe do prenotojmë në dekadat e ardhshme ndoshta 8-fishimin e kokëboshëve me diploma. Do prenotojmë Idiokracinë.

Gomari eshte kafshe e shenjte! Njeriu eshte i pdrejte me te kur e tall dhe e perdor si shembull dhe te
Gomari eshte kafshe e shenjte! Njeriu eshte i padrejte me te kur e tall dhe e perdor si shembull dhe krahasim per injorantet dhe budallenjte. Jo,jo, gomari i ben per mrekulli detyrat e tij. Gomari si kafshe pune e mrekullueshme, ka dhene nje ndihme te pacmuar ne jeten e njeriut historikisht. Kali, kusheriri i tij, ndonese eshte me i bukur dhe elegant, eshte mekatar se eshte perdorur nga njeriu neper luftra per te vrare njeri-tjerin! Edhe hingellimen kali e ka si bori lufte per sulm ndaj armikut, kurse gomari pellitjen e ka te dhimbshme. Pellitjen gomari e ka te dhimbshme, si nje ankese qe i ben njeriut per talljen dhe percmimin qe ky i fundit i ben vazhdimisht. Keta te universiteteve tona piramide, jane djaj me brire, se keta fitojne shuma marramendese duke u tallur me arsimin! Masterat (e leshit) dhe studentet qe mbarojne keto gjoja-universitete, nuk dine te shkruajne shqip pa gabime te shumta drejtshkrimore.
Deri ne klasen e katert fillore, nje femije ne kohen e Enverit dinte shume me teper se nje gjoja master i dale nga universitetet piramida sot ne dhi-mokraci. Arsimi ne ate kohe ka qene perfekt, serioz, me mesues, profesore dhe pedagoge te mrekullueshem dhe serioze, te perkushtuar deri ne madheshti ndaj nxenesve dhe stdenteve per t’i bere te ditur ata. Kurse sot shkollat dhe gjoja universitetet jane mbushur plot me maskarenj injorante, njerez te dyshimte ne cdo pikpamje qe e mbajne veten per mesuesa dhe profesore. Sa keq!
Analfabetizimi i shqiptareve eshte proces i studiuar mire ! eshte nje nga masat per shkombetarizim ! Fillon me analfabetet , vazhdon me pamundesine e konkurrimit ne tregje dhe administrim te shtetit dhe vazhdon me shuarjen e cdo pushteti dhe fuqie , deri sa te fiket kandili fare ! Pastaj shqiptareve t’iu rrojne ato pak familje qe mbeten ne male qe do te vazhdojne te flasin shqip , pavaresisht se me ze te mekur nga mizerja dhe varferia !
Si ka ndodh gjate hiastorise mo , cfare ta zgjas ! Kur ju them se jemite pushtuar , juve vazhdoni akoma dhe i bini fyellit !
Edhe nji gjo konkrete se me doli nga mendja ! Pse cfare kujtoni se u ndodhi shqiptareve ne tokat e serbit apo ne gerqi ? E njejta qe po na ndodh neve ketu ! Ku i keni shqiptaret ? Sot mbushin konvojet e serbit dhe vrasin shqiptaret , kurse ne gerqi kendojne se do lidhin kepucet me zorret e shqiptareve ….! ha…ha…ha… sa per te qeshur dhe per te qare ….! Dheee shume mire na i bejne …! Hallall ta kene , punojne te tjeret , na kane lene neve te merremi me llogje dhe te bejme lojen e tyre ! Jemi bo moderne pra mo , duna vetem euro dhe tanga !
E vertete me se e vertete!
http://en.wikipedia.org/wiki/File:Museo_del_Prado_-_Goya_-_Caprichos_-_No._42_-_Tu_que_no_puedes.jpg
Kjo pikture nga Kapricot e F. Goya-s, simbolizon mire kete lloj gomarlleku. Ai e pati menduar ne raport te pasur/te varfer, prape shkon njesoj…”paguaj per shkollim pa mesuar” e kerko te drejta nga [ne kurriz te] Shoqeria per status, punesime etj.
Cdo kryeminister qe vjen ka interesat e tij tek shkollat private!
Ja per shembull, Salisatani kishte disa private te preferuar, por me te perferuarin e tyre kishte ate te Cilizmit!
Ky palla i gjate ka edhe ky ca te tijet, por me te preferuarin ka ate tek diga e liqenit….
Dhe si per ti dhene drejtim ketij biznesi, rilindja jone e dashur ka emruar shefe kabineti te ministres se arsimit nje pronare universiteti privat!
Gjonçaj eshte aty thjeshte si vegel e paguar mire….. turp per te qe e ka ulur veten kaq poshte… por megjithe studimet qe ka kryer jashte tregon se ka gene shqiptari – fshatari.
E dashur profesore ,
Faji eshte komplet juaji pasi Ju duhet te largoheshit qysh nga tavolina ( nese ishit e ulur ne tavoline kur Ju tha ai njethundraku ” mos u prenoto ” ) . Ai i shkreti Ju tregoi me arrogancen e nje dallkauku se kush ishte dhe cfar perfaqesonte keshtuqe eksperimenti qe bet Ju me fillimin e mesimdhenies ishte i kote ! Kjo per faktin se Ju tashme u evidentuat si ” mish i huaj ” ne mishin plot shendet e gjalleri te Arsimit Shqiptar dhe per pasoje kushdo do te nguroje te kontraktoj me Ju per mesimdhenie . Armiku nr 1 i tranzicionit te pafund Shqiptar eshte dhe do te jete Gradimi Arsimor i Llumit dhe “analfabeteve me doktorrature “! Kam nje koleg i cili ka mbaruar UT dhe ben ne fillim veprimin e mbledhjes para atij te shumzimit apo pjestimit ! Prandaj Ju kuptoj sh mire pasi na vjen keq per femijet tane te cilet studiojne sistematikisht dhe vendet e mira i zene fshataret e pakulturuar dhe perdhunues te qytetarise !
Nuk me duket se ka ndonje faj ne te tentuarit per te kuptuar e deri diku per t’iu pershtatur vendit ku te duhet te jetosh. Te tentosh te vesh ne jete parimet e etikes akademike apo minimumin e edukates shoqerore ne Shqiperi nuk me duket faj, siç ne fakt do te ishte te hequrit dore a priori, duke konsideruar qe çdo dite po na sqarojne me te mira e me te keqija se “ketu” nuk eshte si “atje”.
Jam plotesisht dakort, “atje” ka liri te shprehjes dhe iniciative qytetare qe nuk eshte pjelle e “po iki fare, po heq dore”, maksimumi eshte jetime si ajo delja e zeze qe del nga grigja 😉
KOKEMBUSHURA SULMON KOKEBOSHET
Ne se do kishim pak me shume njohuri mbi kampin e specializimit te “kokembushura”-s do ishim me objektive ne pranimin e aventures se saj me kokeboshet universitare marres-dhenes.
Eshte shndruar ne trishtim shoqeror formacioni “Potemkin” i juristeve, filozofeve, psikologeve, gazetareve e pse jo edhe politikaneve kokeboshor qe me doktoratat e tyre te “mbrojtura” si brenda ashtu edhe jashte vendit, kane minuar themelet e atij tubimi shqip-foles e shqip-pretendues-foles mbi te cilet u mbajt lart shqiptarizmi ne dekada te tera.
Kohe me pare ne profilin facebook te Edi Rames, nje fare doktoreshe (mjeke) valviti lart me te njejten fryme kokeboshesine e jo vetem universitareve dhenes, por ne radhe te pare te punedhenesve fuqi-plote vendim marres, me kredencialin e “kokembushures” me formim latino-anglo-saksonor. Per te vertetuar me pas jo vetem karakterin pisllekor te saj lidhur me respektimin e ligjeve te vendit qe e puneson, por edhe me skartimin e perhereshem ne konkurimet per vend pune ne strukturat publike, duke u radhitur e para nga te fundit.
Dhe natyrisht u punesua ne struktura private, aty ku kokeboshesia shndrohet ne ar te kulluar 24 karatesh.
Nen ze freeshisti Veliaj u detyrua te pranoje pak dite me pare: “mungojne personat me kualifikim te larte e te mesem ne vendin tone”, sepse vendeve te punes te afruara ne stendimin disa ditor ne Tirane nuk ju gjend as edhe nje i “doktoruar” qe te permbushe edhe vetem nje pjese te kerkesave pune-pranuese.
Nuk eshte çudi qe edhe te rikthyerit me 28 euro ne xhepin e boshatisur nga “doktoraturat” latino-anglo-saksone te mos i pergjigjen niveleve te kerkuara te tregut modern te punes, sepse ne te shumtin e tyre jane “Potemkin”-jane te sterpjerdhur nga aftesia e te tjereve, shume pak nga te cilet jane shqiptare(te afte e te vleresuar).
Ne piedestalin me te larte te te “doktoruarve” latino-anglo-saksone eshte pa dyshim ajo: Milena Harito, qe shkuli fibrat optike sapo vuri kembe ne kryeministrine e kushuririt te saj, paçka se ishin paguar miliona euro te shqiptareve per to. E beri ne emer te titujve kokeboshore qe kish fituar ne boten ku u jepen enkas shqiptareve “vetem ne se do kthehen ne Shqiperi me 28 euro ne xhep per te kontribuar ne rrenimin gjitheperfshires te saj”.
Vuri potemkiniane ne çdo skute e skaj, edhe mamive u kerkoi te jene juriste, pa le pastaj te beje keshilltar te pergjitheshem te kryeministrise nje doktor lopesh ne kerkim te diplomes se humbur ne greven e urise me Jamamberin e Argiten e Salushit.
Kohe qe iken e nuk kthehen me, kur profesoret farketonin dituri, pa joshjen e Gjonçajve te turnit sharlatanore, e benin per vehten, per ne dhe femijet e tyre, ishim te gjithe ne te njejten varke: ate te madheshtimit te kombit shqiptar.
Tema eshte e nje rendesie te jashtzakonshme. Shkrimi i percjelle nga ditari i asaj zonje/zonjushe eshte … Une kam shkolle te larte e di shume mire edhe shqipen. A mund te na vije ne shqip ky shkrim, qe te kete efekt? Nga ana tjeter pergezimet e mia me te sinqerta zonjes/zonjushes per rezistencen e saj ndaj sulmit antishqiptar te universiteteve private dhe … shteterore! O Zot!