E tepërt të themi se humbja 0-2 me Serbinë dje në Elbasan Arena na mërziti. Shumëkënd edhe e zhgënjeu. Jo sepse ne kemi qenë ndonjëherë superiorë ndaj futbollit jugosllav e serb, por sepse rrethanat e këtij edicioni të Europianit erdhën të atilla që të kishim, dhe kemi akoma, shpresa reale për kualifikimin e parë në Kombëtares në një kompeticion të këtij niveli. Cilat ishin këto rrethana?
Serbia pa asnjë interes pikësh për kualifikim, kombëtarja jonë e formatuar nga De Biazi me një përmirësim të dukshëm cilësor dhe një trepikësh ose më troç, një gol fatlum, sado i shëmtuar, i zakonshëm apo i bukur, që mbrëmjen e djeshme do ta çonte në Francë 2016. Një përjetim emocional i pazakontë ai i minutave të fundit kur ende nuk kishim pësuar gol, e kur nga ndeshja tjetër Portugali-Danimarkë erdhi lajmi i humbjes së rivales direkte daneze. Dhe një topitje po kaq e pazakontë kur pësuam të parin, pastaj golin e dytë…
Por për mua personalisht, dhe besoj për shumë të tjerë, gjendja shpirtërore e pasndeshjes ishte më shumë një kthim në esëll, sepse zhgënjim. Humbëm sepse bëmë gabime, sepse aq e kemi takatin, sepse përmirësimi që solli De Biazi nuk mjafton, por duhen vite e vite të tëra punë, humbje e fitore, që të ngremë nivelin e një sporti që e duam aq shumë.
Në fakt, për këtë kthim “me këmbë në tokë”, ndikoi jo aq ndërgjegjësimi se po, tek e fundit nuk jemi ende gati për të qenë të fundit mes elitës së futbollit, edhe pse po trokasim në atë derë më fort se më parë; por ndjesia e çaktivizimit të një ankthi të akumuluar prej kohësh. U ngritëm në atë lartësi që pretendojmë se e meritojmë, për të organizuar një ndeshje sportive dhe jo politike.
Dhe ky është një motiv për t’u ndjerë të kënaqur; dhe në një lartësi morale për t’u ëndërruar nga mysafirët serbë. Të cilët ndeshjen e parë, si zot shtëpie, është e kotë të ripërmendim sesi i trajtuan tifozët tanë, gazetarët e deri stafin kombëtares.
Ishin gati edhe dje, mediat dhe politika serbe, për të gjetur qimen e tyre në qullin tonë. Vendi me tifozërinë më vandale në Europë, diplomatikisht lëvizi me një notë absurde proteste për një guralec në xhamin e autobusit të ekipit, nga një adoleshent jetim. Thuhet se kanë “ngrirë” ambasadorin tonë në beograd për 6 muaj, pse nuk pranoi të merrte notën qesharake. Panë letrat e fatit dhe gjetën një komplot vrasës ndaj kryeministrit Vuçiç nëse do vinte në Tiranë e mandej në Elbasan. Zbuluan një amerikan të dyshimtë në hotelin ku do qëndronin, dhe nuk pranuan të hynin në dhoma. Ishte fjala për zotin Majkëll Granoff, kreun e Fondit Amerikan të Ndërmarrjeve! Deklaruan se “po vazhdoi kështu kjo punë, nuk do luajmë fare!” Vaj halli nëse do gjendej atypari dhe ambasadori Lu. Atëherë do bërtisnin, “këtu ka tradhti, burra!”
Thënë shkurt, dje treguam se jemi “më pak ballkanikë” se serbët. A kanë vend në këtë histori togfjalëshat “një humbje e bukur” etj etj.? Nuk e besoj. Djemtë na mërzitën, ta marrë e mira. Ej Xhani, ose Gani më saktë, pse nuk fute Roshin gjysmë orën e fundit? A e pe Lenjanin që nuk pasonte fare? Më mirë të guxonim dhe ta hanim gol në minutën e 60-të, sesa në të 90-tën!
Po, këto janë emocionet e futbollit, pozitive dhe negative, që Aleksandër Vuçiç mund t’i kishte përjetuar në stadium. Dhe mund të kishte duartrokitur i ekzaltuar për dy golat. Por mesa duket, kësaj i druhej, dhe kjo do kishte qenë humbja reale për “mikun tim Aleksandër”, siç i drejtohet shpesh homologu shqiptar Rama. Një poshtërim i dytë, sado bizare të tingëllojë kjo, pas ndeshjes së Beogradit. Sepse do t’i tregonte se shqiptarët kur duan, janë në gjendje t’i mposhtin djajtë e tyre. Edhe pse munden me meritë të plotë të kundërshtarit në fushën e lojës. Diçka që Vuçiç ende nuk mund ta thotë për palën e vet. Megjithatë, kohën e kemi përpara. Kot u trembe dhe nuk erdhe, Z.Vuçiç…

Kopertina me Vucicin mbi shole te Vc-se ishte ma e qelluar dhe e sakt , sepse ai nga frika se do jet prezent ne humbjen e serbise ishte arsyja reale per mosardhjen e tij . E kjo e ben Vucicin taman qun mamaje i cili fshehet , pas gjdo zhurme , ne banjo . Nje MINUS PER DITA se e ndrroi kopertinen .
Fitoi Shqiperia, humbi e kaluara, po hap syte e ardhmja…duhen investime e reforma serioze ne sport dhe jo kenge e tallava folk…