PS ka reaguar sot ndaj deklaratës së djeshme të ministrit të Financave, Ridvan Bode, shifra 1.3 miliardë dollarë të “fluturuara” nga Shqipëria brenda 5 viteve, nuk do të thotë që Shqipëria është përkeqësuar krahasuar me vite më parë.
Në një prononcim për mediat në emër të PS-së, deputetja Ermonela Felaj e cilësoi të turpshme përpjekjen e Bodes për të manipuluar. Ajo tha se ministri i Financave i numëron paratë që kanë dalë nga vendi përgjatë 5 viteve si të ishin fara luledielli.
“Dje ministri i Financave donte të justifikohej, duke dashur të tregojë qeverinë me duar të pastra. Është e turpshme se si ministri i Financave tenton të manipulojë. Bode i numëron paratë e dala nga vendi si fara luledielli. Raporti tregon se paratë dolën nga vendi në vitin 2005 e pas”, tha Felaj. Deputetja e PS-së tha se debati për korrupsionin nuk do të mbyllet për sa kohë në vend ka një klikë që depoziton miliarda jashtë vendit.