Sindikatat e punëtorëve në tërë botën shënuan dje 1 majin, Ditën e Punëtorëve e cila në shumë vende karakterizohet nga protesta për atë që konsiderohet si përpjekje e vazhdueshme për të siguruar të drejtat elementare të punëtorëve. Protestat e djeshme në fakt degraduan deri në përleshje në disa sheshe në vende të ndryshme të botës.
Në Turqi policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë manifestuesit në lagjen Beshiktash në Stamboll. Agjentët ndërhynë në momentet kur manifestuesit kishin filluar të drejtoheshin në sheshin Taksim. Gjithsej u impenjuan 20 mijë policë dhe 70 makina të armatosura për të penguar manifestimin në sheshin simbol të lëvizjes anti Erdogan. Të paktën 70 persona u arrestuan në orët e para të ditës. Sheshi u bë i paaksesueshëm nga çdo anë, në një hapësirë prej 3 km. Sipas disa mediave turke, janë arrestuar edhe 30 anëtarë të Partisë Komuniste, që kishin mundur të shkonin deri në Taksim duke kaluar përmes një hoteli. Por manifestime u zhvilluan edhe në qytete të tjera të vendit. Tensione pati edhe në Korenë e Jugut.
Mijëra persona zbritën në sheshin e Seulit për të protestuar kundër politikave të punës të ndërmarra nga qeveria koreane. Protestuesit okupuan disa rrugë të qendrës dhe filluan përleshjet me policinë. Në manifestim u bashkuan edhe familjet e viktimave të tragetit të fundosur rreth një vit më parë, një aksident që u kushtoi jetën rreth 300 personave. Përplasje gjithashtu u shënuan edhe në Weima të Gjermanisë ku një grup të rinjsh neonazistë sulmuan paradën e 1 majit. Bilanci i parë flet për disa të plagosur lehtë dhe dhjetëra të arrestuar. 1 Maji është fiksuar si datë në kujtim të ngjarjeve të dhimbshme të vitit 1886 në Amerikë. Një prej kontribueseve kryesore është ajo, që njihet si “masakra e Haymarket” në Çikago.
4 Majin e atij viti, shpërthimi i një bombe u mori jetën 7 oficerëve të policisë dhe 4 civilëve. Dinamiti ishte përgjigje ndaj vrasjes së demonstruesve paqësore nga forcat e rendit, vetëm një ditë përpara ngjarjes. Punëtorët kishin dalë në protesta për mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe vendosjes së ditës së punës 8 orarëshe. Pas sulmit, 8 anarkistë u shpallën fajtorë, si komplotues në episodin e përgjakshëm, dhe u dënuan me vdekje. Rasti tërhoqi vëmendjen e të gjithë botës e pushtoi titujt e parë të gazetave të kohës, për shkak se provat tregonin se asnjëri prej 8 të akuzuarve nuk ishte personi, që kishte hedhur bombën. Tre vite më vonë, Internacionalja Socialiste në Paris krijoi një ditë ndërkombëtare në nderim të lëvizjes punëtore dhe caktoi 1 Majin si ditën për të kujtuar masakrën e Haymarket-it.
