Meshkujt nuk pranojnë të bëjnë analiza. Klamidia prek 3.3 për qind të rinjve, teksa zbulohen 97 raste me sifiliz. Problem edhe shtimi i hepatiteve dhe Hiv-Aids. Nëse nuk trajtohen në kohë mbartin pasoja të rënda në shëndet.
Pranvera Kola
Studimet e kryera tek të rinjtë në vendin tonë flasin për shtim të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, të cilat mund të mbartin edhe pasoja fatale, siç mund të jetë Hiv-Aids. Por ajo që konsiderohet edhe më shqetësuese, sipas mjekëve, është neglizhenca e meshkujve në kryerjen e testimeve dhe analizave përkatëse për trajtimin e infeksioneve seksualisht të transmetueshme. Femrat rezultojnë të jenë më të prekurat nga këto infeksione, pasi janë këto të fundit që paraqiten për të bërë analizat përkatëse, ndërsa të dhënat për meshkujt pothuajse mungojnë.
Ata kujtohen të bëjnë analizat përkatëse vetëm kur sëmundja mund të ketë mbëritur në stade tepër të rënduara. Ndërkohë që përbëjnë probleme për partneret, pasi transmetojnë infeksionin. Sa i takon sifilizit specialistët e shëndetit publik pohojnë se janë evidentuar 97 raste. Po ashtu pohohet të jetë edhe përqindja e rasteve të infeksionit të njohur si Klamidia e cila prek rreth 3 .3 për qind të rinjve. Sëmundjet seksualisht të transmetueshme bien edhe si një kambanë alarmi për infektimin me HiV-AIDS.
Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme janë infeksione që transmetohen gjatë kontaktit seksual të pambrojtur, me dikë që është i infektuar. Ato shkaktohen nga viruse, bakterie dhe parazitë. Infeksionet e kësaj natyre janë nga më të ndryshmet, nga ato që japin vetëm një bezdi të lehtë deri tek ato me pasoja nga më seriozet, nëse ato nuk trajtohen në kohë.
Për fat të mirë shumica e tyre kanë shërim të plotë, por ka edhe nga ato që nuk shërohen si psh AIDS-i. Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme mund të mjekohen, por jo të gjitha janë të shërueshme. Ato të shkaktuara nga bakteriet si klamidia, gonorrea, dhe sifilizi mund të kurohen, të tjera të shkaktuara nga viruset si herpesi, hepatiti B, HIV etj, janë të pashërueshme. Kundrejt këtyre komplikacioneve specialistja e shëndetit publik, Lumturi Mërkuri, u bën thirje të rinjve që herë pas here të bëjnë një analizë edhe pse mund të mos kenë shenja,pasi vetëm në këtë formë mund të parandalojnë në kohë komplikacionet e rënda që vijnë nga këto sëmundje.
“Mjeku mund t’ju kërkojë të bëni një analizë të sekrecioneve genitale, një analizë urine, ndonjëherë dhe një analizë gjaku. Mjeku gjithashtu mund t’ju pyesë nëse dëshironi të bëni një test për HIV. Asnjë prej këtyre testeve nuk është i dhimbshëm”, shprehet Mërkuri.
Kategoritë e riskuara
Prej infeksioneve seksualisht të transmetueshme mund të preken të gjithë, pa dallim. Çdonjëri është në rrezik për t’u infektuar prej tyre nëse bën seks të pambrojtur (pa prezervativ), me një person të infektuar. Nuk është e thënë që të kesh shumë partnerë për t’u infektuar. Mjafton edhe një marrëdhënie seksuale e vetme me një person të infektuar për të marrë një infeksion seksualisht të transmetueshëm. Por, të pasurit shumë partnerë rrit mundësinë për t’u infektuar.
Si merret infeksioni
Ju mund të merrni një infeksion seksualisht i transmetueshëm nëpërmjet kontaktit seksual me dikë që është i infektuar. Por disa infeksione mund të transmetohen edhe në mënyra të tjera siç është kontakti lëkurë me lëkurë, kur keni marrëdhënie seksuale me dikë që ka plagë të dukshme ose puçrra genitale. Përdorimi i prezervativit gjatë seksit vaginal, anal e oral do t’ju mbrojë nga infeksionet e kësaj natyre. Edhe nëse partneri juaj ka një infeksion seksualisht të transmetueshëm dhe ju kryeni seks pa prezervativ, ju mund të infektoheni.
Shenjat e infektimit
Ju nuk mund ta kuptoni nëse partneri juaj është i infektuar me këto sëmundje. Përderisa shumë infeksione nuk kanë shenja të dukshme, ju nuk mund ta kuptoni që një person është i infektuar. Madje disa njerëz mund të kenë një infeksion seksualisht të transmetueshëm dhe nuk e dinë as edhe vetë mbasi nuk kanë shenja për muaj dhe vite me radhë.
Për shembull, klamidia është shpesh pa shenja duke mbetur për vite të tëra pa u mjekuar. Për këtë arsye shume vende rekomandojnë bërjen e analizave për të gjitha femrat seksualisht aktive mbi 25 vjeç. Shpesh shfaqja e shenjave bëhet me vonesë, atëherë kur infeksioni ka përparuar. Për këtë arsye këshillohet të kryhet një analizë sa herë që ju mendoni se keni qenë në rrezik për të marrë një infeksion seksualisht të transmetueshëm.
Simptomat
Mjaft infeksione seksualisht të transmetueshme janë pa shenja dalluese, por nëse shfaqen shenjat, ato janë të ndryshme për lloje të ndryshme të infeksioneve. Ato mund të jenë nga shqetësime të lehta në formë bezdie dhe deri tek shenja që tregojnë një problem serioz. Shenjat më të shpeshta që duhet t’u tërheqin vëmendjen se ju mund të keni një infeksion seksualisht të transmetueshëm janë: skuqje, djegie apo kruajtje rreth organeve genitale, shtim të rrjedhjeve nga organet genitale, shpesh me erë të keqe e ngjyrë, djegie ose dhimbje gjatë urinimit, urinim të shpeshtë dhe në sasi të pakët, dhimbje në fund të barkut ose rreth organeve genitale, dhimbje gjatë marrëdhënies seksuale, puçra ose plagë rreth organeve genitale dhe shenja të tjera. Nëse vëreni shenja të tilla, shkoni menjëherë tek mjeku. Sa më shpejt të shkoni tek mjeku, aq më lehtë është për t’u mjekuar dhe shëruar infeksioni. Nëse këto infeksione nuk trajtohen, ato mund të çojnë në probleme serioze shëndetësore.
Çfarë pasojash mund të sjellin
Pasojat e një infeksioni seksualisht të transmetueshëm të pamjekuar mund të jenë mjaft serioze për shëndetin e burrave edhe të grave. Tek meshkujt, ato shkaktojnë infeksion të fshikëzës urinare, të testikujve, të prostatës deri në qelbëzim. Tek gratë shkaktojnë infeksione të fshikës urinare, inflamacione të uterusit dhe të tubave fallopiane së bashku me pasojat e tyre. Mund të shkaktojnë kancer të qafës së mitrës, barrë jashtë mitre etj. Pamundësia për të lindur fëmijë shpesh është pasojë e një Infeksioni Seksualisht të Transmetueshëm të pamjekuar. Një grua shtatzënë e infektuar mund t’ia kalojë infeksionin fëmijës së saj gjatë shtatzënisë apo lindjes. Infeksioni mund të përhapet në organet e tjera duke dhënë qelbëzim të organeve të legenit. Nëse ke një infeksion seksualisht të transmetueshëm kjo rrit mundësinë për t’u infektuar më lehtë me virusin HIV-Aids.
aaaaaaa