Dita e gënjeshtrave ka bërë “me zemër” shumë tifozë, pasi media të ndryshme në internet kanë botuar lajme të rremë, duke bërë humor me ndjenjat e njerëzve. Shumë tifozë të kombëtares shqiptare janë peshkuar kur portali asport.info ka publikuar lajmin bombë se Shqipëria e ka humbur 0-3 në tavolinë ndeshjen e luajtur në Oslo me Norvegjinë, fituar 1-0 në fushë, falë golit të Hamdi Salihit. “Shkaku” i dënimit nga FIFA ka qenë se Ansi Agolli ka rezultuar pozitiv në testin antidoping, me substancën Cetoxin 76A. Për ta bërë më të besueshëm lajmin, portali ka shkruar se testit të detyrueshëm iu nënshtrua edhe Armend Dallku, ndërkohë që thuhej se trajneri De Biazi po merr në konsideratë nëse duhet të vazhdojë më apo jo me kuqezinjtë, pas dështimit të ëndrrës së botërorit. Mjaft tifozë e kanë kuptuar, por disa të tjerë janë ftilluar vetëm pas kanë lexuar fjalinë e fundit, ku sqarohej shakaja, dhe vetëm atëherë kanë marrë frymë lirisht, ndërkohë që janë shprehur se kanë rrezikuar atak në zemër. Pak a shumë e njëjta gjë edhe me lajmin e nxjerrë nga administratori i llogarisë së Lorik Canës në Facebook, ku thuhej se kapiteni është dëmtuar rëndë. Shakatë e 1 prillit kanë qenë të shumta edhe nëpër botë. Një forum i Manchester United shkruante për shtyrjen e ndeshjes së djeshme me Chelsea-n, për shkak të rëndimit të shëndetit të trajnerit Alex Ferguson, tashmë në moshë të thyer. Në Liverpul është trilluar gënjeshtra se Luis Suarez është dënuar me 6 ndeshje, ndërsa te Interi shkruhej për tërheqjen e Zanetit nga futbolli. Tifozët e Barcelonës janë tronditur përkohësisht nga lajmi se Mesi nuk ka udhëtuar me skuadrën për ndeshjen me Paris SG, ndërsa tifozët e Realit kanë parë edhe më keq, për lajmin e rremë të përplasje fizike midis Ronaldos e Murinjos. Edhe Red Bull, duke përfituar nga situata pas mosbindjes së Vettelit në Malajzi, komunikonte se kampioni i botës, për dënim, do të garonte me Toro Rosso në Çmimin e Madh të Kinës.