Gjykata: 1 vit burg për ish-prokurorin e Durrësit

anazapta

Gjykata e Durrësit shpalli fajtor pesë nga gjashtë të akuzuarit për korrupsion aktiv dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm. Pas një procesi që ka zgjatur më shumë se tre vjet togat e zeza në seancën e sotme gjyqësore kanë dënuar me 1 vit burg me kusht ish-prokurorin Aleksandër Plepi, ndërsa bashkëshortja e tij, gjyqtarja Marsela Balili shpallet e pafajshme. Ndërkaq me 2 vjet burg janë dënuar Violanda dhe Besnik Braka, ndërsa me 1 vit e 2 muaj burg  Arben Veliko dhe Panajot Dhiamandi. Ish-prokurori Aleksandër Plepi akuzohet nga prokuroria e Durrësit për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj bashkëshortes së tij, e cila kishte në gjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda të pandehurin Besnik Braka, akuzuar për trafik municionesh.

Ndërkohë të pandehurit Panajot Dhiamandi, Arben Veliko, Violanda Braka dhe Besnik Braka, sipas akuzës, i kanë kërkuar prokurorit Aleksandër Plepi të ndërhyjë të bashkëshortja e tij për t’i dhënë një masë të butë dënimi pandehurit Besnik Braka, i cili është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda për trafik municionesh dhe shpërndarje narkotikësh. Për ish-prokurorin, përfaqësuesi i akuzës  pati kërkuar dënimin me 2 vjet burg, ndërsa për bashkëshorten e tij u kërkua një vit heqje lirie për akuzën e korrupsionit pasiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë.  Prokuroria gjithashtu kishte kërkuar dënimin me nga 2 vjet e gjysmë burg për të pandehurit Panajot Dhiamandi dhe Arben Veliko, të cilët sipas akuzës kanë kryer veprime të kundraligjshme të drejtpërdrejta, duke propozuar dhe premtuar dhënien e drejtpërdrejtë të përfitimeve të parregullta në shumën 15 mijë euro, të pandehurit Aleksandër Plepi. Sipas Prokurorisë së Durrësit, Aleksandër Plepi, në atë kohë me funksion publik, prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, akuzohet për korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë. Plepi ka kërkuar përfitime të paligjshme dhe ka premtuar se do të ndërhyjë drejtpërsëdrejti te bashkëshortja e tij Marsela Balili.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *