10 gjëra që duhet të dini për Thethin, që guidat turistike nuk ua thonë

DITA Online

 

Nga Blerina Gjoka 

Prej të paktën 2 vitesh kisha planifikuar të shkoja në Theth, e bombarduar gjithandej nga imazhe të bukura si të dala nga përrallat.

Isha bërë ndjekëse e disa faqeve të bujtinave në Theth dhe shpesh më dilnin para syve foto të bukura të miqve që vizitonin këtë vend ose artikuj në media duke ma bërë edhe më të ethshme dëshirën për të shkuar atje.

Të paktën 2 vite duke i thënë vetes çdo verë; kur do shkoj në Theth? Ai duhet të jetë vendi më i bukur në botë. (…dhe në fakt është!)

Tentova të shkoj fundjavën e datës 26 gusht pasi ishte dhe një koncert me Elina Dunin, Shpat Dedën,etj., po nuk bëhej fjalë të gjeje dhomë, edhe pse telefonova një javë përpara.

Të premten e javës që shkoi vendosa t’a provoj dhe një herë.

Telefonova disa bujtina, të cilat i njihja virtualisht. Nuk ka vende më thanë të gjitha. Epo, kjo tregon se ky vend është kaq i kërkuar nga turistët sa duhet të jesh me fat të gjesh vend!

Në darkë vonë më telefonojnë nga njëra prej bujtinave: “U kancelua një prenotim nga booking, nëse doni ejani”. Lumturi e madhe! E pyes zotërinë: “Ne kemi makinë të ulët, a kalon dot?”

Përgjigjia: “Rruga është e pashtruar 15 km që të sjellin në fshat, por kalohet me kujdes”.

Gabim! Fjala e tij dhe mungesa e informacionit nga ana ime më la 4 orë në mes të maleve, pasi u shpua goma në rrugën me gurë gjithë cepa dhe pse ecëm me shpejtësi më pak se 10km në orë.

Ja këshillat e mia për ata që nuk kanë vajtur akoma në Theth:

1-E para gjë që do të duhet të dini kur shkoni në Theth është; Rruga nuk kalohet me asnjë makinë tjetër përveçse makinë e tipit fuoristradë, pra të jetë e lartë, të jetë 4×4, e kontrolluar më parë tek tekniku që është në kushte optimale. Mos harroni kriko, gomë rezervë dhe të gjitha mjetet teknike. Mund të shkoni dhe me furgon ose kamion, por jo me Benz B-class, siç bëra unë, ose me makina të tjera të ulëta, të vogla.

Gjëja më vogël që mund t’ju ndodhë është shpuarja e gomës, se mund t’ju çahet edhe serbatori apo t’ju prishet motorri. Një karrotec që t’ju marrë atje kërkon të paktën 30 mijë lekë të reja. Historitë për familje që kishin mbetur në mes të natës në mal, ose për makina që ishin lënë me javë parkuar në Qafë Thore tregonin plot në Theth. Mos rrezikoni të bëheni pjesë e një historie të tillë, në fund të fundit keni shkuar për qejf.

2- Mos hezitoni të kërkoni ndihmë! Banorët e zonës janë shumë të gjendur ndaj turistëve kur u ndodhin avari në rrugë. Të mos ishte Mondi, (mbiemrin nuk ia mësova dot) që ndaloi, nxorri mjetet e punës dhe na ndihmoi të vinim gomën rezervë, e më pas na bleu një gomë të përdorur në Shkodër e na e dërgoi me miqtë e tij, makina jonë do të ishte sot akoma në Theth. Në fshat ndodhet dhe një djalë që nxjerr jetesën duke bërë mekanikun me turistët që u mbetet makina në male. Quhet Ylber dhe të gjithë ia kanë numrin e telefonit, por nëse ai nuk është atje, do të kërkoni ndihmë banorëve të zonës që e bëjnë atë rrugë shpesh.

3-Që mos të rrezikoni, parkoni makinën në fshatin Bogë që është para rrugës së prishur të Thethit dhe merrni një taksi që ju çon atje. Taksia kushton 60 euro vajtje-ardhje brenda ditës dhe Gjeloshi, i zoti i Fuoristradës, thotë se ju bën edhe guidë në pikat turistike të natyrës në Theth. Nëse 60 euro ju duken shumë, do ta kuptoni se do ju dalë më shumë amortizimi i makinës tuaj kur të ktheheni, edhe nëse jeni me fat e nuk ju shpohet goma.

4-Nëse jeni tip nazeli dhe u pëlqen rehati ose jeni mësuar vetëm në hotele me 5 yje, mos e merrni mundimin të shkoni atje; nuk është për ju!

Në Theth ka vetëm bujtina, që do të thotë “krevat dhe mëngjes” me 15 euro personi. Nuk ke banjo personale në dhomë. Preferohet të jesh grup shoqëror, pasi dhomat kanë 4 ose 5 krevatë. Rrallë gjen dhoma çift.  Megjithatë nuk mungojnë as bujtinat me banjë dhe dush në dhomë dhe me krevat dopio. I vetmi hotel në Theth është Bjeshkët e Namuna, ish-kampi i punëtorëve, i privatizuar. Aty mund të keni banjon tuaj në dhomë, por mos prisni kushedi se çfarë nga kushtet. Një hotel që vihet në funksion vetëm 3 muaj verë, pasi në dimër mbyllet dhe rrënohet, dhe pronarëve u duhet të investojnë çdo vit përsëri në të.

5-Mos kërkoni fruta deti në Theth, as karbonara ose lloje të tjera makaronash. (Dy çifte nga Tirana e bënë këtë). Ej, njerëz jeni në mes të Alpeve, jeni në fshatin më të thellë. Atje hahet mish derri, qengji ose viçi, hahet mazë (gatim tradicional me djath, gjalpë e miell misri. Super!), hahet buka e bërë vetë, djathi, patate furre, byrek dhe kos, por mos kërkoni gjë tjetër.

6-Nuk ka fashion-party në Theth. Duhet të marrësh atletet më të vjetra që ke, që t’i prishësh atje. Ose mundësisht këpucë kambale, të gjithë turistët e huaj vishnin të tilla. Rroba pambuku, tuta, bluzë me mëngë të shkurtra dhe një me mëngë të gjata. Disa palë çorape dhe një kapele.

7-Ecni në këmbë! 

Nga fshati tek Ujëvara ose Syri i Kaltër, dy atraksionet më të bukura të natyrës, por jo të vetmet, ishte të paktën 1 orë me makinë. Kujdes, ishte rrugë për zetor, jo për makinë, pra më e mira ishte ta bëje në këmbë. Nëse je tip që nuk të pëlqen ecja, ke probleme me zemrën, ose nuk je fare tip sportiv, më mirë lërë fare këtë gjë, nuk është sport për ty. Shqiptarët ishin turistët më të llastuar, shkonin me makinë deri afër dhe pastaj mezi ngjiteshin 20-30 minuta në këmbë. Të huajt e bridhnin gjithë zonën në këmbë.

8- Koha më e bukur për t’a vizituar.
Shumica e turistëve vërshojnë në verë aty, por banorët e zonës të thonë se periudha më e bukur për t’a vizituar është maji- qershori, që atje përkon me ardhjen e pranverës, ku fushat e fshatit janë të mbushura me lule ose 2-javëshi i fundit i shtatorit, ku ka nisur vjeshta dhe pylli me ahe merr ngjyrat më të bukura, e gjelbër, e kuqe, e nuancat e së verdhës.

9- Vetëm apo me agjenci?!
Agjencitë turistike kanë paketat 79-euroshe për një natë dhe një ditë në Theth, por duhet të dini se kaq nuk mjaftojnë për t’a shijuar atë vend. Duhet të rrini të paktën 2 netë dhe 3 ditë ose 5 ditë që të shëtisni dhe të përjetoni gjithë atë bukuri. Ndryshe do të ikësh i pangopur që aty me dëshirën që të kthehesh prapë një ditë…edhe hajt të bëhesh mbarë. Agjencitë kanë dhe një gjë tjetër që të ngre nervat, duhet të bëheni 20 veta në një mendje. Grupi që ndodhej aty kur ishim ne nuk arritën të shkonin tek Syri i Kaltër sepse binte shi paradite dhe një grua rreth të 50-ve që kishin në grup i bindi që nuk shkohet në shi se ka baltë e rrëshket. Por shiu në Theth nuk të krijon asnjë pengesë. Rrugët dhe shtigjet janë me shumë gurë dhe nuk krijojnë baltë. Mjaft të presësh të hapet pak koha.

10-E fundit! Nëse do të shijosh natyrën me të vërtetë shko në ditë jave kur s’ka shumë popullim, merr bukë me vete dhe bëje një piknik ose pranë ujëvares ose tek syri i kaltër. Ujë dhe pije nuk të duhen tek Syri i Kaltër, pasi Shukja, një banore e zonës që ka shtëpinë aty ngjitur, ka mendur për këtë. Me një kovë të madhe mbushur me birra dhe pije të ndryshme të futura në ujin e akullt, me çmimin 200 lekë të reja për pije, ajo ka ngritur një biznes veror, jo pak fitimprurës. Bashkëshorti i saj ka sajuar disa tavolina prej druri që shkojnë në harmoni me natyrën, nga ku mund të shijosh për 1 orë ose më shumë një pikturë të gjallë të natyrës që do të mbetet në mendje shumë gjatë.

Mos harroni të merrni qeset dhe plehrat tuaja kudo që shkoni dhe t’i hidhni në kosh! Rreziku më i madh që i kanoset atij vendi është NJERIU! Njeriu është i aftë ta prishë atë që ka krijuar natyra…por ju lutem mos e bëni ju këtë gjë!

Nga Blerina Gjoka, e pangopur me bukurinë e Thethit dhe me dëshirën që t’i dija këto 10 gjëra para se të nisesha.

Share This Article
5 Comments
  • Zonja Blerina pershendetje
    Edhe une isha ne Theth, tek ish Hoteli i Puntorve, ne fillim te muajit gusht.
    Nuk e di a ben reklame apo anti reklame.
    Si fillim, rruga deri ne Qaf Thore, ishte super e asfaltuar. Kuptohet hyp me makine ne lartesine 1930 meter mbi nivelin e detit, gjithnje ne ngjitje.
    Nuk pashe as duke shkuar , as duke ardhur, maqina te parkuara, te cilat nuk mund te zbrisnin poshte.
    Nuk kishte taksi qe te kryenin uljen e ngritjen deri ne Theth. Deri ketu jeni e pa sakte.
    Eshte e vertete qe rruga Qaf Thore-Theth eshte e keqe, por e kalueshme. Rruget pyjore ose te fshatrave ashtu jane. Te shtrosh me asfalt e te zgjerosh ate rruge eshte domosdoshmeri, por eshte shume e veshtire, per vete terrenin super malor.
    Te ngelesh 4 ore ne rruge per nje gome , eshte idiotesi , pa aftesi profesionale e pa pergjegjshmeri totale. Makina duhet te kete gome rezerve, krik, celesa, ndihme te shpejte etj, ne rrugen Tirane – Durres, jo me per ne Theth. Te sjellesh nje gome rezerve nga Shkodra , do 3 ore te mira. Ju paskeni bllokuar edhe rrugen, sepse ajo eshte shume e ngushte.
    Kushtet e hotelit Bjeshket e Namuna, ishin perfekte. Njerez puntore e te respektuar. Stivi Fishta, djale i shkolluar, fjale embej, i gjindshem e pune kryer, ishte 23 vjec, por menagjer i zoti. Ne rast nevoje e urgjence, pa pagese , vinte makinen e furnizimit ne dispozicion , deri ne Shkoder.
    Me fjet, me uje te ngrohte, carcafe te lare, pasterti, uje te pijshem akull, mobiljet krejtesisht normale ( jo si tek 15 kateshi ).
    Kuzhina perfekte. Nje kuzhiniere puntore, fjale embel, e cila pergatiti per gjysem ore , nje dreke te bollshme me mish keci te pjekur, te therur ne cast, djathe dhie ekstra ( morrem edhe me vehte ne Tirane ),, supe te shijshme, makarora spageti me gjalpe, sallate te shijshme e uje te ftohte burimi. Cfare do me teper nje turist ?
    Aq me teper qe ne mengjes, qe ishte brenda cmimit prej 15 euro , porositje kuzhinieren se cfare do per dreke.
    Me vjen keq qe ndejta pak.
    Prandaj zonja gazetare, mos e bej pus e ferr shkuarjen ne Theth. Thethi ka mundesi akomodimi 1200 shtreter, e kur thojne qe nuk kemi vende, nuk genjejne, sa do qe ju i sygjeroni turisteve te mos shkojne ne Theth, me ato 10 keshillat e fameshme.
    Po turistet ceke, polake, hollandeze, daneze etj , qe ecnin nate e dite ne pyjet e Thethit, mos valle kane nevoje per ato 10 keshillat e tua ?
    Shkruaj si shqiptare e jo si greke.

  • FALEMINDERIT ZONJA GJOKA,NJE INFORMACION I BUKUR,REKOMANDIME PRAKTIKE DIREKTE DHE PROMOVIM FIN ME MBULIM MBI BUKURITE E THETHIT DHE TURIZMIN MALOR AQ TE KERKUAR NGA TE HUAJT DHE NJE THIRRJE PER SHQIPTARET.
    SHUME BUKUR.

  • Turiste e huaj zgedhin thethin pikerisht pse nuk ka rruge te asfaltuar,se atje duhet me eçe jo me shku me talon aiguille,sepse kerkojne nje natyre te papekur. Ata nuk kane nevoje me i treguar botes se bejne dush cdo dite,se kane uj cdo dite… ata durojne edhe pa dush,edhe pa uje se jane njereze qe kane shetit bote edhe kuptojne ku mundesh me kerkue kushte e ku jo…
    Ti tregove cfare budallic je.

  • Faleminderit per artikullin dhe keshillat me vlere per kedo qe nuk e njeh zonen e Thethit. E ke pershkruar ashtu siç eshte, i mrekullueshem por edhe i veshtire per terrenin. Kam qene ne Theth dhe keshillat e tua jane te çmuara per vizitorin me qellim qe te kaloje nje rrugetim sa me te kendshem. Faleminderit.

  • Falemnd. per Informationet. Duket reklame shume e mire dhe jo e kunderta. Te gjithe pikat me duken interesante dhe llogjike. Duke Filluar nga Rruga e keqe deri tek keshillat e Turisteve Shqiptare qe mete vertete shume prej tyre nuk jane mesuar me Hiking (Rruge te gjata qe duan Kondicion) sme duket gabim tu kujtosh njerezve qe po shkojne ne Male jo buze Detit ku e lene makinen 10 metra larg shezllonit. Edhe 1200 Vende per fjetje sjane shume po te mendosh Gushtin ku te gjithe Shqiptaret e Italianet marrin Pushimet. Dhe se fundi ky eshte nje Lajme tek Komuniteti dhe Pushteti vendor per nje vemendje me te madhe per zgjerimin e kapacitetit. Jo vetem te fjetjes por edhe zgjatjen sezonit gjithe vitin aq me teper e me bukur qe bjen bore shume. Alpet e zwizres e Austrise ne i Vizitojme Dimer e Vere edhe pse p.sh. Mont Blanc eshte shume me i larte se 1930 m sic u tha me larte. Atehere mikprites te Thethit takohemi ne Qeshor 2018 bashke. Mirupafshim

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *