Shinasi Rama thotë se kjo nuk është Shqipëria që ëndërronte dhe për të cilën kontribuoi në rrëzimin e regjimit komunist. Si ka ndryshuar Berisha ndër vite dhe interesat mafioze që ka aktualisht, për të cilat i është dashur për pushtet. Si e njeh Edi Ramën, Bamir Topin dhe çfarë mendon për zgjedhjet e ardhshme.
Profesor, kanë kaluar më shumë se dy dekada që në Shqipëri është rrëzuar komunizmi dhe erdhi në fuqi sistemi shumë partiak. A është kjo Shqipëria që ju kishit në parafytyrimin tuaj në atë periudhë kur u nisët me të tjerët për të rrëzuar diktaturën?
Përgjigja e shkurtër është, jo! Ky nuk është shteti shqiptar që kam ëndërruar që të ndërtohet në atë kapërcyell historik. Ky është një shtet i përçudnuar dhe jo një shtet normal. Ky shtet është një kazino, ku jeta nuk ka vlerë, ku gjithçka shitet e blihet dhe ku nderi e ka një çmim. Ky është vendi ku vidhet e përvetësohet prona e gjaku i tjetërkujt, ku ligji është Maliqi, ku marrëzia kolektive vishet me argumente katundareske dhe shitet si mençuri popullore. Ekonomia është në duart e pak oligarkëve, politika kontrollohet nga klanet mafioze, administrata është e korruptuar, sistemet e edukimit, të shëndetësisë e të shërbimeve janë piramida financiare dhe thjesht shërbejnë për pasurimin e pjesëarëve të klaneve të parisë në fushat që ata i kontrollojnë. Shoqëria është e kriminalizuar dhe e përçarë deri në atomizimin familjar e më keq. Këtu shiten edhe fëmijët, edhe organet, këtu janë të gatshëm me të shitë edhe hijet. Në planin politik, nuk ka asnjë shpresë për të ardhmen, asnjë plan afatgjatë pozitiv, asnjë sistem vlerash ideologjike që mund t’iu shërbejnë shqiptarëve. Qeveria di me marrë para borxh për klanet e veta dhe argumenti është se do të rrisë mirëqenien! Fragmentarizmi dhe polarizimi klasor e shoqëror ka shkuar në ekstrem. Ky është një vend që është përfshirë nga një krizë e thellë dhe e gjithanshme, por që as paria e as populli nuk duan ta shohin e ta pranojnë të vërtetën e krizës ku gjinden dhe iu gëzohen tortave me shegë që shkelen më këmbë e flamujve që valëviten kur haptazi po shitet deti, toka, ajri dhe bile e ardhmja e të gjithë shqiptarëve. Këtu jetohet me frikë për të nesërmen dhe njerëzit konformohen lehtësisht për bukën e gojës. Mashtrimi përmes propagandës mediatike është i paparë, ani pse ajo që thuhet është krejt e kundërta e realitetit.
Kjo po ndodh ndërsa paria e Tiranës, e zvetënuar dhe e kriminalizuar deri në palcë, nuk ndalet në rrugën e krimit, të pasurimit e të zdërhalljes morale. Kjo ndodh kur populli e ka humbur toruan dhe është pa shpresë. Kjo ndodh kur më në fund u bë e qartë se nuk jemi e nuk do të jemi pjesë e një projekti të mirëfilltë evropian sepse parisë nuk i intereson më një gjë e tillë. kjo ndodh, kur vendi është duke u blerë në heshtje. Kjo ndodh kur kemi një borxh që nuk do të mund ta paguajmë sepse nuk kemi as industri, as ekonomi, as bujqësi, as një sistem ekonomik që prodhon. Shansi historik që patëm për të ndërtuar një shtet-komb normal me një shoqëri normale, me njerëz që jetojnë jetë normale është humbur në këtë eksperiment gjigant shoqëror që është tranzicioni i dështuar.
Përgjigja në lidhje me shtetin që unë kam ëndërruar është që shteti, të cilin unë kam dëshiruar që të ndërtohej në atë kohë, në kapërcyell të viteve 1990-1991, duhej të ishte ndryshe. Synimi jonë ka qenë që ta bëjmë shtetin shqiptar si gjithë Europa Perëndimore. Por, natyrisht që edhe atëherë nivelet e ndërgjegjësimit të studentëve të Lëvizjes Studentore për Europën e për çka ajo përfaqësonte kanë qenë të ndryshme, siç edhe e tregon rruga që morën shumë nga pjesëmarrësit më vonë. Në një farë mënyrë gjithkush kërkonte “Europën” e tij. Unë mund të flas për veten time e për ata që kanë menduar si shokët e mi. Me “Europën” unë kam nënkuptuar një shtet-komb modern, me një shoqëri moderne të ndërtuar mbi ekuilibra të qëndrueshme shoqërore, me një ekonomi tregu të institucionalizuar, me një sistem politik demokratik dhe përfaqësues, me një shoqëri civile efektive, me mundësi zhvillimi e begatimi për të gjithë shqiptarët e minoritetet, dhe një përdorim sa më të mirë dhe efikas të të gjithë burimeve që kishim në disponim, në të mirë të të gjithë shoqërisë shqiptare.
Për fat të mirë në materialet e mia të asaj kohe është e ruajtur qartë analiza që unë i kam bërë vendit dhe shoqërisë së asaj kohe. 22 vjet më vonë, asaj analize nuk i lëviz asnjë presje. Unë e kam ditur çka kam dashur të arrij dhe kam qenë i patundur në ato bindje siç edhe jam edhe sot. Ai shtet duhej të ishte një shtet-komb i shqiptarëve, me të drejta të plota për të gjithë pakicat, me një sistem politik demokratik e shumëpartiak në të cilin partitë dhe politikanët të diskutonin se cila duhej të ishte rruga më e mirë për t’iu shërbyer shtetasve dhe interesit kombëtar, por në të cilën interesi kombëtar nuk do të vihej në diskutim. Shteti ligjor, që unë kam ëndërruar asokohe duhej të kishte një ekonomi tregu por me kontrolle të forta shtetërore dhe në shërbim të kombit. Ai duhej të ishte një shtet që e respekton pasurinë private, por edhe që iu kërkon shtetasve që të respektojnë detyrimet që të gjithë duhet të kenë ndaj shtetit. Shteti që unë kam ëndërruar duhej të ishte një shtet që nuk diskriminon qytetarët e vet, dhe në të cilin dënohet e keqja shoqërore, por jo bindjet politike apo mendimi ndryshe. Shteti që unë kam ëndërruar duhej të ishte një shtet me një administratë të pa korruptuar, me zyrtarë që i binden ligjit, që mbron nderin e dinjitetin e shtetasve të vet dhe që ndjek politika që i ndihmojnë njerëzit që të kenë dinjitetin e duhur, edukimin dhe shërbimet e duhura mjekësore, arsimore dhe pensionale, gjithnjë brenda mundësive që kemi. Shteti që unë kam ëndërruar duhej t’i tejkalonte ndasitë tradicionale dhe të vinte themelet për një shoqëri bashkëkohore shqiptare, që të garantonte begatinë, lumturinë dhe ardhmërinë e kombit shqiptar.
Në një intervistë të asaj kohe pata thënë se me gjithë mangësitë, koha ishe për një fillim të ri dhe se ne “nuk duhet të përsërisim gabimet e demokracive perëndimore”. Ajo që ka ndodhur është se për hir të një jetese materiale çdo gjë e mirë dhe me vlerë u hodh poshtë. Tashmë, kësaj here, është krijuar një pari sunduese e cila e ka kthyer shtetin shqiptar në një diktaturë të një oligarkie klanesh e trustesh kriminale si Trusti i Gështenjave të Tropojës që kanë vetëm e vetëm një synim: zhvatjen e rrjepjen e pasurisë kombëtare dhe çnjerëzimin e shqiptarëve si komb e si qytetarë. Pra, do të thosha shkurtimisht se kjo gjendje është shumë afër asaj që nuk duhej të ndodhte, kjo është pikërisht ajo gjendje që duhej të shmangej. Kështu si janë nisur punët do të shkojë edhe më keq. E keqja nuk ka fund, por do të bëhet më keq thjesht sepse kështu i intereson parisë sunduese dhe sepse populli, që nuk është i informuar si duhet, po bën zgjedhjet e gabuara.
Në Shqipëri ka shumë të rinj të cilët këtë herë do të votojnë përherë të parë. Ditën që kanë lindur në krye të shtetit ka qenë Sali Berisha, dhe sot është po ai. Si e shihni rolin e kryeministrit Berisha në 20 vitet e fundit, si dominues i zhvillimeve politike dhe diktues i një kursi konfliktual për shoqërinë shqiptare?
Por ka edhe më keq: këta të rinj do të votojnë për të njëjtën pari që ka qenë në krye të shtetit shqiptar kur ke lindur edhe ti edhe unë. Këta sundimtarë që kemi janë të gjithë pjellë e parisë, që ka riprodhuar vetveten, kësaj here e shtuar me pjesëtarët e inteligjencies së dikurshme. kryeministri Sali Berisha është figurë qendrore e politikës shqiptare dhe do të jetë në politikë edhe për aq kohë sa ka jetë. Gjithsesi, pasojat e veprimtarisë së tij politike do t’i ndjejmë për shumë vite. Roli i tij është shumë kompleks, sepse në momente të caktuara Sali Berisha ka luajtur rol pozitiv, dhe kjo nuk duhet të mohohet, përkundrazi duhet të shihet si pjesë e trashëgimisë së një politikani shumë të aftë, tejet inteligjent, me aftësi të mëdha mobilizuese dhe karizmatik. Por, në përgjithësi e në vazhdimësi, Sali Berisha ka përgjegjësi të jashtëzakonshme e të dorës së parë për dështimin e tranzicionit, për shkatërrimin e ekonomisë, për kriminalizimin e shoqërisë, për shitjen e hapur të shtetit të huajve, për tradhëtimin e çështjes kombëtare, dhe futjen ne një hulli aspak shpresëdhënëse të problemit shqiptar, për katundarizimin e skajshëm të politikës dhe të diskursit politik, e me radhë. Nuk ka det që e lan Sali Berishën nga krimet që ai ka kryer ndaj shqiptarëve.
shpjegimi për këtë sjellje të tij është se ai po përpiqet që të mbijetojë në politikë, edhe pse loja në të cilën gjendet i është imponuar nga kundërshtarët dhe nga rrethanat. Gjithsesi, zgjidhjet kanë qënë të tijat e vetëm të tijat. Po ashtu, Sali Berisha nuk është i njëjti politikan që ka qenë një kohë dhe nuk është aq sundues sa duket. Për shumë vite përpjekja e tij ka qenë thjesht me mbijetue. Shumë shpejt, ai do të jetë prapë në të njëjtën gjendje. Në këtë përpjekje ai ka bërë kompromise të panumërta deri sa ka arritur në këtë pikë në të cilën duhet të luftojë shumë për të mbrojtur familjen e vet, dhe politikisht, edhe interesat e Trustit në krye të të cilit është. Ai mund ta mbajë masën e mbështetësve të vet bashkë vetëm me një demagogji të shfrenuar.
Por, të rinjtë që janë rritur e janë maturuar gjatë këtyre viteve të tranzicionit nuk janë një grup kompakt që ndjekin një politikan apo një tjetër. Edhe pse fushatat e pranimit në parti behën me shumë zhurmë e bujë, masa më e madhe e të rinjve shqiptarë e sheh politikën e ditës me cinizëm dhe pa shpresë. Zgjidhja që bëhet është thjesht pragmatike dhe e momentit. Mosbesimi i rinisë në strukturat partiake është i prekshëm në nivelin ideologjik. Rinia i bashkëngjitet një strukture politike vetëm kur ajo të jep shpresë, qëllim e jetë për të ardhmen. E në rastin e parisë së Tiranës strukturat politike janë të zhveshura nga ideologjia dhe ligjërimi politik është tejet abraziv dhe i mbushur me sulme të ultë e personale që të bëjnë me vjellë. Prandaj edhe të rinjtë po i drejtohen fesë, si dhe ideologjive si nacionalizmi apo marksizmi. Sa kohë që PD është në pushtet, Sali Berisha do të duket shumë i fortë, por forcën e vërtetë dhe këtë lidhjen me rininë do ta shohim kur të ikin nga pushteti.
Profesor cilat janë njohjet tuaja me Edi Ramën dhe a mendoni se është në gjendje për të drejtuar vendin si kryeministër?
Kjo pyetje meriton një përgjigje idiosinkratike, dmth dy përgjigje që janë të lidhura por, prapë, të kundërta e përjashtuese me njëra-tjetrën. Nga një anë, unë e kam njohur Edi Ramën kur ka qenë një nga të rinjtë më të frymëzuar dhe me shpirt të lirë, piktor modern, demokrat me shpirt dhe disident i vërtetë i brezit të vet. Ashtu si Sali Berisha, edhe Edi Rama është protagonist i padiskutueshëm dhe i dorës së parë i ndryshimit të sistemit në vitet 1990-1991. Por Edi Rama është nga të parët që u shkëput me vetëdije nga familja e nga shtresa së cilës i përkiste. Vendin e tij në historinë e asaj periudhe Edi Rama e ka fituar me veprimtarinë e tij dhe për atë veprimtari të tijën unë kam shumë respekt dhe do ta ruaj atë respekt pa mëdyshjen më të vogël. Edi Rama ka qenë njeri i veçantë dhe karizmatik, jokonformist, një njeri që e kanë dashur dhe ndjekur njerëzit dhe studentët e tij në Institutin e Arteve dhe më gjerë. Figura e tij e asaj kohe është e papërsëritshme.
Pjesa tjetër e përgjigjes është se, tashmë, Edi Rama është një politikan i rrahur me vaj e me uthull në rrugën e kompromiseve të pafundme dhe tejet të ngarkuara moralisht. Edi Rama është kryetar i tanishëm i PS-së, një strukturë që ka përgjegjësi të mëdha historike për dështimin e tranzicionit dhe për shumë krime të kryera gjatë qeverisjes së saj. Disidenti i dikurshëm ka bërë kompromiset e duhura për të arritur në këtë pikë, por ai nuk është më ai që ka qenë dhe rrugës ka mbledhur shumë përgjegjësira që nuk i shmang dot. Për këtë anë të tijën ia vlen të diskutohet sepse ky është Edi Rama që sot është në politikë dhe ky është ai që do të bëhet vetë ose do të caktojë kryeministrin e ardhshëm. Është interesante të vihet në dukje se ai ka mbledhur rreth vetes një grup të rinjsh që duken të përkushtuar në veprimtarinë politike dhe që përdorin teknika moderne komunikimi e që kanë një mendësi ndryshe nga baza tradicionale e PS-së.
Natyrisht që ai mund ta drejtojë shtetin si kryeministër. Ai arriti të drejtojë Tiranën për disa mandate dhe Tirana është më shumë se një e treta e shtetit shqiptar. Mirëpo, ajo që ka rëndësi është se çfarë do të bëjë po u bë kryeministër. D.m.th varet se si do ta drejtojë shtetin, në interes të kujt do të punojë, çfarë rrugëzgjidhjesh do t’iu japë problemeve akute dhe cfarë vlerash ideologjike do të adoptojë si udhërrëfyese në punën e tij. E shkuara e dikujt nuk është kurrë garanci as për të sotmen dhe as për të ardhmen. E shkuara e dikujt nuk është as provë për pamundësinë e ndryshimit të dikujt në të ardhmen. Gjithsesi, mendimi i im është që klanet që e kontrollojnë PS-në të drejtuara nga Gramoz Ruci e të tjerë, kanë interesa që Edi Rama të mos e prekë status quo-në. Prandaj, edhe po u bë kryeministër, ai do të duhet që të mbrojë interesat e këtyre klaneve, të cilat as nuk kanë qenë e nuk janë interesat e shqiptarëve.
Në Shqipëri së fundmi nga e djathta kanë dalë dy parti politike që drejtohen nga Bamir Topi dhe Kreshnik Spahiu. Si e shikoni rolin e tyre në të djathtë dhe a do të mund të fitojnë besimin e elektoratit të djathtë?
Nacionalizmi është një ideologji që shihet si e djathtë kur shihet nga një këndvështrim ekstrem kolektivist-marksist. Mirëpo nacionalizmi është një ideologji që është jashtë këtij spektrit “e majtë – e djathtë.” Për më tepër, në shtetin shqiptar, këto terma “e djathtë” apo “e majtë” nuk kanë kuptim. Kështu si janë organizuar partitë kryesore si PD, PS apo LSI janë koalicione klanesh dhe iu mungon ideologjia e duhur. Mendoj se identifikimi i këtyre forcave si “partia e Topit” dhe “partia e Spahiut” dhe trajtimi i tyre si reparte private të disa individëve është i gabuar. Një parti politike mbahet bashkë ose me një sistem ideologjik vlerash të qartë, ose duke luftuar me një kundërshtar që ka një sistem të tillë vlerash. FRD dhe AK do të jenë forca politike shpresëdhënëse, nëse ofrojnë zgjidhje të qarta në lidhje me rrugën që duhet të ndiqet. Nëse Bamir Topi është një figurë shumë e respektuar në Tiranë, partia e re FRD duhet të tejkalojë Tiranën dhe të shkojë tek demokratët e militantët e zhgënjyer në të gjithë vendin dhe t’i bindë ata se votën e tyre duhet t’ia japin FDR-së. Por kjo kërkon një impenjim të jashtëzakonshëm nga ana e udhëheqësisë së kësaj partie. FRD i ka të gjithë mundësitë për të marrë shumë mbështetje nga elektorati që tradicionalisht ka mbështetur PD-në por duhet parë se cfarë do të bëjnë drejtuesit e saj.
AK është një parti e një tipi tjetër dhe qartësisht ideologjike. Pavarësisht se AK identifikohet me figurën e Kreshnik Spahiut, ideologjia që ka përqafuar kjo parti, dhe që ka mbështetje të thellë në të gjithë trojet shqiptare, është nacionalizmi apo kombëtarizimi. AK do të marrë elektorat nga të dy palët e politikës shqiptare por vetëm nëse AK, si parti e re, synon që të rrijë edhe jashtë Kuvendit dhe kështu provon se nacionalizmi nuk është mjeti por qëllimi. AK duhet të tregojë se shkon përtej sloganeve nacionaliste por se është një parti që synon normalizimin e shoqërisë si një bashkësi me identitet të qartë kombëtar, vendosjen e ekuilibrave të duhura shoqërore, dhe ndërtimin e strukturave shtetërore që i kontribuojnë ruajtjes e kultivimit të vlerave morale. Kjo arrihet përmes zbatimit të një projekti shoqëror që i zgjidh problemet e shumta që janë të dallueshme nga gjithkush. Zgjidhja vjen duke i eliminuar tepritë e deritanishme por edhe duke krijuar mundësi të reja që do të jenë në të mirën e përgjithshme. Ky projekt duhet paraqitur e vënë në jetë nga ana e AK në mënyrë metodike, duke mbajtur parasysh kushtet specifike shqiptare, dallueshmëritë kulturore të popullit tonë, mundësitë tona ekonomike, burimet njerëzore dhe interesit jetike kombëtare. Gjithashtu, për shkak të rëndësisë së dorës së parë që do të kenë në këto procese, duhet që të mbahet parasysh edhe roli dhe vendi i interesave të huaja që janë të pranishme si aleatë strategjikë, por edhe mundësitë e shtet-kombeve fqinje që kanë minoritetet e tyre në shtetin shqiptar. Do të ketë kundërshtime nga të gjitha anët, shpesh nuk do të mbërrihet synimi i dëshirueshëm, por duhet që të bëhet më e mira që mund të bëhet.
Që kjo rrugë e AK të jetë e suksesshme, ka nevojë për një projekt nga ana e AK që parasheh një rindërtim të menduar mirë të strukturave e të institucioneve shtetërore, për një afirmim të vlerave e të identitetit, për një përparësi të interesit shtetëror e kombëtar, dhe të vënies së interesave të bashkësisë mbi interesat personale të parisë. AK duhet të ofrojë një projekt të tillë politik që tregon qartë se cila është rruga e ndërtimit të shtetit kombëtar, e stabilizimit të sistemit demokratik dhe e strukturave partiake. AK duhet të tregojë se si mund të arrihet vendosja e një ekonomie tregu të institucionalizuar në shërbim të interesit kombëtar, e një administrate që zbaton ligjin, dhe e kultivimit të një shoqërie civile shekullare që kontribuon aktivisht në jetën publike. AK duhet të bindë shqiptarët se kjo është rruga e zhvillimit dhe e të lulëzimit të vlerave morale që duhen për të kultivuar një shoqëri të shëndoshë, të begatë dhe bashkëkohore. Më në fund, por më e rëndësishmja, AK duhet të ofrojë një shpjegues se si mund e se si duhet të arrihet njësimi kombëtar, se si duhet bërë formësimi i ndërgjegjes kombëtare, d.m.th një identitet i përbashkët i shtetasve. Vetëm ajo parti e re që ka këtë qartësi politike, që pranon edhe të humbë zgjedhjet, por që synon ndërrimin e mendësisë së popullit dhe kthimin e vlerave morale e kombëtare në politikë, që i përmbush këto kushte dhe që ofron këtë program do të ishte një parti shpresëdhënëse.
Mendoni se vendi do të ketë rotacion politik?
Po. Mendoj se PS do të jetë forcë kryesore në zgjedhjet e 2013. Mirëpo, dyshoj se do të ndërrohen drejtuesit por jo rruga në të cilën po ecim. Dalja e forcave te reja si AK e FRD ka krijuar një gjendje problematike për PD-në. Qeverisja ka qenë shumë problematike dhe zhgënjyese për popullin por edhe për shumë nga militantët e PD-së që tashmë janë mënjanuar apo larguar nga PD. Vendi është në krizë të thellë morale dhe ekonomike dhe kjo gjendje sjell gjithnjë një pakënaqësi të madhe të elektoratit me partinë që drejton vendin. Afaristët janë të pakënaqur, industri të tëra, si ajo e ndërtimit, apo e turizmit, janë paralizuar. Papunësia është e shtuar dhe njerëzit ndjehen shumë të pasigurt. Shteti nuk ka më para, nuk mund të marrë më borxhe, përveçse me kamatë të lartë, dhe kjo gjendje do të vijë duke u përkeqësuar në muajt e ardhshëm.
Mendimi im është se koalicioni që do të dalë fitues në vitin 2013 do të jetë me përqindje midis tre a më shumë palëve të parisë dhe do të ketë në përbërje LSI-në. Mirëpo, për shkak të krizës së thellë, koalicioni qeverisës i PS-së duhet të jetë një qeveri me bazë të gjerë, për të përballuar “krizën globale” dhe efektet e saj në Tiranë. Kështu që, edhe PD i ka shanset që të jetë pjesë e një qeverie të ardhshme teknike të parisë. Kjo qeveri do të vijë si pasojë e përpjekjes së parisë për të paraqitur një front të bashkuar dhe për të thënë se lufton kundër krizës ekonomike që tashmë e ka përfshirë edhe shtetin shqiptar. Shkurt, mendoj se do të ketë rotacion, por do të ketë mundësi për një qeveri të shpëtimit kombëtar me bazë të gjere e me objektivin e përbashkët të përballimit të krizës.
Sa herë ka zgjedhje në Shqipëri, apeli i ndërkombëtarëve është i njëjte “bëni zgjedhje të lira dhe të ndershme”, pse nuk është në gjendje vendi ynë për të pasur një proces elektoral me standarde?
Nuk mundet e nuk pritet që të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme në shtetin shqiptar. Gjithçka është ndërtuar mbrapsht dhe e paramenduar që t’iu shërbejë dy klaneve kryesore të parisë sunduese. Nga një anë paria ka mirëkuptim dhe ajo e arrin konsensusin kur i intereson asaj. Si shembuj të qartë të konsensusit do të përmendja miratimin e kodit zgjedhor, pranimin e vendimit të KQZ mbas zgjedhjeve lokale në Tiranë e me radhë. Mirëpo ky konsensus bëhet për të arritur marrëveshje që mbysin demokracinë, që legjitimojnë vjedhjen e votave është shenja më e qartë e oligarkisë. Sot, Shqipëria sundohet nga një pari oligarkike dhe është një oligarki e pastër. Në shtetin shqiptar, një grusht shumë i vogël klanesh mafioze kontrollojnë ekonominë, shtetin, dhe vlerat shoqërore. Kur nuk iu intereson përfundimi i zgjedhjeve, ose kur prishen pazaret, paria nuk mendohet dy here për t’iu kundërvënë votës së popullit. Oligarkia shqiptare funksionon në këtë mënyrë. Klanet që i mbajnë politikanët në lojë, dhe që kanë investuar e investojnë shumëçka tek partitë e parisë, nuk mund të pranojnë të humbin zgjedhjet. Prandaj edhe gjithnjë përfundojmë duke i vjedhur rezultatet.
Si e shikoni rolin e SHBA-së në raport me Shqipërinë?
Në lidhje me disa nga shtetet ku jetojnë shqiptarët, interesat e SHBA janë jetike dhe të lidhura me interesin vital kombëtar të SHBA. Marrëdhëniet ndërshtetërore janë afatgjata, të konsoliduar dhe të mbështetura në struktura e marrëveshje funksionale dhe që mbulojnë shumë fusha të veprimtarisë së shtetit dhe të shoqërisë. Shkurt, SHBA janë aleati kryesor strategjik, kryesisht në fushën politiko-ushtarake i shtetit shqiptar, dhe populli shqiptar i konsideron si të tillë pa mëdyshje. Ky rol nuk do të ndryshojë për shumë kohë sepse tashme jemi pjese e pazgjidhshme e rrjetit te aleancave në nivel ndërkombëtar. Ajo që duhet kuptuar mirë është se më poshtë këtij niveli të politikës ndërkombëtare, nuk duhet të presim që çdo këshillë se si të veprojmë të na vijë nga SHBA. Ne, shqiptarëve, na duhet që të ndërtojmë vetë një shoqëri normale moderne sipas traditave, interesave dhe kulturës së popullit tonë. SHBA mund të na inkurajojnë të veprojmë në këtë drejtim, por përfundimisht problemet tona duhet t’i zgjidhim ne vetë. I zoti e nxjerr gomarin nga balta. Duke respektuar marrëveshjet e bëra, vullnetin e popullit, dhe strukturat politiko-ushtarake në të cilat jemi pjesë, politikanët dhe shoqëria qytetare në shtetin shqiptar nuk duhet të harrojnë përgjegjësinë kryesore që kanë para popullit të tyre shqiptar e pakicave, d.m.th që ata duhet të punojnë që të ndërtojnë një shoqëri të begatë, të sigurt, me vlera kombëtare e njerëzore bashkëkohore. Kjo duhet të bëhet me një vetëdije të qartë për rolin e shtetit dhe të sistemeve të edukimit, të shëndetësisë e të shërbimeve në një shoqëri normale. Kjo është edhe ajo që treshja e aleatëve tanë jetikë: SHBA në fushën politiko-ushtarake, BE në fushën ekonomike-shoqërore, dhe Turqia në nivelin e aleancave rajonale-tradicionale, pret prej shqiptarëve. Ne mund të jemi një shtet i vogël, por po të kemi një ekonomi, shoqëri e sistem politik të shëndoshë të mbështetur në identitetin e duhur, vlera e jonë në çdo marrëdhënie me SHBA do të jetë shumë më e lartë dhe vendi që do të kemi shumë më i respektuar. Gjithsesi, lidhjet e shqiptarëve me SHBA janë shumëplanëshe, të forta, të konsoliduar, dhe të kultivuara edhe nga prania e mbi 500 mijë shqiptarëve nga të gjithë trojet amtare që jetojnë në SHBA, e që janë krenarë që janë shqiptarë por edhe amerikanë dhe që i kontribuojnë kaq shumë ekonomive, kulturës, e vlerave të çmueshme kombëtare në trojet shqiptare.
sot faqja e pare e persosur, te ben ta lexosh