Brenda shtetit paralel të Berishës

anazapta

Çuditërisht , lajmi se shefi i shërbimit sekret shqiptar, me një emër gjysmë malazes, Visho Ajazi-Lika, ka urdhëruar përmes njeriut të tij të afërt, përgjimin në bllok të drejtuesve të lartë të policisë së shtetit, pasi kishte një jehonë fare të shkurtër, duket se tashmë po i lë vendin harresës , si shumë gjëra të tjera në vendin tonë. Zbulimi i bërë rastësisht, i publikuar fort në disa media dhe i heshtur, po fort, në disa të tjera, zgjoi edhe një herë “mërinë” e shefit të komisionit parlamentar për sigurinë, Spartak Braho, pastaj disa deklarata të tipit kaubojs, se nuk ka burrë nëne që më përgjon mua, një fillesë mbledhje marionetë, e cila zgjati aq pak sa nuk duket të ketë filluar. Një ngjarje e tillë, në çdo vend të botës së qytetëruar, pa asnjë dyshim do të kishte ngritur një furtunë të vërtetë politike dhe institucionale, e cila do të kishte shkuar deri në ndryshime të domosdoshme të ligjeve themeltare të shtetit.

Në Shqipëri ndodhi e kundërta. Opozita , e cila si edhe herë të tjera, qëndroi pas kësaj “ndodhie”, heshti, ndërsa shumica qeverisëse, pasi i përveshi mëngët pak çaste, tani po i ul ato dhe po bëhet gati të jetë edhe një kalesë tjetër, si shumë të tjera që mund të ndodhin në qeverisjen socialiste. Në krahasim me të, pra me këtë ekip qeverisës dhe strukturat e saj, nëse kjo do të kishte ndodhur në inversin e saj, pra nëse një shef i shërbimit sekret i emëruar nga socialistët, do të kishte marrë guximin për të përgjuar funksionarët e lartë të policisë së shtetit, vendi do të ndodhej para një stuhie politike e juridike, dhe, megjithëse do e kishin ditur shumë njerëz se mllefi i tyre shkon përtej së drejtës, do të kishin miratuar atë.

 
Një rrethim i ngritur me durim

Prej kohe në strukturat e larta të shtetit është ngritur kjo fantomë e rezistencës ndaj qeverisjes së re: jo si shenjë e ruajtjes së mëvetësisë së tyre; jo si shenjë rebelimi për të mbrojtur kauzën e demokracisë; por thjeshtë si një “shkak lufte”, si përpjekje për të hedhur në erë gjithë çka mund të ndërtohet, gjithë çka mund të synohet, për të ngritur forcat e errëta të mitingashëve kundër saj, për të gjetur e sajuar më shumë prova e alibi kundër kësaj qeverisje dhe njerëzve të saj, për t’i përdorur të gjitha, së bashku e veç e veç; si mjete për rrëzimin e qeverisë. Kjo që ndodhi me Visho Ajazi-Likën është më e dukshmja, ajo që është kapur rastësisht, ajo që dihet tashmë, por ajo e gjitha vetëm është një majë e vockël e ajsbergut berishian, i cili, Berisha, punoi me durim të jashtëzakonshëm, por edhe vendosmërisht, për të ngritur këtë bina rrënuese të institucioneve të shtetit, sidomos të atyre që fshihen pas mëvetësisë institucionale. Nëse Visho Ajazi dhe institucioni i tij është i pavarur nga qeveria e sotme, atëherë nga kush varet ai…kush është në të vërtetë urdhërdhënësi i tij, jo vetëm për këtë maskaradë juridike e politike njëkohësisht, por edhe për ngritjen e një strukture të ngjashme me vitin famëkeq 1997 dhe njerëzit e saj. Nëse ai vërtet mendon se është i pavarur, kjo nuk do të thotë se është i pavarur për të minuar themelet e shtetit dhe për t’i vënë tritolin politik atij. Nëse ai mendon se ligji nuk lejon që të ketë trysni në punën e tij, askush nuk e lejon që ai të bëjë trysni mbi shtetin, të vendoset mbi shtetin, si ndodhi në vitet famëkëqija 1945/1948, kur sigurimi i shtetit vendosej mbi shtetin. Nëse ai mendon se ka një zot , që është sot për sot, jashtë strukturave shtetëtore, atëherë i duhet treguar ligjërisht se koha e tij ka shkuar dhe nëse ai ,Visho, mendon se mund ta kthejë përmes përgjimeve, informacioneve dhe ndjekjeve, ai nuk duhet të jetë më subjekt i ligjit, por objekt i tij. Për ndodhi më të pakta se kjo, në shumë vende , është shkuar pa asnjë mëdyshje drejt ndryshimeve radikale, dhe detyra e komisionit parlamentar për sigurinë, nuk është në deklarimet vetjake se, nuk ka burrë nëne që më përgjon mua”, kur në të vërtetë ai është përgjuar me zë dhe me figurë, por të gjejë rrugën ligjore për eleminimin e kësaj strukture ligjore, ngritjen e një tjetre, që edhe ata mund t’i penalizojë në të ardhmen, por që do të jetë në dobi të shtetit të së drejtës. Cili nga shqiptarët, intelektualë, gazetarë, shkencëtarë, opozitarë ose pushtetarë, diplomatë të huaj ose vendas, mund të jetë i sigurt se në Shqipëri, pa asnjë lloj urdhri ligjor, por sipas tekave të Ajazit Visho, nuk përgjohet, nuk survejohet, nuk regjistrohet dhe nuk ndryshohet përgjimi ndaj tij në dëm ose në dobi të interesave të caktuara? Kush mund të thotë se ndërkohë, që më përpara zgjedhjeve të qershorit, nuk janë përgjuar lideri i opozitës së atëhershme dhe sot shefi i qeverisë, ministrat e sotëm, gazetarë, analistë, botues, të cilët cilësoheshin si të rrezikshëm nga ish shefi i qeverisë, dhe që sot qëndron pas gjithçkaje të mbrapshtë që ndodh në Shqipëri.

 

Presidenti si shef i Vishos

A nuk është koha që gjithçka të fillojë nga shefi ‘de jure’ i Visho Ajazit, presidenti i shtetit dhe të pyetet hapur: ke qenë zotëri në dijeni të aktit të Ajazit dhe shërbimit të tij? Keni qenë ose jo në dijeni në ndodhive të tjera të ngjashme, të cilat janë në fakt një grusht shteti brenda institucioneve të shtetit? Keni ju pjesë të informacioneve që ka mbledhur Ajazi Visho për drejtuesit e lartë të policisë, dhe nëse i keni, kujt ia keni përcjellë? Presidenti i vendit nuk është jashtë ligjeve të këtij vendi, dhe turri i presionit që bën ai mbi shtetin e tij, se po i linçojnë politikisht, nuk është e nuk mund të jetë një alibi për shkeljen e ligjeve dhe për lejimin e gushtit të shtetit brenda institucioneve shtetërore që varen prej tij. Zoti Nishani, mori “nishan” një vendim të parlamentit për shkarkimin e zonjës Zana Xhuka nga vendi që kishte në posedim. E drejtë e tij të ankohet. Por nuk e ngriti zërin ndaj një veprimi tejet antikushtetues dhe me të dhëna konkrete puçiste të zotit Ajazi…dhe duke qenë se për dy ngjarje ai ka dy masa të ndryshme, njëra prej tyre duhet të jetë e vërtetë. Për zonjën Xhuka ai do të duhej të ishte me dy duart pro largimit të saj, jo vetëm se ishte një njeri thellësisht politik, por sepse nuk bëri asgjë, duke ngritur një pengesë të jashtëzakonshme në luftën kundër korrupsionit.

Personalisht unë e kam pritur se mund të ndodhte një gjë e tillë. E kam ditur gjithmonë se presioni i përditshëm, totalitar, i gjithkundshëm dhe i përditshëm i PD-së dhe i Berishës , ka për t’i tulatur ata. Edhe më parë, kur ata kanë qenë në pushtet në kushte më të durueshme për të përballuar presionin politik të opozitës së sotme, sidomos pas vitit 1997, toleranca, që shkonte drejt tulatjes, ka qenë e dukshme në veprimin e saj. Ajo, edhe sot, akuzohet nga opozita, pikërisht për atë që nuk e ka, intolerancën, për të hequr prej saj çdo gjurmë të ndëshkimit të një veprimtarie që shpesh herë arrin deri në krim, si është rasti i Ajazit Visho. Çdo kush e mban mend publikimin para thënie të një skandali të njëllojtë si ky i sotmi, përgjimin nga shërbimi sekret i ushtrisë i liderëve politikë të opozitës, të diplomatëve të huaj. U thanë shumë gjëra, edhe për pajisjet e posaçme që ishin blerë dhe unë e besoj se kjo ka ndodhur. Opozita e sotme u tërbua asaj kohe dhe me siguri që mori shumë masa të fshihte gjurmët e krimit të saj. Tani, kur kanë kaluar disa muaj, dhe në drejtimin e kësaj ministrie janë qeveritarët socialistë, ka ardhur koha e përgjigjeve të sakta, kishte apo jo përgjime politike, kush është përgjegjës dhe cili është ndëshkimi ligjor. Përgjigje nuk ka, ka vetëm heshtje, shpesh herë një heshtje e diktuar nga luhatja prej trysnisë politike të opozitës. Dhe kjo shkon deri tek gjërat e zakonshme, por që ishin shkak për një përplasje të madhe sot, por tepër më të ndjeshme nesër, sepse i është lënë hapur rruga mosndëshkimit dhe abuzimit njëkohsisht. Zonja Mimi Kodheli, ministre e Mbrojtjes dhe pa dyshim njëra nga përfaqësueset me të denja të qeverisë, deklaroi se Shtëpia Qendrore e Ushtrisë do i kthehet përsëri strukturave që i takonte, dhe këtë nuk e bëri vetëm në opozitë, por edhe pas zgjedhjeve të 23 qershorit, por pas fjalëve, nuk ndodhi asgjë, thjeshtë nga tulatja dhe droja se mund të ndodhnin trazira. Por kjo i hap rrugë një precedenti të rrezikshëm, mosbindjes ligjore dhe kjo i hap rrugët Visho Ajazit për të përgjuar edhe më tej, për të njohur si shef të qeverisë atë që e mori nga Kanadaja dhe e bëri drejtues, që i la rrugë për të ringjallur SHISH-in e vitit 1997 dhe për ta vënë atë mbi institucionet e shtetit.

 

Një shembull nga Kosova

E kam besuar se do të kishim një tulatje të qeverisë së sotme edhe nga ndodhi të mëparshme, njërën nga të cilat po e sjell si ilustrim të idesë sime. Në tremujorin e dytë të vitit 1998 , fillimisht vetëm në dukje, e pastaj, në muajt pasues, gjithnjë e më e dukshme, “qeveria Bukoshi” po ngrinte në Shqipëri një bastion ushtarak, i cili jo vetëm nuk ishte pjesë e luftës në Kosovë, por duke vegjetuar në pjesë të mëdha, jo larg Tiranës, ishte në kundërshtim me çdo ligj e normë juridike të një shteti të lirë. Strukturat e shtetit shqiptar ishin në dijeni se ajo forcë po armatosej gjithnjë e më shumë, se armët që shkonin drejt kësaj strukture nuk ishin pjesë e luftës dhe se përmes saj, mjerisht, mund të krijohej një front i brendshëm, si në rastin e Fikret Avdiqit në Bosnje. Të ndodhur para trysnisë së opozitës së Berishës, por edhe të trysnisë që vinte nga qarqe të Prishtinës, të cilat, po e trajtonin qeverisjen socialiste si një mbështetëse e një krahu luftarak të majtë, çka nuk ishte as në një të qindën e vërtetë, ajo kishte tulatje. Në fundin e muajit gusht 1998, nga burime brenda FARK-ut , na u bë i njohur Raporti Financiar,Tepër Sekret, i Ministrisë së Mbrojtjes së Bukoshit për periudhën 7 mars deri me 5 gusht 1998, dhe në kapitullin e parë, nënvizuar me të zeza është theksuar se “për armatimin e Njësive në Shqipëri janë ngritur gjithsejt këto mjete financiare në shumën prej 20 milionë e 955 mije marka gjermane”.

Raporti tepër Sekret, kopje e të cilit ndodhe ende në arkivën e UÇK-së, cilëson se “Me urdhrin nr.10,të datës 30.04.1998, të Kontos të quajtur 5000-500, nëpërmjet Bankës DB, me ndërmjetësues K.Balaj, i janë dorëzuar Ahmet Krasniqit 3 milionë e 200 mije marka. Me urdhrin nr.17-6, të datës 01.06.1998, nëpërmjet të njëjtës konto dhe të njëjtit ndërmjetës, i janë dorëzuar zotit Ahmet Krasniqi 1 milion marka, ndërsa tetë ditë më vonë, me datën 9 qershor, përsëri në të njëjtën rrugë, i janë dorëzuar, përmes urdhrit 18-6 edhe 3 milionë marka të tjera .Ndërsa në muajin korrik 1988, nëpërmjet urdhrave 21-7,22-7,23-724-7 dhe 25-7, saktësisht nga data 8 deri me 23 korrik 1998, i janë dorëzuar zotit Ahmet Krasniqit, po ashtu me ndërmjetës K.Balaj, 12 milionë e 600 mijë marka”.

Për më pak se 15 ditë të muajit gusht në fondin sekret të FARK-ut kalojnë rreth 13 milionë marka gjermane, në Shqipëri po ngrihet një strukturë ushtarake, jashtë çdo ligji e rendi. Ndërkohë, në Raportin Sekret të datës 5 gusht 1998, ka edhe një të dhënë që flet, “Formimi i Shtabit republikan të Mbrojtjes Territoriale tani për tani është vetëm në themelim e sipër dhe jo i plotësuar me organet e duhura, por po bën hapat e parë në angazhimin e kuadrove në terren…”.

Dhe vetëm kur kjo forcë e armatosur filloi të lëvizë si e tillë drejt veriut, pas përfundimit të luftës, shteti u kujtua se toleranca e tij kishte shkuar shumë larg. Sepse kjo forcë, shume lehtë, mund të kthehej edhe kundër saj. Nuk duhet harruar se shumat e mëdha të lëvizjes së parave janë bërë në muajin gusht, pak para grushtit të shtetit të shtatorit të këtij viti, dhe një ndër shenjat e dobësisë së shtetit së asaj kohe, ishte pikërisht toleranca që dëshmonte në mosndëshkueshmërinë e krimeve që kishin ndodhur, dhe në thyerjen e tij, të shtetit, para presionit të një opozite , e cila, megjithëse e shpartalluar, kishte të njëjtën strategji për dobësimin e shtetit. Atë që ka edhe sot.

Ngjarja e Visho Ajazit nuk është diçka që mund të përtypet lehtësisht. Ajo dëshmon se brenda institucioneve të shtetit, në ato që quhen të pavarura, në të vërtetë ka një varësi të pa tolerueshme, një varësi ndaj segmenteve që nuk kanë asnjë lidhje me funksionimin e sotëm të shtetit, por që duhet të jenë objekt i ndjekjes penale. Në të gjitha këto ditë të qeverisjes socialiste e meta themelore e saj është dobësia e saj; e cila është krejt ndryshe nga fjalët. Presioni që i vjen asaj , si nga opozita reale, ashtu edhe nga struktura që duhet të jenë në favor të forcimit të shtetit, por që kanë zgjedhur të jenë opozitare të qeverisë, qoftë edhe si pagesë për kapjen e tyre, nuk duhet të jetë i papërballueshëm, dhe nuk duhet fshehur pas frazave që nuk thonë asgjë. Nëse shkohet me konceptin e tolerimit në dëm të ligjit, në perceptimin e bashkëjetesës me opozitën si një shkak për lëshime politike të dëm të vendit; në se konceptohet se ruajtja e statukuosë është në dobi të vendit edhe kur gjërat bëhen kaq haptas, kjo do të sjellë riciklimin e ngjarjeve, të krijimit të një shteti brenda shtetit, të sajimit të një qeverie në hije si përfaqësuese e opozitës, dhe të lejimit të fajeve të së ardhmes.

Kjo qeveri nuk ka marrë votat e një milion shqiptarëve për të toleruar fajet, qofshin ato politike apo juridike. Ajo nuk është zgjedhur për të qëndruar në fjalët që ka thënë kur ishte vetë në opozitë, sepse i vjen një ditë, kur mitingashët e Berishës do i marshojnë rrugëve, dhe do e kenë me vete kurajën për të dhunuar, sepse fshihen pas tolerancës, që në këtë rast është vrasëse e besimit të kombit.

* * *

Dëshmia si Erdogani përdor shërbimin sekret dhe median në shërbim të familjes

Zbardhen fakte të reja të marrëdhënies së medias, shërbimit sekret dhe administratës shtetërore me familjen Erodgan në Turqi. Nga një përgjim që është nxjerrë dje në internet  nga profile në Twitter që janë në anën e opozitës së majtë, dëgjohet Kryeministri i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan dhe djali i tij, Bilal Erdogan tek flasin për masat që duhen marrë për minimizimin e kostos së aksionit kundër korrupsionit të 17 dhjetorit gjatë të cilit u arrestuan katër djem ministrash (kishte urdhër arrestimi edhe për djalin e Erdoganit) si edhe shumë të tjerë. Biseda ka ndodhur në datë 18 dhjetor 2013. Gjatë bisedës, Bilali, i cili dyshohet se administron të gjithë marrëdhënien e babait me bizneset, median dhe grupet e tjera të interesit, i tregon të atit masat që do të marrë media e drejtuar nga familja kundër aksionit.  Krahas kësaj, si pjesë të planit të reagimit ( i cili do të rezultojë më pas me shumë publikime të denoncuara në gjykatë si shpifje) të futet edhe shërbimi sekret turk, MIT.  Shkrimet e mëpasshme të gazetave dhe kronikat e TV-në në fjalë vërtetojnë bisedën pasi duke filluar nga data 18 dhjetor 2013, gazetat pro qeveritare kanë vazhduar të nxjerrin dokumente sekrete shtetërore, të dhëna nga shërbimi sekret.  Erdogan ka akuzuar mbështetësit e liderit fetar Fethullah Gulen si organizator të përgjimeve dhe aksionit anti-korrupsion, gjë të cilën këta të fundit e kanë mohuar kategorikisht. Madje, ditët e fundit kanë dalë përgjime të reja, të cilat tregojnë se përgjimet në fakt janë bërë nga struktura brenda institucioneve të sigurisë si Policia dhe shërbimi sekret që kanë qenë në shërbim të ushtrisë dhe Iranit. Edhe erdoganët e dinë kush i ka përgjuar, por i kanë kthyer bateritë kundër Gulen-it për të ruajtur bazën e partisë duke ditur se miliona turq udhëhiqen nga idetë e këtij predikuesi. Duke goditur atë, Erdogan synon të shpëtojë sa të mundet nga numri i votuesve që i përkasin pjesës së besimtarëve në Turqi.

Biseda e përgjuar

Bilal Erdogan: Babush, unë dhe Berati (Dhëndri. Është bërë së fundmi pronar i shumë medieve dhe ndikon tek shumë të tjera në Turqi) u ulëm pak dhe biseduam për këtë që ndodhi. Duhet të marrim masa, t’i bëjmë që të paguajnë. Këtyre (organizatorëve të menduar  të këtij aksioni) duhet t’u kthehet përgjigje. Do fillojmë të godasim nga koka.
Tajip Erdogan: Dihet si do të shkojë kjo punë, por Serhatët (dhëndri dhe vellai i dhëndrit me mbiemër Serhat, të bërë pronarë rishtazi të disa medieve në Turqi, gazetat “Sabah” dhe “Takvim” si edhe ATV) duhet  të na japin një mbështetje të madhe. Flisni edhe me shokët e tjerë (pronarët e Star TV dhe gazetës “Aksham” ).
Bilal Erdogan: Po, por do t’i shohësh titujt inshalla. Gazeta “Takvim” do dalë me kryeartikullin: “Lobi i predikuesve”, kurse gazeta “Sabah” do të dalë me: “Nuk ka kaseta, por ka dosje”.  Ata janë gati. Presin urdhrin tuaj. Do të fillojnë të godasin nga koka (shënjestra e erdoganëve është predikuesi  Fethullah Gulen ).
Tajip Erdogan: Në rregull, do të hedhim çfarë të na vijë.
Bilal Erdogan: Po por më thonë që duhet t’i ndihmojmë me ca material (të dhëna nga shërbimi sekret), MIT.
Tajip Erdogan: Do ta shohim.
Bilal Erdogan: Po, sepse ashtu ndryshojnë pak gjërat.
Tajip Erdogan: Ata (media e familjes)mund ta marrin më mirë vetë MATERIALIN.

Bilal Erdogan: Sigurisht, këta po, por po thosha sikur të punojë pak më shumë MIT-i  (shërbimi sekret) në këtë drejtim .
Tajip Erdogan: Do ta shohim dhe atë.

 

 

Share This Article
2 Comments
  • te heshtesh perpara ketij skandali paprecedent, do te thote se Qeveria Rama po i zhgenjen nje milion votat e shqiptareve qe e sollen ne pushtet.Nese do t’i ndodhte ndonje gje e tille ish kryeministrit te me parshem, ai do te bente namin e do ta ngrinte zerin, jo ne kupe te qiellit, por deri ne planetin Mars.Kjo Qeveri dhe keta ministra qe deklaruan para zgjedhjeve se do te vendosnin “shtetin ligjor”, ose kane frike, ose jane te “tredhur”, ose jane “xhaketat e kthyera” te atyre ministrave e qeveritareve qe populli i ndeshkoi me vote.Kujdes!Mos e mashtroni dhe genjeni popullin se Ai ju zbret perseri nga Froni.Mos nga zhgenje RILINDJE!Lufto korrupsionin dhe vendose shtetin ligjor aty ku i takon.Ende do te kemi frike nga mosndeshkueshmeria?Deri kur do te marrim fryme lirisht ne shqiptaret?
    Edhe nje here ju bejme thirrje: MOS NA ZHGENJE RILINDJE!

  • Ne biseda me punonjes te SHISH kane shprehur se Visho Ajazi ka pergjuar dhe vete Edi Ramen.E ku pjerdh ai per te tjeret, sa te kete Nishanliun e Viçidolsin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *