Marrë nga revista Klan*
Një traditë e konsoliduar e e revistës Klan për përzgjedhjen e personazheve të vitit që lëmë pas, është përhapur e shtrirë tashmë në shumë formate mediatike, nga shtypi i shkruar në televizione, pa harruar edhe klasifikimet online që ftojnë publikun të votojë për “njeriun e vitit”. Njëfarë “inflacioni”, mund të thuhet, që ka sjellë jo pak herë edhe reagime të përziera për kësi klasifikimesh, kriteret e përzgjedhjes, mënyrat e votimit etj. Ka shkuar ky lloj reagimi në ndonjë rast edhe në skepticizëm të hapur, duke mosbesuar dobinë e këtyre formateve apo dhe të tej, dyshuar për “qokat” që mund të bëhen përmes këtij procesi. Megjithatë, thënë kjo, është me vend të bëhet e qartë se shoqëria ka nevojë edhe për përzgjedhje të tilla. Në rastin e revistës Klan, nuk ka pasur ndonjëherë ndonjë çmim a shpërblim për të përzgjedhurit, as ndonjë juri e veçantë e ngritur për rastin. Stafi i revistës ka peshuar emrat e përveçëm dhe analizuar produktin e tyre, duke u këshilluar me bashkëpunëtorë shkrimet e të cilëve kanë qenë të pranishme përgjatë vitit, por edhe të tjerë. Sigurisht, kanë paraprirë në krye të herës kriteret me të cilat është bërë përzgjedhja: Konkretisht, jemi fokusuar tek personazhe që jo thjesht kanë spikatur përmes suksesit personal, por që përmes këtyre arritjeve kanë rrezatuar për mirë edhe mbi shoqërinë shqiptare jo vetëm brenda territorit të Republikës, dhe në përmirësimin e imazhit të vendit e të kombit. Do të gjeni në klasifikimin tonë njerëz që në mënyrë të pritshme do figuronin aty, por edhe individë krejt të panjohur, veprimtaria e të cilëve na ka goditur (për mirë) dhe nxitur për ta përhapur e publicizuar shembullin e tyre. Ja cilët janë dhjetë personazhet tona të vitit 2013.
Liljana Luani
Sikur të kishim edhe të tjerë…
Do të dëshironim me gjithë shpirt që përzgjedhje si kjo e jona të përbëheshin 100% nga individë të tillë, dhe le të mos i njihte askush. Por ajo nuk është aq anonime. Atë në Shkodër e njohin si mësuese Lili (në foto). Dhe jo vetëm sepse këto 18 vitet e fundit ka dhënë mësim në shkollën “Pashko Vasa”, por edhe sepse, të paktën që nga 2006 e këtij, zysha fjalëmirë është një nga figurat më të njohura të fshatrave të afërt e të largët të qytetit verior, sidomos të atyre ku gjakmarrja ka ngujuar shumë jetë vogëlushësh brenda mureve të varfra të shtëpive përdhese. Duket e çuditshme për një vend si Shqipëria, por Liljana Luani njihet në qytetin e saj dhe jo vetëm, pikërisht prej punës vullnetare për t’u mësuar shkrim e këndim fëmijëve të ngujuar. Tre herë në javë, fëmijë të moshave të ndryshme të fshatrave Grudë të Re, Bardhaj, Mazrek, Velipojë, Dajç, Oblikë, Gur i Zi etj, presin mësuesen, e cila pasi mbyll orët e punës në shkollë, mëson të vegjlit që nuk e kanë shansin të shijojnë shoqërinë e fëmijëve të tjerë, zilen e shkollës ose qoftë edhe lojrat e zakonshme fëminore. Një punë që e bën prej vitesh, pa pagesë e shpesh pa asnjë ndihmë, një iniciativë krejtësisht personale, nami i së cilës gjithësesi është dëgjuar edhe shumë përtej kufijve të këtyre fshatrave. Sepse janë me dhjetra fëmijët që kanë mësuar të shkruajnë e lexojnë prej mësuese Lilit, e cila megjithë vështirësitë e të qenit e vetme betohet se do ta vazhdojë këtë punë deri sa të ketë fuqi. Një profil të plotë të saj do ta kemi numrin e ardhshëm.
Shpend Ahmeti
Kush fluturon mbi Prishtinë
Fitorja e tij në zgjedhjet lokale të nëntorit në Prishtinë ishte spektakolare, për shumë arsye. Nga ambasadorja amerikane u “theksua” me krenari shkollimi i tij amerikan, lëvizja Vetëvendosja padyshim që u krenua me këtë fitore në kryeqendrën e vendit, edhe pse rezultatet e lëvizjes në këto zgjedhje lokale nuk ishin të mira në rang vendi; analistë e gazetarë, nga ana tjetër, theksuan faktin që kjo fitore e Shpend Ahmetit ka vlerë të dyfishtë pasi erdhi përballë Isa Mustafës, drejtuesit të komunës qëndrore dhe kreut të LDK-së, i cili mund të jetë kryeministër i ardhshëm i vendit duke parë rezultatet inkurajuese të partisë. Të gjitha arsyetimet mund të qëndrojnë. Por askush nuk e mohon që është imazhi, figura dhe fushata e vetë Shpend Ahmetit, ajo që vendosi gurin më të rëndë në peshoren e fitores. Dhe ç’është më e rëndësishmja, me këtë sukses në Prishtinë, ku ranë kandidatët e dy partive kryesore, votuesit kosovarë treguan se dinë të dalin jashtë formateve të ngurta politike dhe të votojnë njeriun, individin që i bind, dhe jo siglat partiake. Një shembull ky edhe për këndej kufirit. Nuk do mend se misioni më i vështirë për Ahmetin nuk ka mbaruar, por sapo ka filluar. Dhe ne i urojmë atij suksese.
Edi Rama
Sfida një milionëshe
Për të, ky që kaloi ishte viti ku u luajtën të gjitha për të gjitha. Vendosi të kalojë Rubikonin dhe të bëjë aleancën paraelektorale me Ilir Metën, zhvilloi një fushatë “intensive dhe ekstensive” elektorale dhe ishte në krye të një fitoreje historike, e cila erdhi për shumë faktorë. Nuk do bëjmë këtu historikun e ngjeshur të situatës ekonomiko-politike të vendit, por padyshim do përmendim karizmën e padiskutueshme personale të kryetarit socialist, sot kryeministri Edi Rama, i cili në krye të tetë viteve kreu misionin e vështirë të “refresh-it dhe restart-it” të Partisë Socialiste dhe fitoi një palë zgjedhje që i kanë vendosur atij një peshë të rëndë mbi supe. Se çfarë e dallon një fitore elektorale nga misioni konkret i qeverisjes, këtë ka filluar ta ndjejë dhe vetë Rama dhe kabineti që ai ka zgjedhur. Është bërë një punë e ngjeshur në shumë drejtime e sektorë, e cila në fakt sapo ka filluar, po nuk mund të lihet pa përmendur edhe njëfarë rënieje e optimizmit të fillimit mes votuesve, sipas sondazheve. Por nëse këtu nuk ka asgjë për t’u surprizuar, surpriza e vërtetë do të jetë nëse edhe si sot një vit, Edi Rama do të vazhdojë po njësoj të jetë star-i i sondazheve dhe anketimeve. Jo për hir të këtyre të fundit, por për hir të plotësimit të pritshmërive dhe realizimit të shpresave të atyre që ai i quajti “një milion shuplaka” kundër qeverisjes së kaluar. Ky është basti i tij.
Gjergj Meta
Nëse në Europë…
Një dom i pazakontë. Edhe pse historia jonë e re na mëson se nuk ka asgjë të jashtëzakonshme tek një njeri i fesë që është edhe veprimtar shoqëror, publicist e shprehës i mendimeve të një audience që i kalon ku e ku kornizat e një religjioni, kjo ka ndodhur në fillim të shekullit të kaluar dhe vetëm at Zef Pllumi na e ringjalli së fundmi atë aromë e vlagë të harruar. Tani edhe dom Gjergj Meta, i njohur fillimisht për publikun si zëdhënës për disa vite i Konferencës Ipeshkvnore, por jo vetëm kaq: Njeriu i kontaktit të përditshëm me besimtarët e thjeshtë, por edhe botues librash, pjesëmarrës në debate televizive dhe autor artikujsh të qëlluar për ndjeshmëritë e këtij vendi. “Prifti me iPad”, e kanë quajtur famullitarin e Kamzës, durrsak në origjinë. Do të zgjateshim shumë por të bënim këtu një enumeracion të veprimtarisë së dom Gjergjit përgjatë vitit të shkuar, por le të mjaftohemi me një shkrim të tijin pas shtyrjes së statusit të kandidatit në BE për Shqipërinë, shtyrje në themel të së cilës u nënkuptua të fshihej edhe një skepticizëm i ksenofobëve në disa vende të Bashkimit, për “Shqipërinë myslimane”. E për katolikun Gjergj Meta, “nëse në Europë nuk më pranojnë bashkë me fqinjin tim i cili shkon në xhami, refuzoj ofertën e vazhdoj jetën”.
Alban Jaho
“Vite dritë” përpara
Për një histori suksesi si Digitalb, çdo vit do të ishte njësoj i vlefshëm në piketimin e drejtorit të përgjithshëm të paketës së njohur dixhitale brenda grupit të njerëzve të spikatur të vitit. Ndoshta për mospërfshirjen e emrit të Alban Jahos ka ndikuar edhe fakti se ky sukses është marrë si fakt i kryer, si i mirëqenë që kur ka nisur këtu e dhjetë vjet më parë. Dhe rrjedhimisht, “nuk të bën më përshtypje”. Siç ndodh në këto raste, sa më i famshëm e i suksesshëm të jetë një dukuri si Digitalb, aq më të esëllt e jashtë reflektorëve të publicitetit janë njerëzit që fshihen pas këtij suksesi. Tashmë me përhapje maksimale në Shqipëri, rajon e botë, paketa Digitalb ka patur vetëm një sfidë: Të mposhtë vetveten. Dhe së fundi, ja ka dalë përsëri, kur në korrikun e kaluar prezantoi risinë teknologjike me dekoderin Flybox dhe shërbimin Popcorn: Një infrastrukturë e cila veç pasurohet me shërbime të reja. Nëse Shqipërinë dikush do ta njihte veç nga ngjarje teknologjike si Digitalb, do kujtonte se bëhej fjalë për ndonjë nga “tigrat” e Azisë.
Elhaida Dani
Faleminderit që ç’ke me të
Jepi Elhaidës atë që i takon Elhaidës. Këtë bëri dhe publiku italian i spektaklit X Factor, kur e përzgjodhi këngëtaren fenomenale shqiptare si fituese të edicionit të 2013-ës. Talentin e saj e njihnim, por nuk mund të mos kujtojmë këtu disa detaje që na përkëdhelin sedrën: Luftën mes anëtarëve të jurisë së spektaklit për ta marrë në skuadër, derisa fitoi Rikardo Koçante; epitetet e mahnitshme që ata i vunë zërit të Elhaidës; garat e njëpasnjëshme nga javë në javë, që e nxirrnin shqiptaren triumfuese, dhe votimin final që solli britma gëzim e duartrokitje në çdo shtëpi shqiptare, bashkë me një “faleminderit” në shqip live nga vajza shkodrane. A nuk janë këto, ai grumbull momentesh nga jeta e një njeriu që e bëjnë atë të ndihet krenar për origjinën dhe vendin e tij? Pra, vërtet spektakli ishte i huaj, fitorja qe personale, por po të kishim dhe ca njerëz të tjerë që të na dhuronin momente si këto të Elhaida Danit, ky vend do ishte realisht pak më i mirë. Pra, falenderimin duhet edhe ne t’ja kthejmë asaj.
Adrian Thano
Mes të papamëve të vitit
Shumëkush bie dakord se gazeta Dita ishte fenomeni mediatik i vitit. E lindur dhe rritur brenda një kohe të shkurtër për t’u bërë ndër dy gazetat më të shitura në shtypin shqiptar, viti 2013 ka shënuar atë ngjarje që konsiderohej si shumë e zorshme në “tregun e konsoliduar” të sektorit: Dita jo vetëm që hyri, por edhe u kacavar me shpejtësi deri në majë të këtij tregu. E pozicionuar hapur politikisht kundër ish kryeministrit Berisha, që në logo gazeta shpalosi edhe natyrën e saj, “e përditshme e info-analizës”. E prezantuar gjithmonë me karikaturë a fotomontazh dhe veç rrallëherë me foto në faqen e parë, Dita e krijoi menjëherë profilin e vet të pagabueshëm. Fakti që shitjet, frekuentimi dhe lexuesit u shtuan shpejt, tregon se edhe të pakënaqurit nga qeverisja e kaluar nuk ishin të paktë. Sigurisht, sfida e kryeredaktorit Adrian Thano këtej e tutje, të paktën teorikisht bëhet më e vështirë. Thano, drejtues për shumë vite i gazetës Shekulli, në fakt i ka zët klasifikimet dhe anketimet “e njerëzve të vitit”, megjithëse e zuri taksirati që këtë herë të hyjë edhe vetë tek ata që me shaka i quan “të papamët e vitit”. Por sado skeptik të jetë kolegu, besojmë se lexuesit do të binin njësoj dakord me përzgjedhjen tonë.
Adnan Januzaj
Thjesht talent
Është vënë në pah në shumë raste ky qëndrim i çuditshëm i ca shqiptarëve kundrejt talenteve sidomos sportive: Ja vijnë të luajnë në kombëtaret tona, ja i shpallim bukëshkalë e armiq. Rasti më zulmëmadh është me shqiptarët e përfaqësueses zvicerane të futbollit. Por nuk mbetet pas edhe ajo që u quajt “Saga e Adnan Januzajt”. I lindur në Belgjikë nga prindër shqiptarë, ku edhe u formua edhe si futbollist, Januzaj u shndërrua në fenomenin e vitit tek Mançester Junajtid. Pra tre vende e kërkojnë në kombëtaren e tyre djaloshin e lindur më 5 shkurt 1995. Çfarë do të zgjedhë ai? Le ta harrojmë këtë histori për tani, dhe të përqëndrohemi tek diçka tjetër: Nuk kemi dëgjuar mes komentatorëve të futbollit që ai të thërritet “belgu” apo “anglezi” Januzaj, por shqiptari Januzaj. Me cilëndo kombëtare të vendosë të luajë Adnani, fakti që një talenti të tillë (shpresojmë të ngrihet edhe më lart) do t’i përmendet gjithnjë origjina dhe gjaku që ai vetë s’e mohon, përkundrazi, mjafton që ta ndjekim e ta duartrokasim. Duhet të na mjaftojë suksesi i tij personal; gjithsesi imazhi i kombit dhe farës sonë përmirësohet shumë më tepër nga një emër i tillë, sesa nga njëqind takime zyrtare, konferenca, workshop-e a çfarë të doni.
Niko Peleshi
Një vit i ndarë në mes
Një vit i ndarë në mes ky që kaloi për Peleshin. Kush e ka vizituar Korçën me pedonalen e re të përfunduar dhe qendrën e restauruar, nuk mund veçse të komplimentojë me mendje drejtuesit e qytetit që kanë kryer një punë të tillë. Në rastin e ish kryetarit të bashkisë Niko Peleshi, drejtimi i një qyteti si Korça ka qenë një histori suksesi. Aq më tepër duke krahasuar metamorfozat e shumë prej qyteteve kryesore të vendit. I hyrë në politikë vite më parë si prefekt i qarkut nga ish kryeministri Nano e më pas kandiduar e fituar bashkinë në zgjedhjet lokale të 2007-ës dhe 2011-ës, Peleshi ka dhënë ndihmën e tij që edhe e në zgjedhjet parlamentare e majta të performojë mirë në rang qarku. Duket se kryetari socialist Rama vendosi që një figurë e tillë karizmatike nuk mund të mbetej më me rrezatim thjesht lokal. Në vitin 2012 Peleshi zgjidhet në kryesinë e Partisë Socialiste dhe pas zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013, la bashkinë për të marrë detyrën e zv.kryeministrit të qeverisë shqiptare.
Ridvan Dibra
Vetmia përtej legjendës
Para dy muajsh, në nëntor, ai fitoi në Kosovë çmimin e parë në konkursin për Dramën Origjinale Shqipe, me dramën “Lufta e Tretë Botërore”. Autori shkodran i lindur më 9 janar 1959 dhe aktualisht pedagog i letërsisë shqipe në universitetin e vendlindjes, duket se është analizuar e vlerësuar më shumë nga studiuesit e Kosovës sesa të Shqipërisë. E kanë klasifikuar “postmodernist”, “kafkian” dhe “eksperimentalist i madh…”, por sido që të jetë, Ridvan Dibra është një autor sa i veçantë, aq edhe i veçuar, thënë ndryshe, jashtë vëmendjes së kritikës letrare të këtushme. Vetëm aty nga shkurti i 2013-ës bëri njëfarë buje në Tiranë çmimi “Rexhai Surroi” që atij iu dha dy muaj më herët po në Kosovë për romanin “Legjenda e vetmisë”, botim i Shtëpisë Botuese “Onufri”. “Legjenda” është një prozë e cila synon të risjellë një dramë të lashtë të njerëzimit mbështetur në dy vargje të një legjende popullore, “nana djalin ka qorrue, me gjaks t’burrit m’u martue…”. Vepra të tjera të tij janë të shumta, ndër to romanet “Nudo” (1995), “Triumfi i Gjergj Elez Alisë”, “Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë”, “Kanuni i Lekës së vogël”, tregimi “Prostituta e virgjër” etj.
http://www.revistaklan.com/index.php?id=4229&mod=2
si ka mundesi klani te bej kete renditje.me siguri sandri nuk di gje ,ose kerkon ndonje lek per reklama.
revista Klan nuk ka te bej me Televizionin Klan 🙂
Po eshte gjeja ma e thjesht te manipulosh nje sontazh.Si votohet nje person si Rama qe gjith cfar premtoj vetem te kunderten beri.
Revista Klan thote keshtu per gazeten DITA: “Dita jo vetëm që hyri, por edhe u kacavar me shpejtësi deri në majë të këtij tregu”. O ti i Klanit, gazeta DITA nuk u kacavar anes keshtjelles se shtypit shqiptar, por u ngjit me dinjitet, ndersa ato qe u kacaveren dhe po kacaveren pas pushteteteve jane Panorama, Shekulli, Shqiptarja, Mapo e 55, ndersa gazeta DITA u ngjit me dinjitet, me fuqine fjales se vertete ne krye te shtypit te shqiptar pa iu lepire askujt dhe pa u kacavar ne shalet e asnje pushteti, sic beri televizioni Klan qe u ushqye ne prapanicen e Saliut.
Urime gazetes Dita!
Dita organi qendror i PSSH.
O Mark, Dita dhe PS nuk jane si nata jote me emrin Sali dhe PD-ja jote e nxirosur, jane institucione ku punojne njerez qytetare qe duan Shqiperine. Respektojne njeri tjetrin edhe kur e kritikojne njeri tjetrin o i flamosur. Po ku merrni vesh ju cfare eshte qytetaria, ju jeni shekuj prapa, ndonjehere me dukeni si njerez te epokes se gurit
Mark uk a e ke pre thiun?
MERRJA ZORRET
Ke nje keqe o udhetar se ju ka humbur rruga ne oborr.Ma gjej nje rast si kjo gazet ka kritikuar nje te majt.Zoti te falt se nuk din ndyshe o militaruc me pages.