Një koment në faqen online të Il Fatto Quotidiano-s, ku njoftohej urdhri i arrestit për investitorin Francesco Becchetti, shkruante dje: “Një investitor që nuk dihet nga i vijnë paratë, dëshiron të ndërtojë një perandori mediatike ndërkohë që bizneset e tjera të tij luajnë pingpongun me lëvizje fondesh e aksionesh derisa humbasin? Po ç’donte në Shqipëri, që së fundi është bërë një vend serioz? Ta kishte bërë këtë punë në Itali, kishte shanse për t’u bërë kryeministër!” Komenti italian ishte një aluzion i qartë për Berluskonin. Dhe një lavd i befasishëm për “Shqipërinë serioze”, që në realitet ka shumë punë ende, jashtëzakonisht shumë. Por fakti mbetet që nëse Becchetti nuk do ishte pronar i Agon Channel, lajmi i këtyre ditëve nuk do kishte bërë kaq shumë bujë. Dhe nuk do ishin ngritur kaq pikëpyetje. Dhe berishat, Senior dhe Junior, nuk do kishin marrë mundimin të dilnin si flamurtarë të medias së lirë. Ky sekuestrim edhe i televizionit tani për fushatë, a nuk është politik? Pse nuk u bë më parë? Apo më pas? Pse të paktën median prokuroria nuk e la veç, qoftë dhe për të treguar se nuk e ka me median si të tillë, por me pastrimin e parave të pronarit? A duhet të bëjë “dallime dhe hatëre” drejtësia nëse ka fakte apo indicie të forta?
Këto janë pyetje që shtrohen këto ditë. Një merak i kuptueshëm për ne si gazetarë do të ishte dalja si të papunë e shumë kolegëve tanë. Ndërkaq, gjatë gjithë këtyre viteve padyshim që minimalisht ka rënë në sy të opinionit publik, sesi një investitor nuk arrin dot të mbarojë një hidrocentral, por gjen paratë për të investuar në projekte të tjera, qoftë dhe mediatike.
Por tani jemi në pikën që Francesco Becchetti akuzohet të paktën për evazion fiskal. Ka dy sfonde kjo ngjarje: Fushata elektorale, siç thamë, dhe qëndrimet kritike të Agon Channel ndaj qeverisë, dhe një fushatë tjetër, që shpresojmë të mos mbetet e tillë, ku ekzekutivi dhe institucione të tjera, me inkurajimin e ambasadave strategjike në Tiranë njoftojnë fillimin e ndryshimeve të mëdha sa i takon reformës reale e të shumëpritur në drejtësi. A është çështja “Becchetti” e vënë në lëvizje nga ngjarja e parë, apo e dyta? Vetë Becchetti në intervistën e tij hedh dyshime se një gjyq miliardash (6.6 miliardë euro) me gjigantin italian Enel ditën e nesërme, dhe urdhri i arrestit ndaj tij, nuk janë një përkitje e rastësishme. Dhe rezulton se të paktën në këtë fushë, investitori të cilit i janë vënë në dyshim të fortë financat, është ekspert gjyqesh, duke i marrë dëmshpërblim vetë Deutsche Bank-ut.
Aksioneri kryesor i Tv Agon deklaron se televizioni nuk bëhet fjalë të pësojë ndonjë ndryshim; gjithçka si më parë. Por shumëkush do besonte se ky është fillimi i agonisë së Becchettit.
DITA
