Analiza: Çfarë do ndodhë nëse PD-LSI prishin koalicionin 2 deri në 4 muaj para zgjedhjeve dhe shpikin një konflikt fals për të (ri)gënjyer elektoratin e majtë. Dhe çfarë do ndodhë nëse PD dhe LSI futen bashkë në koalicion para ose paszgjedhor
A duhet që Partia Socialiste të bëjë koalicion parazgjedhore me Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI) në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013? Në gjuhën e përditshme, ky koalicion është pagëzuar me emri “aleancë me djallin e vogël”, duke iu referuar një strategjie për të larguar “djallin” e madh i quajtur Sali Berisha. Besoj se një koalicion i tillë jo vetëm që e portretizon opozitën si një forcë e dobët dhe imorale, por ky koalicion nuk ka as edhe një llogjikë racionale.
Eshtë tejet naïve dhe e papërgjegjshme për drejtuesit e opozitës të bëjnë deklarata apo insinuojnë një qëndrim pro një koalicioni parazgjedhor me LSI. Naiviteti dhe papërgjegjshmëria qëndron në faktin se nëse sot shqiptarët vuajnë nën regjimin e Sali Berishës, fajin kryesor për këtë e ka Ilir Meta dhe LSI. Bëni paqe me këtë fakt dhe lëreni Berishën në hallin e tij! Berisha është thjesht një i sëmurë të cilin po e përdorin kuç e maç për interesat e tyre meskine. Vini re, në çdo inisiativë politike të Sali Berishës do të gjeni gjurmët e LSI. Berisha nuk mund të ndërmarë asnjë nisëm ligjore apo administrative pa miratimin e Ilir Metës. Që nga ligjet e thjeshta e deri tek zgjedhja e presidentit, LSI është forca që ka vendosur se si dhe nga kush qeverisen Shqiptarët.
Strumbullari i gjithë kësaj meseleje koalicioni është frika absurde që opozita ka nga një koalicion parazgjedhor midis PD dhe LSI. Ka një sërë arsyesh që të bëjnë të besosh që një koalicion i tillë kurrsesi nuk mund të jetë produktiv ose i mundshëm. Po i listoj arsyet si më poshtë:
1. Nëse PD do të pranonte një koalicion parazgjedhor me LSI, atëherë LSI do të bëhej partia e dytë e djathtë dhe do të merrte të gjitha votat që do hidheshin / ngeleshin për partitë e tjera të vogla të djathta. Partia Republikane dhe të tjerat do të eleminoheshin gradualisht (dhe shumë shpejt) nga skena politike. Në këtë rast, partitë e djathta do të largoheshin nga koalicioni. Këtu do të merrte revansh një koalicion i ri i djathtë midis AK, FRD, PR, PDK, dhe partive të tjera të “djathta”. Me shumë gjasa që kjo lëvizje do të krijonte një pol krejt të ri politik tek e djathta.
2. Gjithashtu, nëse do të krijohej një koalicion parazgjedhor PD-LSI, LSI do të kërkonte në tavolinë marrjen e deputetëve ekstra, më shume se katër dhe afro dhjetë të tillë. A do t’ia japë PD këta deputetë LSI-së dhe a do te pranojë të bëjë një koalicion të tillë? Nëse PD pranon t’i japë LSI deputetët e kërkuar në tavolinë me qëllim për të vazhduar qeverisjen së bashku, është shumë e thjeshtë që pas zgjedhjeve, PS/opozita t’i ofrojë LSI postin e kryeministrit dhe ta lërë PD dhe Berishën me gisht në gojë. PD e kupton fare mirë mundësinë reale të kësaj loje dhe nuk do të pranojë t’i japë LSI-së deputetë në tavolinë.
Çfarë do të ndodh midis PD dhe LSI??
1. Disa muaj para zgjedhjeve (2-4 muaj), PD dhe LSI ka shumë mundësi të shpikin një konflikt fallco me qëllim që të krijojnë një perceptim popullor se këto dy parti janë të ndryshme dhe jo parti pushtetare. Synimi është që LSI të dalë në zgjedhje si parti e majtë dhe të marrë sa të mund vota nga elektorati i majtë i pakënaqur me lidershipin opozitar për t’i përdorur në një bashkëpunim të dytë me PD dhe Berishën.
2. Varianti i dytë, dhe më i besueshëm, është se pas një llogarie të hollë, PD dhe lidershipi i saj do të vendosin që 2-4 muaj para zgjedhjeve të prishë koalicionin me LSI dhe të mbijetojnë duke qeverisur me partitë e vogla. Prishja reale e koalicionit pak muaj para zgjedhjeve nuk krijon asnjë problem për PD pasi ajo do të arrijë të qeverisë me partitë e tjera si PR dhe PDIU, dhe ndonjë deputet. Pak shanse ka, apo do të ishte e pamundur, që qeveria e re të rrëzohet pak muaj para zgjedhjeve. Gjithashtu, nga prishja e koalicionit me LSI pak muaj para zgjedhjeve, PD do t’ia ngarkonte gjithë dështimet e qeverisë LSI-së. Kjo mund te pasohet edhe me arrestime për korrupsion. Për më shumë, duke prishur koalicionin me LSI, PD do të arrinte që të vendoste një kontroll absolut mbi administratën shtetërore, dhe përmes patronazhit do të rriste në mënyrë të konsiderueshme votat e PD-së dhe partive të tjera të djathta në kualicion. PD ka shansin që pak kohë para zgjedhjeve të shpërblejë mbështetësit e saj të zhgënjyer deri më tani dhe të ndërtojë një koalicion solid të djathtë. LSI e pret këtë lëvizje dhe nuk do i ngelej qefi pasi, fundja, gjithkush mendon për veten e tij në fillim. Një koalicion paszgjedhor midis PD dhe LSI mund të jetë përsëri i mundshëm.
Për sa më sipër, nëse PS nuk pranon një koalicion parazgjedhor me LSI-në, kjo e fundit ka për të dalë e vetme në zgjedhjet e vitit 2013. Por këtu egziston një problem për partitë e mëdha, PD dhe PS. Nëse koalicioni i djathtë nuk fiton dhe LSI ia del mbanë të fitojë si në vitin 2009, jam i bindur se PD do t’i ofrojë LSI postin e kryeministrit për të nxjerrë jashtë loje partinë e madhe kundërshtare, PS.
E njëjta gjë me PS-në. Nëse PS nuk fiton dhe LSI fiton si në 2009-ën, jam i bindur që PS do t’i ofronte LSI postin e kryeministrit për të larguar nga pushteti PD-në. Përballë këtij skenari me plot të papritura, të dyja forcat e mëdha do të kenë një qëllim të përbashkët: të shkatërrojnë LSI-në. Duke qënë e vetëdijshme për rrezikun që i kanoset direkt nga Berisha, LSI do të përpiqet rregullisht t’i afrohet PS/Opozitës.
Kur vihet përballë variantit për të bërë koalicion parazgjedhor me “djallin”, opozita duhet t’i bëjë një pyetje vetes: Çfarë do i ofrojë ajo më shumë LSI-së që nuk ia ka ofruar PD-ja? LSI ka pasur poste ministrore (përfshirë zv. kryeministrin) dhe liri veprimi të pakushtëzuar. Për vite me radhë PD dhe LSI kanë krijuar një ndjenjë besimi dhe reciprociteti që është e vështirë të ndërtohet me një parti tjetër. Nëse nuk ka palë tjetër në mes, ka ardhur koha që PD dhe LSI të hanë njëra tjetrën. Nëse PS/opozita pranon të bëjë një koalicion parazgjedhor me LSI, atherë shkatërrimi do të ikë nga PD-LSI dhe do të vijë tek PS. Bashkpunimi PS-LSI do të ndalonte procesin e shkatërrimit brënda së djathtës dhe midis PD dhe LSI dhe do e sillte atë tek opozita.
Në konventën e LSI-së, Ilir Meta foli për një bashkëpunim me partinë e çamëve. Ishte fjala për një bashkëpunim ad hoc, d.m.th. për çështjen çame, por “ledhatimi” i PDIU-së në konventën e LSI-së u interpretua si një përpjekje për të krijuar një pol të tretë në politikën shqiptare disa muaj para zgjedhjeve. Mustafa Nano në SHQIP-in e sotëm është marrë me mundësitë si do paraqiten LSI, PDIU, FRD dhe AK në zgjedhjet e ardhshme. A do ketë LSI një koalicion paraelektoral me PD-në, apo PS-në?
Shkruan Nano: Berisha e Rama janë në hall, e mund t’i ofronin Metës aq sa ky do të donte, fjala vjen 5-6 deputetë të sigurt, por këta deputetë të marrë me ndihmën e partive të mëdha nuk do t’i jepnin kësaj partie asnjë peshë politike më tepër… Aleanca me çamët, apo edhe me ndonjë parti tjetër të vogël, d.m.th. krijimi i një poli të tretë, ndonëse nuk ka për të bërë çudira, do të bëjë optimalizimin elektoral e politik të LSI-së e të PDIU-së. Në terma konkretë, i jep këtij grupi më shumë deputetë (ky pol mund të marrë deri në nëntë vende në Parlament), dhe krijon kushtet për një negocim “nga pozita më sovrane” të aleancës qeverisëse, ku ky pol do të ketë një zë më domethënës në vendimmarrje (kuptohet, përveç ‘patentës’ për të bërë plaçkë e për të pasur në dorë politika rekrutimi në administratë). Shkurt, në këtë mënyrë rriten elektoralisht e marrin peshë më të madhe politikisht…
Po FRD-ja e AK-ja ç’do të bëjnë në këto rrethana? Analizon Nano: “FRD-ja duket më në hall në këtë histori. Ajo ka vetëm një plan ‘A’, sipas të cilit do të hyjë e vetme në zgjedhje kundër të gjithëve, dhe në rrethanat kur AK-ja do të luajë edhe me planin ‘B’, d.m.th. kur do t’i japë dum punës duke u bërë tok me PS-në (në qoftë se!), FRD-së do t’i bëhen gjërat tmerrësisht të vështira. Garimi “më vete e për vete” edhe mund të bëjë që FRD-ja të shihet si një alternativë serioze kundër “të vjetrës” e kundër “sistemit”, e për këtë arsye mund të mbështetet nga zgjedhësit më shumë se sa pritet, por ajo ka një disavantazh të madh. Kur flitet për kontrollin e monitorimin e procesit zgjedhor, ajo s’ka “voce in capitolo”. Është një proces që e kontrollojnë të tjerët, ashtu siç kontrollojnë edhe resurset financiare e mediatike. Çfarë llogarish kanë bërë, atëherë?”
Nano e mbyll analizën duke e lënë temën të hapur. “Ka që mendojnë se ka ende kohë, në harkun e së cilës gjithçka mund të ndodhë. Të presim e të shohim…” – shkruan ai.