Skuadra shqiptare Skënderbeu i Korçës nuk arriti të kualifikohen në Ligën e Kampionëve, por në këtë garë do të luajnë dhjetë futbollistë me prejardhje shqiptare. Ekipi që ka numrin më të madh të shqiptarëve padyshim është Bazeli, i cili në radhët e veta ka golashënuesin shqiptar dhe lojtari e Kombëtares shqiptare, Shkëlzen Gashi. Po ashtu për skuadrën zvicerane luan edhe futbollisti tashmë i ftuar për ndeshjen Portugali – Shqipëri, Taulant Xhaka. Së bashku me këta të dy në Bazel luajnë edhe vëllezërit Arlind e Albian Ajeti dhe mbrojtësi i krahut Naser Aliji, raporton Sport Plus.
Shqiptarët e Bazelit kanë rënë në një grup të fortë ndërsa do të përballen me skuadrën kampione Real Madrid. Përveç Realit, në grup janë edhe Liverpul dhe APOEL. Këtij grupi i është gëzuar shumë mesfushori sulmues Shkëlzen Gashi, pasi ka komentuar në rrjetin social ‘Facebook’
Shaqiri, Kasami, Mehmedi, Avdijaj dhe Ibrahimi
Pa dyshim që pjesë e Ligës së Kampionëve është edhe njëri prej lojtarëve më të mirë shqiptar si Xherdan Shaqiri me skuadrën e tij, Bajern Mynih.
‘Bavarezët’ dhe Shaqiri do të jenë në një grup shumë të fortë, pasi do të përballen me Mançester Sitin, CSKA Moskën dhe Romën. Por, Shaqiri mund të ndërrojë skuadër në këto ditët e mbetura të gushtit.
Edhe lojtari tjetër i përfaqësueses zvicerane, Pajtim Kasami me skuadrën e tij Olimpiakos do të luaj në Ligën e Kampionëve. Në grup me skuadrën greke janë gjigantët e Italisë, Juventusi, ndërsa nuk mungojnë as nënkampionët e Evropës, Atletiko Madrid dhe ajo suedeze Malmo.
Në këtë grup pritet të ketë një përballje shqiptarësh, pasi për Malmon aktivizohet sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Agon Mehmeti, i cili ka arritur të futet në këtë kompeticion pas fitores historike kundër Red Bull Salzburgut.
Edhe Shalke ka tashmë në radhët e veta një shqiptar. Bëhet fjalë për Donis Avdijajn, që do të luaj kundër skuadrave si Çelsi, Sporting Lisnona dhe Maribor.
I fundit por jo më pak i rëndësishmi është sulmuesi i Mariborit, Agim Ibraimi, i cili ka arritur sukses të jashtëzakonshëm me skuadrën e tij pasi eliminuan Sëlltikun skocez. Edhe në këtë grup pritet përballja Avdijaj – Ibraimi.
Besnik Hasi dhe Anderleht
Për herë të parë në historinë e futbollit, një trajner shqiptarë do të udhëheq një skuadër në Ligën e Kampionëve. Bëhet fjalë për ish-futbollistin e kombëtares shqiptare edhe kampionin aktual të Belgjikës me skuadrën e tij Anderleht, Besnik Hasin.
Trajneri Hasi ka rënë para një shorti të vështirë pasi skuadra e tij do të përballet me Arsenalin, Borusia Dortmundin dhe nënkampionin turk Gallatasarai.
“Është një short i vështirë. Ka disa ndeshje të bukura në udhëtim, por ata janë disa kundërshtarë jashtëzakonisht të fuqishëm. Anderleht nuk i ka mbijetuar fazës grupore që nga viti 2001, ndaj do të jetë jashtëzakonisht vështirë”, ka thënë Hasi.
