10 skandalet financiare, Shqipëria e pesta në listë

redaktor

Gazetari Brian Lund i portalit “Daily Finance” ka bërë një renditje të dhjetë skandaleve më të mëdha financiare të të gjitha kohërave. Në vend të pestë është skandali i piramidave në Shqipëri. “Në kulmin e skemës, shqiptarët shitën shtëpitë e tyre, pasuritë personale, madje edhe gjënë e gjallë në mënyrë që të investonin në këto fonde, të cilat kishin pak ose asnjë aset. Si të gjithë skemat piramidale, ajo u shemb nga pesha e saj, por jo përpara se të mashtronte më shumë se dy të tretat e popullsisë në një vlerë prej 1.5 miliard dollarë”. “Skandalet financiare ndodhin gjithmonë, por të gjesh një të tillë, që prek direkt praktikisht të gjithë vendin, është e paprecedent. Është skema më e madhe piramidale në histori sa i përket numrit të viktimave të pafajshme të përfshira”, thekson gazetari Lund. Ndërkohë procesi i kthimit të parave të kreditorëve të firmave piramidale vijon ende. Administratori i Shoqërive Huamarrëse, Zeni Tollazhani deklaron se kohët e fundit është mbyllur procesi i likuidimit për disa kompani dhe se qytetarët sipas listave të afishuara, sipas kohës, mund të fillojnë të tërheqin paratë.

Por sipas zotit Tollozhani i gjithë procesi do të mbyllet në fund të vitit 2017.

“Kjo administratë është pothuajse në mbyllje të procedurës. Pasi shumë kompani ne i kemi çuar në gjykatë, një nga ato është ‘Sudja’, 3 të tjera janë të mbyllura, 2 janë në shqyrtim. Më pas ngelen për t’u trajtuar “Vefa”, “Silva”, “Cena”,“Gjallica” dhe “Xhaferri”, të cilat kanë asete të pa shitura”, tha Zini Tollozhani, administrator i Shoqërive Huamarrëse. I pyetur për asetet e firmave piramidale të dërguara për shitje,  Tollozhani deklaron: “Nga të gjitha kompanitë, ne kemi 25, janë banesa, janë troje si edhe magazina. Vlera e këtyre aseteve është brenda vlerës së përcaktuar koeficienti me VKM. Presupozohet se kjo vlerë është marrë dhe është brenda sasisë së parave që do të shpërndahen.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *