A ka qeveria ritmin që duhet të kishte? A është kjo shpejtesia qe pritej në afirmimin e reformave?
Oktapodët financiarë a e kanë ende të kapur për fyti e për mjekre shtetin? Koncensionet mjeruese, dhuratë e zezë nga qeveria e kaluar, a po rrinë ende si shushunja mbi zvergun e shqiptarëve? Mafia politike a është ende e pranishme në jetën e përditshme?
Nevoja e një skanimi qeveritar, larg dëshirës për mos ndryshim dhe larg presionit brenda koalicionit. Si duhen bërë ndërrimet e duhura, pa rënë në lojën e opozitës për dështime e humbje.
Ka disa ditë që në vëmendjen e njerëzve është kthyer, apo më saktë, është rikthyer, dilema qeveritare nëse do të ketë ndryshime në stafin ekzekutiv të së majtës. Gjërat u bënë edhe më të nxehta kur, në harkun e pak kohëve, dy bashkëdrejtuesit e koalicionit, Meta nga njëra anë dhe Rama nga ana tjetër, u shfaqën në dy pamje të ndryshme: I pari duke dhënë sinjalin, ndonëse jo drejtpërdrejtë se është koha e ndryshimeve, për të pasur një lëvizje më të shpejtë e ndoshta një lëvizje ndryshe; dhe tjetri, Rama, duke dhënë mesazhin e qartë se nuk ka nevojë për ndryshime, pasi gjithçka, sipas tij, po ecën në rrugën e duhur.
Bashkëdrejtuesi i koalicionit, Meta, që edhe më herët, në kohëra të ndryshme dhe me partnerë të ndryshëm, ka qenë pjesë qeverisëse, që do të thotë se e ndjen më shpejt kohën e ndryshimit, e la shtegun e lirë për shefin e qeverisë, duke thënë se e gjitha është në dorën e tij, pasi, si ndodh kudo, është ai që vendos. Pragmatizmi në politikë nuk është e thënë të jetë kurdoherë i shfaqur tërësisht, megjithëse në këtë rast nuk mund të thuhej më tepër. Përcaktimi i zotit Rama se, nuk ka nevojë për ndryshime mund të jetë bindja e tij se punët po ecin mirë dhe se ekipi, kudo që ka qenë, i ka kryer punët ashtu si edhe ka ëndërruar shefi i qeverisë.
Megjithatë, edhe duke qenë pjesë vëzhguese, sado i ftohtë që të duket, nuk është tabu që të kemi para vetes dy dilema, të cilat, duan apo nuk duan qeveritarët, nuk janë vetëm të një njeriu të vetëm, por shumë më gjerë se kaq.
Dilema e parë: Vërtet punët e qeverisë në këto dy vite, e diçka më tepër, po ecin kaq mirë, sa që nuk ka nevojë për asnjë lloj ndryshimi dhe se, qoftë edhe përtej pritshmërisë së shefit të qeverisë, gjërat po ecin si duhet dhe se treni i Rilindjes do të arrijë në kohën e duhur në stacionin e zgjedhjeve të vitit 2017?
Dilema e dytë: Ndërrimi i qeveritarëve, qoftë edhe në mesin e programit të qeverisë, është një domosdoshmëri dhe e kundërta është tabu, apo, duke bërë ndërrimet e duhura, pa rënë në lojën e opozitës për dështime e humbje, mund të bëhen gjërat më efektive, më konkrete dhe reformat të marrin një shpejtësi tjetër?
Shënimi i parë për dilemën e parë.
Është hera e parë që një qeveri, e përcaktuar nga një plebishit popullor mbi një milionësh, do të jetë krejtësisht e re, jo vetëm si moshë, por edhe si administratorë. Asnjëri nga ministrat aktualë nuk ka pasur më parë përvojë drejtuese ekzekutive dhe kjo, ashtu si kishte të mirën e saj, kishte edhe riskun e naivitetit politik, lehtësimit të gjërave edhe kur ata ishin serioze, krijimin e një mendësie se punët e shtetit janë krejt të thjeshta dhe se mund t zgjidhen edhe me një angazhim periferik.
Shënimi i dytë për dilemën e parë:
Ministrat e rinj, të qeverisë së re rilindase, kanë hyrë në këtë punë duke pasur një besim të pazakontë të njerëzve, ndoshta më i dalluari në 25 vitet e pluralizmit. Mbi shpinën e tyre, me dallime të veçanta, nuk rëndonte asgjë nga e shkuara, jo thjesht politike, por sidomos administrative, aferave financiare, pjesë e një oligarkie ekonomike etj. Pra, në shumicën e tyre, ata ishin “të virgjër” politikisht dhe financiarisht, por kjo si duket, nuk është gjithnjë e mjaftueshme.
Në rrugën dy vjeçare, disa prej tyre nuk kanë lënë emrin që është pritur dhe nuk kanë sjellë ndryshimin që njerëzit e duan. Shpejtësia që pritej në afirmimin e reformave jo rrallë ka mbetur në formën më dëshirore dhe kjo, duam apo nuk duam, ka lidhje edhe me punën e qeveritarëve të tashëm. Ndoshta shefi i qeverisë, duke qenë më pranë dhe vëzhgues e matës i punëve ministrore, i di më mirë se të tjerët arritjet e shefave të dikastereve, por, për fat të keq, jo gjithçka përputhet me dëshirën dhe shpalljet e tij. Ndoshta jam i gabuar, por duke qenë vetë Ai, krejtësisht i thithur nga puna dhe dëshira shtetformuese në një stad të ri, ka mendimin se edhe të tjerët bëjnë të njëjtën gjë, e ndoshta nuk ia vë rëndësinë, duke menduar se meqë ai vetë është aty, atëherë gjithçka tjetër është jo edhe aq e domosdoshme.
Nëse puna e deritashme ka qenë aq e vyer, sa që nuk ka nevojë për ndryshim, pyetja që vjen pas saj është krejt e natyrshme: Pse gjendja nuk është përmirësuar në atë nivel që pritej, dhe, megjithë dëshirën, ajo nuk ka ritmin që duhet të kishte? Ende oktapodët financiarë e kanë kapur për fyti e për mjekre shtetin, ende mafia politike është e pranishme në jetën e përditshme, koncensionet mjeruese, dhuratë e zezë nga qeveria e kaluar, ende rrinë si shushunja mbi zverkun e shtetit.
Së fundi, çfarë qameti mund të bëhet nëse ndryshon ndonjëri nga qeveritarët tanë dhe të mos kemi një krizë politike, kur, për më tepër ka prej tyre, të cilëve njerëzit nuk ua dinë as emrin?
Shënimi i tretë për dilemën e parë:
A nuk ka ardhur koha që të ketë vërtet një skanim qeveritar, konkret, larg dëshirës për mos ndryshim dhe njëkohësisht larg presionit brenda koalicionit, pasi këto nuk janë gjëra të cilat mund të zgjidhen inatshëm, ashtu si nuk është i vyer qëndrimi gur mbi një fjalë të thënë.
Është e dobishme që normalisht të kemi një përcaktim të saktë: Duhen bërë ndryshime dhe pse duhen bërë, apo nuk duhen bërë dhe çfarë është kaq e dobishme që të rrihet në statuskuonë politike?
Dilema e dytë: A bëhet ndonjë qamet i pazakontë nëse ndërrohet ndonjëri nga ministrat që ende nuk e ka marrë veten nga shok-u administrativ kur ka marrë vesh se do të jetë ministër?
Nuk ka pse të jetë. Posti i ministrit, ashtu si jepet, ashtu edhe merret. Ministri nuk është i përjetshëm dhe nuk ka pse të jetë. Ne, në Shqipëri, kemi vërtet funksionarë të lartë qeveritarë që e meritojnë të jenë aty, të cilët po e sjellin emrin e tyre dobishëm dhe të vlefshëm. Edhe më parë, si kemi shkruar, figura ministrore kanë bërë përdallimin mes kolegëve, ashtu si është edhe përdallimi mes së shquarës, të dobishmes dhe të mbeturës në vend.
Ndërrimi qeveritar, në poste të ndryshme, nuk duhet marrë si qëndrim kryeneç ndaj opozitës. Jam i bindur se çdo ndryshim do të trajtohet prej saj si një dështim qeveritar, si afirmim i fjalës së saj se këto qeveritarë nuk dinë të drejtojnë dhe të bëhen pjesë e lëvizjes pozitive të shtetit.
Qeveria nuk ka pse të marrë mbi vete edhe qëndrimin meskin opozitar dhe të jetë e bindur se, në të dyja rastet, si në ndryshimet si në mos ndryshimet, opozita do të çirret politikisht, do të sjellë një mijë e një “denoncime”, do të dërgojë fjalë në të gjitha vendet evropiane mendimin e saj, shpesh herë dështak se, kjo qeveri, ose dështoi se bëri zëvendësimet, ose është aq mafioze sa vazhdon të mos bëjë ndryshime.
Punët e qeverisë i takojnë asaj fillimisht, por nuk janë tabu e të tjerëve. Nëse shefi i qeverisë e shikon këtë vetëm si territorin e tij, në të cilin nuk mund të futen dhe nuk kanë të drejtë të futen të tjerë, kjo nuk është në të mbarën e vetë qeverisë që ai drejton.
Ka kohë që punët e qeverisë kanë dalë jashtë godinave qeveritare, dhe, nëse kërkohen të futen dhe një herë brenda godinave, kjo do të thotë se pak është mësuar.
