Shumë femra janë përpjekur të kthehen në Barbi të gjalla. Por një 32-vjeçar me emrin Justin Jedlica thotë se ka harxhuar rreth 100 mijë dollarë për t’i ngjarë partnerit të Barbit, kukullës Ken.
Justin u është nënshtruar të paktën 90 ndërhyrjeve për të rindërtuar hundën, pjesën sipër vetullave, volumin e mollëzave, buzët dhe mjekrën. Ai e nisi këtë rrugë në moshën 18-vjeçare, kur iu nënshtrua një operacioni shumë të kushtueshëm për rregullimin e hundës.
“Operacionet plastike janë për mua një mënyrë për ta trajtuar veten si të isha skulpturë, vepër arti”, thotë ai, duke treguar protezat e vendosura në pjesën e gjoksit dhe muskujt biceps prej silikoni.
Disa mjekë i kanë thënë 32-vjeçarit Jedlica se ai është me fat që nuk ka pasur komplikacione deri tani, me gjithë numrin e madh të operacioneve. Ata thonë se me kalimin e viteve, implantet në trupin e Justin mund të prishen dhe indet e trupit do të fillojnë të shkatërrohen.