“100 mijë euro për maternitetin në Preshevë”

redaktor

100 mijë euro është fondi i parë që dy qeveritë shqiptare do të akordojnë për Preshevën në mbledhjen e së shtunës në Prizren. Fondi i bërë publik nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në një intervistë për “Top Channel”, do të shkojë për ndërtimin e maternitetit të Luginës së banuar me shumicë shqiptare në Serbi. Kjo shumë do të vendoset përkrah kontributit të disa agjencive dhe partnerëve ndërkombëtare.

“Risia nuk është vetëm tek Lugina e Preshevës, risi është fakti që për herë të parë dy qeveritë tona ulen dhe diskutojnë konkretisht për të thelluar integrimin ekonomik, për të thelluar bashkëpunimin, për të diskutuar në mënyrë skrupuloze për disa çështje që janë në interes të ndërsjelltë për qytetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës dhe për të përcaktuar një vijë të qartë, siç është deklarata e partneritetit strategjik, se si dy vendet tona do të mbështesin njëri-tjetrin për të qenë nesër anëtarë të denjë të NATO-s dhe anëtar të BE-së”, tha Bushati. Ministri sqaron edhe bashkëpunimin mes dy qeverive. “Janë tri fusha, të cilat do t’i rendisja si fusha me përparësi absolute për mbledhjen e parë të dy qeverive tona. E para ka të bëjë me një lehtësim të procedurave tregtare sepse siç e dimë, në të shkuarën nga të dyja anët e kufirit ka pasur probleme, të cilat ne i kemi identifikuar dhe duam t’i adresojmë një nga një, së dyti për të hapur një korsi të re në fushën e transportit dhe së treti, bashkëpunim përsa i përket procesit të integrimit europian”, sqaroi ministri Bushati. Sipas tij, mbledhja e dy qeverive është një praktikë që ndiqet nga shumë vende në rajon dhe më gjerë.

Përveç Kosovës, në një fazë tjetër të tilla angazhime do të ndërmerren edhe me qeveri të tjera në rajon, aty ku shqiptarët janë prezentë dhe faktor. Pak kohë më parë, kryeministri Edi Rama ka njoftuar se edhe me Turqinë do të ketë të tilla mbledhje të përbashkëta. Ashtu si edhe një ditë më parë, Bushati sqaroi edhe çështjen e reformës në ambasadat tona jashtë vendit. “Nuk bëhet fjalë për një proces, i cili do të bëhet me të rënë të lapsit. Rajoni është prioritet në politikën tonë të jashtme, është vendi ku Shqipëria duhet dhe do të jetë më dinamike me qasjen e saj konstruktive dhe stabilizuese, është i vetmi vend anëtar i NATO-s në rajon, pas anëtarësimit të Kroacisë në BE dhe ne do ta ushtrojmë këtë përgjegjësi me kapacitet të plotë. Rajoni është një nga prioritetet tona”, u shpreh Bushati.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *