“Si ke gojë të flasësh”, thuhet rëndom për ata që kanë bërë një mijë e një të zeza e rreken të kritikojnë e anatemojnë të tjerë pa asnjë shkak. E pra, edhe PD-së, që akoma nuk i janë ftohur karriket e pushtetit, i duhet thënë “si ke gojë të flasësh!”.
Se si ka vepruar PD me administratën, kur ishte në pushtet, këtë e dinë mirëfilli gjithë shqiptarët. Se si i luftoi të majtët deri në gen, edhe këtë e dinë. Si hoqi nga puna mijëra vetë me aksion, si nxorri nenin famëkeq 24/1 sipas të cilit hiqeshe nga puna dhe nuk kishe asnjë të drejtë të ankoheshe në gjykatë, këtë kemi bërë sikur e kemi harruar. PD “harron” se shumica e të punësuarve të saj kanë zënë vendin e tjetërkujt, të hequr dhunshëm. Kur rierdhi në pushtet në vitin 2005, riktheu të gjithë shikasit e 97-ës në poste kyçe të qeverisjes. E ç’nuk bëri PD- ja në të dyja etapat “e mbetërimit” të saj, e sot na i vinka keq se një grusht njerëzish, shumica me funksione politike, po u largokan nga puna.
Duke derdhur lotë krokodili , e nderuara PD nuk do të kujtohet se e ka futur këtë vend në borxhe deri në grykë dhe ndër ta “hijeshojnë” borxhet e vendimeve të formës së prerë të gjykatave për largime të paligjshme nga puna që shkojnë në dhjetra milionë euro.
Dokumentat që po dalin në dritë ditë pas dite, tregojnë se sa tmerrshëm e kanë shkelur ligjin ata që ikën. Kemi në dorë një numër të konsiderueshëm shkresash me anë të të cilave bëhet “autopsia” e qeverisjes në një qark të cilin pushtetarët e kishin lënë si xhep, pasi mendonin se votat i kishin po në xhep. Na e do mendja se këto shkresa zor se janë në arkivat për ku janë nisur, pasi janë “armë krimi” të partisë në pushtet.
Në vitin 2006 , ish prefekti i qarkut Dibër, inxhinieri Xhafer Seiti nga Memaliaj, të cilit për disa muaj si prefekt, përfaqësues i PD, i kishte hasur sharra në gozhdë sepse ai donte zbatim ligji, ndërsa partiakët e tij donin ta shkelnin, merr guximin dhe me shkresën nr.85, datë 26.01.2006, me lëndë “Për pengesat artificiale në punë shkaktuar nga drejtues të Partisë Demokratike në Dibër e ndonjë deputet” i drejtohet ish kryeministrit Sali Berisha, ish kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, ish ministrit të Brendshëm, të ndjerit Sokol Olldashi dhe për dijeni Genc Pollos, kryetar i PDR-së, Nard Ndokës, kryetar i grupit parlamentar të PDR-së.
Kjo shkresë e shkruar në gjashtë fletë, rezultoi shumë e bujshme, aq më tepër për faktin se ishte shkruar nga një përfaqësues i vetë qeverisë. Shkresa ra në duart e gazetarëve, të cilët e botuan në një të përditshme me titullin “Prefekti: PD e Dibrës, kupolë e krimit”. Kur shumëkush priste që prefektit t’i fluturonin rreckat, asgjë nuk ndodhi, pasi prefekti kishte shkruar një të vërtetë të hidhur.
Vazhdoi përsëri prefekti, shkresë pas shkrese e vit pas viti të vinte në dijeni qeverinë e tij për bëmat e PD-së vendore, por qeveria nuk dëgjonte nga ai vesh, pasi fundja PD vendore ishte pjesë e PD-së qëndrore. Në një tjetër shkresë të vitit 2009 prefekti vë në dijeni qeverinë e tij dhe kryeministrin për mënyrën se si vihen dhe hiqen drejtorët e institucioneve qëndrore në nivel vendor, në një tjetër shkresë njofton për shkelje të shumta ligjore e kështu me radhë.
Po çfarë del nga këto shkresa?!
Në shkresat e prefektit bie në sy fakti i përpjekjes së drejtuesve vendorë të PD-së për të shkelur ligjin me dashje. Ja si shkruan ish prefekti: “Kam qenë korrekt me punën e kjo është vlerësuar. Por në punën time ndjeshëm negativisht po ndikon qëndrimi, sjellja dhe veprimet e drejtuesve të PD në rreth, konkretisht kryetarit të kësaj partie (emri), kryetarit të bashkisë (emri), deputetit (emri), të cilët në pozitat e “të madhit” për të realizuar qëllimet e tyre të vogla e personale, me urdhra, fyerje, kërcënime, mundohen që të më bëjnë vegël të tyre për të shkelur ligjin, për të përbaltur programin e qeverisë. Shprehjet “ta shikosh ti”, “ne të heqim kur të duam, po nuk veprove si të themi ne”, provokimet deri dhe me drejtues të SHISH-it, kërcënimet bajate në telefon besoj se nuk u shkojnë drejtuesve të Partisë Demokratike”.
Më tutje në shkresë ish prefekti përmend shkeljet ligjore të konstatuara aty ku qeveriste PD-ja, 16 milionë lekë të fituara padrejtësisht nga punonjës të këshillit të qarkut, dalë nga kontrolli e konfirmuara nga gjykata, vendime të depozituara në institucionin e Prefektit nga bashkia Peshkopi pa u marrë në këshill, emërime drejtorësh në institucione vartësie pa vendim të këshillit të qarkut, emërim drejtorësh në të gjitha institucionet qëndrore në nivel vendor në shkelje flagrante të ligjit “ Për Prefektin” etj.
Pas kësaj e ka radhën shkresa tjetër me nr. 1922 prot, datë 24.08.2007 me lëndë “Për skenarët e turpshme të zotërinjve të PD-së …”.
Vetë lënda flet ashiqare për materialin “horror” që ka brenda, për turra vendimesh të paligjshme që prefekti i ka adresuar në gjykatë, persona drejtues të PD-së që kanë problem me ligjin, katrahurën e ndërtimeve me e pa leje, zënien e mjediseve publike, ndërtimet pranë e brenda shkollave, dështimin e ujësjellësit me shpim në qytetin e Peshkopisë, paratë e harxhuara dhe mosndëshkimin për miliardat e shpërdoruara, shpërndarjen e hyrjeve për të pastrehët pa vendim të këshillit bashkiak, mosmbledhjen për dy vjet të KRRT-së e të tjera. Për problemet e emërimeve dhe shkarkimeve në periudhën pasi i kanë shkarkuar me “telekomandë” gjithë të majtët, flet shkoqur një tjetër shkresë, që u referohet makinacioneve të paligjshme, tashmë brenda llojit. Ajo i takon prillit të vitit 2009 dhe ka lëndën “Për veprime të gabuara në emërim drejtorësh” dhe i drejtohet vetëm ish-kryeministrit Sali Berisha.
Në këtë shkresë, pasi prefekti shpreh konsideratat për kryeministrin, ndër të tjera shkruan: “Mendoj se jo kudo ecet, ashtu siç Ju kërkoni e dëshironi, ndaj guxoj të sjell shqetësimin e madh në konsiderimin tim për paligjshmëritë që vazhdojnë të bëhen në emërimet e drejtuesve të institucioneve qëndrore në nivel vendor, të cilat tashmë kanë arritur pikën e ngopjes dhe më bëjnë të dyshoj se, përveç shkeljes së ligjit nga ata që bëjnë veprime të tilla, brenda këtyre emërimeve ka dhe qëndrime klienteliste, për të mos besuar përfoljen dhe për interesa personale që lidhen me mitmarrjen. Sa sipër me lejen Tuaj parashtroj disa ndodhi të pakëndshme në qarkun e Dibrës.
Në nenin 9, paragrafi 2, të ligjit nr.8927, datë 25.07.2002 “Për Prefektin”, “Përgjegjësitë për emërim dhe shkarkim”, thuhet shprehimisht: “Prefekti i propozon ministrit ose drejtuesit të institucionit qëndror përkatës emërimin dhe largimin e drejtuesve të institucioneve qëndrore në nivel vendor që veprojnë në territorin e qarkut . Në rastin e emërimit propozohen jo më pak se dy kandidatura”. Ligji është i qartë, por sa thuhet në ligj kurrë nuk u zbatua.
Pa i kushtuar asnjë lloj rëndësie personale këtij fakti në këndvështrimin që kompetencat e Prefektit i kanë shfrytëzuar dhunshëm dhe në shkelje ligji persona të tjerë, do të ndalesha në impaktin negativ të këtyre emërimeve duke filluar që nga ana formale pasi në detyrën e emëruar janë të paligjshëm dhe njëkohësisht të pambrojtur e deri në mangësitë në punë të konstatuara nga institucionet e emërtesës, të cilat në përpjekje për të ndrequr gabimet e tyre kanë bërë shumë shpesh emërime e ç’emërime duke vetëpranuar kësisoj se zgjedhjet e drejtuesve kanë qenë të gabuara.
Sjellim pak fakte konkrete. U ndërruan katër herë rresht drejtuesit e Tatim-Taksave në Dibër, së fundmi para një jave, asnjëherë nuk u pyet Prefekti as për emërimin, as për shkarkimin e tyre, qoftë për të dhënë thjesht një mendim. Ikën njëri pas tjetrit drejtorët Luan Xhani, Ilir Kurti, Bujar Kurti, për të vënë së fundmi zotin Gazmir Zenelin në këtë detyrë. Dihet që kush largohet, nuk largohet për punë të mirë. Në sektorin e shëndetësisë emërimet dhe largimet shkojnë dhe më tej në paligjshmërinë e tyre. Largohet nga detyra drejtori i Drejtorisë së Shëndetit Publik Dibër, mjeku Lutfi Bruçi, e në vend të tij emërohet mjeku Pajtim Gjiza. Më pas largohet ky e zëvendësohet nga Fadil Qoku. Në telenovelën e çudisë largohet nga drejtimi zoti Qoku e rivihet përsëri zoti Gjiza. Arsye që të justifikojnë veprime të tilla nuk mund të gjinden e aq më pak të bindin.
Emërohet në detyrën e drejtorit të drejtorisë së Kujdesit Shëndetësor Parësor Dibër mjeku Dritan Hajdari. Largohet nga detyra dhe fillon punë mjek e më pas risillet drejtor në Drejtorinë Rajonale të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor në vend të zoti Gafur Kadriu. Emërime e ç’emërime në arsim e shëndetësi në të tre rrethet e qarkut, emërime e ç’emërime në shumë e shumë institucione të tjera dhe prefektit i mbetet që, pasi të shikojë fytyra të reja në çdo mbledhje, të pyesë për emrat e tyre dhe çfarë përfaqësojnë dhe, kur mëson se janë drejtorë të rinj, t’u urojë suksese në punë në realizimin e programit të Qeverisë.
Pyetjet që shtrohen me të drejtë janë: A mban kush përgjegjësi për emërimet e gabuara të bëra në mënyrë të gabuar dhe ligjërisht?! A duhet të përgjigjet dikush pse ka emëruar drejtorë e më pas i ka larguar për t’i risjellë?! A duhet të mbajë kush përgjegjësi për faktin se të përzgjedhurit nuk kanë qenë më të mirët në llojin e tyre, nuk kanë dhënë e as kanë realizuar atë për të cilën janë vënë në drejtim dhe më pas janë larguar si pa gjë të keq?! Në emërimin e drejtorëve a është mbajtur parasysh fakti që personi i emëruar duhet të garantojë realizimin e programit të Qeverisë në sektorin e caktuar?! A mendojnë këto organe emërtese se me emërime të tilla të pastudiuara jo vetëm pengojnë realizimin e detyrave, por krijojnë dhe imazh të keq në popull?! A mundet që dikush për interesa të çastit të sakrifikojë interesat e Qeverisjes e të mos mbajë përgjegjësi?! I nderuar zoti Kryeministër! Kam besim të plotë dhe të palëkundur në mirëkuptimin Tuaj për problemet e ngritura, të cilat personalisht i konsideroj me rëndësi të veçantë”.
Kështu përfundon shkresa mbushur me ankesa. Dihet që si për çdo gjë tjetër, përgjigje nuk ka.
Heshtje varri, heshtje fajtori. Sollëm thjesht seritë e para të “telenovelave” të PD-së në përgjithësi dhe me kuadrin në veçanti. Ato janë të pafundme, për nga gjatësia dhe intrigat ngjajnë me “100 vitrinat”.
Faksimilet e plota i gjeni në versionin print të gazetës DITA

Un per vehten time per aq sakam pesuar nga pushteti ite djathteve nuk mund te harroj menyren sesi na pushuan nga puna me pretekstin e berjes REFORME ku hoqen nga puna mbi 70 vete shumica specialiste te mirefillte dhe prune aty njerez qe vinin nga rruga flaken njerez, edhe njerez ne prag te dalies ne pension.Pa asnje aresye dhe shkak!Qeverisja e kaluar ka qene shume autarqike ,kurse sot- ishet- po kerkojne zbatimin e-ligjit-qe ata e shkelen poshtersisht!Pafetyresija duhet te luftohet pameshire duke ja prere metastazat deri ne rrenxe!