Shtëpia britanike e prodhimit të makinave “Aston Martin” çeli dje festimet e 100-vjetorit të saj. Ajo gjithashtu ka organizuar një kalendar ngjarjesh festive, të cilat do të zhvillohen përgjatë gjithë 2013-s. “Aston Martin” lindi në Angli, më 15 janar të 1913-s, si ide e Lionel Martinit dhe Robert Bamfordit
Dorina Gjuzi
Duke parë modelet e fundit spektakolare, si “DB9 MY 2013” dhe “Vanquish”, “Aston Martin” nuk duket aspak një kompani që jeton në retrospektivë. Në të kundërt, në një shekull jetë kjo kompani ka ditur të rinovohet në mënyrë të vazhdueshme, por gjithnjë duke respektuar konceptin unik të stilit që e ka bërë të famshme në mbarë botën.
Mbrëmjen e 15 janarit historia e “Aston Martin” u recitua në qendër të Londrës nga aktori Xhon Stending, që interpretoi rolin e themeluesit Lionel Martin. Stending fillimisht i kushtoi një homazh veturës historike “A3”, makinës së parë të shtëpisë e më pas vijoi me historikun e kompanisë deri në krijesën e saj të fundit: “Vanquish GT”, një model tërësisht i ri në gamën e makinave të saj.
Kinemaja, nga ana tjetër ka kontribuar shumë në suksesin e “Aston Martin” nëpër botë. Xhejms Bond në pjesën më të madhe të filmave të tij, madje edhe te filmi i fundit “Skyfall” ka përdorur modelet prestigjoze të “Aston Martin”. Por, pa marrë parasysh famën që i ka dhënë kinemaja, këto lloj makinash janë projektuar për shtresa të caktuara elitare.
Më 15 janar të vitit 1913, mekaniku Robert Bamford dhe piloti Lionel Martin, të integruar prej kohësh në industrinë e automobilave, vendosën të bashkonin aftësitë e tyre duke themeluar “Bamford & Martin”, një pikë shitjeje e makinave të prodhuara në mënyrë artizanale. Robert Bamford e braktisi shoqërinë më 1920-n pas krizës ekonomike që kishte përfshirë vendin dhe pak kohë më vonë të njëjtën gjë do të kishte bërë edhe Martin, sikur të mos kishte ndërhyrë financiarisht fisniku i pasur me origjinë franko-polake, Louis Zborovski. Kompania jo shumë e madhe në përmasa, por elitare në panoramën e makinave luksoze dhe sportive, vazhdoi të rritej gradualisht dhe ende sot prodhon modele si “Gran Turismo”, të realizuara me kujdes me metoda njësoj si në fillesat e saj.
Londra është zemra historike e shtëpisë britanike të prodhimit të makinave. “Henniker Mews Chelsea” ka qenë selia e parë e saj, kur ende nuk quhej Aston Martin (këtë emër e mori më 1926-n). Prej kohësh selia qendrore e saj është zhvendosur në fshatin Gejdon pjesë e qarkut të Uorkshajërit.
E ardhmja flet për supermakina, në një bashkëpunim të ri që do të nisë me Mercedesin, fryt i të cilit do të jenë motorët madhështorë AMG. Festimet për 100-vjetorit të “Aston Martin” do të arrijnë kulmin gjatë “Javës Shekullore”(Centenary Week), midis datave 15 dhe 21 qershor, me një turne të madh që nuk do të ndalet në Mbretërinë e Bashkuar, por do të përshkojë 6 vende të tjera evropiane.