Gjatë ditës së diel Shkupi do të jetë qendra e manifestimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Sot pritet të vijnë personalitetet të njohura nga gjitha trevat shqiptare, kurse në mesin e tyre do të jetë edhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe ai i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, informon “Zhurnal”.
Sipas agjendës, të dy kryeministrat pritet të jenë në kryeqendrën e Maqedonisë pak para orës 17:00.
Po në këtë kohë kryeministri Berisha, kryeministri Thaçi dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmti është paraparë që pranë përmendores së patriotit të madh shqiptar Hasan Prishtina të vendosin kurora me lule.
Pasi të nderojnë këtë figurë të rëndësishme të historisë shqiptare dy kryeministrat së bashku me kryetarin e BDI-së do të drejtohen kah salla më e madhe në Maqedoni “Boris Trajkovski” që kapë një kapacitet prej 10 mijë vendesh. Ky manifestim qendror i shënimit të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, pritet të fillojë në ora 18:00
Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë (MPB) ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë për pritjen e dy kryeministrave, Sali Berisha dhe Hashim Thaçi.
Burime zyrtare pranë MPB-së thonë se kanë hartuar tashmë planin për shoqërimin e dy zyrtarëve të lartë të vendeve fqinje, që do të marrin nesër pjesë në manifestimin qendror për shënimin e Njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski, ka përjashtuar çfarëdo rreziku që mund t’u kanoset dy kryeministrave, si reagim ndaj sulmit me vezë ndaj kryeministrit Gruevski mbrëmjen e së premtes në Tiranë.
“Nuk presim asnjëlloj incidenti. Ne i kemi ndërmarrë të gjitha masat, ashtu si në çdo rast tjetër të ardhjes së funksionarëve të lartë. Detajet nuk mund t’jua them, gjithsesi”, ka deklaruar për “Zhurnal”, zëdhënësi Kotevski.