Pavarësia e Shqipërisë po festohet edhe në Kosovë, përmes një sërë aktivitetesh që janë mbajtur sot në Prishtinë. Drejtues të komunës së Prishtinës kanë bërë sot homazhe për nder të ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe dëshmorëve të UÇK-së. Gjithashtu, ata kanë nderuar edhe figurën e Gjergj Kastriotit.
Numri dy i komunës së Prishtinës, Avdulla Hoti tha se në këtë përvjetor jubilar të themelimit të shtetit modern, sot në Ballkan kemi dy shtete shqiptare.
“Në këtë ditë të veçantë për të gjithë shqiptarët kudo që janë, ne nderojmë ata që kontribuuan për këtë ditë të madhe. Para njëqind vjetësh ka pasur një shtet shqiptar që është shpallur, ndërsa pas njëqind vjetësh kemi dy shtete shqiptare në Ballkan”, tha Hoti.
Gjithashtu, Hoti theksoi se 100-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë është datë me rëndësi të jashtëzakonshme për mbarë kombin shqiptar, nuk është vetëm një akt i rastësishëm. “28 Nëntori është datë e vulosje së arritjeve të shqiptarëve si komb, në rrugën e gjatë të lirisë”, tha ai.