Zanafilla e romanit Lumi i Vdekur të Jakov Xoxës (II)

Ornela

Aristotel Mici

(Vijon nga numri i kaluar)

Sigurisht, në ato vite, ardhja në fshat e një intelektuali prej Tirane, dhe aq më tepër e një profesori nga Instituti i Lartë, ishte një vizitë e rrallë që nëna e priti me nderim.

“Gëzohem, vazhdoi të fliste ajo që djali di të mbaj lidhje me njerëz të ditur e të mirë. Ashtu si i thonë një fjale, nga i dituri dhe nga i vuajturi ke çfarë të mësosh gjithnjë”.

Duke parë se jashtë në hije ishte bukur, nëna nuk kërkoi të qëndronim brenda shtëpisë me një herë sipas zakonit; ajo na la të vazhdonim bisedën që kishim nisur dhe pas pak minutash na solli me një tabaka dy gota me dhallë të freskët tundësi.

Ndërkohë, nëna vuri shkarpa të thata të vatra me tulla jashtë shtëpisë, aty pranë, tek hija e atij shelgu, ndezi zjarr me to dhe nisi të përgatiste vezë të skuqura me djathë të bardhë.

Kur ishim duke ngrënë atë drekë të shpejtë, Jakovi iu drejtua nënës tek po ziente xhezvenë e kafesë.

– Si e mban mend zotrote shpërnguljen e fisit nga Griza?

– Më tepër se shpërngulje, ikja jonë ishte dëbim. Na dëbuan në mënyrë të pamëshirshme,- iu përgjigj nëna, duke afruar shkarpat te urat e zjarrit.

– Po si ndodhi? Për çfarë arsye?

– Në të vërtetë inati i beut filloi me kthimin e tim shoqi, Çaçit, nga kurbeti.. Ai kur erdhi nga Amerika, solli me vete ca para, dhe për çudi edhe një makinë shkrimi.

Atëherë, beu, me të marrë vesh, na erdhi gjoja për urim dhe i tha tim shoqi se fisi i Micallarëve i detyrohej atij për hakën e të tretave për dy vjet, që ishin të padhëna ende..

-Vërtetë nuk ia kishit dhënë ?

-Ia jepnin, po nuk i mbushej syri qehajajit. Është pak, thoshte, e kini fshehur misrin dhe grurin .

– Po kishte fakte për atë që thoshte.

-Aspak. Qehajai fliste në tym. E treta dilte me pakicë, sepse pak u prodhua. Ishte koha e Luftës së Madhe. Austriakët erdhën që andej nga veriu; ushtarët e Italisë së Parë nga Vlora… dhe bënin luftë midis tyre. Mjaft të ruaje kokën; lëre më pastaj atë sëmundjen e keqe të gripit spanjoll. Gjysma e njerëzve të fisit vdiqën. Po ata nuk donin të dinin as për këtë mynxyrë as beu, as qehajai. Dhe kështu, kur erdhi Çaçi me ato para gjithë mundime, ia behën ata, siç thashë. Në fillim i kërkuan makinën e shkrimit për një avokat të tyren. Po nuk u mjaftuan me aq. “Mos harro”, ngulnin këmbë: “kemi dy vjet pa të tretë.”

“-More zotërinj, – ua ktheu Petua, një kushëri, – me ato para që na solli Çaçi, lamë borxhet , që qenë marrë nëpër miq, tani shpirti ka mbetur.”

– Po nuk na dhatë hakën, nuk do t’i keni mirë punët, – u hakërrua qehajai.

Në ato kohë Çaçi qe përzierë edhe me fanolistat. E kishte njohur Fan Nolin qysh në Amerikë. Një më dy dhe fliste për të. Pastaj u lidh edhe me ata të “Bashkimit”. Mirëpo më vonë, kur Fan Noli ra dhe iku, beu ngriti zërin edhe tha: “Më mirë një bujk më pak, se sa një kokëlartë më shumë. …. Nuk të lintë beu të çoje kokë sipër, ja, fjala vjen të ngrije oxhak në vend të baxhasë.

– Dhe pastaj, nga kërcënimi i beut, ju ikët menjëherë.- pyeti Jakovi.

– Nuk shkuleshim kollaj ne, Micallarët ishin fisi i madh. Gjithë djemtë kishin armë. Po megjithatë, ishte koha e bejlerëve. Ata bënin ligjin se kishin qeverinë me vete. Pastaj, duhet thënë se armiqësia e beut me fisin e Micallarëve ishte e vjetër. Shumë e shumë vite para se unë të futesha nuse në këtë derë… Me të dëgjuar e kam se mëria kishte nisur qysh kur qe djegur një pjesë e kashtës së kënetës së Grizës. Po për këtë sherr, që u kthye në hasmëri, më mirë pyesni xha Kolin, sepse ai e ka më të qartë se sa unë. Dhe ashtu, ta ngas llafin, beu na kishte si halë në sy, sidomos kur guxuam të bënim oxhak në vend të baxhas. Ditën e Pashkës së Madhe na dërgoi lajmin që brenda muajit të largoheshim nga Griza. Dhe, kur pa se fisi nuk kishte sy për të lëvizur, beu vendosi të vriste burrat duke u zënë pusi. Ashtu mendoi dhe ashtu bëri. Si kohë më të përshtatshme atëherë gjeti një ditë të martë, që ishte dita e pazarit në Fier.

Atë dit im shoq Çaçi dhe kushuriri i tij, Petro, u nisën kaluar për në qytet, po ecnin si për ditë pazari. Atyre nuk u shkonte në mend se tek kthesa e Mbyetit, tek një vend që i thonë Çesma e Shën-Kollit”, poshtë kodrës, tek ca blaca të mëdha me ferra dhe marina, i ligu, një njeri i beut iu kishte zënë pusi. Kur burrat iu afruan kthesës kaluar, duke u llafosur qetë- qetë midis tyre, i ligu, ai vrasësi, qëlloi dy herë. Petron e kapi plumbi në zemër dhe ra për tokë i vilanosur, kurse im shoq, Çaçi, që nuk e zuri plumbi, u hodh nga kali, nxori revolen dhe u sul vringthi nga vrasësi, duke qëlluar drejt tij, po ai u zhduk në shkorretë…Ishte ditë pazari dhe tërë kalimtarët dhe pazarasit u grumbulluan për rreth të vrarit, ndanë rrugës. U bë zhurmë e madhe; dhe ashtu përmes asaj berihaje Peton e vrarë e sollën në shtëpi me qerre të lyer me gjak. Ditën e varrimit, tok me vajet, u nxor e u këndua edhe një këngë me “oi”, nga gratë dhe me kaba nga burrat::

Të vranë, Peto të vranë,

Të vrau beu me qehajanë.

Në Mbyet ç’ta zunë pusinë,

Tek Çezm’ e Shën-Kollit,

Tek blacat me marinë.

 

Ditë pazari, u muar vesh,

Ç’u bë në Grizë Godolesh.

 Shkrepi dyfeku për t’ vrarë,

Për të vrarë një myzeqar .

 

***

Ndërkohë Jakovi hapi bllokun e shënimeve dhe shkroi shpejt e shpejt fjalë dhe fjali që i interesonin, duke pyetur përsëri:

– Dhe pas kësaj ngjarje të dhimbshme, beu vazhdoi t’u binte më qafë?

– Për ca javë beu nuk u ndje, po në mbarim të gushtit, na vjen një lajmëtar nga komunia më një shkresë në dorë, një bazmata, që ua dorëzoi burrave. Me anë të asaj karte të vulosur, si bazmata, nga kryetari i komunes jepej urdhëri që të largoheshim një orë e më parë dhe t’ia linim të lirë oborrin edhe tokën të zotit të çifligut. Po ne, gjene, nuk po luanim, nuk na benin këmbët të lëviznim. Dhe ku do të shkonim?… Ku të mbyteshim… Ishim shtëpi e madhe me shumë fëmijë të mbetur jetim që nga koha e Gripit Spanjoll. Nuk kaloi dhe shumë kohë dhe në fillim të vjeshtës së parë një mëngjes, u çuditëm kur pamë qehallarët dhe xhandarët , që kishin sjellë me vete edhe ça argatë me shkallë dhe sqeparë.

– Keni shkelur urdhërin e komunës, na thanë. Meqenëse nuk u larguat vetë, po u dëbojmë ne, folën ata si më hakërrim. Vunë shkallet e drunjta nga jashtë dhe urdhëruan argatët që të hipnin lartë e të na hiqnin çatinë. Nuk kishim se çfarë të bënim. Nuk i bihej murit me kokë. Bejlerët e kishin marrë përsëri fuqinë. Kjo u duk qysh kur pazarin e Fierit, që tregëtarët në kohën e Fan Noli e shpunë në Bishanak, bejlerët e hoqën dhe e vunë brenda trojeve të tyre siç pati qenë para Fan Nolit.

Me lotë në sy ngarkuam qerret dhe kuajtë edhe u nisëm për në Fier. Në fillim na hapi oborrin dhe shtëpinë një mik i Çaçit, Tonç Bufi. Ku u sajuam e qëndruam për javë të tëra.

Po për këtë kohë nuk është për t’u harruar ajo që bëri Nëna e Madhe, e veja e Petos së vrarë. Atë e quanin Urani, po djemtë e thërrisnin Gjyshe Maja. E vrerosur nga gjëma që na gjeti, ajo, Nëna e Madhe, një ditë nuk e mbajti veten; e ndërkryer nga gjëma e vrasjes dhe e dëbimit, na merr bastunin e të shoqit dhe vendosi të shkonte tek sarajet e beut dhe ta takonte atë dhe t’i fliste sy më sy. “Mos shko tek beu, i thanë djemtë, se ai do të vrasë”. Le të më vrasë, tha, turpi i tij do të jetë. Nuk më dhimbet më jeta. “Çfarë do të ndreqësh tani, o Gjyshe Maja?” E pyesnin çunat. Asgjë, u tha ajo, vetëm do ta nëm sy më sy. Zoti që është lart shikon, mënon , po nuk harron. Tha ato fjalë dhe mori udhën drejt sarajeve. Po djemtë nuk e lanë vetëm. Dikush mori një cfurk druri, dikush çomange gjuetije dhe i shkuan asaj pas. Vajti atëherë Nëna e Madhe dhe trokiti te porta e rëndë. Pas pak, u hap një derë dhe doli qehajai.

– Çfarë kërkon ? – i foli si nëpër dhëmb.

– Dua të takohem me beun , – i tha.

Qehajai atë çast hodhi shikimin nga çunat dhe e pyeti Nënën e Madhe se ç’donin ata djemtë prapa saj.

– Ata janë në merak se mos rrëzohem unë dhe, po të bie, të më marrin hopa dhe të me shpjenë në shtëpi..

– Do të presësh ca aty, sa të vete dhe të lajmëroj beun, – foli si me inat qehajai, duke mbyllur derën me panxhë.

Më kot po priste Nëna e Madhe t’i hapej dera përsëri. Beu nuk po dukej të zbriste shkallët që të shpinin në oborr. Po, megjithatë, ai doli në ballkonin e katit të dytë dhe iu drejtua prej andej nga lartë Nënës së Madhe, duke shikuar edhe djemtë për rreth saj:

– Për se ke ardhur? Çfarë kërkon?

– Nuk të kërkoj gjë, po jam këtu që të të them se Zoti atje lart, shikon, mënon, po nuk harron. A i sheh këta djem jetim dhe pa strehë? Ja kështu mbetsh dhe ti o zot, kështu me trastë krahu, që kur të të vërsulen qentë e të rrotullohesh, t’u biesh, të të këputet gjalmi i torbës e të përndahen kotheret e bukës e t’i hanë zagarët!

Nëna ime, sado që nuk trembej nga bestytnitë, ajo prap i ruhej “syrit të keq” dhe mallkimit, prandaj dhe shtoi një ide të saj: “Sot kanë dalë ca djemuri që thonë se nuk ka Zot. Mirëpo ja që mallkimin e Nënës së Madhe të fisit e dëgjoi Zoti. Pas shumë vjetësh, …do ti që beu i humbi çifliqet edhe sarajet. Ngeli si i thonë fjalës me gisht në gojë; dhe ashtu, i pazoti për çdo lloj pune, ai e gjeti më të udhës të lypte. “Dhe për çudinë tone, një herë, Nëna e Madhe, megjithëse qe plakur shumë, sa që ecte me bastun, një ditë pazari, i zunë sytë beun me trastë në dorë duke lypur. Atëherë ajo e la inatin mënjanë, bëri kryq me shikim nga qielli, duke thënë: “Mëshiroje, o Zot, se nuk dua ta shoh më keq” .

Ndër kaq, Jakovi, i tërhequr dhe më shumë nga ngjarja, mori fjalën dhe shtoi nga ana e tij: “Kjo Nëna e Madhe, a po Gjyshe Maja, më sjell në mendje një grua tjetër guximtare nga Myzeqeja. Më kujtohet se kur isha ende i ri, shkoja në avokatinë e Zoi Xoxes, ku lexoja dhe koleksionin e “Gazetës Zyrtare”. Një herë në atë gazetë më zunë sytë një njoftim të padëgjuar ndonjëherë. Botohej një thirrje e gjyqit paqtues se “kërkohej një grua e ve nga fshati Pishë i Levanit të Fierit, grua, e cila, pasi kishte kundërshtuar tagrambledhësin e pat qëlluar atë, dhe ishte larguar në drejtim të paditur, duke marrë me vete edhe fëmijët e saj. Kjo grua e ve quhej Pulie Spiro Pali … Që të dyja këto raste tregojnë se edhe gratë e Myzeqesë kanë protestuar kundër dhunës dhe shfrytëzimit.”

Dhe pastaj, pasi bëri këtë krahasim, Jakovi pyeti nënën përsëri:

– Po duke qenë se ishit të strehuar ashtu, në një farë mënyre në Fier, si vendosët edhe erdhët pikërisht këtu, në Shën-Pjetër?

-Shkak për ardhjen tonë këtu në këtë vend qe njohja e Çaçit me ca shokë kurbeti qysh nga koha kur ishin ne Amerikë. Ata, me t’u kthyer në Fier nga mërgimi, filluan të merreshin me tregëtira; kishin dhe ortakëri midis tyre dhe u pati ecur ekonomia,  kishin bërë prokopi. Dhe këta , ortakët i thanë Çaçit:”Ti nuk kë fëmijë të rritur, po ke plot nipër; ….nipa që duan punë. Për të ndihmuar fisin tuaj, ….a nuk do të ishte mirë të bënim një marrëveshje? Në Shën-Pjetër ne kemi gjetur një shtëpi të madhe dykatëshe, që ka disa dhoma dhe konakë edhe oborr t gjërë. Shtëpia që të mbahet do njerëz, kurse ju doni shtëpi. Vendosuni atje, ku ne duam të bëjmë një si fermë, një si bujqësi alla amerikane, me që atje ka hapësira për kullota. Në këto mera gjysmë kënetore do të rrisim kuaj dhe derra, se i kërkon tregu i jashtëm. “Ne do t’u japim “mall” me“hakë” “për gjysëm”; pra “krerët tona”, kurse “prodhi” në mes. Kjo ide u pëlqye nga të gjithë dhe fisi vendosi të ngulitej këtu, në Shën-Pjëtër..

Ashtu u krijua mundësia që gjithë fisi të grumbullohej tek kjo shtëpi e madhe dykatëshe. Nuk u sqarua atëherë se kush e kishte ndërtuar a po shitur godinën. Vetëm se ne mësuam se këtu ishin trojet e Mingajve, të cilët qenë larguar kohë më parë në Vlorë. Në do të dish, këtu, në këtë truall e në këtë shtëpi ka lindur edhe Jani Minga, për të cilin thonë se u bë njeri shumë i ditur. Për këtë arsye toka jonë dhe sot e kësaj dite quhet “Minga”, ose Arat e Minges .

Kështu, në fillim puna po ecte mirë. Kuajt kishin hapësirë dhe u shtuan e u bënë tufa si gjysëm të egër. Kishin plot mera, hanin truskë dhe çole që nga Vija e Ngjalës në kënetë dhe deri në bëset e Povelçës. Ishte vërtetë një kullotë kënetore, dhe kishte lloj lloj barërash të egra që rriteshin vetiu dhe kuajt i hanin e u bënë si të hasdisur. Kuajt e rinj, mëzenjte, u bënë aq të egër, sa nuk i kapje dot. Ndonjë herë thërriteshin pelarë të zotë ciganë, arixhinj, që ishin mjeshtra për zënien e kuajve të egër. Ata dinin të përdornin leqe të mëdhënj për këtë punë.

Në fillin ne gëzonim, sepse na dukej që punët në këtë lloj ferme po ecnin mirë dhe shpresonim se e kishim lënë pas varfërinë. Ditë e natë, gjithë fisi gëzonte; të mëdhenj e të vegjël mendjen dhe sytë i kishin te kafshët dhe gjëja e gjallë, tek bagëtia, se si i thonë asaj fjalës së moçme që gjëja e gjallë të mban gjallë.

Mirëpo kënaqësia jonë se po shpëtonim nga skamja nuk zgjati dhe aq. Përpjekja e tyxharëve ortakë që të fitonin sa më shumë e të shpenzonin sa më pak, nuk doli për mbarë. Kuajt dhe kafshët e tjera vërtetë u shtuan për disa vjet, se qenë me dimra të butë, nuk pati dëmtime. Mirë po na qëlloi që një vit dimri na doli tmerrësisht i keq. U bënë kallkan gjithë kullotat. Fryjti ajo era e fraqit që vjen nga Elbasani, që të merrte shpirtin. Pushonte fraqi, edhe thoshnim ne se po ikte dimri, po jo, dimri nuk tundej, do të bënte të tijën; fillonte smoreci, një erë edhe më e ftohtë. Në ato netë me acar kuajt donin kasolle, donin çati, donin ushqim, donin tagji. Kështu që në atë dimër të egër, ca nga mungesa e kasolleve edhe ca nga pa ushqimi kuajt i zuri tartakuti. Mëkat nga zoti, shumica e kuajve ngordhi nëpër mera në mes të cingrimës.

Në ato rrethana tyxharët ortakë e panë të udhës ta prishnin marrëveshjen , të merrnin gjënë e gjallë të tyre, dhe ne, gjithë fisi, të mbeteshim pa bukë e pa dhallë.

– Dhe, si jetuat pastaj? Si e përballuat jëtën? – Pyeti i bërë kurioz Jakovi, që e ndiqte ngjarjen me vëmendje.

– Shpëtimtarja e fisit tonë atëherë u bë kamina….. Shën-Pjëtra nga ana e kënetës është e rrëthuar nga toka shëllirë, kërkërishte, vende trokë, që nuk prodhojnë asnjë gjë. Po këto lloj dherash, ama, kanë një të mirë, se janë argjil e gjallë, argjil e pastër, “tallabak”, që bëjnë një baltë të përsosur për qeramidhe. Im shoq, në atë kohë, gjeti një usta, që bëntë shtëmba balte, po që ishte edhe mjeshtër për kaminë. E solli këtu që t’u mësonte djemëve si të ngrinin kaminë.  Brenda një muaj ai ua dha atyre zanatin. Kurse ne nga ana jonë i dhamë një mës peshqesh. Kështu djemtë filluam të prodhojnë mijëra tulla dhe qeramidhe. Me to nxirrnim bukën e gojës. Shkëmbenim mall me mall. Jepnim dy mijë tulla, fjala vjen, për një kuintal misër ose grurë. Ishim të vetmit që ngritëm kaminë në këto anë dhe prandaj nuk na ngeleshin pa shitur qeramidhet. Po edhe kjo punë nuk doli për mbarë. Duhej paguar shqopa, lënda djegëse, pa le taksat, që dilnin më shumë se sa fitim. Me një fjalë iknim nga varfëria në varfëri. Ngelëm përsëri, në udhë kryq., si i thonë fjalës.

Kështu e mbylli fjalën nëna atë pas dreke, tek pinim nga dalë filxhanët e kafesë.

Lidhur me këto episode si dhe këngën e mësipërme të asj kohe, Jakovi do të shkruante dhe do të komentonte me shokët e kolegët e tij. Siç tregon shkrimtari dhe studiuesi i mirënjohur Prof. Nasho Jorgaqi në librin e vet me kujtime, kur flet për një nga takimet me Jakovin, ai shkruan:

“Kësaj radhe m’u duk krejt ndryshe, gati i ngazëllyer, kur, sapo u ulëm, më tha: “Më në fund, u zgjidh lëmshi. E gjeta ngjarjen maja!” Unë akoma nuk po e kuptoja se për çfarë e kish fjalën konkretisht, sepse vetë togfjalëshi më tingëllonte i paqartë. Vetëm kur më shpjegoi, mora vesh se kish gjetur më në fund ngjarjen që do të lidhte lëndën e mbledhur e do ta ngjizte veprën. Si vjen puna,- më tha,- njoha rastësisht një mësues nga Shën Pjetra. Nuk di në se e njeh, se edhe ai shkruan. Aristotel Mici e quajnë. Më ftoi bile edhe në shtëpinë e tij në fshat, ku u takova me të ëmën.. Ajo ishte një arkiv i gjallë. Këtë e kuptova kur u shtruam në muhabet. Familja e tyre kishte një histori sa dramatike, aq dhe heroike. Ishte historia e një familjeje myzeqare, vrarë e gjakosur me bejlerët, për të cilët këndohet edhe këngë, gjë e rrallë kjo në këto anë, ku shtypja dhe padrejtësia ishte ulur këmbëkryq. Fisi i Micallarëvë është nga Griza, por armiqësia me bejlerët e shpërnguli prej andej dhe i solli në Shën Pjetër. Nuk e ke idenë se sa u gëzova nga gjithësa më treguan. Gati sa nuk thirra: “Eureka!”

(Vijon në numrin e ardhshëm)

 

Share This Article
3 Comments
  • Ka me teper Shqip ne kere bisede se ne intervistene 10 faqe te gazetarit dhe gjuhetarit qe su mbahen ment emrat.Ai vulhumburi nga Gjirokastra qe coc nxuri ne Austri asgje nuk dinte nga keto fjalet qe perdorin raca shqiptare, diteziu ai na sakatoi gjuhen.Ja ku e keni fjalen magjike Menon nga ku vjen edhe Nemesis, Nema ju shofte ju gjuhetare anti shqiptare qe i keni syte plasur.Ka albanologji ne kete shkrim sa te mbahet ne pune gjithe aradha e pasuesve te gjirokastritit te paudhe qe as Shqip nuk mesoi ne gjallje.Ajo toke qe shkolloi perandorin e Romes ka ar mbi dhe nen dhe. Mingajt nga na dolen vlonjate nga Shen Pjetra?

  • Jakovi i Shejte ka perdorur ashtu si parardhesi i tij disa mije vjet me pare per te shprehur gezim, emocion te njejten fjale Shipe “E.-U-RE-KA”Ashtu si Arkimedi edhe Jakovi, bije te se njejtes Race.

  • Kot e ke qe ngaterron Jakov Xoxen me greket,,o apollon .
    Urrejtja jote per Eqrem Cabeun e madh eshte e pajustifikuar…Nese kerkon te jesh i besueshem ne etimologjine e fjaleve,,ne vend qe ti ndash fjalet ne rrokje e ti japesh kuptimet,qe fantazon kaplloqja jote injorante,,me mire shko meso ndryshimet e fonemave dhe morfemave historike ne gjuhet indogjermane,,pastaj merru me Cabeun.
    Shqiptaret,e krishtere dhe muhamedane,as kane qene as jane te nje rrace dhe te nje gjuhe me greket.
    Madje jane shume te larget.
    Megjithese kane qene te detyruar ti kene fqinj keto 3000 vjet,gjuhesisht jane aq larg,,sa me te afert kemi letonezet dhe prusianet e veriut,se greket.
    Eshte njesoj si te kesh komshi ne shkalle nje jefk,me te cilin nuk te lidh as rraca,as lekura.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *