Epidemiologu, Ilir Alimehmeti nëpërmjet një noftimi në Facebook, ka shpjeguar nëpërmjet të dhënave mitin mbi të cilin thuhet se “fëmijët e vuajnë më shumë variantin Omicron”!
Sipas epidemiologut varianti Omicron është më i lehtë se varianti Delta për fëmijët 0-5 vjeç, dhe për të shpjeguar këtë fakt, Alimehmeti ka publikuar të dhëna nga studiuesit e Universitetit Case Western Reserve (SHBA) ku thotë se ka 67% më pak risk për t’u shtruar në spital gjatë valës Omicron për fëmijët se sa gjatë valës Delta.
Gjithashtu sipas të dhënave thuhet se ka rreth 68% më pak risk për t’u shtruar në terapi intensive gjatë valës Omicron dhe 71% më pak risk për të pasur nevojë për ventilim mekanik.
Analiza e plotë:
“Nëse duhet të ketë shqetësime, ato m’i lini mua, në mënyrë që fëmija im të ketë paqe.”
Cit.: Thomas Paine
Miti që qarkullon aktualisht është se: “fëmijët e vuajnë më shumë variantin Omicron”!
Fakti është se: “SARS-CoV-2 gjithnjë i ka prekur shumë më lehtë fëmijët dhe Omicron është shumë më i lehtë se Delta”
Studiuesit e Universitetit Case Western Reserve (SHBA) studiuan në detaj:
7.198 fëmijë 0-5 vjeç të infektuar për herë të parë në periudhën kur >92% e rasteve ishin Omicron dhe
7.198 fëmijë 0-5 vjeç të infektuar për herë të parë në periudhën kur të gjitha rastet ishin Delta.
Në studim nuk luajti rol imuniteti preekzistues, sepse:
fëmijët 0-5 vjeç, siç e dini, janë të gjithë të pavaksinuar dhe
në studim u morën vetëm fëmijët e infektuar për herë të parë.
Në studim për shkak të metodologjisë çiftuese, fëmijët janë të njëjtë për sa i përket:
moshës
gjinisë
nivelit socio-ekonomik
sëmundjeve bashkëshoqëruese dhe
mjekimeve të marra prej tyre.
Rezultatet janë të qarta në favor të ecurisë klinike më të lehtë të Omicron kundrejt Deltës!
Shtrimet në spital:
1.0% e fëmijëve me Omicron; 3.1% e fëmijëve me Delta; 67% më pak risk për t’u shtruar në spital gjatë valës Omicron.
Shtrimet në terapi intensive:
0.14% e fëmijëve me Omicron; 0.43% e fëmijëve me Delta; 68% më pak risk për t’u shtruar në terapi intensive gjatë valës Omicron.
Ventilimi mekanik:
0.33% e fëmijëve me Omicron; 1.15% e fëmijëve me Delta; 71% më pak risk për të pasur nevojë për ventilim mekanik gjatë valës Omicron.
Autorët dalin në përfundimin:
Të marra së bashku, këto rezultate tregojnë se varianti Omicron është qenësisht më i lehtë se sa varianti Delta për fëmijët 0-5 vjeç.
a.m/dita
