Kryeministri 68 vjeçar i Shqipërisë dje në mbledhjen e grupit të deputetëve të tij me atë stilin e njohur të “më thanë” e “i thashë” ka folur sërish për një “komplot apo puç” që sipas tij është përgatitur në një ditëlindje. (nuk e thotë por fjala është për ditëlindjen e Preç Zogajt). Tha Berisha ndër të tjera:
“…Më duhet t’ju rrëfej një “darkë të gabuar”, që ka ndodhur 5 ditë më parë, tek Rozafa, te kazinoja. Aty, në dukje po festohej ditëlindja e njërit prej ish-bashkëpunëtorëve të mi. Në thelb, jo me një, por me disa dëshmitarë, kjo darkë ishte një lloj përpjekjeje për një gjysmë komploti apo puçi, që, natyrisht, nuk ishte ndaj kurrkujt tjetër, përveçse ndaj Sali Berishës. Një ish mik i imi, një gazetar i një gazete që nuk botohet më, (e ka fjalën për Ylli Rakipin) i thotë: Spartak, po çfarë shteti bëri Enveri, sepse ai të futi në burg ty dhe prindërit e tu. Spartaku ia kthen: Në burg më futi, por më futi me ligje. Të pranishmit i kthehen Edi Ramës dhe i thonë: Kemi ardhur këtu për të bërë enverizëm, apo si të ftuar? Dhe ai u thotë se shtetin, Enveri e kishte serioz. Muhabeti u prish komplet, kur gazetari që përmenda më lart, i thotë: Kur unë kisha muhabet me Berishën, i kisha thënë në mënyrë të përsëritur që tre vetë nuk të duhen. Avokat Ngjela kthehet dhe e pyet kush ishin ata të tre. Dhe gazetari vazhdon: I pari Spartak Ngjela, i dyti Mero Baze, i treti Bamir Topi. Kjo gjë e xhindosi avokatin. Si përfundim, ajo çka në paraqitje ishte një ditëlindje, u shndërrua e tëra në një darkë të gabuar, jo me Gurametër, por me guralecë...”
Mero Baze është përgjigjur me një letër të hapur në TemA-n e tij online dje në mbrëmje, ku ndër të tjera shkruan:
“…Meqë e paske me mua, po të them që ata tetë fëmijë, që le jetimë nga frika e karriges, kanë për të qenë ferri i nipave dhe mbesave të tua, nëse në këtë vend nuk vendoset drejtësia. Unë do të jem në anën e tyre derisa gjaku i prindërve të tyre të lahet me drejtësi. Ti burracak që vret pas dritaresh të blinduara do të kesh një fund më të tmerrshëm seç e përfytyron. Ti mendon se fundi i botës është “puçi”. Jo, fundi për ty do të jetë më keq. S’do të të lënë të qetë ty dhe pasardhësit e tu, përfshi këtu Lulëzim Bashën. Ke për ta parë me sy këtë tmerr. Puçi nuk është asgjë...”
Dhe ca më tej risjell në këtë shkrim, disa nga momentet e tij me Berishën:
“…Besoj të kujtohet kur të kam gjetur në zyrë me 2 të natës, me dritë të fikur nga frika, me gruan që nuk e dije ku e kishe, me fëmijët që të ishin arratisur në Itali dhe me Genc Pollon në paradhomë që tallej me frikën tënde. Besoj e mban mend kur më ke ngelur në dorë më 1 të natës, natën që Edi Rama u bë për herë të parë kryetar bashkie në Tiranë dhe m’u desh të thërrisja tët bir të të jepte “ilaçin” që të mban Liria në sirtar për t’u ngjallur. Ti mund të pajtohesh dhe të armiqësohesh me Edi Ramën se jeni në politikë. Nuk kam punë me betejën tuaj. Unë kam betejën time me ty dhe të siguroj që të gjallë nuk më mund dot…”