“Nëse kryeprokurori ndërrohet tani, prisni një fushatë elektorale me gjueti shtrigash”
Stefani, ju keni qenë një nga analistët që jeni shprehur shumë herë kundër që opozita të hiqte dorë nga paketa shoqëruese si kusht për votimin e heqjes së imunitetit. E megjithatë opozita lëshoi edhe këtu. Bëri gabim?
Opozita ka qenë e qartë për rreziqet që mbart kufizimi i imuniteteve në kushtet kur nuk ka një gjyqësor të pavarur dhe kur së shpejti, për shkak të ndryshimeve të Kushtetutës, Berisha bëhet gati të vendosë një delfin të tij edhe në krye të prokurorisë.
Por në kërkesën e saj të drejtë opozita nuk ka patur mbështetjen e ndërkombëtarëve. Unë nuk mund të eci me optimizmin bosh që qarkullon këto ditë në formën: Berisha nuk bën më nga ato budallallëqet e dikurshme kur plaste në burg kreun e opozitës Fatos Nano. Mendoj se Berisha mezi pret të marrë zyrën e kryeprokurorit. Do ta përdorë jo vetëm për të bërë shantazh mbi opozitarët por edhe për të përmirësuar disi “bilancin” përsa i përket korrupsionit të madh në nivel deputetësh, ministrash, zv.kryeministrash dhe kryeministrash.
Në nivel zv.ministrash, – tha disa javë më parë znj.Topalli…
Pikërisht… Ajo që shprehu Topalli tregon se ka një skenar “antikorrupsion” për ca koka turku në nivel deputetësh dhe zv.ministrash. Kjo gjë nuk do të ndodhë, të paktën para zgjedhjeve të vitit 2013, nëse Berisha pranon që mandati i Ina Ramës nuk mbaron në nëntor të këtij viti por në maj të viti që vjen.
Berisha këmbëngul ta largojë Ina Ramën tani, në nëntor…
Ky është treguesi së ai ka në kokë një skenar gjuetie shtrigash kundër opozitës që për “paanshmëri” do balancohet edhe ma ca koka turku në nivel zv.ministrash. Nëse nuk duan që kjo të ndodhë, ndërkombëtarët duhet të ngulin këmbë që kryeprokurori i ardhshëm të jetë një jurist i zgjedhur me konsensus ashtu sikundër pritet të bëjnë për kreun e KQZ.
*Pjesë nga një intervistë e publicistit të njohur Andrea Stefani me kryeredaktorin e DITA-s, Adrian Thano. Intervista e plotë mund të lexohet në gazetadita.al