11 epigrame

editor

E mësova të vërtetën,
tani që më erdhën mentë:
“Sa më shumë që i njoh njerëzit,
aq më shumë i dua qentë!.”

Do të dal në mes të ditës,
porsi Diogjeni i hershëm,
do dal me qiri në dorë,
të gjej një njeri të ndershëm!

Të them ty o burrë i thinjur,
dhe ty o djalosh i ri:
“Jo çdo gjë që ndrin e verdhë,
është domosdo flori!”

A e dini ju o njerëz,
një fjalë plot ëmbëlsirë:
“Erë e hudhrës e mbyt keq,
dhe parfumin më të mirë!

O qymyr s’të bëj dot mik,
s’kam lindur për vetëmohim,
kur je i ndezur më djeg,
kur je i shuar më nxin!

Këto fjalë të arta që qëndrojnë mirë,
s’i ka thënë aspak një gojë memece:
“Më mirë rro në shpellë me një egërsirë,
se sa në shtëpi me një grindavece!”

Kur më shajnë aq më bën,
aq më bën e s’më prish punë,
se kur më kafshon një qen,
nuk mund ta kafshoj dhe unë!

Një fjalë të urtë dhe të artë,
as topi dot nuk e luan:
“Shqiponja-ky zog kryelartë,
për mizat e dheut nuk gjuan!

Ul kokën dhe shpinën gjithmonë,
ti bir i mjerë robërie:
“Se dielli nuk del për të verbërinë,
kambana për shurdhin nuk bie!.”

E hodhën në kosh të plehut,
t’i merrnin nderin të mirit,
po ai kosh i shëmtuar,
mori vlerën e floririt!

Njerëzit mund të jenë,
të liq e të mirë,
po pa drejtësinë,
askush s’është i lirë!

Share This Article
7 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *