Me homazhe, përkujtim për viktimat e mbështetje për familjarët, më shumë me heshtje dhe lutje se sa me zhurmë, Shtetet e Bashkuara përkujtuan 14 vjetorin e tragjedisë që tronditi vendin, me një bilanc tragjik. Kur këtë javë Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, vendosi çështjen e sigurisë së amerikanëve dhe të të gjithë vendit mbi atë të një pritjeje të mundshme të refugjatëve sirianë, nuk bëri asgjë tjetër veçse përsëriti të njëjtin mesazh që artikulohet që prej asaj dite fatale. Kërcënimi i Al Kaedas tashmë është zëvendësuar me atë të Shtetit Islamik, që mban të hapur kanalet e debatit politik mbi mënyrën e luftimit të terrorit xhihadist.
Qeveria federale e ka njohur 11 shtatorin si Ditën e Patriotizmit dhe Ditës Kombëtare të Shërbimit dhe Përkujtimit, (Patriot day and National day of service and remembrance) ku Uashingtoni dëshiron që populli amerikan të angazhohet në akte vullnetare në kujtim të të vdekurve, të mbijetuarve dhe njerëzve që u kujdesën për ndihmën e shpejtë. Kreu i Shtëpisë së Bardhë mbajti një minutë heshtje së bashku me gruan e tij Michelle në orën 8:46 të mëngjesit, çastin kur avioni i parë goditi kullën veriore, ndërsa i dyti u përplas me kullën jugore në orën 09:03. “14 vjet pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, ne nderojmë ata që kemi humbur. Falënderojmë të gjithë ata që luftojnë që ne të jemi të sigurt. Jemi më të fortë se kurrë”, tha Presidenti Barack Obama.
Ceremonia nisi në Qendrën Tregtare Botërore, tashmë e rilindur në një godinë të vetme. Aty u regjistrua edhe numri më i madh i viktimave, emrat e të cilëve u lexuan me zë të lartë. Nga këto dy sulme gjetën vdekjen 2753 persona. Mes tyre janë më shumë se 300 zjarrfikës, që mbërritën në vendngjarje pas përplasjes së parë, ndërsa dhjetëra të tjerë oficerë policie dhe grupe të emergjencave civile. Për të kujtuar viktimat e sulmit, presidenti amerikan dekretoi dje tri ditë lutje. “Unë, Barack Obama, presidenti i SHBA-së, në bazë të autoritetit që më jep Kushtetuta dhe ligjet e Shteteve të Bashkuara, shpall nga sot e premte 11 deri të dielën, 13 shtator ditët kombëtare të lutjes dhe përkujtimit kombëtare”, tha presidenti amerikan në një deklaratë.
“U bëj thirrje amerikanëve për të nderuar dhe për të kujtuar viktimat e 11 shtatorit 2001 dhe të dashurit e tyre përmes lutjeve, meditimit, tingëllimës së kambanave, dritës së pishtarit dhe aktiviteteve të tjera të këtij lloji”, shtoi ai, duke deklaruar se njerëzit nga e gjithë bota janë të ftuar të marrin pjesë në këtë përkujtim.
Por a e ka fituar SHBA luftën me terrorizmin?
Sulmet e 11 shtatorit 2001 tronditën botën perëndimore dhe ngjallën alarmin për rreziqet e terrorizmit islamik. Administrata e George W. Bush reagoi ndaj sulmeve duke nisur një “luftë totale” kundër organizatave xhihadiste. Shtetet e Bashkuara kryesuan aksione ushtarake kundër Afganistanit në vitin 2001, një ndërhyrje e projektuar për të rrëzuar talebanët, dhe në Irak në vitin 2003, për t’i marrë Sadam Huseinit frerët e Irakut.
Megjithatë, asnjë nga fushatat nuk pati sukses: të dy territoret ende vuajnë shkatërrime të shkaktuar nga grupe të dhunshme dhe stabiliteti politik është më shumë se i diskutueshëm. Aksionet ushtarake amerikane nuk i dhanë fund terrorizmit. Situata që po kalojnë aktualisht Siria dhe Iraku, ku Shtetit Islamik lufton për të forcuar kalifatin e vetë-shpallur, është provë e këtij realiteti. Drama e refugjatëve që i largohen konflikt të hapur në të dy vendet tregon fytyrën më dramatike dhe njerëzor të dështimit të fushatave të ndërmarra.
Grupet xhihadiste janë shtuar apo kanë forcuar pushtetin e tyre: Al Qaeda, ndonëse e dobësuar, vazhdon të sulmojë. Talibanët kërcënojnë Afganistanin në mënyrë periodike. Al Nusra në Siri dhe Boko Haram në Nigeri, mbjellin ende kaos. Pas dështimeve në Afganistan dhe Irak, Administrata Obama ndërtoi një politikë të jashtme më të kujdesshme. Shtetet e Bashkuara udhëheqin që prej shtatorit koalicionin ndërkombëtar për bombardimin e shtetit Islamik edhe pse një ndërhyrje në terren, ashtu si në të kaluarën, rezulton e pamundur për momentin. Megjithatë ende 14 vjet më vonë kërcënimi i xhihadit vazhdon të drithërojë botën. /DITA
