Rreziku i kontrollit të Bankës nga ai që kërkon destabilizim

anazapta

A do dënohet ish-guvernatori Fullani?Ka shumë pak gjasa që kjo të ndodhë, akuza ndaj tij është shumë e përgjithshme dhe me mjaft hapësira. Por ndërkohë, arrestimi e largoi atë nga detyra dhe do duhet të zgjidhet një guvernator i ri. Pyetja e famshme “Kush e trimëroi kaq papritur Prokurorinë?” vazhdon të mbetet pa një përgjigje të faktuar, por ajo që kemi deri tani është e qartë: u hoq një guvernator që kishte nisur të bashkëpunonte me mazhorancën e re dhe vendin ia ka zënë një person shumë i afërm me familjen Berisha. Vetë Fullani është shprehur se “ndihet i prerë në besë”. Nga kush? Kush ia premtoi mbrojtjen? Sigurisht që mbrojtje mund të të premtojë ai që kontrollon mjetin e sulmit. Kush e kontrollon sot Prokurorinë? Dhe paralel me këtë bën përshtypje që sulmi ndaj Fullanit u amplifikua nga e njëjta media që “zbuloi avionët me drogë të Divjakës” dhe që njihet për lidhjet e forta me liderin e PD-së. Cilatdo qofshin arsyet dhe qëllimet në prapaskenë, ajo që tashmë është e qartë, është që Banka do ketë për disa muaj një guvernatore që ka shërbyer si këshilltare e Berishës për vite me radhë, madje njihet edhe si ideatorja e Sudes. Kush mendon se disa muaj të saj në bankë janë pak po i kujtojmë që Berishës i mjaftuan 3 muajt e tranzitimit të pushtetit për të shkaktuar dëme që do duhen mandate të tërë për t’i rikuperuar. Qëllimi ka qenë i njëjtë me tani: destabilizimi i ekonomisë së vendit si mënyra më efikase për të sabotuar qeverisjen e pas 23 qershorit. Jo më kot flet vazhdimisht për “skenarin grek”. Nuk ia arriti dot disa muaj më parë, për shkak të ndërhyrjes së FMN-së, por mund të realizojë gjithçka nëse ka në duar plotësisht levat e Bankës së Shqipërisë. A mund ta bënte me Fullanin? Me sa duket, po nuhaste që ai me tipin e tij të afrueshëm me të gjithë, nuk kishte guximin e nevojshëm për shkatërrim. Por me një si znj. Gjoni në krye të BSH, mund të bëjë shumë më tepër. Është e vërtetë që ajo konsiderohet e përkohshme, por zëvendësimi i saj mund të bëhet lehtësisht i vështirë. Për më tepër, juristët e PS-së nuk janë dalluar ndonjëherë për zotësi juridike, sidomos kur janë përballë grackave si ato në të cilat kanë rënë shpesh kur PD ka dashur të zvarrisë procese.

***

Guvernatori në dorën e Nishanit, por…

Erion Habilaj

 Guvernatori i ri Bankës së Shqipërisë do të zgjidhet një prej anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, i cili do të përzgjidhet nga Presidenti dhe më pas do të miratohet nga Parlamenti. Aktualisht Këshilli Mbikëqyrës ka 5 anëtarë nga nëntë që duhet të kishte, për shkak se Ardian Fullani ndodhet i arrestuar, mungon një zëvendësguvernator i dytë, i cili duhet të ishte emëruar prej shtatë vitesh dhe një anëtar tjetër nuk është zgjedhur nga Kuvendi, ndërsa Ardian Civici ka dhënë dorëheqjen vetëm dy ditë më parë. Mazhoranca tashmë duhet të plotësojë vendet vakante për katër anëtarë dhe më pas të pritet propozimi i Presidentit për guvernatorin e ri, që do të jetë një prej 9 anëtarëve të bordit. Me ndryshimet e ligjit për Bankën, në vitin 2002, guvernatori i ri i cili vjen nga nëntë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, propozohet nga Presidenti dhe më pas miratohet në Kuvend. Sipas ligjit, kreu i shtetit duhet të konsultohet me kreun e ekzekutivit për gjetjen e një emri të gjithëpranuar.

Opsionet për zgjedhjen e Guvernatorit

Në kushtet në të cilat ndodhet Banka, shpejtësia e veprimit nga institucionet që zgjedhin drejtuesit e saj duhet të jetë e madhe. Presidenti, pasi të jetë plotësuar vakuumi në Këshill, duhet të propozojë emrin e guvernatorit të ri. Por që të miratohet, duhet të ketë dhe pëlqimin e qeverisë që ka shumicë të cilësuar në Kuvend. Presidenti në variantin e parë mund të paraqesë një emër që të jetë i konsultuar më parë dhe të miratohet pa hezitim. Por Nishani mund të tregohet tekanjoz siç ka bërë me anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe të propozojë një emër që s’do të merrte pëlqimin e mazhorancës. Ky opsion do ta komplikonte situatën dhe do të zgjaste vakuumin në Bankën e Shqipërisë. Disa nga anëtarët aktualë të Këshillit Mbikëqyrës janë anëtarë, ose të lidhur direkt me Partinë Demokratike. Elisabeta Gjoni, aktualisht guvernatore e komanduar, vjen si këshilltare ekonomike e Sali Berishës dhe me një miqësi familjare dhe personale me të. Mes të tjerash ajo është edhe anëtare e fondacionit për fëmijë të bashkëshortes së Sali Berishës, Liri Berishës. Dhori Kule është anëtar i Këshillit Bashkiak, nën siglën e Partisë Demokratike në Tiranë, ndërsa Petraq Milo vjen si këshilltar ekonomik i Sali Berishës, nga koha që ky ishte kryeministër i vendit. Duke pasur parasysh edhe pozitën ligjore që kanë këta anëtarë, do të ishte shumë e vështirë për ta të mbanin postin që kanë aktualisht dhe zgjedhja e një prej tyre si guvernator do të komprometonte sërish institucionin, dhe pas procesit, Banka nuk do të dilte më e pastër moralisht, siç u shpreh kryeministri.

***

Eksperti

Çfarë ndodh nëse arrestohen apo dorëhiqen të gjithë anëtarët e Këshillit?

Në rastin kur arrestohen apo dorëhiqen të gjithë anëtarët e Këshillit, situata bëhet me e komplikuar, por jo pa zgjidhje. Eksperti ligjor, Neritan Kallfa, në një prononcim të shkurtër për atë që do të ndodhë tashmë në Bankën e Shqipërisë pas arrestimit të Fullanit, thotë se ekzistojnë rregulla jo të parashikuara në ligj, as në statut, por në rregullat proceduriale për plotësimin e boshllëkut të krijuar. “Ka rregulla proceduriale të miratuara nga Këshilli, të cilat parashikojnë që në rast pamundësie të Guvernatorit të Bankës, vepron zëvendësi i parë dhe në rast pamundësie të zëvendësit të parë është zëvendësi i dytë. Ekziston edhe mundësia e alternimit të zëvendësve midis njëri-tjetrit. Në rast hipotetik, ku të tre nuk mund të ushtrojnë detyrën, ekziston edhe një alternativë tjetër ku zëvendësohet nga nëpunësi më i vjetër në moshë, në një strukturë që është e lartë në hierarkinë e Bankës së Shqipërisë. Kjo nuk është e parashikuar në ligj, as në statut, por në rregullat procedurale”, shpjegon Kallfa.

 

 

 

 

 


 

 

 

Share This Article
4 Comments
  • Nje Guvernator i huaj do ishte me e pranueshme. Por a ka vullnetin, vizionin, integritetin e duhur Presidenti i PD-se qe ta beje kete gje???
    Sbesoj, ai do te ndjeki dhe zbatoje direktivat e Sekretarit te pare ne PD. Shokut Sali !
    Pra do te zgjedhi nje sejmen/e PD-ist ekzistues ne Banke ose nje te ngjashem jasht saj.
    Eshte ceshtje kohe.
    Mbi te gjitha rendesi ka te vendoset drejtesia, ligji ! sepse vetem keshtu sdo na perseritet me Skandali i BSh-se.

  • PS+LSI mund te ndryshojne ligjin mbi zgjedhjen e guvernatorit ta zgjedhe palamenti te ja heqi kete te drejte Presidentit me urgjence po qe se nishani luan bishtin

  • Me sa duket erdhi koha per nje President dhe kryeminister te huaj ne Shqiperi ! Edhe po erdhen me force, tani nuk ka me Vasil Laçi dhe Avni Rustemi .
    Jene bere Vasilis Llaqis dhe Avnius Rustemaqis.
    Nuk do te ishte me mire te ndoshte kjo ? Dhe Shqiperia merr rrugen e mbare ! Hajt , Puna e mbare – thot Ai dhenderri i Ri i qeverise.

  • Boooboooo!Po hyri Sala ne banke,eshte si te hyje ariu ne hasude! Kesaj Elisabeta Gjonit i tregon pashaporten diplomatike ai;-Beta,tregoi Sales tat ti,ku jane Eurot,qe pruri FMN-ja??
    Prandaj iku me urgjence per Amerike perfaqesuesi i FMN-se!!Rama thuj Tahirit te mobilizoje forcat e Lazaratit,te ruaje paret,se ti zhduku maloku,po s`i pat marre!Merri mor shpejt forcat komando,se jane duke korr tershane ne Dukagjin!!!!!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *