111- vjetori i themelimit të Klubit “Bashkimi” në Gramsh

Ornela

Nga Marenglen Kasmi

Themelimi i klubeve kombëtare shqiptare tregonte një shkallë të lartë reflektimi të atdhetarëve shqiptarë ndaj detyrës së tyre historike për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha turke. Këto klube do të shërbenin si promotorë të lëvizjes politike dhe kulturore me qëllim rritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe bashkimin e popullit shqiptar. Një nga hapat e parë që hodhën klubet shqiptare për realizimin e këtyre detyrave të rëndësishme me peshë kombëtare ishte edhe krijimi i kushteve për hapjen e shkollave shqipe, dhënia e mësimit në gjuhën shqipe në shkollat e huaja që ekzistonin në Shqipëri si edhe unifikimi i alfabetit të gjuhës shqipe. Këto klube ishin organizata me bazë të gjerë demokratike, nën ombrellën e të cilëve gjenin vend gjithë shtresat e shoqërisë shqiptarë, filluar prej parisë shqiptare që kishin bërë karrierë e ishin pasuruar në administratën osmane, intelektualëve, nëpunësve, mësuesve, ushtarakëve, përfaqësuesve të borgjezisë qytetare dhe bejlerëve e çifligarëve etj. Sikurse kuptohet edhe nga larmia e anëtarëve të këtyre klubeve edhe idetë politike që ata përfaqësonin ishin të ndryshme, filluar prej atdhetarëve me pikëpamje radikale e deri te ata me mendime më të moderuara. Pavarësisht këtyre mendimeve, ajo çka ata i bashkonte ishte bindja e thellë se tani më vonë se kurrë populli shqiptar duhej të fillonte rrugën e bashkimit kombëtar, të gëzonte të gjitha liritë si gjithë popujt e tjerë dhe të kishte të drejtën e mësimit të gjuhës amtare, të punonte për ngritjen e nivelit kulturor nëpërmjet shkollave, botimeve të shtypit të përditshëm, periodikëve e librave të ndryshëm në gjuhën shqipe.

Këto mendime morën një formë më të plotë më 31 korrik 1908, kur në Manastir u formua klubi “Bashkimi”. Madje, në këshillin e “Bashkimit” të Manastirit bënte pjesë edhe një atdhetar i njohur nga Gramshi, Xhile Liçi i cili në kujtimet e tij shkruan se “Lidhëm një komitet të ri, ku si këshill ishja dhe unë. Komiteti vendosi të punonim kundër xhonturqve”. Xhile Liçi kishte qenë i angazhuar edhe në Kongresin e Manastirit, e sidomos në zbardhjen, botimin dhe shpërndarjen e materialeve të Kongresit të Alfabetit.

Krijimi i këtij klubi ishte një ndër nismat më të guximshme dhe njëherazi më e zgjuar e atdhetarëve shqiptarë për artikulimin me forcë të çështjes kombëtare shqiptare. Tanimë, në mënyrë të organizuar nëpërmjet kanaleve të komunikimit të këtij klubi po propagandohej fuqishëm nevoja e bashkimit të vilajeteve shqiptare, çka do të shërbente si pikënisje për bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Edhe zgjedhja e emrit të klubit “Bashkimi”, nuk ishte një rastësi. Nën shembullin e Manastirit, u krijuan menjëherë brenda vitit 1908 edhe klube të tjera në qytetet shqiptare, si në Korçë, Vlorë, Elbasan, Shkup, Shkodër etj. dhe një vit më vonë, klubet të tilla patriotike u krijuan edhe në Tiranë, Durrës, Gramsh, Gjirokastër, Përmet etj. Pavarësisht se nuk ekzistonte një rregullore e përbashkët e organizimit të këtyre klubeve mund të themi se ato orientoheshin kryesisht drejt Klubit “Bashkimi” të Manastirit dhe qëllimi i tyre ishte i përbashkët.

 

Themelimi i klubit “Bashkimi” në Gramsh

Në faqen e parë të gazetës “Lirija” që botohej në Selanik çdo të shtunë nga Lumo Skëndo, në numrin e saj të datës 15 gusht 1909 shkruhej në faqen e parë se “me shumë gaz mësojmë se në Gramsh (Elbasan) më 1 të Gushtit u çel një klub shqip. Gjithë urimet tona për këtë klub të ri dhe dhëntë Zoti e përparoftë”.

Këto pak rreshta të shkruara në këtë gazetë kishin një rëndësi të mëdha. Më tepër se përmendja e një krahine të vogël e të thellë siç ajo e Gramshit, më i rëndësishëm është mesazhi që përcillte ky njoftim: atdhetarët patriotë anë e mbanë vendit tashmë më vonë se kurrë po mblidheshin tok dhe duke ndjekur shembullin e të parit klub politik e kulturor shqiptar të krijuar në Manastir një vit më parë, po bëheshin pjesë aktive në lëvizjen kombëtare shqiptare. Sikurse lexojmë më sipër, ndër të parët klube “Bashkimi” që u krijuan asokohe, ishte edhe ai i Gramshit, çka tregon një ndjenjë të lartë patriotike të banorëve të kësaj treve. Ndonëse njoftimi në gazetën “Lirija” jep datën 1 gusht 1909 për krijimin e klubit “Bashkimi” në Gramsh, në fakt, burimet e tjera arkivore tregojnë se ai ishte themeluar qysh më 29 korrik. Vlen të theksojmë se, duke pasur parasysh mungesën e komunikimit të shpejtë, gazeta e ka pasqyruar me vonesë këtë lajm. Që klubi “Bashkimi” në Gramsh është krijuar më 29 korrik dëshmohet edhe nga letra  që kryesia e këtij klubi të krijuar rishtas i drejton klubit “Bashkimi” të Elbasanit: “Vëllazën të ndershëm” Për me qenë një degë e Klubit të Zotërisë suaj, sot hapëm klubin “Bashkimi” këtu në Gramsh zyrtarisht. Çeljen e këtij klubi ju falemi që të lajmëroni në çdo klub që lipset”.

 

Në faqen e dytë të gazetës “Lirija” jepen të plotë edhe emrat e pleqësisë së klubit “Bashkimi” në Gramsh. Ajo përbëhej nga: kryetar z. Hysen bej Shenepremtja, shkronjës dhe arkëtar z. Asllan efendi Shahini, këshillonjës oficer Ramadan efendi, anëtarë: Ibrahim efendi, Nexhip efendi, Kamber Aga, Sabri Bej, Beqir Llalla, Haxhi Darzeza, Nexhip Shahini, Qamil Musa, Ali Mulla Ethemi, Adem Çini, Shuajip Lila, Hysen Shaip dhe Selim Dermyshi.

Anëtarët e pleqësisë por edhe anëtarët e thjeshtë të klubit bëjnë pjesë në atë kategori të shqiptarëve, të cilët e kuptuan rrezikun që i kanosej shpërbërjes së kombit dhe panë të gjuha dhe shkollat shqipe shtyllën kryesore ruajtëse të identitetit kombëtar. Më tej, ata punuan për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare te bashkëfshatarët e tyre si edhe në përhapjen e shkollave shqipe duke mbajtur kësisoj të gjallë frymën e qëndresës ndaj padrejtësive dhe shtypjes nga regjimi turk. Sikurse e theksuam edhe sipër, gjithë anëtarët e pleqësisë së klubit ishin njerëz me reputacion të madh dhe që kishin mbështetës të shumtë në popullin e Gramshit. Gjithsesi koha tregoi se pavarësisht meritave të tyre si në rastin konkret të krijimit të klubit “Bashkimi”, por edhe si mbështetës të lëvizjes kombëtare shqiptare në tërësi, emri i disa prej tyre do të lihej në harresë gjatë regjimit komunist. Shkak për ketë ishte kryesisht aktiviteti i tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Si pasojë nuk do të përmendej më emri i Nexhip Shahinit, i cili ishte vëllai i patriotit në zë Asllan Shahini. Arsyeja ishte se si Nexhipi dhe i biri, Petrit Shahini, gjatë pushtimit nazifashist të Shqipërisë u rreshtuan me Ballin Kombëtar. Po ashtu, i paidentifikuar do të lihej edhe Sabri Beu, i cili është Sabri Balliu (Çekini) që po ashtu kishte qenë përkrahës i Ballit Kombëtar gjatë luftës. Ndërsa oficer Ramadan efendi, (Ramadanaj), ishte organizatori i vrasjes së patriotit nga Gramshi, Kamber Dermyshi. Sipas të dhënave të besueshme që kemi arritur të mbledhim, Nexhip ef. është Nexhip Tabaku nga fshati Jançë. Më tej emri nuk do t’i përmendje edhe Ibrahim efendiut, i cili ishte Hoxhë Brasniku, që gjatë luftës po ashtu u rreshtua në radhët e Ballit Kombëtar. Sigurisht që mos përmendja e tyre është një rast tregues i vlerësimit bardh e zi të personazheve historikë gjatë kësaj periudhe dhe pruri më të padrejtë harrimin e kontributit të tyre në çështjen kombëtare.

Në fakt, atdhetarët gramshiotë e kishin filluar punën për krijimin e këtij klubi më herët. Të dhënën e parë për këtë gjë e marrim nga një shkrim i patriotit Asllan Shahini, i cili më 26 maj 1909 shkruan se “me ndihmën e popullit po përpiqemi të ngremë një klub shqip. Për pak ditë çeljen do jua rrëfejmë me gëzim të madh”. Sigurisht që realizimi i këtij projekti atdhetar nuk ishte i lehtë dhe zgjati më tepër se disa ditë. Ajo që mund të themi është se zgjatja e themelimit të klubit deri më 29 korrik 1909 ishte më tepër produkt i vështirësive organizative të kohës dhe jo i kontradiktave ndërmjet patriotëve gramshiotë. Të gjithë ishin të një mendimi. Ky unifikim në mendim dhe në veprim u demonstrua edhe disa javë më vonë, kur më 2 shtator 1909 u mbajt Kongresi i Elbasanit, në të cilin u hodh një piketë e rëndësishme e arsimit shqip, krijimi i shkollës Normale të Elbasanit. Klubi “Bashkimi” i Gramshit jo vetëm që dërgoi një përfaqësues në këtë kongres, Telha Beun e Shënapremtes, por po ashtu dërgoi edhe një trupë të armatosur, të cilët morën pjesë drejtpërdrejt në ruajtjen e punimeve të këtij kongresi.

Pas themelimit të klubit “Bashkimi”, gjithë veprimtaria politike, atdhetare dhe kulturore e rrethit të Gramshit u përqendrua rreth tij. Në fakt, kjo ishte një dukuri e cila u pasqyrua në të gjitha qytetet e vendet ku u zhvillua një organizim i tillë. Njëherazi me krijimin e këtij klubi u zgjerua dhe mori një formë më të organizuar edhe lëvizja kombëtare shqiptare në trevën e Gramshit. Në këtë kuadër, ky klub atdhetar pati një angazhim të madh në hapjen dhe organizimin e shkollave shqipe në Gramsh. Një fakt tepër interesant për dëshirën e atdhetarëve gramshiotë për çeljen e një shkolle shqipe në Gramsh na e sjell edhe studiuesi Kadri Musai, i cili citon një dokument austro-hungarez të datës 12 qershor 1899 në të cilin thuhet se “banorët e Vërçës në jug të Elbasanit kishin drejtuar një lutje në Manastir për çeljen e një shkolle shqipe. Lutja e tyre qenkish refuzuar”. Po ashtu, një kërkesë e tillë është bërë për hapjen e një shkolle shqipe edhe në Grabovën e Sipërme. Ky fshat është i vetmi në trevën e Gramshit që banohet nga vllehë të besimit ortodoks, të cilët janë vendosur aty diku nga shekulli XIV. Disa shekuj më vonë, konkretisht në shekujt XVII-XVIII, Grabova e Sipërme ishte qytet dhe në kulmin e lulëzimit të saj. Ajo kishte rreth 2000 familje me afërsisht 12.000 banorë. Nga fundi i shekullit XVIII, e njëjta epidemi që përfshiu Voskopojën, mbërtheu edhe Grabovën. Brenda një nate, rreth një e katërta e kësaj popullsie u largua nga qyteti.

Ndonëse kërkesat për hapjen e shkollave shqipe ishin refuzuar në vazhdimësi nga administrata turke, ato janë tregues i një ndjenje atdhetare të theksuar të banorëve të kësaj treve për gjuhën dhe shkollën shqipe. Po ashtu, në shkollat turke që tashmë ekzistonin në Gramsh, Shënapremte, Kukur dhe më vonë edhe në fshatin Kishtë, fshehurazi mësohej edhe gjuha shqipe. Patrioti Asllan Shahini shkruante në vitin 1909 se një burrë shqiptar në zë i kishte dërguar falas djemve të Gramshit 100 Abetare në gjuhën shqipe. Ky numër jo vetëm që ishte tepër i lartë, por po ashtu është tregues i qarkullimit në mënyrë të fshehtë të gazetave, librave e abetareve në gjuhën shqipe. Po ashtu, qindra abetare e libra shqip i kërkoheshin klubit të Elbasanit nga popullsia e këtij qyteti, por edhe nga Gramshi, Peqini e Lushnja. Gjithsesi, ajo që mund të themi sot me bindje është se në Gramsh shkolla e parë legale dhe zyrtare në gjuhën shqipe është hapur diku në pranverën e viti 1909, rreth muajve mars-prill, pra në të njëjtën kohë kur krijimi i klubit “Bashkimi” mori një formë më të plotë dhe ishte thuajse në finalizimin e tij. Vlen të kujtojmë se në të njëjtën periudhë janë hapur shkollat shqipe edhe në qytetet e tjera, si për shembull në Elbasan. Ndonëse një vend i izoluar gjeografikisht, në pikëpamje të zhvillimit dhe përparimit të ndjenjave e çështjes kombëtare Gramshi ishte ndër krahinat pararojë në Shqipëri. Një tregues i tillë është edhe fakti se, pas shpalljes së Pavarësisë, Gramshi ka pasur disa nxënës e studentë që vazhdonin arsimimin e mesëm dhe të lartë në Stamboll. Ky numër ishte thuajse i njëjtë me atë të Elbasanit, i cili ishte një qendër e zhvilluar e atdhetarizmit, arsimit dhe kulturës kombëtare. Kësisoj sa më sipër, edhe në pikëpamje të hapjes së shkollës shqipe, Gramshi nuk kishte arsye të mbetej prapa. Ngritja e shkollave dhe mësimi i gjuhës shqipe u shndërrua në një lëvizje të gjerë patriotike. Në to shkonin jo vetëm fëmijë, por po ashtu edhe të rritur, të cilët mësonin shkrim e këndim. Kështu për shembull në kursin e hapur nga klubi “Bashkimi” i Elbasanit, i cili kishte ngritur një shkollë nate, mësonin çdo mbrëmje rreth 60-70 djem të rinj, myslimanë e të krishterë. Shkollat shqipe nuk u ngritën mbi dasitë fetare dhe ndryshe nga ato turke, greke sllave etj. ato i bashkonin fëmijët e të gjitha besimeve, si myslimanë e krishterë. Ato dalloheshin për karakterin e tyre kombëtar shqiptar dhe laik. Si të tilla, shkollat u kthyen në vatrat e zgjimit e të bashkimit kombëtar.

Themelimi i Klubit “Bashkimi” në Gramsh i dha një hov të madh dhe përcaktues organizimit të lëvizjes kombëtare në këtë trevë, çka u pasqyrua ndjeshëm në pjesëmarrjen e patrioteve gramshiotë në ngjarjet e mëvonshme, të cilat përgatitën kushtet për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë disa vite më vonë.

Në territorin e trevës së Gramshit gjen gjurmë të jetës dhe organizimit të saj qysh nga periudha para-ilire e ilire, kur kjo trevë banohej nga fisi ilir i dasaretëve. Dëshmitë e shkruara më të hershme që vërtetojnë ekzistencën e qytetërimit ilir në trevën e Gramshit datojnë në mesin e shekullit IV. Nëse i referohemi logjikës historike, toponimi Gramsh duhet të jetë të paktën një mijë vjeçar. Burimi arkivor më i hershëm që jep të dhëna për Gramshin daton në shekullin e XV, kur kjo trevë ishte e organizuar administrativisht në Vilajetin e Çartallozit. Më vonë, pas reformave administrative të ndërmarra ndër shekuj nga perandoria osmane, Gramshi vjen si kaza, së fundmi pjesë e vilajetit të Manastirit. Edhe pas krijimit të shtetit shqiptar Gramshi ishte Nënprefekturë.

Share This Article
1 Comment
  • Edhe keta te gjithe ballista ju duallen,o Marenglen?
    Po ti goxha djale,qe je,,Te dergoi partia ne gjermani te mesoc dhe gjuhen gjermane,Perse nuk i therret mendjes?
    Mor po keta Patriotet shqiptare,bejlere,klerike,pasunare,qe bene Shqiperine me shtet,PERSE U BENE TE GJITHJE BALLISTA?
    Perse keta u bashkuan te hjithe me Mithat Frasherin dhe nuk u bashkuan me Miladin Popovicin?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *