Mjekja Albana Duni shpjegon faktorët nga të cilët duhet të ruhemi, sidomos për faktin që simptomat e kësaj sëmundjeje shfaqen në një stad shumë të vonë, kur sëmundja ka përparuar shumë
Pranvera Kola
Kanceri i stomakut është i trajtueshëm në qoftë se ai kapet herët. Fatkeqësisht rrallë simptomat fillojnë të jenë të dukshme që në stadet e para të shfaqjes. Kur shfaqen simptomat, shpesh janë jo specifike, ku lehtësisht mund të gabohet për një problem më pak serioz si një virus ose një refluks acid. Ju duhet të këshilloheni me mjekun specialist veçanërisht në rastet kur ju shoqërojnë ndjesi të tilla të parehatisë në regjionin e sipërm ose të mesëm të barkut, sidomos kur ka lidhje me humbje peshe ose me një dobësi të përgjithshme.
Shenja e përbashkët dhe më e hershme e tumoreve të stomakut është hemorragjia e brendshme mikroskopike, e cila zbulohet vetëm nga testi i feçeve. Në qoftë se hemorragjia vazhdon me humbje të qelizave të kuqe të gjakut, kjo çon në anemi dhe në shfaqjen e lodhjes. Bashkangjitur shkrimit do të gjeni të detajuar të 12 faktorët nga të cilët duhet të bëni kujdes për t’i mbajtur larg ose dhe për t’i trajtuar sa më herët rastet e shfaqura të kësaj sëmundje. Mjekja gastrohematologe Albana Duni shpjegon një e nga një të gjithë faktorët nga të cilët duhet të ruhemi.
- Të kesh infeksion me HP na ekspozon 2-6 herë më shumë ndaj tumoreve në stomak në krahasim me ata që nuk e kanë këtë infeksion. HP është një bakter që jeton thellë në palat mukoze të stomakut. Mendohet se ky bakter përhapet nga personi në person, nëpërmjet rrugës fekal-orale ose nëpërmjet ujit të kontaminuar. Infeksioni nga HP shpesh shfaqet në fëmijëri dhe mund të zgjasë gjatë gjithë jetës në qoftë se nuk trajtohet. Por në shumë njerëz me infeksion nga HP nuk është gjetur kancer stomaku dhe kërkimet tregojnë se faktorët gjenetikë luajnë një rol të rëndësishëm. Ndaj të kesh HP së bashku me një formë geni që shkakton aciditet të ulët në stomak rrit riskun për kancer të stomakut.
- Gjinia është një tjetër faktor që çon në shfaqjen e kësaj sëmundje. Sipas autoriteteve shëndetësore seksi mashkull është i riskuar 2 herë më shumë se seksi femër. Ndërkohë që sa i takon moshës së përhapjes së këtyre tumoreve, mosha ku evidentohet më shpesh kanceri i stomakut është nga 50-60 vjeç. Por mund të haset edhe nën moshën 40 vjeç. Kjo pasi në të shumtën e rasteve shenjat zbulohen shumë kohë më pas nga momenti fillestar i shfaqjes së sëmundjes.
- Dieta ka një rol të rëndësishëm. Konsumimi i ushqimeve të konservuara, të tymosura, të regjura, i ushqimeve me përmbajtje të nitriteve dhe nitrateve, sidomos në mishrat e përpunuar, përbën një faktor risku që nuk duhet neglizhuar. Nga ana tjetër përdorimi i frutave, zarzavateve, sidomos ato me ngjyrë të kuqe ose të verdhë, si: domatja, karrota, patatja e ëmbël, ndihmojnë në mbrojtjen e organizmit nga tumori i stomakut.
- Alkooli dhe duhani janë të implikuar në kancerin e stomakut. Pirja në mënyrë të moderuar e alkoolit, që është përcaktuar jo më shumë se një pije për gratë në ditë, dhe dy pije për burrat mund të ketë rezultat pozitiv në shëndet. Por të pish më shumë, mund të shkaktosh një numër problemesh që përfshijnë irritimin e stomakut dhe të ezofagut të cilat mund të çojnë edhe në kancer.
- Stomaku i operuar përbën rrezik pas rreth 20 vjetësh nga operacioni i bërë. Zakonisht bëhet fjalë për heqjen e një pjese të stomakut, ose për rivendosje të valvules pylorike , ndërhyrje që bëheshin për trajtimin e ulcerës peptike. Pas operacionit lëngjet biliare, ndonjëherë edhe ato pankreatike mund të kthehen mbrapsht duke shkaktuar irritim dhe inflamacion të stomakut (gastritis). Kjo gjendje mund të çojë në kancer të stomakut tek disa njerëz.
- Polipet e stomakut (masa), të cilat janë rritje të vogla në brendësi të stomakut, në përgjithësi janë beninje, por polipet adenomatoze sidomos kur janë me diametër më të madh se 1cm janë shpesh prekanceroze.
- Sindroma familjare e kancerit përfshin një çrregullim hereditar si polipoza adenomatoze familjare, kanceri jo polipoz i kolonit, të cilat lehtësisht rrisin riskun për kancer të stomakut. Kanceri gastrik difuz hereditar është një formë e rrallë e kancerit të stomakut që shoqërohet me mutacion të genit CDH1. Një prind me genin defektiv ka një shans 50% për t’ia trashëguar atë çdo fëmije të tij.
- Historia familjare: Në qoftë se prindërit kanë vuajtur nga kjo diagnozë, ekziston një risk 2-4 herë më shumë për kancer stomaku.
- Anemia pernicioze është një konditë që shpesh shoqëron gastritin atrofik. Kjo lidhet me mungesën e vitaminës B12 e cila ndikon në prodhimin e qelizave të kuqe , të shëndetshme të gjakut. Kjo anemi kurohet lehtë me injeksione të vit B12, por të kesh këtë sëmundje ke një risk për kancer stomaku.
- Grupi i gjakut A: për arsye ende të panjohura personat me këtë grup gjaku kanë një risk me të madh për kancer stomaku. Shpeshtësia është më e madhe në disa vende, si: Japonia, Korea, Evropa Lindore, Amerika Latine sesa në SHBA. Kjo diferencë lidhet me dietën dhe HP (helikobakter pylori)
- Ekspozimi ambjental ka të bëjë me disa vende pune të kontaminuara si me asbest, nikel etj.
- Obeziteti : Burrat që peshojnë 11-14 kg më shumq se pesha ideale, kanë një risk më të madh.
