24 vjetori i PS-së dhe frika që ka Moikom Zeqo për 21 qershorin

anazapta

Plot 24 vite më parë në Pallatin e Kongreseve u mbajt Kongresi i 10-të i Partisë së Punës, i cili u konsiderua Kongresi Themelues i Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Pikërisht atëherë, në ditët e para dhe të nxehta të qershorit 1991 u hodh një hap i rëndësishëm, por jo përfundimtar, për t’u shkëputur nga trashëgimia e së kaluarës komuniste.

Shkrimtari Dritëro Agolli, bëri të pabërën deri atëherë brenda asaj partie: Ai kritikoi Enver Hoxhën! Dhe kjo ishte një blasfemi e vërtetë. Shkrimtari vuri gishtin në plagë dhe salla u hodh përpjetë nga dhimbja, e tronditur tej mase.

Në sallë ishte Nexhmije Hoxha, ishte Ramiz Alia dhe gjithë Byroja e vjetër Politike. Ata s’i mbante vendi, por ishin krejt të pafuqishëm për të frenuar rrokullisjen që kishin marrë. Diskutimi i Dritëro Agollit ra si bombë.

Në krah të tij doli edhe poeti e intelektuali Moikom Zeqo. Por, pas disa hezitimesh dhe diskutimesh të gjata, të gjithë u bashkuan me Dritëroin dhe Moikomin.

Sot, 24 vjet më pas, Moikomi tregon dhe analizon zhvillimet që kanë ndodhur. Përse e kritikon dhe përse vazhdon ta mbështesë PS-në. Një portretizim për Fatos Nanon, dhe një vlerësim për lidershipin e ri socialist. Parashikimi i Moikom Zeqos për zgjedhjet e 21 qershorit dhe çfarë pritet të ndodhë pas tyre…

 

– Moikom, sot mbushen 24 vjet nga dita kur u themelua PS-ja. Unë kam qenë bashkë me ju në atë sallë kur ndodhi kjo. Ju keni qenë ndër themeluesit kryesorë të saj. Si e shihni rrugëtimin e kësaj partie gjatë këtyre viteve?

– 24 vjet? Si vallë ikën vitet kaq shpejt? Themelimi i PS-së është një ngjarje substanciale e pluralizmit politik. Në skenë kishte dalë PD. Pa krijimin e PS-së nuk do të kishim dy pole kryesore të politikës, të majtë dhe të djathtë. Nuk do të kishim as pluralizmin, as si ide as si dukuri. Natyrisht bëhej fjalë për një të djathtë dhe një të majtë shqiptare. Historia e themelimit të PS-së është e shkruar në dokumente. Ajo është shumë më përpara datës 12 qershor 1991. Ata që nuk e dinë këtë gjë, duhet ta mësojnë. Nuk qe thjesht një formalizim i një partie të re që del nga një parti e vjetër. Kjo akuzë është formale, por jo konceptuale. Pa themelimin e PS-së nuk do të kishim një ekuilibër historik. Ose do të kishim vetëm një mono-partitizëm të djathtë. Prandaj themelimi i PS-së qe një ngjarje e jashtëzakonshme. Meqenëse kanë kaluar 24 vjet, do të doja të përqendrohesha seriozisht në rrugëtimin historik të PS-së. 24 vjet më parë kemi qenë të rinj. 24 vjet më parë ishim idealistë dhe nuk iu shmangëm përgjegjësisë. 24 vjet më parë ishim në opozitë. Trysnia politike e Sali Berishës ka qenë e frikshme. Ata që e mbajtën gjallë PS-në qenë një grup deputetësh të saj në vitet 1992-1996. Por ky qe një grup personalitetesh të vërtetë. Ata qenë qëndrestarë dhe të pafrikshëm, veti sot që duken të harruara. Por jo të gjithë mund të quhen themelues të PS-së. PS-ja për mendimin tim pati themelues vizionarë dhe të vërtetë që në atë kohë ishin shumë pak. Pjesa tjetër, ata që e aprovuan themelimin e PS-së në njëfarë mënyre ishin themeluesit virtualë, por të vetëmjaftueshëm për kohën. Adam ubi es? – Adam ku ishe ti, thuhet në Bibël. Ata që ishin në vitin 1992 nuk e kishin aq të lehtë të përballeshin dhe të mbijetonin. Ata nuk kishin as interesa pasurie dhe as interesa të pushtetit. Një pjesë e madhe e atyre që ishin në Partinë e Punës u bënë me PD-në apo edhe me partitë e tjera. Ata që qëndruan dhe mbajtën PS-në ishin të një race dhe të një ndershmërie tjetër. Si dëshmitar i kohës mund të them se shumë persona që sot i shoh si deputetë apo në përfaqësime të tjera të larta në pushtet, na shanin dhe na sulmonin gjatë viteve 1992-1996. Njerëzit ndryshojnë. Por kujtesa nuk duhet të ndryshojë. PS duke qenë partia me elektoratin më të madh, vetvetiu ka tërhequr vëmendjen edhe të karrieristëve dhe të arrivistëve. Ata i janë ngjitur PS-së gjatë këtyre 24 viteve dhe shpesh paraqiten më katolikë se Papa, ndonëse kanë kapërcyer nga e djathta në të majtë. Në këtë virtualizëm politik ka dhe shumë alkimi politike. Shumë militantë intelektualë, njerëz seriozë dhe të ndershëm për arsye që janë të pashpjegueshme sot janë ose të papunë ose të harruar. Kjo gjë mua më shqetëson, jo vetëm nga ana njerëzore. Ky është një defekt i madh. Solidariteti midis njerëzve të elektoratit të majtë gjithashtu është diçka e plasaritur dhe jo funksionale. Dukuria e disa përfaqësuesve politikë që ndryshojnë disa parti, që hidhen nga e majta në të djathtë ose nga e djathta në të majtë dhe që promovohen për në poste pushtetare, është gjithashtu diçka e trishtueshme. Faktet kanë treguar që këto lëvizshmëri bizare nuk janë mbushamendëse dhe aq afatgjata. Përzgjedhja e kandidatëve qoftë për deputet qoftë për pushtetin vendor nuk kalojnë midis garimit dhe aprovimit të forumeve të PS-së. Dhe kjo nuk është e drejtë. E vërteta nuk duhet të frikësojë asnjë njeri. As të inatosë asnjeri. Mllefi dhe hakmarrja në politikë duhet të jenë diçka e tejkaluar. Por ja që nuk janë. Nuk vjen e keqja nga kriticizmi i vetëdijshëm. E keqja vjen nga mungesa e kriticizmit të vetëdijshëm. Shpifjet janë tjetër gjë. Unë jam kundër shpifjeve dhe më tmerron kjo klimë shpifjesh që zotëron skenën e politikës shqiptare. Shqipëria duhet të dekriminalizohet urgjentisht. Politika shqiptare duhet të dekriminalizohet. Ekonomia shqiptare duhet të dekriminalizohet. Klientalizmi politik është formë e kriminalizmit politik – duhet të dekriminalizohet. Mosvlerësimi i kulturës në raport me politikën është formë kriminalizimit vendor – duhet të dekriminalizohet. Blerja dhe shitblerja e votave është forma më madhore e kriminalizimit – duhet të dekriminalizohet.

 

– Dukuri këto, që në ato kohë…?

moikom
Moikom Zeqo

– Koha tregoi se themelimi i PS-së qe një domosdoshmëri e jashtëzakonshme. Në atë kohë në PS nuk kishte vend as arrivizmi, as korrupsioni dhe as përfitimi pasuror, që sot bën kërdinë. Në atë kohë në PS zotëronte vizioni dhe shqetësimi i madh për të ardhmen. Në atë kohë nuk ekzistonin listat e kryetarëve. Një pjesë e njerëzve që erdhën më vonë në PS, në atë kohë refuzonin të vinin në PS. Pse harrohet kjo gjë vallë? Pse duhet të harrohet? Grupi i vogël i deputetëve të PS-së në vitet 1992-1996 arriti fitore të mëdha. Pak muaj pas fitores së PD-së, PS-ja fitoi në mënyrë spektakolare zgjedhjet vendore. Në vitin 1994, PS-ja fitoi mrekullueshëm në referendumin që provokoi Berisha për të ndryshuar Kushtetutën. Qenë fitore të mëdha, sepse qenë fitore konceptuale. Atë që PS-ja e fitoi në 1994-ën, e humbi në vitin 2008 me ndryshimet e turpshme kushtetuese në marrëveshjen e PD dhe PS, marrëveshje e cila përfundoi tek listat e kryetarëve, duke zhdukur konceptin kushtetues të votimit të lirë dhe të zgjedhjes për profilet e kandidatëve për deputetë, duke përfunduar në aksiomën absurde që elektoratet të votojnë mekanikisht listat e kryetarëve të partisë. Ky dhunim i Kushtetutës ndryshoi vetë politikën demokratike në Shqipëri. Të gjitha paradokset e politikës të cilat i vuajmë sot, varen nga dhunimi kushtetues i vitit 2008. Si ka mundësi që sot janë në fuqi akoma shtrembërimet hibride dhe të paperceptueshme të Kushtetutës të vitit 2008? Nuk mund ta kuptoj dot këtë gjë! Deputetët e PS-së u rrahën kafshërisht në sheshin “Skënderbej” në vitin 1996. Po kjo a mund të harrohet? Ja që për mendimin tim është harruar. PS i fitoi zgjedhjet në 1997-ën. Në 1998-ën ndodhi grushti i shtetit i Sali Berishës. Historia që vjen më pas është më e ndryshme. PS-ja u pranua në Internacionalen Socialiste. Akoma në të kishin vlerë valencat dhe figurat e personaliteteve të kulturës. Pastaj gjatë viteve në strukturat përfaqësuese të PS-së u afruan biznesmenë, njerëz të pasur, dhe arrivistë që i kishim kundërshtarë politikë në vitet 1992-1996. Përfaqësimi politik i PS-së ndryshoi në disproporcion me elektoratin e majtë, që dihet që është një elektorat i varfër, por që kishte edhe asetin e intelektualëve më të shquar në rrafsh kombëtar. Kështu nisi dhe intelektualizmi i PS-së. U promovuan figura të reja, që në vitet 1992-1996 kishin aderuar në kampin e djathtë të PD-së. Personalitetet e kulturës, njerëzit me integritet moral e vizionar sot as nuk nderohen dhe as nuk përfillen sepse përfaqësimi politik i PS-së përbëhet nga njerëz të tjerë.

 

– Pse ka ndodhur kjo, Moikom, kur duhej të ndodhte pikërisht e kundërta?

– Unë e kuptoj ndryshimin e kohës. Nuk kanë kaluar më kot 24 vjet. Por nuk mund të shpërbëhet kujtesa. Edhe PS-ja e ka një histori të sajën. Asnjë histori nuk fillon nga pika zero. Pse duhet të fillojë nga pika zero edhe në PS? Sot PS-ja është në pushtet. Ajo ndenji 8 vjet në opozitë mbas vitit 2005. Kjo opozitë qe e kushtueshme dhe unë them që situata qe shpesh paradoksale. Por sot PS është në pushtet. PS nuk është në pushtet as për sindromën e gabuar përtej të majtës dhe të djathtës, as për faktin që ka humbur elektoratin më të madh në Shqipëri, elektoratin e majtë. Sot PS ngjan si një parti me të njëjtin emër, por me njerëz të tjerë. A mund të jetë PS një parti thjesht e një gjenerate tjetër? Jo, një parti është e të gjitha gjeneratave të elektoratit të majtë. Kjo është substanca. Nëse ky konstatim është i gabuar, le të kontestohet. Fitorja e PS-së në 2013-ën neutralizoi pushtetin totalitar të Berishës. Kjo është padyshim historike. PS-ja sot ka përgjegjësinë e pushtetit dhe drejtësinë ose jo për një të ardhme të Shqipërisë. Por jo pa opozitën. Sot PS zotërohet nga njerëz të rinj. Shoh deputetët e PS-së në Parlament. Shumica janë emra të rëndomtë dhe pothuajse nuk flasin fare. Po të bëjmë një krahasim të grupit të deputetëve të PS-së sot me deputetët e viteve 1992-1996, përparësia reflektohet tek personalitetet e vërtetë të viteve 1992-1996. Kjo është e dukshme dhe e vërtetueshme. Sidoqoftë në të gjitha shkrimet dhe librat e mi politikë unë e kam mbrojtur me gjithë shpirt elektoratin e majtë shqiptar. Këtë do të vazhdoj ta bëj. Si njeri i letrave dhe i kulturës kam bindjen e thellë se njerëzit e kulturës nuk mund të anashkalohen. Por cilët njerëz të kulturës sot janë në përfaqësimin politik të PS-së? Nuk e di. Sinqerisht nuk mund të them një gjë përfundimtare. Megjithatë nuk duhet humbur besimi te PS. PS është një institucion publik që ka simbolikën e elektoratit të majtë. Ky elektorat i majtë është sekreti madhor dhe i patjetërsueshëm i fitoreve të saj. PS-ja sot është në pushtet dhe është nismëtare e disa reformave të rëndësishme për të bërë shtet. Ajo ende ka një përkrahje pavarësisht mungesave. Gjëra të përsosura nuk ka. Por gjërat mund të përmirësohen nëse kemi vizionin për ta bërë këtë gjë. Po i them publikisht këto gjëra për një reflektim. Kriticizmi i skajshëm nuk është i dobishëm. Por apologjitë janë akoma më të dëmshme. PS-ja e sotme nuk duhet të harrojë historinë e saj. Një histori e re nuk mund ta zhdukë një histori më të vjetër. Në 24 vjetorin e themelimit të PS-së themeluesit e vërtetë të saj mund të harrohen. Në të vërtetë kinse mund të harrohen. Sepse nuk mund të harrohen. Por gjithashtu nuk mund të harrohen edhe ata që kontribuuan për 24 vjet. Harresa pjell harresën kurse kujtesa pjell kujtesën. Është fat që sot PS-ja është në pushtet. Por akoma më me fat do të jetë që PS-ja të konceptojë më vizionalisht të ardhmen e saj.

 

– Shpesh PS-në e akuzojnë se mbart trashëgiminë e ish-Partisë së Punës. Sa e vërtetë është kjo?

– Akuza se PS-ja mbart trashëgiminë e Partisë së Punës është e karakterit formal. Programi i PS-së është në thelb një program social-demokrat evropian. Këtë s’mund ta mohojë dot askush.

 

– Si do ta përcaktonit rolin e Fatos Nanos, ish-kryetarit të parë të saj?

– Roli i Fatos Nanos si kryetar i parë i PS-së kërkon një studim shkencor më vete. Është e vërtetë që Fatos Nano për 4 vjet qe një i burgosur politik i Berishës. Ai ndikoi në liberalizimin dhe modernizimin e PS-së. Qe kryeministër disa herë dhe promovoi pothuaj të gjitha figurat kryesore politike që janë sot: ai promovoi Ilir Metën dhe Pandeli Majkon, dy ish-kryeministra, promovoi Edi Ramën, sot kryeministër, promovoi një numër të madh deputetësh, ministrash, futi për herë të parë në përfaqësimin politik të PS-së biznesmenët e mëdhenj, shumë kryetarë partish të partive të vogla janë zgjedhur nga ai. Por absolutisht asnjëri prej tyre nuk është më mirënjohës ndaj Fatos Nanos. Pse? Fatos Nano në zgjedhjet e tij ka qenë shumë subjektiv dhe shumë herë i papërgjegjshëm. Në moshën 51 vjeç ai doli në pension politik. Ai nisi një katharsis politik që mund të qe një nismë historike. E la në mes të rrugës. Përgjithësisht Nano i linte gjërat përgjysmë. Ky është një fakt. Është një fakt i pamohueshëm. Sot Nano është inekzistent në politikë. Sepse është rruga që e zgjodhi edhe vetë. Nano i përket historisë së PS-së, por jo aktualitetit. Nuk dua të jem as i skajshëm, as apologjist me të. Vetëm konstatoj. Analizat më të thella le t’i bëjnë të tjerët. Nuk besoj në lavdinë e plotfuqishme të një udhëheqësi të një partie. Demokracia i përcakton kryetarët e partive si mandatorë. Nuk ka kryetarë të përjetshëm. Partia mbetet, kryetarët shkojnë e vijnë. Ky është mendimi im gjakftohtë për këtë dukuri.

 

– PS tashmë ka një lidership thuajse komplet të ri. Sa shpresëdhënës ju duket, Moikom, ky ekip drejtues me në krye Edi Ramën?

– Po, PS-ja sot ka një lidership komplet të ri. Kjo është një e vërtetë e pamohueshme. Ky ekip drejtohet nga Edi Rama. Edhe kjo gjë është e pamohueshme. Edi Rama po bën diçka. Ka një vullnet politik. Por ekipi i tij është larg të qenit ekip personalitetesh. Në këtë pikë Rama duhet të reflektojë. Nëse Rama nuk e kupton kritikën, ose reagon negativisht ndaj saj, kjo është një çështje që nuk varet nga unë. Një parti moderne politike duke kritikuar të tjerët – lufta politike është jashtëzakonisht e ashpër – duhet të gjejë forca dhe vizionarizëm për të kritikuar dhe vetveten. Nëse nuk e bën këtë gjë, kthehet në një nomenklaturë ose në një klub të plogështisë. Elektorati i majtë është tejet inteligjent, vëzhgon dhe reflekton. Kurrë nuk duhet arritur në idenë se populli mund të manipulohet përjetësisht. Potencialet e elektoratit të majtë janë të pafundme. Këto potenciale duhet të jenë substanca përfaqësimi. Këto potenciale nuk varen as nga mosha dhe as nga preferencat vetjake. Këto potenciale varen nga kultura dhe meritat e pakontestueshme.

 

– PS tashmë është në pushtet. Pas rreth një jave mbahen një palë zgjedhje vendore shumë të rëndësishme. Mund të bëni një parashikim për rezultatit, pavarësisht disa sondazheve që janë bërë?

– Mbas një jave Shqipëria më 21 qershor shkon në votimet për zgjedhjet vendore. Këto zgjedhje janë konfirmuese. Këto zgjedhje janë përcaktuese. Këto zgjedhje tregojnë edhe një herë që elektorati i majtë është elektorati më i madh në Shqipëri. Mendoj se PS i fiton zgjedhjet vendore. PS do të jetë partia e parë në këto zgjedhje. Partia e dytë do të jetë LSI. PD dhe koalicioni i djathtë ka gjasa të jetë në vendin e tretë. Pse? Unë kam një respekt dhe nderim të madh për opozitën, kushdo qoftë ajo, e majtë apo e djathtë. PD do të paguajë akoma haraçet e berishizmit, por si opozitë ajo nuk mund të mohohet dhe as të shikohet si një koncept pezhorativ. Politika është diçka e lëvizshme, dinamike. Disfatat dhe fitoret në politikë janë relative dhe shpesh të përkohshme. Mos të harrojmë që edhe pjesëtarët e elektoratit të djathtë janë shqiptarë dhe si shqiptarë duhet të respektohen. Filozofi i madh Karl Poper thotë se koncepti i shumicës dhe koncepti i pakicës në opozitë duhet të jetë diçka komplementare dhe jo antagoniste. Filozofikisht unë i përmbahem kësaj ideje. Shqipëria nuk mund të bëhet vetëm nga një parti, por nga të gjitha partitë, nga të gjitha elektoratet dhe nga të gjithë shqiptarët. Ideja e veçimit dhe segregacionit është absurde. Klasa politike shqiptare duhet të emancipohet.

 

– Ju thoni se PS do të fitojë thellë dhe bindshëm më 21 qershor. Çfarë mendoni se do të përbëjë shqetësim për ju mbas 22 qershorit?

– Koalicioni i majtë fiton bindshëm në 21 qershor dhe kjo është e natyrshme. Natyrisht duhet të bëhen votimet dhe të shihen rezultatet. Por mos të harrojmë që këto janë zgjedhje kushtetutshmërisht administrative dhe jo zgjedhje politike. Politizimi kaq i madh i këtyre zgjedhjeve ka qenë një tepri për mendimin tim, por kjo mesa duket është një “dhunti” ballkanike që kemi ne shqiptarët. Këto zgjedhje përtej fitores së tyre nga ana e së majtës janë një provë supreme për të ardhmen. Por administrimi i kësaj fitoreje kërkon qartësi dhe largimin nga çdo lloj deliri, të cilit i druhem. Deliri në politikë është një shkatërrim. Po krijohet edhe një premisë për të krijuar një rregull dhe një zhvillim të Shqipërisë. Dhe kjo është diçka historike.

 

– Po opozita, praktikisht PD, çfarë duhet të bëjë për ta rimarrë veten?

– Ç’duhet të bëjë opozita për ta rimarrë vetveten? Nuk besoj se opozita meriton keqardhje. Opozita është opozitë dhe sipas Kushtetutës është gjëja e dytë më e rëndësishme në politikë. Sipas Kushtetutës opozita është ricikluese. Sipas Kushtetutës opozita (edhe PS-ja qe në opozitë, mos ta harrojmë këtë gjë) do të jetë një ditë alternuese e pushtetit. Kurrë në jetën time nuk do të kem një qëndrim tërësisht negativisht për opozitën. Gabime politike ka në të gjitha krahët. Elektorati i opozitës që theksova më sipër përbëhet nga shqiptarë. Për mua të gjithë shqiptarët pavarësisht bindjeve politike janë shqiptarët e mi. E ardhmja e klasës politike shqiptare lidhet me një raport të ri konceptual midis pozitës dhe opozitës. Kjo është e paanashkalueshme dot. Dualiteti konfliktual është një primitivizëm. Një marrëdhënie komplementare për të mirën e Shqipërisë e pozitës me opozitën është diçka moderne dhe emancipuese. Prova historike për pozitën është dhe provë historike për opozitën. Se në një farë mënyre është e njëjta histori. Ne nuk mund të dalim jashtë kësaj historie. Edhe të duam virtualisht nuk mund të dalim dot. Zeniti ynë është e ardhmja e kombit shqiptar. Në demokraci kjo e ardhme nuk përbën diçka ndarëse, por në fund të fundit bashkuese. Jam i bindur që opozita shqiptare do të ketë zhvillimet e saj duke hequr dorë dhe u larguar nga recidivët dhe paradokset e dikurshme. Si do të bëhet kjo? Kjo është një çështje e vetë opozitës. E di vetë ajo këtë gjë.

Bisedoi: Xhevdet Shehu

Share This Article
2 Comments
  • Doja ta lexoja deri ne fund intervisten, por bera nje stop te detyrueshem, pasi “Molotovi” nuk na e paska mesuar ende, se i ashtuquajturi “pluralizem” ne te vertete ishte PLUHUR per syte, dhe se shume prej “te majteve dhe te djathteve” qe ai permend kane qene ose pjese e bajges katovicare te ndare copa-copa, ose bashkepunetore te fshehte te sigurimit, sekretare partie neper ndermarrje, ish-kaptera, etj.

    Thanks for Nothing

  • Nje gazete qe ka filluar te censuroje rregullisht mendimin e lire qytetar eshte per ta zhubravitur e per ta flakur si pacavure ne kosh te plehrave.

    Redaksite s’mund te mbushen me shurruflla militante qe e kane mendjen vetem ke postimi i cicerima te zogjve.

    E po na e rrofshi per dimer o miopet e shkencave te komunikimit, se per vere dime t’ja bejme vete dermanin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *