Vëzhgimet e kryera në 12 qarqet e vendit tregojnë se fëmijët shqiptarë përballen me vështirësi në sigurimin e nevojave bazë të jetesës që kanë të bëjnë me ushqimin, konsumimin e ujit të pijshëm, arsimimin dhe përfshirjen sociale
Pavarësisht punës së bërë nga strukturat lokale apo qendrore fëmijët shqiptarë rriten në mjedise të vështira si rrjedhojë e nivelit të lartë të varfërisë, e cila lë gjurmë të rënda në formimin dhe rritjen e tyre të shëndetshme. Sipas të dhënave të raportuara nga “Observatori për të drejtat e Fëmijëve”, hartuar prej UNICEF-it dhe “Aleancës për fëmijët shqiptarë” rezulton se 11 për qind e fëmijëve jetojnë në varfëri abosolute, pasi nuk përmbushin dot as kushtet më minimale të jetesës. Një përqindje e tillë, duke marrë parasysh se raporti numëron në Shqipëri rreth 1 190 000 fëmijë të moshës 1-18 vjeç, nënkupton se bëhet fjalë për një numër prej të paktën 120 000 fëmijësh. Nuk janë të pakta rastet kur fëmijët raportojnë se vuajnë nga mungesa e ushqimit, problemet me të ftohtin, konsumimin e ujit të shëndetshëm apo dhe mundësitë për vijimin e arsimit parauniversitar.
“Observatori për Mbrojtjen e Fëmijëve” ka bërë publike numrin e saktë të fëmijëve që jetojnë në varfëri absolute, duke iu referuar të dhënave të mbledhura në të 12 qarqet e vendit. Për shumë familje i vetmi burim të ardhurash mbetet ndihma ekonomike, e cila është e pamjaftueshme për të siguruar edhe nevojat bazike të jetesës. Më tej vëzhgimi i kryer tregon se 1 në tetë fëmijë të grupmoshës 6 deri në 15 vjeç jeton në familje të varfra familje të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike. Qarku i Dibrës dhe i Kukësit mbeten më problematikët edhe në këtë drejtim.
Shifrat tregojnë se rreth 18.70 për qind e fëmijëve shqiptarë jetojnë në banesa të papërshtatshme, çka lë gjurmë të rënda në rritjen e tyre të shëndetshme. E lartë mbetet edhe përqindja e fëmijëve që nuk kanë akses ndaj ujit të pijshëm, e cila pohohet të jetë në nivelet 15.8 për qind.
Arsimi
Njëkohësisht problemet vërehen edhe në arsimimin e fëmijëve. Edhe pse është punuar në këtë drejtim, ka ende shumë rrethe të cilat raportojnë shifra të larta të braktisjes së arsimit parauniversitar. Qarqet që kanë një ulje të ndjeshme të frekuentimit të arsimit të detyruar janë Dibra,Durrësi, Kukësi,Korça, Shkodra dhe Vlora. Megjithatë, kjo problematikë bëhet edhe më e theksuar nëse i referohemi vijimit të shkollës së mesme. Në shumë komuna të vendit, kryesisht në ato të rretheve të largëta, braktisja e vijimit të arsimit të mesëm është më e lartë. Kjo pasi fëmijët pasi mbarojnë klasën e nëntë merren me punët e shtëpisë. Shkak për këtë braktisje bëhet edhe fakti se në këto zona shkollat e mesme mund të jenë në distanca të largëta e të vështira për t’u frekuentuar çdo ditë nga nxënësit.
Ndërhyrjet
Vëzhgimet e kryera në qarqe kanë vënë në dukje se respektimi i të drejtave të fëmijëve lë shumë për të dëshiruar duke vënë në pah edhe punën e dobët që vetë institucionet kanë bërë në këtë drejtim gjatë viteve të fundit. Në 12 prej qarqeve të vendit vetëm katër prej tyre kanë arritur të kenë buxhet të planifikuar zbatuar për fëmijët dhe më konkretisht Shkodra, Vlora, Berati e Kokësi
Përfaqësuesi i UNICEF-it, Detlef Palm, ka deklaruar gjatë prezantimit të raportit se këto të dhëna zyrtare duhet të ndihmojnë në krijimin e politikave konkrete, për përmirësimin e jetës së çdo fëmijë veçanërisht atyre në komuna. “Ne duhet të dimë se çfarë ndodh në komunitetet tona. Nëse nuk jemi të kënaqur me progresin në shkollën e fëmijës sonë, ne duhet të pyesim se çfarë po bëhet, si po zbatohet legjislacioni i fundit. Ka ligje dhe praktika kombëtare për të cilat çdo prind duhet të pyesë nëse po zbatohen. Unë kam një dëshirë, këto të dhëna duhet të merren seriozisht”, deklaroi Palm.
Të dhëna
Përqindja e fëmijëve që jetojnë në banesa të papërshtatshme: 18.7 %
Përqindja e fëmijëve që nuk kanë akses ndaj ujit të pijshëm të përmirësuar: 15.8 për qind
Përqindja e fëmijëve që jetojnë në varfëri absolute: 11.20 për qind
1 në 8 fëmijë të grupmoshës 6 deri në 15 vjeç jetojnë në familje të varfra që marrin ndihmë ekonomike
“Eshte shume e dhimbshme te degjosh gjera te tilla per familje te varfera shqiptare….Arsyeja:Kjo ndodh sepse njeriu mendon njehere sikur te ishte ne vendin e atyre femijeve qe i perjetojne keto lloj veshtiresish…”