Në “Pavionin VIP” të burgut 313

anazapta

Burgu e për më keq qelia,pavarësisht arsyes dhe motivit pse je ndodhur e gjendur në të,në subkoshiencën e kujtdo mbetet si një pjesë e hidhur e jetës personale, të cilën ata që kanë pasur rastin e keq ta provojnë-politika e mbrapsht përmes akuzave fals, gjatë viteve ’92-’97 më ka arrestuar e burgosur tre herë-nuk do të dëshironin t’ia kujtonte kush, e për më tepër, t’ia përmendnin këtë fatkeqësi qoftë edhe si vlerë,ndonëse ky kapitull i jetës më bën të ndihem krenar;kur në një tjetër kuptim, është pikërisht kjo arsye, një shtysë e brendshme që një ish i burgosur i pafajshëm, të mos e harroj dhunën e padrejtë shtetërore dhe privimin e lirisë së tij.

Nuk di të them, nëse shprehja e vjetër, “në burg mos pafsh as hasmin!”, ndoshta tipike për regjimin zogolljan,vjen në ditët tona e përdoret në mes nesh si pjesë e tolerancës, apo prezenca e saj shfaqet sot rëndom si një dukuri që, nga njëra anë justifikon heshtjen e drejtësisë dhe, nga tjetra, mos funksionimin e saj përballë dhunës dhe shtrëngimit të paligjshëm shtetëror, nga mesa duket lind natyrshëm vetëgjyqësia. Sido të jetë, qëllimi i këtij shkrimi nuk ka për objekt analize çfarë ka ndodhur në këto vite të demokracisë rrjedhojë e keqpërdorimit të drejtësisë, dhunës dhe korrupsionit shtetëror. Në të kundërt,duke u ofruar lexuesve disa detaje mbi ngjarjet që u zhvilluan e ndodhën natën e 12 marsit 1997, deri në të ngrysur të 13 marsit ’97-të, brenda Burgut 313-të në Tiranë, vëzhguar nën këndvështrimin e një nga të arrestuarit e regjimit të Berishës së I-rë,të cilat bashkë me shkatërrimin e ushtrisë, policisë, gjykatave, prokurorisë,deri thyerjen dhe vjedhjen e bankave, 17-të vite më parë; sjell në vëmendje të tyre vetë-shkërmoqjen e shtetit në atë muaj, ku ndër shkaqet kryesore të rënies së tij, ishte vjedhja e votës më 26 maj 1996 dhe dhuna policore e shtetërore shfaqur përmes arrestimeve të paligjshme të opozitarëve të pafajshëm.
 

Është rasti të shtoj këtu se atë vit, si asnjëherë tjetër në psikologjinë e shqiptarëve,burgosja si masë ndëshkimi e humbi të drejtën e saj,duke u barazvlerësuar me thënien e hershme, “burgu është për burrat!”. Nga nënkuptohej hapur aspekti jo vetëm i paligjshëm i arrestimeve, por edhe e vërteta që objekt i goditjes apo dënimeve të padrejta, ishin bërë ndërkohë sidomos ata opozitarë që guxonin dhe kundërshtonin. Duke u rikthyer në atë ditë të rëndë të 13 marsit 1997, për t’u rrëfyer lexuesve çfarë ndodhi në Burgun 313-të në Tiranë, nuk do të parapëlqeja të shpjegoja rrethanat përse mbahesha në qeli, arsye të cilat opinioni tanimë i njeh; ndaj do të kërkojë mirëkuptim kur gjatë përshkrimit të ngjarjes,do t’i përmend ato shkarazi.

***

Fatos Nano në  burgun e Bënçës,  Tepelenë
Fatos Nano në burgun e Bënçës, Tepelenë

Shkurti 1997-të,nisi të ndihej fort në qeli, pasi ditët e atij muaji ishin të ftohta jo thjesht në kuptimin klimaterik,por më shumë të acarta në sensin politik,gjë që të arrestuarit e qelive të “pavionit VIP” në Burgut 313-të, e ndjenin jo nga numri i pakët i batanijeve që i jepej në atë klimë të akull të arrestuarve rishtazi që nisën e mbushën qelit ato ditë ndërsa Sali Berisha rizgjidhej president i vendit në shtetrrethim; por veçanërisht nga çfarë dëgjonim të na thoshin ata që vinin tek ne ‘për strehim’ nga jashtë.

Vëmendjen e lartë që shteti i kushtonte të burgosurve të pavionit special,siç quhej ai ku ndodheshin të arrestuarit Vip,në mes të cilëve komanda e burgut dhe një shumë lartë saj kishte vendosur të qëndroja për të më mbajtur në vëzhgim edhe mua; me sa kuptohej jo për rëndësinë e ndonjë posti në të shkuarën,por në funksion të skemës hakmarrëse të Gazidedes; nuk parapëlqenin të binin në qelit tona të burgosur të rinj,por atë muaj veç qelisë së Ramiz Alisë, ne të tjerët nuk na kursyen.

Fatos Nano pas burgut

“Komoditeti” i pavionit special nuk i ngjason Gjirit të Lalzit apo Malit të Robit, zonave turistike ku sot janë mbledhur e banojnë me radhë disa pushtetar dhe biznesmen Vip,të cilët dallojnë nga të tjerë rreth tyre, prej madhështisë së vilave dhe oborrit të pyllëzuar; me ndryshimin që ne të arrestuarit e atëhershëm ,banor të “pavionit Vip” të Burgut 313-të, nuk ngjasojmë asesi me këta të Gjiri të Lalzit apo Malit të Robit, jo vetëm pse nuk kishim e kemi funksione,pasuri bankare e të patundshme,por sepse pavarësisht burgut që gatuan për ne, nuk kemi vënë dorë në pasurinë e të tjerëve dhe në atë të përbashkët.

Në qelinë time prunë shtatë djem thuajse të rinj,nga Tirana e qytete të tjera, demonstrues e të revoltuar për humbje të parave në firmat piramidale;kur vetë isha pak më shumë nga  35 vjeç. Meqë jemi tek ‘pavioni i të burgosurit vip’dhe folëm për merakun e Gazidedes së ndjerë për të më caktuar në këtë ‘repart special’, nuk është pa rëndësi të pohoj se, djemtë e rinj kur mësuan që akuzohesha për një letër njoftimi me tjetër emër, praktik kjo e njohur atë kohë për të emigruar në Greqi, ku i detyruar nga përndjekja qëndrova disa muaj edhe unë,ata çuditeshin kur krahasonin akuzën me ç’kishin lexuar në shtyp,nga veç të tjerash kishin mësuar se bashkë me dy politikanë të së majtës, paragjykohesha si një ndër drejtuesit e së ashtuquajturës “Hakmarrje për Drejtësi”. Akuzë të cilën,nuk e besonin as ata që e kishin botuar, sikurse vet punonjësit e SHIK-ut që ua kishin dërguar. Shkurt, tani lozej në funksion të një tjetër loje,me të njëjtin objekt,veçse duke ndryshuar taktikë; kriminalizimi në opinion e gjerë i personit tim. Nga tentohej të zhvlerësonin së pari problemet që ngrija në shtyp ndaj veprimeve antiligjore të SHIK-ut dhe kryetarit Bashkim Gazidede. Nuk kaluan veç pak ditë dhe në një natë të  errët të mes shkurtit ’97-të, në “pavionin Vip” ku banoja, përballë qelisë së Ramiz Alisë, sillet me helikopter nga burgu i Bënçës dhe vendoset ngjitur me qelin time, kryetari i burgosur i Partisë Socialiste,Fatos Nano;i njohur tanimë si‘lideri historik’ i saj. Fill pas hapjes e mbylljes së derës të qelisë ngjitur meje, polici i shërbimit më kërkoi të mblidhja ç’të kisha për të ngrënë,‘pasi kryetari ka uri’,-foli seriozisht ai.

Pa dyshim, unë isha mirëdashës i Fatos Nanos. E njihja pak atë kohë, por si të gjithë të majtët progresist, ndihesha i revoltuar për arrestimin e padrejtë të Kryetarit të Partisë Socialiste dhe më shumë se besoja në atë që kisha provuar e dëgjuar të flitej për të,më saktë shpresoja por nuk dija se çfarë përfaqësonte tjetër ai veç të qenurit intelektual. Natyrshëm, nuk ishte ky momenti të mendoja gjatë për këto, u ngrita e mblodha në një qese plastike pak bukë e dy kokrra mollë që mi kishin dhënë të tjerë (vetë hyra e dola nga burgu duke m’u shkelur çdo e drejtë për të komunikuar me familjarët e mi,pa folur për ushqime dhe avokat; këtë të fundit e lejuan kur ‘ferra mori uratën’),për t’ia nisur me të shpejtë njeriut të ‘uritur,’siç tha ndoshta me të drejtë polici. Pas dy-tre ditësh gjeta mundësinë dhe shkëmbeva ndonjë mendim me Fatos Nanon. Kam folur edhe herë tjetër, Nanon e kam njohur pak. Kisha vlerësuar tek ai gjëra që më shumë thuheshin se posedon, sa kisha konstatuar që mbart. Nuk harroj përshtypjen që më la kur u takova me të në burg. Ishte shëndoshur së tepërmi. Në qafë mbante tre zinxhirë të trashë floriri, byzylykët nuk i mungonin; gishtërinjtë i kishte të mbushur me unaza.

Maksude Kadëna(Sudja)
Maksude Kadëna(Sudja)

Nuk kuptohej në ishte arrixhi, i arrestuar për kontrabandë të vogël floriri, apo kumarxhi nga ata të kazinove të mëdha. Qeshte për gjithçka që flitej dhe shndërronte në humor çfarëdolloj bisede. Kur e shikoja ashtu, ishte vështirë të kuptoja atë që ndodhte jashtë në popull me atë që bënte Fatos Nano në burg. Mos harroni, ishte shkurti i vitit 1997, kohë kur vendi ziente në prag të luftës civile. Gjithsesi çfarë shihja tek i burgosuri Fatos Nano nuk doja të besoja se ishte pjesë e përmbajtjes së njeriut emri i të cilit tek qindra mijëra socialistë ishte kthyer në simbol. Ishte mbrëmje e 12 Marsit 1997. Nuk besoj  se të burgosurit si unë dinin apo kishin dijeni për çfarë do të ndodhte pak mbas orës 21:00 kur në mes të një qetësie thuajse absolute ndjemë një të lëvizur të ngjashme me tërmetin.

Nuk kuptuam ç’po ndodhte, por instinktivisht në mbrojtje të vetes ju afruam derës së qelisë. Shumë shpejt mësuam se përtej derës ndodheshin të tjerë, të cilët shtyheshin të na ndihmonin për të dalë jashtë qelisë dhe vetëm kur e pamë veten jashtë kuptuam ç’ndodhte. Nuk vonoi dhe mësoj se Ramiz Alinë dikush nga të burgosurit e kishte goditur në kokë. Shkova pranë tij ku gjeta Fatos Nanon dhe pyeta për çfarë ndodhi. Ai ishte i qetë, nuk ndihej i friguar. Në të kundërt, përpiqej të qetësonte të burgosurit e tjerë të cilët ndiheshin të interesuar për gjendjen e tij. Me sa kuptova në atë çast, goditja e Ramiz Alisë ishte e paqëllimtë dhe aksidentale.

Në një nga qelitë e pavionit special ku kishim qëndruar këto muaj u mblodhën së bashku: Ramiz Alia, Fatos Nano, Maksude Kadëna(Sudja), Fitim Gërxhalliu me të shoqen, pa përmendur vizitorët që vinin rresht, disa për të takuar Ramiz Alinë e të tjerë për t’u përshëndetur me Fatos Nanon. Nata shkoi përmes kafeve që bënte një e dënuar, ish-punonjëse e fondacionit “Xhaferri”. Rreth mesnatës Fatos Nanon e njoftojnë se e kërkonte në takim një pushtetar i rëndësishëm. Ç’është e vërteta, ai hezitonte ta takonte. Meraku nuk ishte vetëm i Fatosit, por edhe i ne të tjerëve që qëndronim pranë tij.

Komanda e burgut insistonte për këtë dhe më në fund ne mësuam edhe emrin e njeriut që kërkonte kërkonte të takonte domosdo me Fatos Nanon. Fatosi u ngrit duke komunikuar se në çdo rrethanë nuk do të lëvizte nga burgu. I këtij mendimi ishin edhe të tjerë duke e shoqëruar atë për të shmangur çdo të papritur. Takimi u realizua. Spartak Ngjela, i sapoemëruar ministër i Drejtësisë, i kërkoi Nanos nën garancinë personale të tij, të pranonte largimin nga burgu për të qenë më i sigurt fizikisht diku tjetër. Fatos Nano siç kishte komunikuar me ne vendosi të mos largohej duke u rikthyer në qelinë të tjerët. E vërteta është se gjatë natës herë pas here kishte të shtëna me armë, të cilat bëheshin për të parandaluar ndonjë mësymje të burgosurish. Detyruar nga këto të shtëna u gjykua t’i dërgohej komandës një letër, ku të paralajmërohej që në rast të një përplasje të mundshme ajo do të mbante përgjegjësinë për gjithçka do të ndodhte; duke i kërkuar ndërkohë të ndërpriste të shtënat. Mbas marrjes së letrës situata u qetësua. Thuajse e qetë kaloi gjithë nata.

***

Mbas orës 10:00 të paradites gjendja veçanërisht ajo psikologjike në radhët e të burgosurve nisi të tensionohej. Ndihej që situata në rast se nuk do të menaxhohej me pjekuri, në kuptimin e hapjes së burgut, ajo do të dilte jashtë kontrollit. Nën këtë shqetësim personazhet VIP, të qelisë ku tashmë ndodhej Ramiz Alia, Fatos Nano etj ndiheshin të preokupuar, ndaj transmetonin qetësi tek të burgosurit e tjerë që vinin për të biseduar dhe shkëmbyer mendime me ta se si duhet të vepronin. Nga dua të them, se kjo punë e kujdesshme e tyre pati efektin e vetë në qetësimin e gjendjes dhe maturinë e veprimeve të të burgosurve pa cenuar të drejtën e tyre për të rritur sigurinë e jetës. Nuk vonoi dhe pas orës 12:00 dyert e burgut 313 në Tiranë u hapën. Të burgosurit e të gjithë kategorive dolën. Në qelinë ku ne qëndronim mbeti Fatos Nano, Ramiz Alia, im vëlla dhe unë. Kishte aty edhe një tjetër, i cili u largua pasi Nano diçka i tha. S’kaloi shumë dhe pranë nesh vjen komanda e burgut. Ishin 3-4 prej tyre në mes të cilëve drejtori i burgut 313 një ish-i dënuar politik. Ai, pasi u dha dorën të gjithëve pyeti për mua dhe tim vëlla se kush ishim. Kur i thamë emrat, si të ironizonte çfarë shkruante shtypi tha: “As juve të ‘Hakmarrjes’ nuk keni ikur?”. Mua më bëri përshtypje kjo duke e krahasuar me njoftimin e një polici dashamirës i cili disa orë më parë më kishte porositur të ndërroja veshjen për t’u mbrojtur nga çdo eventualitet. Për më tepër, kur këtë, e kam ballafaquar me një tjetër të vërtetë të mësuar përmes shtypit nga një intervistë e Klement Kolanecit, i cili fliste se në momentin kur burgu ishte thyer nga brenda i kishin vënë skafandër në kokë, për t’ia hequr pak çaste më vonë. Nga kuptohet se kanë qarkulluar dy urdhra, ku i dyti ka anuluar të parin. Duke komunikuar me Nanon, drejtori i burgut ju drejtua atij duke i shpjeguar situatën e ndodhur pas së cilës i kërkoi që në kushtet kur siguria në burg nuk garantohet ne të niseshim në shtëpitë tona. Nano por dhe Ramiz Alia e ne të tjerët shpjeguam se në burg ndodheshim si të pafajshëm, ndaj s’mund të largoheshim si kaçakë. Drejtori heshti. Dhe siguroi se kishte marrë masat për të na nisur në shtëpi. Ashtu u veprua. Të hipur në një ambulancë Ramiz Alia, Fatos Nano dhe drejtori i burgut shkuan përpara, kurse unë dhe im vëlla ishim në një makinë që shoqëronte. I pari u dërgua pranë familjes Ramiz Alia. Pas tij Fatos Nano ku qëndrova edhe unë e im vëlla.

Pas takimit të Nanos me pjesëtarët e familjes së tij, na ftuan për të qëndruar. Në këtë çast dikush vjen dhe diçka bisedon me Fatos Nanon. Pashë që ky u shqetësua. Pas largimit të tij veçmas ai më komunikoi se kishte të dhëna që shtëpia e tij mund të sulmohej, ndaj duhej të mendonte për një lëvizje të mundshme jashtë Tiranës…Unë e quajta të arsyeshme këtë dhe mësova se ai e realizoi siç vendosëm largimin e tij.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *