A ishte luftë civile?

anazapta

Replikë me Uran Butkën: Viktimizimi, si strategji për të justifikuar dështimin e “Ballit” gjatë LANÇ.

Mukja si “detonator konflikti”, dokumentet gjermane të Arkivit Politik të Berlinit, roli i Enver Hoxhës, Partisë Komuniste dhe Ballit Kombëtar, bashkëpunimi si mjet për të asgjësuar partinë ri vale në 1943…

Çfarë synojnë përpjekjet e sotme për ta shndërruar LANÇ në luftë civile…

Nga Marenglen Kasmi

1Ndonëse kanë kaluar mëse 70-vjet nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore ende, vazhdon të diskutohet për karakterin e luftës së shqiptarëve gjatë këtij konflikti botëror. Sigurisht që, debati historik është i shëndetshëm dhe i nevojshëm për shoqërinë. Por, nëse ky debat nuk bazohet mbi analiza të mirëfillta shkencore dhe historike, e më keq, nëse ai politizohet, atëherë ai nuk i shërben historisë, por fenomenit të revizionizimit të saj. Në këtë kuadër, një nga çështjet më të diskutuara, dhe që dominon debatin, është pyetja nëse lufta e shqiptarëve gjatë Luftës së dytë Botërore, e sidomos në vitet 1943-1944, ishte një Luftë Antifashiste Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve të huaj, apo një Luftë Civile, e cila kishte në thelbin e saj eliminimin e kundërshtarëve politikë për të marrë pushtetin pas lufte.

Pjesa më e madhe e studiuesve vendas e të huaj, jo vetëm që nuk e venë në dyshim karakterin antifashist të kësaj lufte, por po ashtu kanë arritur të vlerësojnë me objektivitet tiparet, veçoritë, meritat dhe sigurisht edhe gabimet e bëra gjatë kësaj lufte. Nga ana tjetër, një grup tjetër studiuesish, më i vogël në numër, ndonëse sasia numerike nuk përcakton cilësinë e argumentit, mbështet tezën e Luftës Civile, madje hera-herës me ngjyrime të forta radikalizimi të saj.

Duke ju referuar mbështetësve të tezës së Luftës Civile, vërehet se si “detonator konflikti” ridimensionohet gjithmonë prishja e Marrëveshjes së Mukjes nga Partia Komuniste dhe argumentit që, Balli Kombëtar nuk kishte asnjë alternativë tjetër, veçse të shndërrohej në viktimë të luftës për pushtet të komunistëve. Më tej, nuk analizohet qëndrimi politik i kësaj organizate ndaj pushtuesve, e sidomos bashkëpunimi i hapur i kësaj organizate me ushtrinë gjermane. Po ashtu, tentohet që nëpërmjet zhvillimeve të veçuara, siç është ndonjë luftim i kryer kundër pushtuesve italianë, i cili kurrsesi nuk përfaqëson vijën politike zyrtare të kësaj organizate, por është më tepër meritë e udhëheqësit nacionalist të çetës përkatëse, të krijohet mendimi se, Balli Kombëtar shkonte në Mukje me statusin e një organizate antifashiste. Në këtë mënyrë, prishja në Mukje shërben si argument i shndërrimit të luftës antifashiste në një luftë civile, duke bërë fajtore vetëm Partinë Komuniste për mosbashkëpunim. Në fakt, ky është një “avaz i vjetër” që daton fill pas prishjes, kur eksponentët drejtues të Ballit Kombëtar nëpërmjet strategjisë së viktimizimit rrekeshin të justifikonin rrëshkitjen e tyre në shinën e bashkëpunimit, si rruga e vetme dhe më e rehatshme për të ardhur në pushtet pas luftës. Kësisoj, duke i mëshuar tezës së Luftës Civile, vazhdohet ende sot të mos nxirret asnjë përgjegjësi e Ballit Kombëtar si për dështimin e luftës së përbashkët të shqiptarëve kundër pushtuesve, e aq më tepër, për orientimin e tij politik kryekëput të gabuar ndaj pushtuesve gjermanë. Ende viktimizimi përdoret si strategji për të justifikuar këtë dështim.

Gjithsesi, faktet janë të pakundërshtueshëm. Forcat nacionaliste ishin të atashuara dhe luftonin përkrah pushtuesve gjermanë. Kështu nuk mund të flitet për një luftë civile, por për një luftë kundër pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Këtu ky diskutim mbaron. Përgjigje duhet të jepet për arsyet që e shtynë Ballin Kombëtar dhe nacionalizmin shqiptar në përgjithësi në këtë bashkëpunim. Sigurisht që, bashkëpunimi apo kolaboracioni me pushtuesit gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk është një fenomen vetëm shqiptar. Ky fenomen u shfaq si në vendet fqinje, ne ato perëndimore e më tej. Në këto vende, lufta kundër bashkëpunëtorëve të nazifashizimit nuk vlerësohet si luftë civile. Sigurisht që tendenca të tilla ekzistojnë aty-këtu edhe në këto vende, sepse po ashtu, edhe fenomeni i revizionizimit të historisë nuk është shpikje shqiptare.

***

Pas rënies së Musolini-t, zbarkimi i trupave aleate në Shqipëri apo pushtimi i Shqipërisë nga trupat gjermane ishin çështjet më të diskutuara. Po ashtu, të paktën për forcat nacionaliste, një opsion i hapur ishte edhe rrëmbimi i pushtetit nga komunistët, të cilët në këtë kohë përbënin edhe forcën politike më të organizuar në vend. Strategjia pragmatike e njohur e Ballit Kombëtar që bazohej mbi mosbashkëpunimin me italianët, por edhe mbi qëndrimin ushtarak pasiv ndaj tyre, nuk rezultoi efikase, ose të paktën jo shumë produktive, për fuqizimin e këtij kampi politik. Ndërkohë, në verën e vitit 1943, Fronti Nacionalçlirimtar (FNÇ) përbënte të vetmin grupim që kishte luftuar në mënyrë aktive ndaj pushtuesve italianë. Kjo gjë e shtyu Ballin Kombëtar të pranonte negociatat e nxitura nga misioni aleat me palën tjetër, e sidomos tani, kur zbarkimi aleat në brigjet e Shqipërisë ishte një opsion strategjik tejet i diskutuar. Pra, Balli Kombëtar, nxitoj të shndërrohej – ndonëse me vonesë – në protagonist kryesor i luftës kundër pushtuesve italianë, tashmë në pikëpamje ushtarake të shpartalluar dhe politikisht pa krye!

Po ashtu, në rast se në Shqipëri vinin gjermanët, përsëri drejtuesit e Ballit Kombëtar mendonin se ata do të ishin politikisht dhe ushtarakisht përfituesit kryesorë. Nëse i referohemi dokumenteve gjermane të Arkivit Politik të Berlinit, qysh më 7 dhjetor 1942, organizata e sapokrijuar e Ballit Kombëtar kishte dërguar Vehbi Frashërin në Beograd për të marrë kontakt me gjermanët. Frashëri e siguroi këshilltarin gjerman për çështjet etnike në shtabin e Komandantit të Përgjithshëm gjerman në Serbi se […] Drejtuesit e kësaj organizate (Ballit Kombëtar – M.K) janë të gatshëm të kryejnë gjithçka që Gjermania kërkon prej tyre. Ata po qëndrojnë në gatishmëri për kohën kur rrugët e Gjermanisë dhe Italisë do të ndahen”. Po ashtu, disa ditë pas Mbledhjes së Mukjes, kur Ribbentrop-i shpresoi fillimisht në një bashkëpunim me Komitetin e Shpëtimit të Shqipërisë të dalë nga Mukja, konsulli Schliep do t’i përgjigjej atij se: “Organizata për Çlirimin Kombëtar të Shqipërisë (siç gjermanët quanin Komitetin e Shpëtimit të Shqipërisë) nuk mund të merret në konsideratë [për bashkëpunim], sepse në të është i pranishëm fuqishëm elementi komunist, të cilët mbajnë lidhje me armikun. Fronti [Balli] Kombëtar, të cilët i janë bashkëngjitur organizatës, pavarësisht [se janë bashkuar në Komitet] më kanë dërguar lajm se, Fronti [Balli] Kombëtar do të luftojë vetëm italianët dhe jo kundër gjermanëve. Kryetari i bandës Abas Kupi (Bazi i Canës) pritet të mbajë të njëjtin qëndrim. Po ashtu mund të pritet që, shumica e ndjekësve të komunistëve të mbajnë fillimisht një qëndrim pritës ndaj nesh”.

Siç lexohet, nga gjithë pjesëmarrësit në Mukje, kushtet e bashkëpunimit me pushtuesit nuk i plotësonin vetëm komunistët. Balli Kombëtar, për gjithë arsyet e sipërpërmendura, ndonëse fillimisht nuk u shpreh i gatshëm për bashkëpunim, deklaroi se të paktën nuk do të luftonte kundër tyre. Kësisoj, vendimi i Ballit Kombëtar në Mukje për një “luftë të përbashkët dhe të menjëhershme përbri aleatëve të mëdhenj Anglisë, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, si edhe popujve të shtypur kundër pushtuesve barbarë”, bie ndesh me atë çka ata prapa kulisave i kishin premtuar konsullit gjerman Schliep.

Fill pas pushtimit gjerman të Shqipërisë, Neubacher-i njoftonte Berlinin në raportin e tij të hartuar për periudhën 4-7 tetor 1943 kur ai ndodhej në Tiranë se, pasi zbarkimi aleat i shumëpritur prej shqiptarëve nuk ndodhi, situata politike në Shqipëri po zhvillohej në favorin e tyre. Përkrah një numri të konsiderueshëm politikanësh shqiptarë, të kryesuar nga Mehdi Frashëri, të cilët u shfaqën të gatshëm të bashkëpunonin me gjermanët, tanimë edhe Balli Kombëtar nxitoi të rijepte mesazhe paqësore ndaj tyre. “Drejtuesit autoritarë të bandave nacionale, të cilat në kohën e pushtimit italian janë shprehur kundër Boshtit Qendror dhe pro Anglisë, kanë dërguar lajm me Mehdi Frashërin që, [ata] nuk do të ndërmarrin ndonjë akt armiqësor ndaj ushtarëve gjermanë. Një formacion i këtyre bandave u shpall i gatshëm për të filluar luftën kundër bandave komuniste,” raportonte ndër të tjera Neubacher.

Ky qëndrim e karakterizoi gjatë gjithë luftës politikën zyrtare të Ballit Kombëtar. Në rrafshin politik ndërkombëtar, tendenca e Ballit shkon drejt balancimit të marrëdhënieve, si me aleatët ashtu edhe me gjermanët. Në rend të ditës ishte politika opsionale, ose e dyerve të hapura. Parë në këtë këndvështrim, rreziku më i madh për Ballin Kombëtar shfaqej në zhvillimet e brendshme, në fuqizimin e PKSH dhe ushtrisë partizane. Këtë rrezik kjo organizatë tentoi ta neutralizonte në Mbledhjen e Mukjes.

Për t’i hapur rrugën negociatave, Balli Kombëtar u distancua në verën e vitit 1943 nga mbështetja që i kishte dhënë qeverisë kolaboracioniste shqiptare dhe më pas kaloi në propagandë të hapur antiqeveritare, duke forcuar edhe çetat balliste.

Edhe Partia Komuniste kishte interesat e saj në këtë bashkëpunim. Së pari duhet theksuar se Komiterni udhëzonte kryerjen e një lufte të bashkuar në një front të vetëm kundër gjermanëve dhe së dyti, ishte edhe presioni i ushtruar nga oficerët ndërlidhës britanikë, të cilët e kërkonin me çdo kusht bashkëpunimin e shqiptarëve në një front të vetëm.

Ajo çka i ndante këto dy grupime nga njëra-tjetra ishte pikërisht mosbesimi i madh që kishin kundrejt njëri-tjetrit. Për Partinë Komuniste, Balli Kombëtar përbënte një grupim tradhtarësh, që kishin bojkotuar luftën ndaj pushtuesve italiane, madje që kishte bërë edhe marrëveshje me ta, siç ishte marrëveshja Dalmazzo-Këlcyra. Ndërkohë që, për palën tjetër, lufta nuk ishte asgjë tjetër veçse një instrument i komunistëve për të ardhur në pushtet.

Mariglen Kasmi
Marenglen Kasmi

Uran Butka
Uran Butka

Është i pakundërshtueshëm fakti se Marrëveshja u prish në mënyrë të njëanshme nga Enver Hoxha. Gjithsesi, t´ia hedhësh vetëm atij fajin e dështimit të bashkëpunimit nuk përkon plotësisht me realitetin. Më sipër u theksua se, Balli Kombëtar kishte shkuar në Mukje me opsione të hapura. Bashkëpunimi i Ballit Kombëtar me gjermanët ishte një kalkulim strategjik dhe nuk kishte ndonjë bazë ideologjike. Kolaboracioni u konsiderua nga Komiteti Qendror i Ballit si një mjet për të eliminuar grupimin rival dhe që sigurisht i hapte atij rrugën për të ardhur në pushtet, pas largimit të gjermanëve nga Shqipëria. Supozimi se, Balli Kombëtar ishte i detyruar të bashkëpunonte me gjermanët si pasojë e fillimit të luftës civile, pas prishjes në Mukje, është tepër i dyshimtë dhe i diskutueshëm. Siç e shohim në dokumentet gjermane të sipërcituara, Balli Kombëtar e kish kërkuar bashkëpunimin me gjermanët, të paktën qysh në fundvitin 1942. Po ashtu, përplasje me armë ndërmjet çetave të ballit dhe partizanëve kishin ndodhur, ndonëse në mënyrë sporadike, edhe para prishjes së Mukjes. Në një letër që Safet Butka i dërgon Nënprefektit të Kolonjës më 20 maj 1943, në të cilën ai i kërkon atij që të ruhet popullsia nacionaliste nga reprezaljet, ndër të tjera ai shkruan se “[…] Sa për çetat e mija dihet mirë qëndrimi i tyre kundër sabotazheve etj. gjëra të dëmshme si për fuqitë italiane, ashtu për popullin nacionalist. Edhe para pesë ditësh luftuam kundër komunistave në Bulgarec të Korçës”. (Pretenca historike…, Nr. 6, botime të gazetës Bashkimi, Tiranë 1946).

Tashmë tingëllon e pakundërshtueshme që, si Balli Kombëtar, ashtu edhe Partia Komuniste kishin të njëjtin shqetësim, ardhjen në pushtet pas luftës. Edhe pretendimi që artikulohet sot rëndom se, Balli Kombëtar ishte i interesuar në formën e qeverisjes dhe jo të vinte në qeveri – është po ashtu i pasaktë dhe jo logjik. Si atëherë e ngahera, një forcë politike punon për të ardhur në pushtet. Përse duhej që, Balli Kombëtar, si një forcë politike të mendonte e vepronte ndryshe? Sigurisht që pushteti nuk mund të merrej me dhunë, por Balli Kombëtar tashmë ishte diskretituar në sytë e shqiptarëve si bashkëpunëtor i pushtuesve. Fajtori kryesor për këtë diskretitim ishte ai vetë, e jo komunistët.

Pavarësisht se Marrëveshja e Mukjes nuk u pranua nga PKSH-ja, për Ballin Kombëtar opsioni i luftës kundër pushtuesve gjermanë, pa bashkëpunuar me LNÇ, por me grupimet e tjera jokomuniste dhe me mbështetjen e anglezëve, mbeti gjithnjë i hapur. Balli Kombëtar ishte e vetmja forcë politike shqiptare, në të cilën nuk u atashua zyrtarisht asnjë mision aleat gjatë luftës. E para, sepse ai konsiderohej nga aleatët si bashkëpunëtor i gjermanëve dhe së dyti, Balli Kombëtar nuk arriti asnjëherë të formatohej si një organizatë kompakte politiko-ushtarake. Madje, në një raport britanik të kapur nga gjermanët, që pasqyronte situatën politike në Shqipëri deri në fund të tetorit 1943 shkruhej: “Qëndrimi i kësaj force (Ballit – M.K) përkundrejt gjermanëve është i paqartë. Në dukje, ajo kërkon “të kalërojë në dy kuaj”, pra të mos inatosë gjermanët dhe madje jozyrtarisht dhe në masë të vogël të bashkëpunojë me ta, me qëllim që, nëse do të ndodhë ndonjë zbarkim aleat, të ndryshojë drejtimin dhe nëpërmjet këtij veprimi të fitojë mbështetjen e Aleatëve […]”.

Kjo taktikë e çoroditur e Ballit Kombëtar i erdhi për shtat Partisë Komuniste. Ajo e shtoi propagandën kundër Ballit Kombëtar dhe duke e demaskuar atë në popull si organizatë bashkëpunëtore me pushtuesit, ndërmori aksionet e para luftarake kundër tij.

Bashkëpunimi, si mjet për të asgjësuar partinë rivale, në fund të vitit 1943, ndonëse u paralajmëruan edhe nga anglezët për konsekuencat politike të kësaj strategjie, u dukej ballistëve si rruga më e sigurt dhe, me sa duket edhe më komode, për të ndaluar rritjen e lëvizjes komuniste. Kjo gjë e ndihmoi Partinë Komuniste që si fillim, ta demaskonte atë në popull dhe më vonë ta asgjësonte këtë organizatë përfundimisht.

Fajtori kryesor për këtë dështim, ishte vetë Balli Kombëtar. Për aftësinë e Enver Hoxhës për të asgjësuar kundërshtarët e tij politikë, është e tepërt të flitet! Për fatin e keq, Balli Kombëtar e kërkoi ndihmën për të ardhur në pushtet te kampi i gabuar. Pjesa më e madhe e Ballit nuk e kuptoi mesazhin e kohës, por zgjodhën rrugën e rehatisë dhe jo të luftës. Ndoshta ilustrimin më të mirë për këtë gjë e bën vetë një anëtar i Ballit Kombëtar, Ismail Golemi, i cili në një letër që u drejton shokëve të tij në Gjirokastër në korrik 1944, kur kishte shkuar në Tiranë për të marrë orientime nga Mit’hat Frashëri, Ali Këlcyra dhe Abaz Ermenji shkruante jo pa nota të forta ironie e zhgënjimi se: “[…] Kryetarët e Ballit nuk janë njerës të hedhur në fushë të veprimit për me shpëtu popullin nga reziku vetëm duanë me përfitu për vehte rehat e pozit dhe ata që i niekin prapa le të shkojnë mishë për mikë. Menimet e mia dhe ndrejtësia e sakrificat, për këta si më paraqitet gjëndia kanë qën të dëmshme pse kanë haruar çkan prediku me programe e trakte popullit. Këta duan gjithë çka të ju dedikohet këtyre dhe Shqipëria tjet pronë e tyre, asë një njeri të mos ket të ndrejtë të ju kërkojë llogari. Unë shokë të dashur siç ju e dini ç’do një munimë t’onën ja kamë detikuar Atdheut dhe popullit që ka dhë(në) kontributin me gjak e sakrifica të pa llogaritura pse atij i meriton dhe jo atyre që dergjen në kolltukët e Daitit mirë, pra në këtë mënyr dikujt s’i pëlqen. Unë e kamë dijtur dhe gjithë (m)onë jua kamë njoftu, por nërgjegjia ime s’më lejonte të bënesha ropë i nonjij për me siguru interesat e mia private, pse sakrificat dhe munimet e mia me gjith shokë velenin vetëm të shkonin si kanë shkuar në favor të nacionalitetit shqiptar. […] Për të fitu simpathin e atyre që njohin veten se janë njeres të mëdhenj në Shqipni duhet me pasë këto çilësi: Të jeshë pasunikë me vetur lluksë e me takeme aristokrate të dishë mir poker e tapllamara. Nryshe tjeshë dallkaut peqe lepe të beçë detin fushë e tjera që unë skam asë një nga këto veçë punë e luft […]” (AQSH, F. 1056, v.1943, d.22, fl.29-30).

Marrëveshja-e-Mukjes-publikohet-dokumenti-i-rrallëSiç u theksua më sipër, si Balli Kombëtar ashtu edhe Partia Komuniste kishin të njëjtin shqetësim, sigurimin e drejtimit të vendit pas largimit, tashmë të parashikueshëm, të gjermanëve nga Shqipëria.

Supozimi që Balli Kombëtar ishte i detyruar të bashkëpunonte me gjermanët si pasojë e fillimit të luftës civile është tepër i dyshimtë dhe i diskutueshëm sepse, ndërmjet partizanëve dhe ballistëve kishin ndodhur deri në fund të tetorit 1943 vetëm përplasje ushtarake sporadike dhe nuk ekzistonte akoma asnjë direktivë e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ për të luftuar kundër Ballit Kombëtar apo grupimeve të tjera jokomuniste. Madje edhe studiuesit që mbështesin tezën e luftës civile shkruajnë se, deri në nëntor të vitit 1943, lufta e komunistëve kundër Ballit Kombëtar kufizohej vetëm në nivele propagandistike.

Hyrja e shpejtë e trupave gjermane në Shqipëri, si edhe strategjia e tyre pushtuese, kërkonin një orientim të ri politik dhe strategjik të Ballit Kombëtar. Pa marrë parasysh se cila palë ishte përgjegjëse për dështimin e Marrëveshjes së Mukjes, për Ballin Kombëtar opsioni i luftës kundër pushtuesve gjermanë, pa bashkëpunuar me LNÇ, por me grupimet e tjera jokomuniste dhe me mbështetjen e anglezëve mbeti i hapur. Ndërkohë një opsion tjetër ishte edhe ai që të qëndronte neutral dhe të priste ndonjë zbarkim të aleatëve ose të bashkohej me pushtuesit gjermanë dhe, së bashku, të luftonin kundër partizanëve.

Qëndrimi pasiv dhe oportunist i Ballit Kombëtar ishte i njohur si atëherë, ashtu edhe tani. Prandaj ishte plotësisht logjike që, si fillim, Balli Kombëtar do të mbante një pozicion neutral dhe në të njëjtën kohë do t’i linte hapur dy opsionet e tjera. Nisur nga këto, ai deklaronte te oficerët ndërlidhës britanikë që ata, parimisht, kishin interes për të luftuar trupat pushtuese dhe kërkonin për këtë armë dhe municione, ndërkohë që, një pjesë e mirë e Ballit Kombëtar kishte lidhje të ngushta me gjermanët. Në raportimin e datës 15 dhjetor 1943 të Komandantit të Divizionit 100 të këmbësorisë së lehtë drejtuar Gjeneralit të Korparmatës XXII malore shkruhej: “[…] Bandat e Ballit Kombëtar përbëjnë grupin luftarak të vetëm shqiptar që merr pjesë aktivisht në luftën kundër komunistëve. Balli Kombëtar ka në këtë moment një forcë luftarake prej 7.000 burrash të integruar nën komandën e Divizionit. […]”.

Ky ndërrim kursi, pra aleanca taktike me Wehrmacht-in, u diskutua dhe miratua në Kongresin e Parë Kombëtar të Ballit Kombëtar që u mbajt në Berat, më 3 janar 1944. Ballistët mund të përfitonin nga gjermanët armatime dhe mbështetje ushtarake, zona të sigurta për t’u tërhequr si dhe para. Bashkëpunimi, si mjet për të asgjësuar partinë rivale, në fund të vitit 1943, ndonëse u paralajmëruan nga anglezët për konsekuencat politike të kësaj strategjie, u dukej ballistëve si rruga më e sigurt dhe, me sa duket edhe më komode, për të ndaluar rritjen e lëvizjes komuniste. Sigurisht që Balli ishte një organizatë heterogjene dhe si e tillë brenda organizatës shfaqeshin disa rryma mendimi. Ndonëse në Berat u ra dakord për luftën e përbashkët me gjermanët kundër ushtrisë partizane, ndërmjet Skënder Muços dhe Mit’hat Frashërit pati kundërshti për thellësinë e bashkëpunimit taktik me gjermanët dhe me qeverinë Mitrovica. Që Skënder Muço mbante ende shpresë te zbarkimi aleat ishte e qartë edhe për gjermanët. Madje, ky ishte shkaku që Balli Kombëtar nuk pranoi asnjëherë, ndonëse kërkohej nga gjermanët, të inkuadronte çetat balliste nën komandën e qeverisë. Si pasojë, një pjesë e përkrahësve të kësaj organizate kaluan te partizanët. Një pjesë tjetër, e cila tashmë ishte kompromentuar nga bashkëpunimi me gjermanët, filloi të orientohej drejt Legalitetit te Abaz Kupit.

Bashkëpunimi i Ballit Kombëtar me gjermanët i shërbeu Partisë Komuniste që si fillim, ta demaskonte atë në popull dhe më vonë ta godiste përfundimisht. Nga ana tjetër, Balli Kombëtar ndiqte po të njëjtën strategji, pra likuidimin me çdo kusht të lëvizjes komuniste, strategji kjo që nuk e pengonte atë të bashkëpunonte ndërkohë edhe me gjermanët.

Në vjeshtën e vitit 1943, goditjet e ushtrisë partizane kundër Wehrmacht-it gjerman u rritën së tepërmi. Për të ndaluar këto sulme, prej nëntorit 1943 deri në shkurt 1944, ndonëse me trupa të reduktuara, u ndërmorën operacione ushtarake kundër partizanëve. Dimri i egër në male, mungesa e ushqimeve, veshmbathjeve dhe medikamenteve, detyrimi i shpeshtë dhe i mundimshëm për të lëvizur nga një rajon në tjetrin për të mos u rrethuar nga gjermanët, e çuan ushtrinë partizane në një situatë tepër të vështirë. Të dhëna gjermane flasin që, deri në fundin e janarit 1944, gjermanët i kishin shkaktuar ushtrisë partizane rreth 1.550 të vdekur, 433 të plagosur dhe 47 dezertime. Në këto operacione gjermanët ndihmoheshin edhe nga ballistët. Madje, duke parë rezultatet pozitive të këtyre operacioneve, Balli Kombëtar e intensifikoi bashkëpunimin, sepse e konsideroi lëvizjen komuniste të likuiduar. Si rrjedhim, Balli Kombëtar u mundua që, në një takim ndërmjet Neubacher-it, Mehdi Frashërit, Xhaferr Devës dhe komandantit të forcave balliste Kadri Cakrani (me nofkën “i tmerrshmi”) në fund të janarit 1944, të zgjeronte bazën e qeverisë me pranimin e tre anëtarëve ballistëve në qeverinë Mitrovica. Me këtë lëvizje Balli Kombëtar shpresonte të zgjeronte zonën e vet të influencës dhe të kishte shanse më të mira për të qeverisur vendin pas largimit të gjermanëve. Me ardhjen e pranverës, Ushtria Nacionalçlirimtare u riorganizua dhe e shtoi luftën e saj kundër pushtuesve gjermanë dhe bashkëpunëtorëve të tij.

***

Enver Hoxha me partizanët
Enver Hoxha me partizanët

Mukja ishte e destinuar të dështonte qysh në fillimet e saj. Nuk ishte Çështja Etnike ajo që prishi marrëveshjen,- madje të pretendosh se nacionalistët shqiptarë u sakrifikuan për çështjen e Kosovës është naivitet. Edhe sikur Çështja Etnike të mos ishte trajtuar në Mukje, ky bashkëpunim nuk do të kishte funksionuar. Nëse FNÇ-ja ishte nën dominimin komunist, organet e dala nga Mukja dominoheshin nga ballistët. Po ashtu, të dyja palët nuk ishin të gatshme të pranonin rolin drejtues të palës tjetër! Është absurde të mendohet se, Partia Komuniste mund të pranonte një strukturë drejtuese të luftës që nuk dominohej prej saj, e sidomos në një kohë, kur kishte afro dy vjet që luftonte. Përse shumë nacionalistë – ata që më vonë e drejtuan Ballin Kombëtar – nuk e përkrahën platformën e Pezës dhe refuzuan bashkëpunimin me komunistët? Madje, mospjesëmarrja e elitës nacionaliste në Konferencën e Pezës më 16 shtator 1942, mund të quhet pa hezitim dështimi i parë i tyre për t’u bashkuar në një front të vetëm kundër pushtuesit. Sigurisht që, Balli Kombëtar, nuk mund të fajësohet për këtë gjë, sepse ende nuk ishte krijuar si organizatë. Një prezencë më e madhe nacionaliste në Pezë nuk do të kishte lejuar, ose të paktën do ja kishte vështirësuar punën PKSH-së, që ajo gradualisht të mbyste ndikimin nacionalist në FNÇ, ta dominonte atë, e nëpërmjet luftës të siguronte ardhjen e saj në pushtet ose të paktën të bëhej garant i zgjedhjeve demokratike pas luftës. Flegmatizmi nacionalist lejoi që në Pezë të hidheshin rrënjët e komunizmit në Shqipëri. Kush i njihte dhe përkrahte komunistët në këtë kohë, e aq më pak në një vend ku komunizmi si ideologji as njihej e perceptohej fare? Koha tregoi se, pasi PKSH-ja me ndihmën e nacionalistëve si Myslim Peza e Abaz Kupi, duke përdorur si lajtmotiv luftën kundër pushtuesit dhe bashkimin, siguroi mbështetjen e një pjese të madhe të popullit. Më pas i flaku tej elementët e padëshiruar, siç ishte për shembull Abaz Kupi e shumë të tjerë. Prishja e njëanshme e Mukjes nga komunistët, nuk e justifikon Ballin Kombëtar nga përgjegjësia e dështimit politik dhe ushtarak. Fundja, i takonte pikërisht kësaj elite politike, shoqërore, të arsimuar dhe me përvojë të ishte më largpamëse, sesa komunistët e dalë rishtas. Disa interpretime të sotme, ku në qendër të tyre vendoset viktimizimi i Ballit Kombëtar nga komunistët, duke mos kryer analiza gjithëpërfshirëse historike, por duke u bazuar kryesisht në emocione dhe kujtime personale të protagonistëve ballistë, të shkruara kohë më vonë dhe siç ndodh shpesh në këtë gjini shkrimi, me ngjyrime narciziste, nuk e lan përgjegjësinë politike të Ballit Kombëtar për “lehtësirat” që i krijoi Enver Hoxhës për të ardhur në pushtet! Balli Kombëtar u orientua gabim, qysh në fillimet e tij. Duke besuar në fuqinë gjermane, kërkoi ta shfrytëzonte atë për të ardhur në pushtet që gjatë luftës, ose të paktën të dilte si faktor i fortë politik nga lufta, duke asgjësuar kundërshtarin politik me ndihmën e gjermanëve.

Përpjekjet e sotme, për të zhvleftësuar Luftën Antifashiste kundër pushtuesve dhe për ta shndërruar atë thjesht në një luftë civile mes shqiptarësh, për ironi të fatit nuk bën gjë tjetër veçse, si dje edhe sot, risjell në vëmendje dështimin e nacionalizimit shqiptar gjatë luftës dhe njëherazi, nëpërmjet tij, edhe ndihmën indirekte për instalimin e komunizimit në Shqipëri.

 

Share This Article
3 Comments
  • po cfare lufte civile se i bie qe gjithe Europa te kete bere lufte civile gjate luftes se kolaboracioniste kishte kudo. Edhe nese keshtu, kush ishte shkaku!!! Tradhetia e justifikon edhe luften civile se te rrish nen breket e pushtuesit do e hash edhe ti.

  • FAKTI I ‘DITES’1
    Kamikaze te informacionit ,25 vjet po propogandoni krriminelet dhe krimin te korruptuarit dhe korrupsionin antishqipetaret e antishqipetarizmin qe fillojne ,me’BBBB’
    ————-
    BERISHA,BEOGRAD,BIBERAJ,BODE,BASHA dhe tere zedhenesat e tyre te luftes civile shperberjes,krimit korrupsionit varferise pa shtet pa kufij pa ushtri pa ekonomi pa sistem bankar e finmanciar por vetem varferi prostitucion e ORGJI—ME EMERAT BLUSHI E BUTKA

  • ‘E DUAM ISH SHQIPERINE’ SI MAQEDONINE ‘
    Pa serbet berisha,pa çobenjte Blushi ,pa ballistet Butka,maqedonasit Pandi e ALABNAQKERINE!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *