Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë Carola Muller-Holtkemper, në një intervistë me gazetaren Erjona Rusi ka folur edhe për çështjen e 3 ligjeve, mosvotimin e të cilave qeveria dhe makina e saj mediatike e kanë prezantuar si pengesën e vetme në marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Holtkemper u pyet, ndër të tjera, nga gazetarja Rusi: “Në një vizitë që kam bërë së fundi në Berlin dhe nga takimet me disa zyrtare të Ministrisë së Jashtme gjermane, kuptova që ndjesia e përgjithshme ishte se Shqipëria nuk ka bërë mjaftueshëm dhe nuk do ta kishte marrë statusin edhe sikur këto tre ligje të ishin miratuar në parlament? Bini dakord me këtë?
Holtkemper: Edhe rekomandimi i KE i tetorit, nuk kufizohej në tre pjesë legjislativi. Padyshim janë të rëndësishme, por statusi do të vijë kur forcat politike të gjejnë një terren të përbashkët. Sepse 3 projektligjet aty janë. Nuk ka ndonjë pikëpyetje mbi këto ligje. Por reforma të tjera krahas tyre duhen implementuar. Kërkohet progres ashtu siç thuhet edhe në raport, përsa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dhe kur sheh konkluzionet e këshillit të ministrave te BE-se, të gjitha këto çështje janë sërish aty, bashkë me reformën ne gjyqësor dhe atë që njihet si track record, pra të tregohet zbatimi i këtyre ligjeve. Pra janë këto pikat që politika duhet të përmbushë jo për ne dhe jo për Bashkimin Europian por për shqiptarët. Përgjatë historisë së BE-se, plot standarde dhe vlera të përbashkëta dhe për të gjithë ata që duan të anëtarësohen në BE, duhet të nderojnë këto vlera të përbashkëta.
Në fakt gazetarja nuk e le me kaq dhe mirë bën. Ajo këmbëngul: “Me falni por duhet të insistoj pak në këtë pikë, sepse për fat të keq opinioni publik orientohet nga ajo çka thonë politikanët dhe ka pasur shumë polemika kohët e fundit lidhur me miratimin e këtyre tre ligjeve. Nuk dua të merrem me fajësimin e asnjë prej palëve, por thjesht për të qenë të qartë sepse qytetarët shqiptarë duhet ta dinë ashtu siç është, marrja e statusit nuk ka të bëjë vetëm me miratimin e ketyre tre ligjeve apo jo?”
Përgjigjet Holtkemper: Saktë. Dhe gjithashtu mendoj se duhet të largoheni nga ky rreth klasik i lojës së fajësimit dhe në vend të kësaj të fokusoheni në mënyrë konstruktive tek çështjet e rëndësishme duke arritur atë që përshkruhet si sundimi i ligjit…
INTERVISTA E PLOTE DHE QENDRIMI REDAKSIONAL – SOT NE “DITA”. LEXIM TE MBARE!