Redaksional
Që në fillim, mazhoranca e majtë e përcaktoi vijën e qëndrimit të saj ndaj Presidentit Bujar Nishani, i zgjedhur sekondën e fundit si një rrugëdalje deux ex machina i ish shumicës së djathtë, që e nisi zhurmën me Xhezair Zaganjorin dhe kaloi paksa tek Artan Hoxha, të cilin e anuluan pa dalë nga dera e shtëpisë. Dhe qëndrimi ishte ky: Respektim formal të institucionit, refuzim për të hyrë në debate e sherre mediatike dhe kaq. Lëreni, se përshesh ha ai. Gati-gati, dukej ky një qëndrim i imponuar pak edhe prej gjendjes fizike jo fort të përshtatshme të kreut të shtetit, i pari i zgjedhur me shumicë të thjeshtë parlamentare.
Jemi në momentin që disa probleme e konflikte ja bëjnë mu, por sërish mazhoranca këmbëngul: Nuk hyjmë në retorika me të. Dhe Presidenti ja “ka marrë dorën” kësaj pune: Nëse në fillim startoi me gafa të rëndomta, ku pashkët i uronte për Krishtlindje dhe anasjelltas, pa harruar edhe urimet infantile drejtuar popullit me avionët që zinin qiellin, që do skuqnin nga turpi edhe hartimet e një gjimnazisti; tani presidenti e zhveshi atë fije “institucionalizëm” dhe hyn në replika aq kryekëput politike, sa ja kanë zili gjithë zyra e shtypit në PD. Gjithsesi, deri këtu jemi tek etika dhe kostumi që duhet të mbajë një kryetar shteti i shkëputur nga cilado parti që e ka zgjedhur. Por më tej rezultoi se kreu i shtetit nuk ha thjesht përshesh: Kemi refuzime, kthime, anulime të çdo nisme të parlamentit dhe ekzekutivit, madje në mënyrë demonstrative, e sidomos, kemi kapsllëkun e sistemit të drejtësisë. Thuhet se këtë fat refuzues do kenë edhe ligji për KLD-në, marrëveshja me CEZ-in dhe ndarja e re territoriale. Përderisa një apo dy herë në javë, ai vizitohet në zyrë nga ish shefi, apo më saktë shefi i tij i përjetshëm Berisha, që hyn nga dera e pasme e presidencës, pi kafe me Nishanin dhe sheh fatin e afërt të vendit, këto kthime nuk do jenë çudi.
Sipas deputetit socialist Erjon Braçe, këtë Nishani e bën ngaqë nuk e pranon dot verdiktin popullor të 23 qershorit të një viti më parë, nuk e njeh atë votë. Atëherë shtrohet një pyetje e thjeshtë: Pse kjo votë masive duhet ta njohë presidentin mbetur në tentativë, që nuk u ngrit dot asnjë çast në lartësinë e detyrës?
Një muaj e pak histori me Nishanin, nga Gjin Gjoni te Magjistratura
Mjafton t’u hedhësh një sy të shpejtë zhvillimeve kronike që kanë të bëjnë me Presidentin e Republikës Bujar Nishani dhe lëvizjet që ai ka bërë gjatë muajit korrik dhe fillimit të gushtit, për të parë se sa kontrovers është ai në detyrën si kryetar shteti dhe garant i Kushtetutës. Janë ligje dhe vendime shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me funksionimin e shtetit, por që presidenti del zbuluar si njëanshëm. Ai i del në krah dhe merr në mbrojtje të gjyqtarit Gjin Gjoni, kur ministri Drejtësisë kërkon shkarkimin e tij për mosdeklarimin e pasurive përrallore disa milionë euro brenda pak vitesh. Nishanit i rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese kërkesa për kreun e ILDKP-së, Zana Xhuka, mbi vendimin e Kuvendit që shkarkoi kryeinspektorin. Por Nishani është i pandalshëm në revan(sh)in e tij: ai kthen ligjin për FA, ligjin për karrierën në ushtri, paracakton emërimet e gjyqtarëve, deri sa ktheu ligjin për Magjistraturën. Janë fakte që nuk kanë nevojë për koment.
Ja kronologjia e ngjarjeve:
4 korrik 2014: Nishani kthen për rishqyrtim në Kuvend ligjin për karrierën në Ushtri
Presidenti Nishani kthen për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Sipas Presidentit, ky ligj bie ndesh me disa nene të Kushtetutës, pasi tejkalon funksionet e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Presidenti shpreh shqetësim se ky ligj, “sjell si pasojë përqendrimin e karrierës ushtarake në mënyrë absolute tek Kryeministri duke tejkaluar kompetencën e Kuvendit për të vendosur si pushtet dhe autoritet primar në drejtimin e Forcave të Armatosura”.
7 korrik 2014: KLD rrëzon kërkesën e ministrit Naço për shkarkimin e gjyqtarit Gjin Gjoni
Këshilli i Lartë i Drejtësisë rrëzon kërkesën e ministrit të Drejtësisë Nasip Naço për shkarkimin e gjykatësit të Apelit Gjin Gjonit. Anëtarët e KLD nuk i kanë mirëpritur ndryshimet e propozuara nga ministria e Drejtësisë, të cilat sipas tyre, zvogëlojnë kompetencat e KLD-së. Nishani deklaroi se marrja e kompetencave të organeve kushtetuese, rrezikon seriozisht dimensionin e lirisë në vend.
18 korrik 2014: Nishani kthen për rishqyrtim në Kuvend ligjin për FA
Me arsyetimin se cenon kompetencat e Presidentit, Nishani kthen për rishqyrtim në Kuvend ligjin për FA. “Ky ligj, sjell ndryshime të cilat kanë pasoja kritike në ushtrimin e kompetencave kushtetuese të Presidentit, si dhe në balancën e ndarjes së pushteteve midis Kuvendit, Presidentit, Kryeministrit, si dhe autoriteteve të tjerë të përcaktuara në ligj”, argumentonte ai.
23 korrik 2014: Emërohen dy gjyqtarë të Apelit, burime nga KLD: Ishin paracaktuar
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka emëruar dy gjyqtarët e Gjykatës së Apelit tek Krimet e Rënda. Ndonëse me debate të mëdha, është bërë e mundur emërimi i këtyre dy gjyqtarëve, përkatësisht Gurali Brahimllarin dhe Nertila Kosovën. Sipas burimeve nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, mësohet se emërimet ishin përcaktuar më parë.
29 korrik 2014:Gjykata Kushtetuese rrëzon Nishanin për ILDKP-në
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e presidentit Bujar Nishani i cili kërkoi zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Presidentit dhe Kuvendit mbi vendimin që shkarkoi ish-kryeinspektoren e ILDKP-së, Zana Xhuka. Nishani iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për zgjidhjen e konfliktit të krijuar sa u përket kompetencave të Presidencës dhe Kuvendit të Shqipërisë.
11 gusht 2014: Nishani kthen ligjin për Magjistraturën
Presidenti e ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për shkollën e Magjistraturës. Në arsyetimin e tij Presidenti shprehet se Shkolla e Magjistraturës është një institucion serioz, ndërsa shton se ndryshimet prishin ekuilibrat në Këshillin Drejtues. Me këtë përbërje të re, sipas Kreut të Shtetit i hiqen kompetencat KLD-së.
***
Nishani s’mund të jetë më alibi….e askujt
Habjon Hasani
Bujar Nishani ka refuzuar dekretimin e ligjit për “Shkollën e Magjistraturës” dhe ka paralajmëruar në horizont dhe refuzimin e dekreteve për disa ligje të tjera, jo më pak të rëndësishme, si Reforma Territoriale apo Ligji për KLD-në. Veprimi dhe sinjalet e ditëve të fundit të Presidentit, kanë nisur një lojë hidh-e prit, tip cic-mic me palën qeveritare për këto çështje. Duhet thënë se Presidenti ka dalë më në pararojë dhe është më i avancuar në “stilin refuzues”; edhe më parë nuk dekretonte, por të paktën nuk hidhte romuze publikisht. Deri këtu jemi. Presidenti Nishani thjesht ka nisur të hedhë dhe romuze, por a ka ndonjë ndryshim në thelbin e qëndrimeve të tij me këtë mazhorancë? Aspak, zero ndryshime reflektohen, ai që në momentin e parë ka qenë i tillë me këtë mazhorancë, një i emëruar i Berishës që gjithnjë qëndrimet i kishte në harmoni me direktivat që vinin nga konferencat për shtyp të Partisë Demokratike. Ndaj dhe është e tepërt, që me disa ‘avancime’ apo romuze që hedh Nishani të bësh sikur ka ndodhur ndonjë ndryshim i papritur dhe situatë e paparashikuar. Ata që bëjnë si të alarmuar nga këto avanca të fundit publike të Nishanit, luajnë teatër, ose nuk kanë jetuar në Shqipëri 3 vitet e fundit.
Nishani, në fakt që me zgjedhjen e tij mbart një valencë të veçantë që e lidh fort me anomalinë. Ai është i pari president që erdhi si pasojë e ndryshimeve Kushtetuese të vitit 2008. Këto ndryshime, të firmosura nga konsensusi Berisha-Rama, bënë që ky i fundit më vonë t’i njihte si ndryshime të gabuara që sollën anomali. Nishani është fiks produkti i këtyre ndryshimeve, ndaj dhe s’do laps e kalem për të kuptuar se anomalia nuk është diçka që duhet të na habisë tek ai, ai është rezultat, pasojë e anomalisë, dhe kjo e fundit është tipari i tij kryesor dallues dhe s’mund të alarmojë më kërrkënd.
Mirëpo si President, ai është sot pikë kyçe në sistemin e drejtësisë. Është Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Për këdo që ka informacione mbi mënyrën se si funksionon ‘de facto’ ky Këshill, bëhet e qartë se Nishani është një spektator i KLD-së, ai ka thjesht detyrën që në postin ku ndodhet të bëjë deklarata konform klanit që kontrollon KLD-në dhe të firmosë ato që klani i servir. Realisht Bujar Nishani, është një President që i ka fuqitë me prokurë të posaçme, nuk e zotëron as në gjenezë fuqinë si President (për shkak të ndryshimeve Kushtetuese) dhe as nuk e fiton dot rrugës fuqinë si President (Për shkak të Ndryshimeve Kushtetuese dhe parametrave të tij personalë).
Ai dekreton gjykatës të rinj, por e vërteta është se është direkt Berisha ose njerëz shumë pranë tij që luajnë fijet. Dikush shkon tek Elvis Çefa, çon listën me emrat që duhet të aprovohen, Nishani mbledh KLD-në, firmos listën që i paraqet Çefa dhe kaq. Ja fiks kështu emërohen dhe transferohen gjyqtarët në Shqipëri, pompoziteti i deklaratave të tipit “nga shqyrtimi i kandidaturave” përgjithësisht janë dokrra që lexohen ose shkruhen në deklarata publike të Presidencës ose KLD-së.
E vërteta është se kupola e gjyqësorit sot funksionon si klan, si organizatë, ku ka një “Padrino” që vendos se kush duhet të bëjë karrierë dhe kush duhet të rrijë në vend, apo dhe kush duhet të digjet fare nga sistemi, sikundër ka dhe një President formal, që ka një detyrë fiktive të realizimit procedural të mbledhjeve dhe që ka vetëm një detyrë: Të bëjë si i thonë.
Në këtë derexhe ku ka arritur gjyqësori, me “rregull treshi” i bie që anëtarët e zgjedhur në kupolën e KLD-së, janë dhe ata që e kanë shkelur me më shumë zell ligjin, e që i binden më mirë kryetarit të klanit që e ka zaptuar gjyqësorin. Pra janë më të zellshmit në shkeljen e ligjit, janë ata që kanë guxuar më shumë në aventurën e klanit dhe që kanë treguar besnikërinë më të madhe ndaj kreut të klanit. Për pasojë, kur kjo kupolë mblidhet dhe merr edhe ndonjë masë disiplinore ndaj ndonjë gjyqtari të thjeshtë të sistemit, ajo që ndodh është thjesht teatër. Mblidhet ekipi i gjyqtarëve më të implikuar dhe më të zellshëm në shkeljen e ligjit dhe vendos të shkarkojë ndonjë fakir që i ka dalë emri. Piramida është përmbysur dhe sistemi është tërësisht i infektuar, ndaj nuk bëhet më fjalë për ndonjë ndërmarrje apo komunë që ka probleme, por për atë që duhej të ishte ajka e së drejtës shoqërore në këtë vend. Bëhet fjalë për bërthamën që si rregull duhej të na jepte garanci se po punonte çdo ditë për ta bërë më normal, më të drejtë këtë vend ku jetojmë të gjithë.
E njëjta skemë e besnikërisë ndaj klanit dhe e infektimit total nga imponimi i klanit reflektohet dhe në organin e akuzës, ndonëse ende nuk ka arritur këto përmasa kaq të forta ekspozimi dhe sfide publike sa gjyqësori. E thënë ndryshe jemi të ngërthyer nga një skemë e shndërruar në makineri që ose të shtyp, ose të grabit dhe të merr hisen. Është vetëm një grusht njerëzish kur e mendon, por ama sot që flasim janë ata që kontrollojnë këtë sistem të paçmuar që na garanton të drejtën shoqërore.
Ndaj dhe të mbërritur në këtë situatë, nuk ka më vend fare për diskutime dhe për lojëra fjalësh hidh e prit, nuk ka nevojë as për kleçka me projektligje dhe me “nene”. Sigurisht që eleganca në jurisprudencë ka vlerë të paçmuar, por nuk është më çështje nenesh kjo punë. Sistemi është bërë aq arrogant dhe aq arbitrar sa askush, as individ e as institucion qoftë, nuk mund të shërbejë më si alibi për të tejzgjatur ndërhyrjen integrale, shkundjen. Si mund të besosh dokrrat e pavarësisë institucionale, kur flitet për institucione që në mënyrë të hapur dhe dita-ditës shtypin të drejtat e qytetarëve?
Nëse dikush i ka më merak këto ekuilibrat delikate të parimit demokratikas “check and balance”, atëherë ka një zgjidhjeqë e garanton në mënyrën më të pacenueshme këtë parim: Vullneti i Sovranit. Është një zgjidhje me sukses të paracaktuar, quhet REFERENDUM. Nuk ka nevojë për sondazhe, shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës me këtë makineri shtypëse që për çudi, ende vazhdon të quhet sistem drejtësie edhe pse ka pjellë aq shumë padrejtësi.
Nuk ka as nevojë për të dalë e për të folur me “nene” që t’ua shpjegosh shqiptarëve arsyen pse po i tërheq në referendum. E kanë pësuar në kurriz këtë punën e neneve nga klani i gjyqësorit dhe as duan t’ia dinë për kleçka juristësh, duan thjesht një shenjë vullneti se dikush do i japë fund kësaj historie. Pasi është një histori që ka arritur kulmin e arbitraritetit, është aq arbitrare dhe aq e ekspozuar sa përveç ndërhyrjes pa kushte, nuk ke rrugë tjetër, nuk mund të fshihesh dot pas asnjë lloj alibie, sado e bukurshkruar qoftë, aq më pak të fshihesh pas ‘alibive me Nishan’. Nishani është pjellë e anomalisë, ndaj dhe duhet të jesh “anomal” që të alarmohesh nga anomalitë e tij.
Varini teneqene…
EDI RAMA:
CFARE PRET ME,QE TE BESH REFERENDUM PER TA SHKARKUAR NISHANIN E BERISHES?
MOS VALLE JE EDHE TI PJESE E LOJES KRIMINALE,QE PO E SHKATERRON SHQIPERINE?
Fjalia “Kur Nishani nuk po e njeh shumicen, atehere pse shumica ta njohe Nishanin”?, e permbledh te gjithe fiozofine e qendrimit qe duhet mbajtur ndaj kesaj “kufome politike” tash e tutje.
po cprisni shkarkoheni beheni me referendum dhe populli shkarkon populli vete shtremtaluqin,.Nuk ka nevoje shqiperia per ushtar te saliut populli ja tregoj vendin sales ashtu do te beje dhe me zagaret e tij