Gjykatësit që më grabitën

anazapta

Në kohën kur reforma në drejtësi është bërë togfjalëshi më i përmendur në debatin politik e mediatik të këtyre kohëve, në qendër të vëmendjes ka qenë aspekti institucional dhe juridik i çështjes.

Padyshim reforma në rradhë të parë, është ndryshim nenesh e ligjesh, paketash ligjore e madje edhe pjesë të kushtetutës, siç po debatohet. Por një denoncim i mbërritur në redaksinë e DITA-s na kthen në aspektin e vërtetë e konkret të dhënies ose mosdhënies së drejtësisë, tek pësimet në kurriz të qytetarëve.

Denoncuesi është Lulzim Brahja. Emri tingëllon i njohur; ka qenë ndër iniciatorët e rrëzimit të monumentit të diktatorit në vitin 1991, ka marrë dhe medaljen e Mirënjohjes nga presidenti Topi në vitin 2011.

Dekrete presidenciale kanë marrë edhe i ati Isuf, gjyshi Selim dhe stërgjyshi Ramazan Brahja, veprimtar i Pavarësisë.

Por shqetësimi tij është tjetër: Ai kërkon të botohet një letër e hapur, ku akuzohen gjykatës konkretë për një çështje prone të konsiderueshme në sipërfaqe dhe në vend të lakmuar, pranë Pallatit të Brigadave.

DITA është e hapur për reagimet e palëve.

Më poshtë teksti:

 

Letër e hapur drejtuar Presidentit të Republikës z.Bujar Nishani,

Kryeministrit të Shqipërisë z.Edi Rama,

Ministrit të Drejtësisë z.Ylli Manjani

dhe Prokurorit të Përgjithshëm z.Adriatik Llalla

 

Pas 20 vitesh të marrjes dhe hipotekimit të pronësisë na mohohet bashkëpronësia e vërtetuar me dokumente arkivore të vitit 1933, 1942 dhe dokumenta kadastrale të para reformës të 1946, të vitit 1951 dhe 1952, e vërtetuar dhe e njohur me 4 vendime të Gjykatës së Faktit dhe e kthyer me 5 vendime të Komisionit të Kthimit të Pronave të Tiranës. Me mashtrim, manipulim, falsifikim dhe fshehje dokumentacioni gjykatësit e përmendur anullojnë 9 vendimet e mëparshme dhe vendosin t’i hiqet prona babait tonë, Isufit, vëllai i vogël, dhe t’i dyfishohet pjesa Nuredinit, vëllait të madh.

Prandaj unë Lulzim Brahja, banor autokton nga Sauku i Tiranës u bëj apel krerëve më të lartë të shtetit dhe kërkoj drejtësi në Gjykatën Kushtetuese. Të na kthehet prona e vjedhur nga gjykatat e korruptuara.

Kërkoj të hetohen, të gjykohen e të ndëshkohen gjyqtarët Mirela Fana e Gjykatës Lartë dhe Zamir Poda i Gjykatës së Apelit për ankandin dhe vjedhjen e pasurisë sonë truall me vlerë shumë të madhe nëpërmjet mashtrimit, manipulimit, falsifikimit, fshehjes të fakteve dhe interpretimit të njëanshëm të dokumentacionit arkivor e ligjor të pronësisë tonë me qëllim përfitimin e shumave të mëdha parash, qindra mijra euro.

Kam 12 vjet që sorollatem nëpër dyert e gjykatave të zhytyra në korrupsionin e padrejtësisë dhe babëzisë së pasurimit në emër të ligjit dhe të paprekshmërisë së tyre.

Sot vendosa të denoncoj publikisht gjyqtaren relatore Mirela Fana të Gjykatës Lartë, që me vendimin e saj absolutisht të padrejtë, Nr. 00-2015-1727 i Vendimit 233, dt. 5 Maj 2015 dhënë nëpërmjet mashtrimit i hoqi pronën babait tim Isuf Brahja, si dhe gjyqtarin Zamir Poda në Gjykatën e Apelit, që me manipulim e fallsifikim ndërtoi skenarin ligjor të vjedhjes së pronës sonë.

Prona jonë është e trashëguar, e njohur dhe e kthyer nga Komisioni Kthimit Pronave Tiranë në bashkëpronësi të barabartë në emër të Nuredin dhe Isuf Brahjas, djemtë e të ndjerit Selim Brahja. Të gjitha procedurat për njohjen dhe kthimin e kësaj prone u kryen në bashkëveprim dhe në marrëveshje të plotë nga Haliti, djali i Nuredinit dhe unë, Lulzimi, djali i Isufit. Sipërfaqja e truallit u përfitua në mënyrë të barabartë dhe secila palë hipotekoi në emrin e trashëgimtarëve përkatës, pjesën takuese që në vitin 1995 (Vërtetim hipotekor Nr.1681, dt.29.04.1995).

Është krejtësisht e paligjshme që 12 vite më vonë fëmijët e Nuredinit, xhaxhait tim: Haliti, Hetem dhe Emine Brahja ngrejnë padi në gjykatë me pretendimin se babait të tyre Nuredinit i takon e gjithë prona, kurse babait tim Isufit nuk i takon asgjë.

Me të drejtë Gjykata e Shkallës së Parë me relator Altin Shkurti, anëtarëAgim Bendo dhe Sokol Ibi, me Vendim Nr.5632, dt.16.07.2007, e rrëzoi kërkesë padinë dhe konfirmoi të ligjshme bashkëpronësinë e barabartë të dy vëllezërve Nuredin dhe Isuf Brahja.

Pala kundërshtare Haliti etj., ankimuan këtë vendim të drejtë në Gjykatën e Apelit. Çështja u gjykua nga relatori Zamir Poda, që u ble me shuma të mëdha parash. Ai si mjeshtër i madh i mashtrimit, manipulimit, fallsifikimit, fshehu dhe keqinterpretoi dokumentat e sakta kadastrale të para reformës agrare të vitit 1946, lëshuar dt.12.07.1993 për një sipërfaqe 22 dynym tokë bujqësore dhe vendimin e njohjes së faktit nga Gjykata e Rrethit Tiranë Vendim Nr.474,dt.4.02.1994 që vërtetoi bashkëpronësinë e dy vëllezërve Nuredin dhe Isuf Brahja,përcaktoi vendodhjen në Saukun e vjetër dhe kufijtë e pronës së tyre me kufitarët. Qëllimisht Zamir Poda manipuloi edhe me dokumentin kadastral të vitit 1951, lëshuar dt. 18.08.1993, ku përsëri vërtetohet bashkëpronësia e Isuf dhe Nuredin Brahja për sipërfaqen totale 12 ha (hektar) e 4724 m2 e ndarë në disa parcela.

Dhe me vendimin e njohjes së faktit nga Gjykata e Rrethit Tiranë Vendim Nr.1363, dt.16.03.1994, u vërtetua bashkëpronësia e dy vëllezërve Nuredin dhe Isuf, u përcaktuan kufijtë e pronës dhe kufitarët dhe vendodhja e parcelës Nr. 6 tek Pallati i Brigadave (Mbretnor) ngjitur me rrugën nacionale Tiranë-Elbasan me sipërfaqe mbi 20 dynymë.

Më pas me dokumentin e arkivës shtetit të 1942 të shoqëruar me kufitarët dhe hartën treguese gent-plan dhe me Vendim plotësues 1363/1, dt.28.06.1995 u vërtetua që sipërfaqja e saktë e parcelës Nr.6 është 32 dynymë. Pra kjo pronë u vërtetua nga të gjitha proceset gjyqësore të mëparshme se dy vëllezërit, Isufi dhe Nuredini e kishin të trashëguar nga babai i tyre dhe ligjërisht ju takonte të dyve në mënyrë të barabartë siç dhe janë shprehur në vendimin e KKP të Bashkisë në vitet 1994-1995. Zamir Poda rrëzon gjithçka me një të rënë të lapsit, i heq pronën djalit të vogël Isufit, babait tonë dhe ja dyfishon djalit të madh Nuredinit. Ai zhvendos pronën me 1 km distancë dhe shkëmben dokumentat dhe vendimet e dy pronave të ndryshme, me vendndodhje të ndryshme dhe sipërfaqe të ndryshme 22 dynymë në Saukun e vjetër, 32 dynymë në Pallatin e Brigadave. Pra Zamir Poda mashtron dhe manipulon me një dokument kadastral të para 1946 me sipërfaqe 22 dynymë, pa kufij e pa vendodhje dhe e bën djalin e madh Nuredinin pronar me 42 dynym truall dhe vëllai i tij Isufi mbetet me 0 pronë.

Zamir Poda

Zamir Poda

Mirela Fana

Mirela Fana

Kundër këtij vendimi absurd të Apelit ne u ankuam dhe kërkuam rekurs në Gjykatën e Lartë ku dosja jonë u mbajt mbi 5 vjet duke u sorollatur nëpër sirtarët e 5 trupave të ndryshëm gjykues.

Një gjykim i vonuar, është një drejtësi e mohuar.

Gjykimi i çështjes së pronësisë sonë është një rast tipik i korrupsionit në drejtësinë shqiptare që shfaqet më dukshëm në Gjykatën e Lartë. Aty dosjet nuk lexohen fare nga anëtarët që plotësojnë trupin gjykues. Ata janë formalë, vendimmarrjen e dikton relatori që ndan paratë me kolegët dhe ju kërkon vendim unanim dhe kështu veproi edhe Mirela Fana me çështjen tonë.

Pala kundërshtare Halit, etj., i kanë blerë gjyqtarët me shuma të mëdha parash dhe kanë dhënë 2000 m2 truall i miratuar me leje ndërtimi që në vitin 1995 te Pallati i Brigadave, pikërisht në pronën që na e vodhën, që ka vlerë rreth 400.000 euro dhe është shpërblimi për të rrëmbyer tokën e ligjshme të xhaxhait tyre Isuf Brahja, babait tonë.

Ja si u bë ankand dhe lojë kungulleshkash me pronën tonë në Gjykatën e Lartë. Ankimi dhe rekursi u gjykua në Dhomën e Fshehtë të Këshillimit, me 3 vota kundër, 2 vota pro ankimimit tonë. (Vendim Nr.00-2011-360, datë 14.04.2011) dhe ky gjykim u bë vetëm dy muaj pas hedhjes së shortit, ndërkohë që kishte dosje në pritje që nga viti 2008, pra një shkelje e hapur ligjore. Ky nxitim dhe zell i madh për të lënë në fuqi një vendim të padrejtë tregon qartë se si përdoret ligji dhe drejtësia për të na marrë pronën legjitime në shkëmbim të një shpërblimi monetar të majmë të premtuar nga pala padrejtësisht fituese.

Përsëri na u mohua drejtësia dhe e drejta për të mbrojtur pronën tonë dhe çdo gjë u krye në një dhomë të fshehtë pa prezencën tonë dhe pa avokatin tonë mbrojtës.

Në bazë të ligjit kërkuam rishikim vendimi pasi gjetëm dhe paraqitëm rreth 12 prova të reja shkresore të rëndësishme për çështjen. Po përmend disa prej tyre:

Nga Arkiva Shtetit 7 prova, siç është dokumenti arkivor i shtetit Nr.3056/2 prot. i dt. 24.06.2011, notë transkriptim shitjeje që përbëhet prej 12 fletësh, dokument Nr.3220 prot., dt. 29.06.2011që vërtetojnëse pronësia është në emër të babait të Nuredinit dhe Isufit;

Nga Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit i Bashkisë Tiranës, 2 prova, Nr. 886 prot dhe Nr. 887 prot.,Vendimi Nr. 28, dt. 11.03.1994 i KKP të Këshillit Rrethit Tiranë që lidhet me shkresën kadastrale të para 1946, lëshuar dt.12.07.1993 dhe Vendimin Nr. 474, dt.4.02.1994 të Gjykatës Faktit që vërtetojnë bashkëpronësinë e dy vëllezërve, Isuf dhe Nuredin.

Nga Librat origjinale të Kadastrës të vitit 1946, 1950, 3 prova me vendimet e kadastrës të Këshillit Qarkut Tiranë Nr. 2015/1 prot. dt.29.06.2011 dhe Nr. 2016/1 prot. dt.4.07.2011

Provë tjetër e re është Vendimi gjyqësor Nr.1363/1, dt.28.06.1995 që i përket sipërfaqes tek Pallati Brigadave që është 32 dynym, jo 20 dynym që është pronësi e Isuf dhe Nuredin Brahjes.

Të frikësuar nga nxjerrja në shesh e të vërtetës, presioni i palës kundërshtare u rrit dhe e detyruan relatorin Guxim Zeneli të jepte dorëheqjen pasi e mbajti çështjen më shumë se 2 vjet në sirtar. Të njëjtën gjë bëri edhe relatori tjetër Admir Thanza që e mbajti mbi një vit dosjen dhe u tërhoq në seancën e dytë të gjykimit.

Por akuza ime e madhe bie mbi të tretin relator Mirela Fana të Gjykatës Lartë që vulosi e konfirmoi vjedhjen haptazi të pronës tonë. Ajo mashtroi, manipuloi dhe me paturpësinë më të madhe fshehu të gjitha provat e reja të mësipërme që paraqitëm para saj dhe 4 kolegëve të trupit gjykues, gënjeu duke thënë se ato kanë ekzistuar edhe më parë dhe diktoi votimin unanim 5 me 0 për mospranimin e kërkesës tonë për kthimin e çështjes për rigjykim në themel, në shkallën e parë (Nr. 00-2015-1727 i Vendimit 233, dt. 5.05.2015) duke shkelur të gjitha kushtet e përcaktuara me ligj në nenin 494-500 Kodit Procedurës Civile, pikat a, b, ç, e. Mirela Fana abuzoi me detyrën dhe ligjin me qëllimin e përfitimit të shumave të mëdha parash. Sipas kësaj gjyqtareje, paraja bën ligjin.

Për të gjetur drejtësi dhe ndihmë i jemi drejtuar me letra dy vjet më parë Presidentit B.Nishani, ish-Kryeministrit S.Berisha, ish-Ministrit të Drejtësisë E.Halimi, Kryetarit të Gjykatës Lartë Xh.Zaganjori dhe kryetarit të Këshilli të Lartë të Drejtësisë, Z. E.Çefa por nuk morëm asnjë përgjigje ose reagim.

Ne nuk do lejojmë kurrë grabitjen e pronës sonë. Të gjithë ata që janë pjesëmarrës në këtë skemë mashtrimi, si gjykatësit edhe pala kundërshtare do të përballen me hetimin në Prokurori, do të vihen para ligjit dhe do të penalizohen për mashtrim, fallsifikim, dëshmi të rreme dhe abuzim me detyrën.

Për të gjitha sa kam thënë më sipër kam fakte dhe dokumenta dhe jam i gatshëm të ballafaqohem me cilindo në gjykim civil apo penal.

Askush tjetër nuk do ta gëzojë pronën e babait tonë. Ne, fëmijët e tij do ta marrim përsëri dhe e vërteta e drejtësia do të fitojnë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *