Këto ditë Tirana për pak na ngjau si kërthiza e botës, ku vijnë të bujtin mbretër e burra shteti të Orientit. Ishin në fakt dy: Mbreti Abdullah i Jordanisë, dhe Presidenti i Republikës Turke Rexhep Tajp Erdogan. Përtej rastit disi ekzotik të vizitës së parë, interesi dhe vëmendja e opinionit publik tek ne, ishte patjetër tek e dyta. Aq më tepër që jemi në prag fushate dhe kryeministri Rama, ashtu siç e hapi qeverisjen e tij me një takim të përzemërt me mikun Erdogan (dhe vëllanë Hashim), po ashtu po e mbyll këtë përballje të parë elektorale të tij në pushtet.
Dhe lideri i më shumë se një dekade të Turqisë së sotme, nuk na zhgënjeu. Mund të thuhet se Erdogan erdhi në Tiranë për t’i thënë Ramës: “Kam një haber të mirë dhe një të keq. I miri është se jam gati t’ju ndihmoj me shtim tregtie dhe projekte, para e madhe byrazer; madje ju ndërtoj edhe xhaminë e madhe e parlamentin e ri. Lajm i keq është se për këto kam një kusht: Strukturat e një organizate terroriste që tenton një pushtet paralel në Turqi, kanë baza edhe në Shqipëri. Besoj shteti shqiptar nuk do ta tolerojë këtë organizatë dhe anëtarët e saj”.
Nuk duhet shumë imagjinatë për të kuptuar se miku nga Ankaraja e ka për Fetullah Gylenin, prania e investimeve të të cilit në Shqipëri është mjaft e ndjeshme në trajtë institucionesh arsimore private e ndoshta biznesesh të tjera. Ndërkohë që prej gati tre vitesh tashmë, ish aleatët e ngushtë janë kthyer në armiq të egër, përplasja e madhe politike e Turqisë po zbret edhe në Tiranë. Duke e vënë, besojmë, jo pak në siklet shtetin shqiptar.
Është e udhës të përmendim historinë e dy burrave të fuqishëm të Turqisë së sotme, për të vazhduar më pas analizën. Partitë politike me sfond jo laik, pra me rrënjë ku më e pak e ku më shumë tek besimi islam (prej nga merr kuptim termi “islam politik”), në Turqi janë goditur rregullisht nga ushtria e fuqishme turke, deri edhe me grushte shteti. Kjo për të ruajtur karakterin sekular të shtetit, një porosi e Mustafa Qemalit, themeluesit të Turqisë moderne. Përjashtimin dhe surprizën do ta bënte AKP e Erdoganit, e cila erdhi në pushtet në bashkëpunim dhe me ndihmën e lëvizjes së Fetullah Gylenit, një udhëheqës shpirtëror me shumë ndikim dhe pasuri, që është portretizuar si një reformator i islamit. Ngjashmëria e këtij ndryshimi që Gylen ka predikuar (se nga cilët njerëz të fesë është frymëzuar, meriton një material më vete), mund të të kujtojë disi protestantët dhe kalvinistët e krishterimit: Besimi mysliman dëshmohet jo me bujë, por me punë të vazhdueshme, respekt ndaj djersës së njeriut, parasë, autoriteteve; ndihmë fukarenjve dhe të pamundurve, pa e ngritur zërin dhe pa u mburrur. Publikisht Gylen deklaron se myslimanët dhe jomyslimanët jetonin në paqë dhe ujdi dikur, falë mjedisit të tolerancës që vendosi perandoria osmane, dhe kjo frymë bashkëpunimi duhet të rikthehet sa më shumë që e shtrin ndikimin e vet ndërkombëtar Turqia.
Nuk është sekret se nga është ndikuar “neo-otomanizmi politik” që shpallte vite më parë ish ministri i jashtëm, sot kryeministri Davutoglu. Mirëpo pasi kryeministri (tani presidenti) Erdogan dora dorës mposhti pushtetin e ushtrisë (edhe nën presionin e BE-së për një forcë ushtarake larg pushtetit civil, teksa po hidheshin disa hapa të integrimit që sot janë stopuar), mesa duket vuri re se armik kryesor kishte pikërisht Gylenin dhe mbështetësit e tij. Këta të fundit, sipas një studimi të gazetares amerikane Kler Berlinski, që ka jetuar për shumë vite në Turqi, vlerësohen deri në 6 milionë vetë. Gjithashtu Berlinski citon të dhënat e gjykatave amerikane që e vlerësojnë pasurinë e Gylenit diku mes 20-50 miliardë dollarëve. Po si ndodhi që Erdogan e pa veten të rrethuar dhe të përgjuar prej mbështetësve të Gylenit? Berlinski citon një video të vitit 1999 ku Gylen i thotë rrethit të vet më të besuar:
“Ju duhet të lëvizni në arteriet e sistemit pa e pikasur askush ekzistencën tuaj, deri sa të arrini në qendrat e pushtetit… Deri sa të piqen kushtet ndjekësit tuaj duhet vetëm të rrinë të padukshëm…. diçka e parakohshme do ta prishte shumë punë dhe myslimanët do të vuajnë gjithandej… Koha ende nuk ka ardhur. Duhet të prisni derisa ta kemi në dorë gjithë institucionet e pushtetit kushtetues në Turqi. Tani jua shpreha mendimet e mia, duke besuar tek besnikëria dhe heshtja juaj…”.
Në vitin 2000 Gylen shkoi në SHBA ku jeton sot e kësaj dite, por kanë qenë të njohura për ne përgjimet, paditë, gjyqet në Turqi kundër njerëzve të Erdoganit, kundërpërgjigjet e këtij të fundit me arrestime e pushime nga puna etj. Por gjatë kësaj kohe, në gjithë botën, në SHBA po e po, por edhe në Shqipëri janë ngritur institucione private arsimore nga fondacionet e Gylenit. Ndërsa përplasja e pushtetit ende nuk ka mbaruar por fitorja ngjan se anon nga AKP, Erdogan qartazi e quan terrorist ish mikun e ngushtë, që jeton në Pokonos të Pensilvanisë dhe është 74 vjeç. Të mos harrojmë se pak kohë më parë, edhe në Tiranë u hap paksa, debati mbi “gylenistët” shqiptarë në radhët e policisë, kur u cituan pjesë nga libri i Ben Blushit “Hëna e Shqipërisë”.
Padyshim, ne nuk kemi as mundësinë dhe as takatin të jemi pjesë e kësaj përplasjeje të madhe “neo-otomane”. Por nga mënyra dhe toni i kërkesave të Erdoganit, përballë listës me mundësi të mëdha investimesh në vend peshon presioni për “të bërë diçka ndaj pranisë gyleniste” në Shqipëri. Sigurisht, Turku i Madh ndoshta di shumë më tepër sesa thotë mbi praninë gyleniste këtu, përderisa u detyrua që “lajmin e tij të keq” ta bëjë publik, para mediave. E nga ana tjetër, padyshim Tirana zyrtare mund të zgjedhë edhe të vazhdojë si deri tani, një rrugë të mesme të ekuilibruar: Mes miqësisë verbale me Ankaranë dhe vazhdimit të aktivitetit të “terroristëve” gylenistë, që duhet thënë se kanë reputacion të mirë për cilësinë e mësimdhënies. Por… paratë nuk janë pak dhe ekonomia nuk është mirë. Ndërsa nga ana tjetër, thirrja e hapët e Erdoganit nuk është larg një ndërhyrjeje në punët e një shteti tjetër, sado mik. Çfarë do të bëjë Rama?/DITA

