Nga Kosova, ku politikani i ‘regjur’ austriak, Erhard Busek, ishte së fundmi si i ftuari special në një aktivitet të Shoqatës Austri-Kosovë mbi shëndetësinë dhe industrinë, komentoi në një intervistë ekskluzive për gazetën ‘DITA’ situatën në Ballkan, perspektivën e saj europiane dhe qëndrimin e Kryeministrit Edi Rama kundrejt Serbisë.
Busek, i cili është njëkohësisht edhe President i Forumit Ekonomik të Vjenës, mendon se Serbia po tregohet vigjilente për t’iu afruar BE-së dhe Kosova duhet t’i mbajë sytë tek hyrja e Serbisë në BE “sepse në një mënyrë a një tjetër, ato duhet të bien dakord me një marrëveshje që i jep Kosovës të gjitha mundësitë të nevojshme për të hyrë në BE si një vend i pavarur”.
Politikani, që mban edhe shumë poste honorifike, mbetet i impresionuar nga bashkëbisedimi Rama-Vuçiç, por nga ana tjetër nuk harron të zgjerojë këndvështrimin, ndërsa paralajmëron një Luftë të Tretë Botërore nëse vendet anëtare të BE-së nuk arrijnë të bashkohen më fort se kurrë për të përballuar sfidën e emigrantëve.
– Si i shikoni përpjekjet e Shqipërisë për të luftuar korrupsionin si një kusht kryesor për t’u bërë pjesë e familjes europiane?
– Nuk mendoj se është vetëm çështja e korrupsionit. Duket se është një moment kur serbët janë vigjilentë për t’ju afruar Bashkimit Europian. Ajo që qeveria shqiptare nuk po përpiqet të bëjë, është t’u shkojë pas fijes serbëve dhe mendoj se kjo është një strategji e zgjuar. Sepse nuk mund të jetë vetëm Serbia por duhet të jenë edhe vende të tjera. Në këtë kontekst, vetëm Mali i Zi nuk është i mjaftueshëm. Nëse shqiptarët i kryejnë ato pika që nuk kanë plotësuar deri më sot, çdo gjë është e mundur, mund të ketë një mundësi që të dalin në pah, sepse zhvillimi ekonomik i Shqipërisë nuk është edhe aq keq.
– Por duket sikur korrupsioni është kryefjala sot.
– A, më lejoni të them se lufta ndaj korrupsionit është e nevojshme, sepse ka shumë korrupsion. Por korrupsion ka edhe në pjesën tjetër të Europës. Mendoj se është traditë e drejtimit të gishtit drejt vendeve të Ballkanit se ato janë të korruptuara. Nuk po e them këtë që të justifikoj vendet e rajonit. Por kjo çështje duhet të shihet si më normale këtu dhe shpresoj se BE po e mëson historinë, sepse shumë nga kompanitë, që vijnë nga vendet e BE-së, po paguajnë shumë para për korrupsion.
– Kemi disa kritere të Bashkimit Europian për të përmbushur. Cila është këshilla për t’ia dalë?
– Mendoj se duhet të jeni shumë realistë. Ju vareni më së shumti nga kushtet që janë vendosur për Serbinë për të hyrë në BE sepse deri tani, dhe mendoj se është në rregull, çështja e Kosovës është pjesë e marrëveshjes. Çfarë po bëjnë serbët në këtë kontekst? Deri më tani, Kosova duhet t’i mbajë sytë tek hyrja e Serbisë në BE sepse në një mënyrë a një tjetër, ato duhet të bien dakord me një marrëveshje që i jep Kosovës të gjitha mundësitë të nevojshme për të hyrë në BE si një vend i pavarur.
– Edi Rama është kryeministri i parë shqiptar që vizitoi Serbinë këtë vit. Ç’mendoni lidhur me hapat e tij për të shkrirë akujt midis dy vendeve tona?
– Ishte shumë impresionuese në Procesin e Berlinit, Konferencën e Ballkanit në Vjenë tek shikoje një partneritet të vërtetë midis Vuçiç dhe Ramës. Ato janë të dy figura të fuqishme në të njëjtën nivel. Mendoj se është një strategji e zgjuar nga ana e Kryeministrit Rama. Ata u paraqitën shumë mirë duke qenë kritikë ndaj vetes. Të dy deklaruan se kanë humbur 25 vite zhvillim të vendeve të

– Shqipëria ka rezerva natyrore të mëdha si dhe bukuri natyrore. Si ka mundësi që Europa nuk po e shfrytëzon atë në kuptimin e mirë të fjalës?
– Kjo varet nga vetë Shqipëria. Mund të them se Mali i Zi është shumë i rëndësishëm për turizmin që ofron, duke pasur një vijë bregdetare. Shqipëria ka të njëjtën vijë bregdetare por deri më tani, ajo nuk ka qenë e aftë ta shfrytëzojë situatën e turizmit. Varet shumë nga vetë shqiptarët. Gjërat po përmirësohen, por shumë duhet të bëhet nga ata vetë.
– Sipas jush, çfarë mungon në bashkëpunimin midis vendeve të rajonit?
– Mendoj se shumë gjëra mungojnë në këtë bashkëpunim. Sepse ende ekziston një lloj konkurrence midis vendeve të ndryshme. Mendoj se ajo që duhet të bëjnë dhe për këtë po luftoj prej një kohe të gjatë, duhet të bashkohen si një fuqi e përbashkët. Kështu do të jenë më të fortë. Rivaliteti, konkurrenca, akuzimi i njëri-tjetrit janë gabime. Ato janë në favor të BE-së, por nuk janë në favor të njëri-tjetrit. Dhe kjo nuk ka kuptim. Shikoni për shembull, vështirësitë sa i takon çështjes së kufijve midis Kroacisë dhe Serbisë, problemet midis Maqedonisë dhe Kosovës e kështu me radhë. Nuk ka kuptim. Sipas mendimit tim, rajoni nuk është kaq i madh. E vetmja gjë që ka rëndësi për ta është të jenë së bashku.
– Austria është gjithashtu një nga vendet e Europës që po përballet me sfidën e emigrantëve.
– Ky është një problem vërtet i madh dhe ne nuk jemi të përgatitur për t’u përballur me të. Ishte parashikuar nga disa studime të realizuara në të shkuarën, por fakti është se ne nuk jemi të përgatitur për këtë lloj situate. Dhe deri më tani, nuk kemi një sistem për ta zgjidhur këtë problem. Ka shumë propozime si ndarja e kuotave për shtet, apo mbyllje kufijsh ndaj emigrantëve, por këto nuk do të funksionojnë. Sipas mendimit tim, e vetmja zgjidhje është që vendet anëtare të BE-së të bashkohen më fort se kurrë. Ndoshta ky është problemi që do t’i bëjë ato bashkë. Për momentin, ato janë duke ecur në drejtime të ndryshme. Dhe sigurisht kjo është gabim. Kemi të bëjmë me një sfidë dhe nëse nuk e menaxhojmë dot, mbase mund të arrijmë edhe tek një Luftë e Tretë Botërore.
*****
SHËNIM:
Mes paqes dhe… luftës
Nga Alqi Koçiko
Me një karrierë të gjatë politike, deri në nënkancelar të Austrisë, dhe një përvojë po kaq të gjatë me angazhimin e tij në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Europën Juglindore, emri i Erhard Busekut ka qenë për shumë vite i përmendur dhe i lakuar edhe në mediat e Tiranës. Mund të thuhet me plot gojën se ai e njeh Ballkanin si rajon, dhe Shqipërinë veçmas, në majë të gishtave. Në këtë kuptim, kjo intervistë e tij pa doreza, sa lakonike aq dhe e fuqishme, nuk është befasi. Busek flet sa me përvojën e veteranit të diplomacisë dhe politikës, aq dhe pa ato “arrat nëpër gojë” që i kanë zakonisht funksionarët aktivë në detyrë. Jo, ai nuk i ka këto pengesa.
Ndaj është mirë të ndalemi në disa momente të kësaj intervistë për DITA-n, për të kuptuar mirë rëndësinë e kohës që po jetojmë. Së pari, duket se Erhard Busek i bën një relativizim çështjes së luftën ndaj korrupsionit dhe lakimit të Shqipërisë për këtë fenomen; por nuk është kështu. Është thjesht e vërteta, kur Busek, me një përkufizim të përmbysur ‘skënderbejan’ deklaron se “Korrupsionin nuk e gjetëm këtu, por ua sollëm ne”. Me fjalë të tjera, në ç’mënyrë mund ta bëjnë korrupsionin e madh qeveritë e rajonit, përveçse me kompanitë dhe qeveritë evropiane dhe të tjera?
Kuptohet që ai nuk e nënvlerëson aspektin anti-korrupsion, por më tepër fton indirekt qeveritë e BE-së të shprehin vullnet për afrimin e vendeve të Ballkanit. Dhe me këtë pohim, del qartë një vendim politik që Europa duhet të marrë karshi vendeve si Shqipëria, që është shumë më tepër sesa “dhënia e detyrave të shtëpisë dhe kontrolli i gabimeve”. Ky vendim kalon së pari nga afrimi (i pashmangshëm) i vendeve tona me njëri-tjetrin, trekëndëshi Shqipëri-Serbi-Kosovë më kryesori, dhe ky është basti që deri tani, drejtuesit politikë të këtyre vendeve janë duke e fituar. Në këtë prizëm, mund të lexohet qartë se takimet dhe kontaktet e shtuara Shqipëri-Serbi, Tiranë-Beograd, Rama-Vuçiç, nuk janë një fasadë politike e dyanshme për të ushqyer karrierën politike të liderëve, por domosdoshmëri e kohës. Dhe kjo po ndodh duke mos anashkaluar asnjë çast Prishtinën.
Është fakt që jo më larg se para dy-tre ditësh, vetë presidenti konservator Nikoliç u detyrua të pranojë në media se klasa politike dhe populli serb “duhet të marrin një vendim për Kosovën”. Thënë ndryshe, ta njohin dhe të pranojnë edhe publikisht, se kjo histori duhet hedhur pas krahëve për të para përpara. Dhe shikimi përpara ka vetëm një destinacion final, përfshirjen e plotë në BE të rajonit. Aty mbase do kemi gjithë kohën dhe ngeshmërinë për t’u sharë nga motrat.
Por le të mos lëmë pa cikur edhe një temë të tretë, që Erhard Busek e ngacmon në fund të intervistës. Kërkohet një koordinim dhe organizim urgjent të BE-së si e tillë, për çështjen e emigrantëve dhe strehimin e menaxhimin e tyre, po aq sa dhe për zgjetjen e një zgjidhjeje mbi vendet ku aktualisht po bëhet kasaphanë. Busek (kuriozisht, edhe kryeministri Rama ka shprehur të njëjtën pikëpamje) bën thirrje që përgjigja dhe projekti të jetë i përbashkët; nëse çdo vend i BE-së reagon më vete, e aq më keq nuk reagon fare, Lufta e Tretë është më afër nga ç’e pandehim.
A është kjo një hiperbolë? Ende ne shqiptarëve Iraku dhe Siria, ndoshta dhe Turqia, na duken larg, por akumulimi i flotave dhe avionëve luftarakë të gjithë botës në një hapësirë të ngushtë, që janë vetëm 10 minuta larg nga qiejt tanë, nuk është fantazi, por realitet. Teksa debatojmë për futbollin dhe kuponin tatimor, dhe mirë bëjmë, nuk duhet të harrojmë kohët e rrezikshme që po na sillen rrotull.
